back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Masakrat e Darsisë dhe anashkalimi i tyre nga diktatura! – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Boka e Bardhë ku u masakruan 27 shqiptarët
Boka e Bardhë ku u masakruan 27 shqiptarët

Masakrat e Darsisë dhe anashkalimi i tyre nga diktatura!

nga Avis Gjyshja

Një shok i hershëm i imi (B. Shtylla) më bëri share në facebook një përmbledhje informuese të studimit “Masakra e Panaritit” me autor historianin Petrit Zeneli.
Eshtë një studim i plotë dhe shkencor larg sentimentalizmave patriotike për masakrën e kryer nga andartët grekë në Panarit të Korçës më 10 Korrik 1914. Sipas gazetes londineze “Times” të 28 Korrik 1914, në Panarit të Korçës, andartët greke therën 455 gra, burra, pleq e fëmijë.
Po citoj shkurt një pasazh permbledhes cituar nga materiali: “Në historikun e fshatit Panarit, (dorëshkrim, fq.169, hartuar në vitet 1965-1971), bëhet fjalë për një bilanc të tmerrshëm gjatë masakrave: – 375 vetë, burra, gra, fëmijë e pleq të therur; u rrëmbyen dhe u morën si robina më shumë se 40 nuse e vajza të reja, u dogjën dhe u bënë shkrumb e hi 150 shtëpi, qindra e mijra bagëti të therura e të ngordhura si mall pa zot; 76 persona vdiqen si muhaxhirë rrugës për në Ullishtat e Vlorës…”
.
Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
Unë nuk po zgjatem me shumë në masakrën e Panaritit. Ata që duan për më shumë mund të kërkojnë botimin e historianit P. Zeneli “Masakra e Panaritit”
Një gjë serioze që autori verën, është anashkalimi që i bën historiografia dhe shteti shqiptar i kohës se diktaturës kësaj ngjarje kaq të rëndë për kohën.
…Dhe mua si djalë Darsie që jam me vajti mendja tek masakra serbe në Gjuzaj me 25 Mars 1913. Dhe kjo brutalisht e injoruar nga historiografia dhe shteti shqiptar i diktaturës.
Midis viteve 1965 dhe 1975, pothuaj çdo verë shoqëroja gjyshen time dhe dy vëllezërit e saj, dajot e babait tim në vizitat e tyre tek dy motrat e tyre njëra ne Gjocaj të Peqinit e tjetra në Allajbeg të Dumresë. Për atë të Allajbegut duhej të merrnim trenin në Peqin deri në Papër të Elbasanit dhe pjesa e mbetur Papër – Allajbeg bëhej me këmbë. Por rruga Gjuzaj – Peqin bëhej gjithashtu në këmbë dhe kalonte saktësisht në vendin ku serbët ekzekutuan burrat e fshatit Gjuzaj.
Në fund të fshatit Jasxhias, poshtë shtëpive të mullalinjëve, atje ku dikur quhej Boka e Bardhë, ishte vendi ku serbët me 25 Mars 1913, therën 27 burra të pafajshëm të fshatit Gjuzaj. I vetmi i mbijetuar i asaj masakre, Mustafa Xhyra, të cilin unë e kam dëgjuar me veshët e mij, tregonte se si i kishin ekzekutuar. Vetë Mustafai kishte marrë tre goditje tejshkuese thikë-bajonetë në qafë por Zoti bëri që të shpëtonte. Stërgjyshin tim Ramko Greca nuk e kapen dot nuk e di për çfarë arsye, ndërsa nëna e gjyshes time kishte marrë fëmijët (gjyshja ime ishte vetëm një vjeçe) e kishte ikur tek e motra në Çermë, e cila ishte gruaja e Kip Xhepës, i cili do të ekzekutohej 30 vjet më pas, më 24 tetor 1943, në një tjetër masakër të radhës në Darsi, të realizuar nga M. Shehu e kompani.
Po aty ku ndanin pronat e fshatit Selimaj të Peqinit me ato të Jazxhiasit, unë mbaj mend se si mbi arën e pluguar zbardhnin kocka njerëzish. Vetë kisha marrë njëherë në dorë një nofull të poshtëme njeriu, e cila i kishte të tërë dhëmbët, gjë që provonte se i përkiste një moshe të re. Atëhere nuk kuptoja shumë nga historia, por më vonë ishja dhe akoma ngelem i habitur edhe sot e kesaj dite se si historiografia dhe pushteti i kohës e anashkalonin me vendosmëri këtë ngjarje. Aq i madh ishte denigrimi sa edhe varret ua plugonin. Unë di të gjithë emrat e të ekzekutuarëve me disa nga të cilët kam dhe lidhje gjaku (gjyshja ime ishte bijë e fisit Greca, dhe në listën e të ekzekutuarëve ishte dhe një xhaxha i saj). Di që shumica e të ekzekutuarëve u varrosën në vendin e masakrës dhe kush pati ndonjë të afërm u mor e u varros në varrezat e fshatit. Kjo ndodhi sepse fshati nuk kishte më asnjë mashkull vërdallë. Disa u therën e ata që s’u kapën dot kishin marrë lemerinë.
E tëra kjo ndodhi sepse dy fshatarë të Gjuzajve të asaj kohe, Dervish Zyber Çela e Mersin Selman Çela pa qenë palë as me serb e as me turq, zunë pozicion në varrezat e lagjes dhe hapen zjarr kundër ushtrive ndërluftuese me mendimin se të gjithë ishin armiq.
I ndjeri Harun Greca, djalë i fshatit Gjuzaj dhe intelektual i shquar i kësaj zone në librin e tij “Darsia” shkruan:
“…Dervish Zyber Çela e Mersin Selman Çela, të ndodhur atë ditë në shtëpitë e tyre, pranë frontit ku zhvilloheshin luftimet, rrëmbyen armët dhe hapën “frontin e dytë” te varrezat e lagjes.”
Por vija e frontit të asaj lufte ishte shumë dinamike. Palët shtyheshin e tërhiqeshin herë pas here. Erdhi momenti që serbët rimorën pozicionet dhe menjëherë pas kësaj ushtria serbe rrethoi fshatin dhe arrestoi të gjithë burrat duke terrorizuar gra e fëmijë. Të gjithë burrat që u morën nga vatrat e tyre, të paarmatosur, civilë, serbët i therën ashtu siç theret bagëtia në kasaphanë.
I therën në dy therrtore dhe i hodhen kapicë mbi njeri-tjetrin…”
***

Këta të pafajshëm apo dhe vetë ngjarja nuk janë kujtuar e nderuar kurrë nga shteti, por as edhe varre nuk kanë më. Mbi varret e tyre plugonin traktorët dhe kjo ishte arsyeja që ne mund dhe t’i preknim me duar apo shkelnim me këmbë eshtrat e tyre.
Një tjetër masakër, dy-tre kilometër larg prej vend masakrës së vitit 1913, do të trondiste përsëri Darsinë. Kjo do të ndodhte 30 vjet më vonë, më 24 tetor 1943. Rreth shtatëdhjetë burra të tjerë të pafajshëm u pushkatuan, por këtë radhë nga njerëz që e quanin vehten shqiptarë. U bë me urdhër të Mehmet Shehut, por dhe këtë radhë kishte një përfaqësues serb në krahun e ekzekutorëve. E ai quhej Dushan Mugosha! As për këtë masakër nuk u fol kurrë gjatë diktaturës….
***
(Sipas Harun Grecës lista e të ekzekutuarëve në këtë masakër është si më poshtë:
1.Adem Vallja, 2.Beqir Greca, 3.Caush Greca, 4.Dervish Çela, 5.Elmaz Çela, 6.Hasan Greca, 7.Islam Xhyra, 8.Islam Greca, 9.Idriz Çela, 10.Islam Alleshi, 11.Islam Vallja, 12.Murat Greca, 13.Mersin Çela 14.Mustafë Xhyra (i mbijetuari i vetem i kesaj masakre), 15.Mustafa Greca, 16.Nuredin Greca, 17.Qazim Xhyra, 18.Sulejman Greca, 19.Seit Greca, 20.Sulejman Xhyra, 21.Sefer Xhyra, 22.Sako Xhyra, 23.Selman Çela, 24.Tahir Greca, 25.Xhaferr Greca, 26. Jaçe Greca dhe 27.Veli Xhyra.)
.
Ne foto: Një plan më i gjerë i vendit të masakrës. Në sfond djathtas, Peqini. Majtas, gati në cepin tjetër të fotos Rrogozhina.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.