back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Masakrat e 4 shkurtit 1944 dhe ajo e 26 shkurtit 1951 – nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Masakrat e 4 shkurtit 1944 dhe ajo e 26 shkurtit 1951

nga Ilir Hashorva

Në historinë tonë të shkurtër (të bërë lëmsh nga një mungesë e plotë e respektit për të vërtetën dhe nga një polarizim i skajshëm politik që nuk lejon tregime dhe analiza realiste të ngjarjeve), në shkurt kujtojmë dy krime të bëra nga shqiptarët ndaj shqiptarëve, të interpretuara në mënyra krejt të ndryshme nga pole të kundërta ideologjike.
Kur lufta midis forcave nacionaliste dhe atyre komunistë ishte në kulm, në Tiranë, më 3 shkurt të vitit 1944, guerilet komuniste, në përpjekje për të vrarë Kadri Cakranin, komandantin ushtarak të Ballit, dhe Xhafer Devën, ministrin e Brendshëm të kohës, vranë shoqëruesin e Kadri Cakranit dhe, më pas, po atë ditë, vranë edhe nipin Xhafer Devës. Pas kësaj, natën e 3-4 shkurtit u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe u ndalua qarkullimi në Tiranë. Ata që nuk do të zbatonin urdhrin, do të pushkatoheshin në vend. Si pasojë, atë natë, ndonëse komunistët për arsye politike dhe propagandistike thonë se u vranë 84 persona, sipas procesverbalit të prokurorisë dhe të dhënave të morgut të spitalit të Tiranës, duhet të jenë vrarë 14 persona, prej të cilëve 9 janë të identifikuar me emra, ku bëjnë pjesë edhe dy italianë, dy janë të paidentifikuar dhe tre u gjendën më vonë, më 6 shkurt, nga interesimi i familjarëve të tyre. Ishte një masakër që bënë autoritetet në fuqi gjatë luftës, e cila mund të shmangej, po t’i lihej në dorë drejtësisë që të vepronte dhe të dënonte vetëm përgjegjësit. Megjithatë, duhet shënuar se, pas kësaj dhe për këtë ngjarje, kryeministri Rexhep Mitrovica e kritikoi ministrin e tij të brendshëm, Xhafer Devën dhe pak muaj më pas ky e humbi postin e ministrit dhe u kthye në Kosovë prej nga kishte ardhur.
7 vjet më pas, më 19 shkurt të vitit 1951, në legatën sovjetike në Tiranë u hodh një pako dinamit i cili shpërtheu pa dëmtuar njeri. Menjëherë pushteti komunist kreu arrestime të mbi 100 personave të cilët i mbyllën në burgun e Tiranës. Prej tyre zgjodhi 22, midis të cilëve edhe një grua, dhe natën e 26 shkurtit i çoi në breg të lumit Erzen dhe i pushkatoi të gjithë. Njerëzit që burgosi dhe vrau e, më pas, edhe ata që internoi e i persekutoi për këtë shkak, nuk kishin asnjë lidhje më dinamitin që u hodh në ambasadën sovjetike. Ishte një masakër barbare që bënë kriminelët komunistë pa asnjë shkak, në kohë paqeje, pa pyetur as “drejtësinë” e tyre, mbi intelektualë krejt të pafajshëm të Tiranës. Megjithatë, duhet shënuar se, pas kësaj, atyre që e organizuan këtë masakër, Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, Byroja Politike i përgëzoi dhe ua miratoi veprimin.

Diktaturat - gjithkund janë njësoj
Diktaturat – gjithkund vrasin njësoj
Nuk dua t’i komentoj më tutje këto ngjarje me njëfarë ngjashmërie por, duke perifrazuar një paragraf, nxjerrë nga një shkrim i botuar së fundi (fjalët origjinale të së cilit janë në kllapa), që e cilësonte ngjarjen e 4 shkurtit (duke harruar ngjarjen e 26 shkurtit), si “Natën e Bartolomeut”, për atë që ndodhi më 26 shkurt, do të thosha:
Projekti i një masakre të tillë që kolaboracionistët sovjetikë (nazistë) shqiptarë vranë bashkëkombësit e tyre me një gjakftohtësi barbare, nuk ishte vetëm një projekt i një hakmarrjeje kundër Antikomunizmit (Antifashizmit) Shqiptar, që e kundërshtonte pushtimin sllavo-sovjetik (nazist), por dhe një servilizëm i ndyrë dhe antinjerëzor i kolaboracionistëve shqiptarë ndaj komunistëve sovjetikë (nazistëve gjermanë).
Në mbledhjen e Byrosë Politike, që u bë për masakrën e 26 shkurtit, Mehmet Shehu propozoi: “Do të ishte mirë që ne si Byro Politike t’i bënim një telegram shokut Stalin ku t’i tregonim se si ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe, dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma më me ashpërsi”. Byroja Politike njëzëri e miratoi masakrën si dhe propozimin e Mehmet Shehut për telegram shokut Stalin.
Tashti, më thoni, të dashur lexues, cila nga masakrat ju duket më barbare dhe cili regjim ju duket se veproi më keq pas asaj që ndodhi? Cili regjim ju duket më servil dhe më kolaboracionist: regjimi nacionalist i kohës së luftës, në vitin 1944, që e dëboi më pas përgjegjësin kryesor të masakrës, Xhafer Devën, apo regjimi komunist i kohës së paqes që u mburr para Stalinit për masakrën që kreu mbi popullin e pafajshëm të Tiranës dhe Mehmet Shehun, njërin nga kriminelët kryesorë të masakrës, pas tre vjetësh do ta gradonte dhe do ta bënte kryeministër të Shqipërisë, post që e mbajti deri kur vdiq, në vitin 1981?
Para pak ditësh pashë një veteran në portalin kujto.al që u pyet se çfarë do të bënte, po ta dinte se kishte vetëm 24 orët e fundit të jetës së tij. A e dini si u përgjigj? “Do të vras një ballist”, tha.
A nuk do të ishte mirë që këto dy ngjarjet të dhimbshme që përmenden të përkujtoheshin së bashku si dëshmi e agresivitetit të ndërsjellë shumë të dëmshëm që kemi ne shqiptarët ndaj njëri-tjetrit, me qëllim humanizimin dhe qytetërimin sado pak tonin dhe mospërsëritjen më të ngjarjeve të tilla?
Nju Jork, 21 shkurt, 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.