back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mbas shtatë qiejsh, asht gjithmonë nji bjeshkë… Cikël lirikash nga Elida Rusta

Gazeta

Elida Rusta
Elida Rusta

Mbas shtatë qiejsh, asht gjithmonë nji bjeshkë…

Cikël lirikash nga Elida Rusta

Nisem me t’puth…

Nisem me t’puth,
t’vras.
Nisem me t’dashtë,
pendohem.
T’mbështillem n’zemër,
si gjeth që era e fryn prej tana anëve.
Jap shpirt te kambët e lirisë tande.
.

Heq kohën prej trupi…

Heq kohën prej trupi,
liroj barrët e shpinës,
kndoj pa za për tana ikjet.
Atje poshtë te kroni katundit
që shterr dy muej verë,
janë palue brengat, braktisjet.
Ty n’asnji gji grueje nuk t’zén ma gjumi.
Valbona kcen t’fundit tango,
bjeshkët rrisin fmininë,
dashnitë shuhen përditë
si numër poetësh.
Atje poshtë te kron’i katundit,
çdo t’premte mohohet vetja,
tuj e ditë gjithqysh
se e premtja e fundit ka me e kryqëzue!
s'ka nji ligj t'përjetshëm  me u rrit n'dashni
s’ka nji ligj t’përjetshëm me u rrit n’dashni

Jam dikund…

Jam dikund
mes diellit që m’pat qorrue
e minutës çmendun
që m’bani me harrue verbimin.
Jam
ndër rrugë t’mbushuna me xhind
që m’thërrasin me gëzue.
Prej frëngjisë së flirtit
i shoh me lakmi.
Nandaja m’pat msue
mos me luejt me ta.
As me i shkel kurrqysh, – thosh nanbabja,
se t’bajnë sakat…
Dikund jam…
Ndoshta n’ujë
ndoshta ujë që s’don me pranue
zhegun e verës…
.

Edhe sot nji kafe

Edhe sot nji kafe,
pa ujë,
pa libër,
pa kryet tand që m’flente ndër duer.
Veç…
me shpresën
se m’rren zemrën si dashni..-
.
Mbas shtatë qiejsh,  asht gjithmonë nji bjeshkë...
Mbas shtatë qiejsh, asht gjithmonë nji bjeshkë…

Dy herë s’muj me dekë

I mblodha nadjet,
pa dalë drita.
Si troftë mbrrina n’bregun tánd.
Natën njimijë vjeçe,
e ktheva n’libër lutjesh.
 
Djalë i rritun!
Më merr përdore,
unë e vogla n’rrugë jam humbë…
 
Cila hije t’u shfaq
e m’dysh e ndau
Titanikun e ndjesive?
 
Ndoshta ti nuk erdhe
që unë ta shof rrugën kah duhet hecë.
 
Ani!
Të penduemin e fal edhe Zoti.
 
Në s’më gjegjesh dot n’dashni,
mos ta lëshoje n’dritaren teme
atë guralec,
se unë tash…
s’ta kthej dot me gurë.
As fjala e zemrës s’më shëron má.
 
Pranvera me sy të tham’
po vjen drejt meje.
 
M’len n’zjerm tem
që nesër mos të t’urrej!
Dy herë me dekë s’muj…
.

A nuk t’pata thanë…

A nuk t’pata thanë
se me gërrye n’ujëvarë
skurrjelat e lotëve kthehen n’rubin,
se mjellmat e bardha
dridhin çdo erë t’zezë?
Se furtunat rrënojnë
e dashnitë s’vuejnë ma
si shekullin e shkuem?
A s’të pata thanë
se regëtimat e shpirtit
janë ngrehë e ndërtue për robni,
se s’ka nji ligj t’përjetshëm
me u rrit n’dashni?
Të pata thanë
se mbas shtatë qiejve,
gjithmonë asht nji bjeshkë…
.
si gjeth që era e fryn prej tana anëve
si gjeth që era e fryn prej tana anëve

T’kisha ditë se je kaq pa puls…

T’kisha ditë se je kaq pa puls,
grimcat e poezive t’dashnisë tonë
i kisha shkye kahera.
U afrova shpejt
e m’torturove kadalë.
 
As vetë s’po mbaroj s’rrituni,
as ty s’po mbrrij me t’ringjallë…
.

Ku je hánë moj shoqja e zemrës

Kangë me sharki
 
Ku je hánë moj shoqja e zemrës,
edhe ti thu m’ke braktis,
a t’ka lodh dashnia jeme,
a së tepërmi t’kam bezdis?
Eja hánë bre, mos vono,
ne gjetsh n’gjumë mos e trazo,
ne gjetsh çu kallzoj për mue,
Thuj sa net’ ti m’ke shoqnue.
thuj sa net’ kam ndejt n’vetmi,
thuj sa herë kam qá për ty.
Thuj se malli m’ka përvlue,
e askujt s’muj me i besue.
Lshoja zánin afër detit
ta shtrëngoj n’gji mrenda vedit.
Derën hap e lash’ tuj pritë,
veç ai n’të me trokitë,
thuj asht mbyt n’det t’dashnisë,
sa herë hyjtë i ka qëndisë.
N’ty kam besë e po t’báj zá,
edhe sonte e kurrë ma!
S’di pse vdes për të çdo ditë,
dashni tjera s’kam me pritë!
.

Po e hedh në ankand unazën

Po e hedh n’ankand unazën me diamante,
le ta marrin vdekatarët
t’i lexojnë varret që kanë brenda vetes!
.

Ti rrin në hije

Ti rrin në hije
prej frike se shkrin.
Unë vuej për dhimbje,
përtypi máll çdo ditë që vonon.
 
Kush tha se dashnia
zgjat sa gjurmët mbi borë?
Bri saj kryqzohesh,
vdes
e ngjallesh përsëri.
S’je ti që më mund!
Asht dashnia që m’përgjunj.
.
Si troftë mbrrina n'bregun tánd
Si troftë mbrrina n’bregun tánd…

Elida Rusta me 5 rreshta

Elida Rusta, lindi në qytetin e vogël alpin të Bajram Currit.
Studimet e larta i kreu në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Fakulteti i Shkencave Shoqërore dega Gjuhë-Letërsi.
Botime: Njëmijë vjet Ajkunë” vëllim poetik
Suksese të tjera: Çmimi i parë për poezi në Michigan Detroit në konkursin e zhvilluar nga Revista “Kuvendi”
Çmimi i parë kombëtar në Përmet në “Gjurmët Naimiane”
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.