back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbasi e pranova qysh herët ftesën “Welcome to Paris” refleksione mbi leximin e librit të Skënder Sherifit – nga Jozef Radi

Gazeta

Skënder Sherif & Jozef Radi - nëntor 2023
Skënder Sherif & Jozef Radi – nëntor 2023
Mbasi e pranova qysh herët ftesën “Welcome to Paris”
refleksione mbi leximin e librit të Skënder Sherifit
nga Jozef Radi

Skënder Sherifin, e kam ndjekë fillimisht si jehonë e largët poeti. Ai mbrrinte pa e ditur deri n’skajet e humbtirave të së keqes, si biri i Shpend Sherifit dhe nip i Vocërr Sherifes, një mike fort dashur e familjes sime, bile ka ndodhur që kur askush s’mund t’ia shkruante një letër, ajo më thërriste si “i miri i Dadës”, e unë i kam shkrue disa letra Dadës Vocërr, për Shpend Sherifin, që jetonte asokohnash në Belgique-Bruxelles, në “Mërgatë të Qyqeve” e ku ndonji letër e imja, i ka ra ndoshta padashtas edhe Skënderit…
Kohë më mbas, e kam ndjekur rrugëtimin e tij poetik nisur prej asaj jehonës së largët teksa më avitej e më bëhej ma e ngrohtë po edhe ndjeja atë dëshirën e shlirtë të tij me u ba pjesë e letrave shqipe, edhe pse realiteti shqiptar me indoktrinimin ideollogjik, kishte mbrritur në përmasa të frikshme, dhe shihej qartë ai ngërçi në trajtimin e gjithë atyre shqiptarëve, të cilët fati i keq i kishte detyruar të jetonin në realitete jashtëshqiptare, e fati i mirë i kishte bërë pjesë të atyre realiteteve. Kështu edhe poeti Skënder Sherifi, në përpjekjet e tij për t’u avitë e për t’na ofruar atë çka ishte poezia e tij, në realitetin shqiptar ka ndeshë gjithnjë në shpërfilljeje, e duke e mësuar se në realitetet tejet komplekse dhe moderne të Europës, të cilat i kishte jetuar intensivisht, e nëse merrnim parasysh, tentimet e tij në kryeqendrat e artit të mbushura me histori, art dhe emocione jo të pakta, kjo lloj ftohtësie e jona ndaj tij, ka dëshmuar dashakeqsinë tonë institucionale, e cila asnjëherë s’i ka konsideruar pjesë integrale të vetes këto vlera, po e ka mbajtur gjithnjë larg këtë jehonë magjike prej sirene, që na ofronte edhe autori Sherifi.
Para disa vitesh u përballa me njërin prej librave të tij të ardhur në shqip, dhe në kohë leximi i tij me krijoi një ide më të plotë ndaj poezisë së tij që edhe pse kurrë nuk jemi ndeshur në nji përballje të drejtpërdrejtë bashkë, prej atij çasti ai përfaqësonte për mua si lexues, një urë të rëndësishme ndërlidhëse midis poezisë që krijohej në qendrat e mëdha të kulturës dhe periferive tona të zhytura në llumin e gjumin poetik të propagandës, për t’i dhënë një dorë ujë fytyrave tona të ndotura prej realsocit…
E kështu, në vazhdimësi e kam ndjekur poetin Skënder Sherifi me poezinë e tij, si një dorë ujë i qelibartë edhe për fytyrën time…

"Welcome to Paris" - Skënder Sherifi
“Welcome to Paris” – Skënder Sherifi

***
Bota poetike e Skënder Sherifit dhe ai shpirti i tij i eksplorimit ka edhe një lloj “paftyrësie”, do ta quaja unë kuptimin e takimit me botën e tij. Ai më ka ndihmuar mjaft që të jetë një nyje e ndërthurjeve prej një Bote të vogël me Botën e madhe dhe anasjelltas… Familja e tij, e ikur më shumë prej dhunës se prej dëshire prej Malsisë së Gjakovës, u vendos fillimisht disa vite në ish Jugosllavi, e më pas në Belgjikë, ku qenia aty e një komuniteti familjesh nga më të njohurat, të cilat prej dhunës komuniste kishin qenë të detyruara ta braktisnin atdheun, e që në retorikën ideollogjike ishin “trajtuar artistikisht” si “Mërgata e Qyqeve” e që poeti kët refren të “Mërgatës…” e merr me humor, e çmonton dhe e bën bashkudhëtare të thuajse gjithë shkrimeve të tij mbi figurat më të rafinuara kulturës, po edhe ato të poezisë së shek. XX, me të cilat, si një mjeshtër shahu ai ja ka dalë të gjejë pika të rëndësishme takimi, po njiherësh na e ka dëshmuar vetveten n’atë përmasën më të sinqertë të mundshme, duke i habitur e mahnitur njiherësh këto personalitete të larta, që i kanë ofruar miqësi e në të njejtën kohë janë joshur në kureshtje reciproke. Një mënyrë disi e habitshme, ky ballafaqim midis kulturave që në mënyrë të çuditshme ua ofronte djaloshi i Bjeshkëve të Nemuna në tryezat më të rafinuara të kulturës pariziane…
Në leximet e mia të njëpasnjëshme të këtyre 20 figurave të përzgjedhura dhe të prezantuara prej tij nga shtatori i vjetëm e deri në prillin e sivjetëm, Skënder Sherifit, më ka tërhequr më së shumti më sharmin e këndshëm të rrëfimit, me mënyrën moderne të komunikimit, me mekanizmin e rafinuara të malsorit që s’dëshiron të përdorë as maska, as inferioritet, e as megallomani në komunikimin me korifejtë e mendimit europian, ai shkon ashtu i qetë, pa komplekse në komunikimet e para me ta, duke lënë gjurmët e mundësisë të një komunikimi të dytë.
Sigurisht, çelës i jetës së tij dhe shpatull e rrugëtimit të tij letrar bëhet një figurë baziliare, e cila shfaqet përgjat gjithë librit është Pierre Seghers, i cili e konsideroj Sherifin birin e tij shpirtëror, dhe ai, atin e tij shpirtëror, ky është edhe çelësi i leximit të librit “Welcome to Paris”.
Aq dëshmohet i lidhur shpirtërisht Seghers me Sherifin, sa e konsideronte krijesën e tij, e për gjithçka kishte krijuar ai si Poet, ia hap rrugën të trokasë në portat e gjithë sivëllezërve të tij të letrave. Mbetem i besimit se komunikimi i një bote të vogël me botën e madhe, është një lloj ndërvartësie e atij impaktit të parë… gjuha e batutave të para dëshmon ndjesitë e vazhdimësive të këtyre përballjeve.
Simbas meje, Sherifi mbetet mjeshtër i herës së parë duke e kthyer atë në një çelës të artë vazhdimësie për komunikime të mëpastajme.
Në kët ballafaqimi të epërm letrar, Skënder Sherifi na dëshmon aftësitë e tija të veçanta për ta na sjellë herën e dytë po edhe për t’u bërë pjesë e një cikli të pafundmë komunikimesh, që na e dhurojnë këtë libër që e kemi ndër duar, e që unë e konsideroj, manual i raportit të një individi të ardhur nga një botë e vogël patriarkale, disi e refuzuar dhe e përjashtuar, për të hyrë në botën e madhe të kulturës dhe artit përmes hapash tejet të kujdesshëm, e pa përdorimin e maskave.
Poeti Sherifi ia ka dalë në mënyrën dinjitoze të jetë urë ndërlidhëse midis kulturave, duke ofruar elementet më të spikatura të asaj çka është genetikë e xhenuine tek ai, duke mos e lejuar kurrsesi veten të mbrrijë te ajo çka ne shpesh e quajmë deliret e një primitivizmi ballkanas, prej të cilit shpesh e kemi të pamundur të shkëputemi. Te ky libër si askund tjetër e kam gjetur atë kodin e malësorit të rafinuar që jeton në udhëkryqin e kulturave, që e bën më shumë se joshës, leximin e këtij libri poetik në eseistikë, e ku Skënder Sherifi, me një lehtësi shpendi dhe me një hare të rrallë në të shkruar lëshohet si një borë e ngrohtë letrare, e na fton të bëhemi pjesë e kësaj bote ku ai ka udhëtuar me autostop, e që sot na duket krejt e paaftë për të rikrijuar kësi raportesh në mënyrë të paqme, e rrezikon mos ta marrë në konsideratë as këtë mënyrë kaq të këndëshme leximi dhe njohjeje që me dashamirësi proverbiale na e ofron Skënder Sherifi…

"Welcome to Paris" - Skënder Sherifi - (kopertina e pasme)
“Welcome to Paris” – Skënder Sherifi – (kopertina e pasme)

***

Në vazhdimësi të këtyre leximeve që tua, po edhe të kënaqësisë që më dhuron sa herë që kalojnë nëpër duar punët e tua, jo vetëm m’i edukon shijet e një leximi ndryshe, por e gjej një botë lirie, ku secili mundet me mbrojtë idetë e veta edhe në rrafshin e spekulimeve idelollogjike, e në të njejtën kohë është kënaqësi tejet e madhe kur i gjen, i ndjen dhe i përjeton ato përplasjet e tua, me kollosët e epokës. Dëshmi unike, në të cilat doza e ironisë, i bën shkrimet e tua, jo vetëm sharmante, po edhe diçka e rrallë dhe jo fort e ndeshun ndër ne shqiptarët, që nuk kemi asgjë madhështore për të rrëfyer, pos thjesht intriga, spiunime, dosje dhe gjyqe, po edhe artistë, që jo vetëm ishin të pafajshëm, por s’kishin asgjë të ngjashme me rebelimet e tua, ndër elitat e larta të poezisë franceze, po edhe më gjerë…
Shkarkimet e tua, në fund të fundit janë edukative, antikonformiste, por kanë edhe shpirt luftarak. Si gjithnjë, jam tejet i vëmendshëm ndaj teje dhe sigurisht i përtyp ngadalë ato gatimet e bëra aq mirë, saqë frikem t’i mbaroj shpejt, sepse është diçka që shpeshherë arrin deri te kufinjtë e së pabesueshmes.
Janë ndikime reciproke, ku gjurma është e dyanëshme dhe e dyplanëshme!
Unë gjithnji e konsideroj si shkollë komunikimi, gjithçka që ju keni realizuar në jetë, dhe si ja ke dalë të jeshë krijesë e dobishme në një botë interesash shpesh të përçudura, duke mos e vrarë Poetin, të cilin globalizmi aktual, e konsideron sa vlerën e një Peshku.
Breshëritë e shkrimeve të tua më marrin përdore dhe më shetisin në atë botën e aventurave të tua, ku ti shpirt të paepur Malësori, po edhe me mbetjet më të mira strukturale të kahmotshme, ja ke dalë me u përballë me kohna, me vende, me njerëz e me ikona, të cilët nuk kanë mujtë me të ba si vetja, e gjithnji ja ke dalë edhe me diktue, edhe me u pranue, edhe me u ba pjesë me atë që në dukje asht primitive, por në thelb ashtë humane, bile humane e dorës së parë…
Ndoshta, në një kohë jo të largët mendoj se të botueme në shqip, esetë tua kanë me qenë një kontribut i vyem për krejt ata që e kanë qiellzën e mprehun prej leximeve.
Në një periudhë të caktuar të adoleshencës së fillimit të leximeve mendoja se shkrimtarët janë gjithmonë të vdekur, edhe nuk besoja se ka shkrimtarë të gjallë. Kështu, që leximet e këtij cikli të çuditshëm marrëdhëniesh, ku ti je protagonist, me gjithë dozën e fantazive, shpirtin tënd poetik dhe dëshirës për protagonizëm me të cilat janë të veshura këto ngjarje,
do ngelet për mua një eksperiencë e veçantë dhe tejet pozitive, një lexim ndryshe i botës dhe i marrëdhënieve midis intelektualëve të kryeqendrave të kulturës, dhe e njerëzve që i braktisin periferitë në kushtet e ekzilit, për t’u ballafaquar më vonë me realitete të pabesueshme…
E përjetoj si një akt të veçantë, leximin e kësaj vepre, përmes asaj bote që ti ma ofron, përmes eksperiencave të tua personale, konfrontimeve të tua, ashtu si nji malësor pa opangë, ku aftësia e jote e rrallë, dhe mënyra për të trokitur tek portat e të Mëdhajve, më ka mbetur si një kujtim fort i dashur e i paharrueshëm…
Kam një gjykim relativisht modest për lexuesin shqiptar, i cili nuk ka një sistem të qartë mbi vlerat, por as një mënyrë të qartë leximi, rrjedhimisht as vlerësimi!!
Bile jam i bindur se një pjesë edhe e lexuesve të mirë, nuk do arrijnë ta konceptojnë siç duhet mënyrën tënde malësore përmes të cilës ke vepruar edhe në atë Botë ku ti je ndërfutë si mes plasave të një mali për të komunikuar, dhe vazhdon të komunikosh prapë, edhe sot e kësaj dite!
Kam një bindje se shkrimtarët tanë ma të rëndësishëm, jetojnë ndër do lavdi të paprekshme e të pambrritshme, ndoshta krijojnë edhe ndonjë lloj miti, që u vjen si begati nga injoranca e mosleximeve.
E Ju, na keni sjellë pikërisht të kundërtën, duke na e prishur paksa atë rehatinë e një Parnasi të rremë ku sundojmë si zullumqarë!
Prandaj, leximi i kësaj vepre, prej kohës kur ajo ka nisë edhe deri në ditë të sodit, për mua mbetet një kënaqësi, po edhe një obligim modest për ta përcjellë te ai lexues që e do pa shumë zhurmë, të vërtetën …
jozef radi, mars 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.