back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Maya Angelou – Tri Poezi (Përkthye nga Ilir Seci)

Gazeta

Puthja e Obames ne Faqen e AngelouBarack Obama, Maya Angelou
Puthja e Obames ne Faqen e Angelout

“Kam mësue, se mund të kuptosh shumë nga nji njeri,
prej mënyrës se si ai përball tri gjana:
nji ditë me shi, humbjen bagazheve
dhe ndërthurjen e dritave në pemën e Krishtlindjeve…”
Maya Angelou

Maya Angelou

Maya Angelou, poetesha amerikane, artistja, balerina, luftëtarja e drejtave, nuk asht ma fizikisht… asht poezia e saj, asht shpirti i saj plot dritë dashnie që ka me e vazhdue udhëtimin e amshuem, dhe ka me përcjellë breza e breza drejt nji andrre ende të papërmbushun… Ilir Seci, shpesh ndërsa priste në metro merresh me të, e ndër të tjera më fliste gjithnji me shumë pasion për poezinë e saj… Unë e ndigjoja dhe përpiqesha me e përcjellë çka ai më shkruente… Sot më duhet me jua përcjellë edhe ju kët konfidencë të kahershme tonën që  kishte ndër të tjera edhe emnin e Maya Angelout…
Tri poezi dashnie të përkthyeme me shumë dashni nga Ilir Seci

Maya Angelou (1928-2014)
Maya Angelou (1928-2014)

Maya Angelou (1928-2014)

Tri Poezi

sjellë në shqip nga Ilir Seci

Burrat…

Kur isha e re, kisha dëshirë me kqyrë mbas perdesh
si burrat ecnin nalt e poshtë n’rrugë.
Burra pijanecë, burra të moshuem, burra të rij,
e të mprehtë si mustardë.
I kundroja.
Burrat gjithmonë shkojnë diku.
Ata e dinin që isha diku mbas perdesh.
Pesëmbëdhjetë vjeçe e vdekun për ta.
Poshtë dritares time, ata ndalnin hapat,
me supet e tyne të ngrituna si gjokse vajzash t’reja
n’sa fundet e xhaketave u lkundeshin mbas të ndenjunash.
Burrat.
Nji ditë kanë me na mbajtë në pllambë të duerve të tyne,
ambël, a thue se jena t’fundmet voe të freskta të kësaj bote
e mandej,
ata kanë me na shtrëngue pak. Veç pak.
E ai shtrëngim i parë asht i ambël.
Nji përqafje e shpejtë.
E butë në qenien tande të pambrojtun.
Edhe pak.
E fillon lëndimi…
Nxjerr jashtë në buzqeshje çka shklet përreth frikës.
Kur ajri zhduket, mendja jote plasë,
shpërthen me gjëmime, rrufeshëm,
njashtu si kryet e shkrepses në kuzhinë,
e coptueme,
e langu jot rrjedh midis gjunjve të tyne.
Ua ndyn këpucët.
Kur bota kthen vedin mbarë e mbrapshtë
e shija mundohet me u kthye në gjuhë,
trupi yt asht mbyllë me rropamë
përgjithmonë.
Dhe s’ka ma çilës për të.
Mandej dritarja hapet e plotë para mendjes tande.
Fill përtej luhatjes së perdeve, burrat ecin.
Duke dijtë diçka.
Duke shkue diku.
Por kësaj here, unë thjesht rri e kqyri…
Mbase…

Maya Angelou (1928-2014)
Maya Angelou (1928-2014)

Kujtesë…

Pesha e pandjeshme e duerve
tueja, tek gërgasin bletët
n’zgjue të flokve të mia,
buzqeshja jote n’kurbën e faqes teme.
Kajherë, kur ti peshon mbi mue, përndizem,
e droja teptiset, e misteri ma dhunon arsyen
Kur ti ke tërhjekë veten tande bashkë me magjinë,
kur veç aroma e dashnisë tande
mbetet n’gjoksin tem,
atëhere dhe veç atëhere unë mundem
e pangopun me e përpi praninë tande.

Kur ti vjen…

Kur ti vjen tek unë, i paftuem
tue me grishë me shenja
ndër oda t’kohnave t’shkueme
ku rrijnë ndry kujtimet.
Dhe ti m’ofron, njashtu si fmisë, nji papafingo,
ditë të mbledhuna si dromca.
Stringla puthjesh të vjedhuna.
Xhingrrima dashnish të huazume.
Arkë e mbushun përplot fjalë të mshehta
unë qaj.

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.