back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbi dijetarin Dr. Kolë Ashta – nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj

Gazeta

Kole Ashta (1918-1997)
Kole Ashta (1918-1997)

Mbi dijetarin Dr. Kolë Ashta

nga Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj

Para pak kohësh, pas një pune vullnetmadhe e të frytshme shumëvjeçare si pedagog dhe si studiues i gjuhës shqipe, u nda së gjallësh prof. Dr. Kolë Ashta, njëri nga hulumtuesit më të zellshëm e më të përkushtuar të fjalës shqipe, njohës i mirë i teorisë dhe i praktikës filologjike, figurë e paharrueshme dhe e lidhur me ndihmesa të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë shqiptare. Ai vdiq dhe nuk la trashëgimtar: as djalë as vajzë dhe kjo, natyrisht, në planin njerëzor e bën edhe më të dhimbshme humbjen, veçanërisht për familjen e tij, porse ai, ashtu si disa burra të tjerë të shquar të letrave e të shkencës sonë, la një vepër madhështore e të përmasave të mëdha, na la “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, vëllimin e parë të së cilës e botoi më 1996, Sektori Shkencor Albanologjik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”: një punë madhore dhe e hapët, prej rreth 500 faqesh, në të cilën janë përfshirë kërkimet dhe hulumtimet e të ndjerit rreth katër pikave-nyjë në filologjinë historike shqiptare:1) “Formulës së pagëzimit” apo dokumentit të parë të gjuhës shqipe, shkruar me 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli,2) Dokumentit të dytë të gjuhës shqipe “Fjalorthit” të Von Harfit (1467), 3) “Perikopesë ungjillore” të përkthyer nga fundi i shek. XV e që përbën të tretin dokument të gjuhës shqipe dhe 4) “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) që përbën burimin më të madh e më të plotë të shqipes së shkruar deri atëherë.
Le t’i japim një sy, së bashku, të nderuar lexues, kësaj vepre të jetës së mjeshtrit Kolë Ashta, këtij libri të botuar nga Shtypshkronja “Volaj” me ndihmën financiare të Fondacionit “Soros” dhe të Dhomës së Tregtisë të Shkodrës. Redaktorë të vëllimit janë një treshe e profesoratit shkodran, As. Prof. Dr. Tomor Osmani, As. Prof. Dr. Simon Pepa dhe Tefë Topalli, që të tre miq dhe kolegë të Ashtës, po edhe njerëz që i lidh fort zemra me ndihmesat e vyera të albanologjisë e që, duhet ta themi, në botimin e kësaj pune që përmban gjithë jetën e Kolë Ashtës, kanë rolin e atyre që shpëtojnë dikë nga përmbytja. Gaditja për shtyp e punët redaktoriale që kërkon një veper kaq e vëllimshme si “Leksiku historik i gjuhës shqipe” përbënte me siguri një mund e zotim të shënueshëm dhe atyre u përket një nderim për këtë.
Por, para se të hyjmë në thelbin e paraqitjes sonë, le të ndalemi një çast në përkushtimin e kësaj vepre nga autori: “Gjithë punën për kryerjen e këtyre studimeve ia kushtoj Anetës, gruas sime, e cila m’u gjet gjithmonë pranë”. Kjo na kthen edhe një herë tek ajo që prekëm në hyrje: Kolë Ashta nuk la bij, por ai, ashtu si Martin Camaj, pasi çoi jetën me familjen e vet, pasi iu mbaruan ditët, i la bashkëshortes veprën e tij të madhe, e cila e pavdekëson mbiemrin e autorit më shumë se do ta përjetësonin një çetë djem e nipa: ai la emrin e ndritur të studiuesit që kurrë nuk diti të thoshte “kam hulumtuar mjaft”. Ai e vijoi kërkimin dhe punën shkencore deri në çastet kur iu mpakën e iu shterruan të gjitha forcat dhe, pa dyshim, në shkëlqimin më të mbramë të syve të tij, para se t’i mbyllte përgjithmonë, zonja e tij e nderuar, Aneta, me siguri që, bashkë me lamtumirën e burrit, do të ketë ndjerë edhe “amanetin” e autorit për veprën që la në botim e sipër.
Tek lexojmë veprën, natyrisht, nuk mund të mos shprehim dhe nderimin që meriton zonja Aneta Ashta që, këtë amanet të të shoqit, arriti ta plotësojë, duke pasur pranë edhe studiuesit e Sektorit të Albanologjisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Sa herë të lexojmë, të citojmë a të vlerësojmë atë çka thuhet në “Leksiku historik i gjuhës shqipe” të Kolë Ashtës, krahas tij do të na shkojë mendja natyrshëm edhe tek personat që me aq përkushtim bënë të mundur botimin e saj.
Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta.
Ashtu si mjeshtri Eqrem Çabej, me të cilin i lidhte një miqësi e thellë po edhe një fushë e përbashkët kërkimesh, sidomos çka lidhet me leksikun historik të shqipes, Kolë Ashta e hulumtonte dhe e vilte shterrueshëm e me shumë shqyrtime e krahasime zhdavaritëse gjithë leksikun e dokumenteve më të para të shqipes dhe, bash për këtë arsye, separatet e “Buletinit të Shkencave” dhe të “Buletin i Institutit të Shkodrës” me pjesët e botuara të “Leksikut…” nga Kolë Ashta, Çabej i mbante gjithnjë në tryezën e tij të punës. Kush lexon e studion veprat e Çabejt sheh se atë lëndë e citonte dhe e shfrytëzonte gjerë për etimologjitë e shqipes dhe më tej në kundrimet rreth historisë së gjuhës shqipe.
 

Kol Ashta - Arshi Pipa - Menduh Dërguti - Fadil Podgorica

Nuk gabojnë aspak, po të themi se, në veprën e E. Çabejt “Studime etimoligjike në fushë të shqipes” Kolë Ashta është autori që është cituar më shpesh.

1.Punimi i parë që zë edhe vendin e kreut hyrës të vëllimit është ai që i kushtohet figurës së Pal Engjëllit, si personalitet e bashkëkohës i Skëndërbeut, si historian a biograf i tij, i përmendur gjithandej në shkrimet historike kushtuar heroit tonë kombëtar, krahas Biemnit, Barletit etj. po, duke u ndalur, në mënyrë të veçantë në Kuvendin e Matit të vitit 1462, si një nga sinodet shumë të rëndësishme, ku ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli shkroi edhe të famshmen “Formula e pagëzimit”. Koha kur u shkrua Formula ishte një pikë kritike e historisë kombëtare shqiptare: Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot – Skënderbeu ishte atëherë më i plakur dhe i lodhur e kishte filluar të ndihej trysnia e ndikimit turk. Kuvendi i Matit mishëronte përpjekjet atdhetare për t’i bërë ballë sado pak vërshimit të kësaj vale.
Në sythin e titulluar “Dokumenti i parë i shkrimit shqip është “Formula e pagëzimit”, shkruar në Mat, më 8 nëntor 1462 nga Pal Engjëlli”, Kolë Ashta i qaset shtruar shqyrtimit filologjik dhe përshkrimit të hollësishëm të brendisë e të formës gjuhësore të atij dokumenti. “Formula e pagëzimit” e shkruar latinisht e shqip nga Pal Engjëlli është kjo “Ego te baptizo in nomine patris et filij spiritus sancti”. Teksti shqip i Pal Engjëllit: “vnte paghesont premnit Atit et birit et spertit senit”, që e tejshkruan kështu: “Un të pagëzonjt pr emënit/të/ Atit et birit et spertit senit”. Dokumenti i parë i shqi-pes gjendet brenda një konteksti udhëzimesh të shkruara latinisht. Këto udhëzime, që kanë të bëjnë me këtë shërbesë fetare, me pagëzimin e në lidhje me formulën e tij, që lexohen në tekstin e Pal Engjëllit, dëgjohen përsëri e do të shtjellohen më gjerë edhe në shekujt vijues, si në Kuvendin e Arbnit, të mbajtur në Mërqinjë të Lezhës më 1706. Autori ngulmon se “ato janë dy më të moçmet sinode shqiptare që nga koha e Skënderbeut”. (fq. 43).
Formula e Pagëzimit, ndonëse është një tekst i shkurtër, gjithsej vetëm një fjali, përmban një hallkë të rëndësishme që lidh Shqipërinë paraturke me Shqipërinë e kohës osmane. Ajo është formula që do të ketë qenë në përdorim të kishës në gojë të popullit dhe shkruesi i Kuvendit të Matit nuk bëri gjë tjetër veçse e fiksoi me shkrim atë traditë të trashëguar brezpasbrezi e me një trajtë pothuajse të pandryshuar.
2.Dokumenti i dytë i gjuhës shqipe është “Fjalorthi” i Arnold fon Harfit (Von Harf) i vitit 1497. Ky shtegtar gjerman, qe nisur nga Këlni i Renanisë në vitin 1496, për një udhëtim të largët nëpër Itali, Siri, Egjipt, Arabi, Etiopi etj. Gjatë atij udhëtimi ai u ndal diku edhe në brigjet tona. Ato që pa e dëgjoi gjatë udhëtimit të tij Harfi i renditi në një vepër, e cila asokohe nuk qe botuar. Vetëm mbas shumë vjetësh, më 1860, do të botohej në Këln “Die Pilgehrfart des Ritters Arnold Von Harf…”, në fq. 65 të të cilit, autori sjell disa fjalë shqipe së bashku me disa fraza e me disa numërorë, që u mblodhën prej tij në vendin tonë dhe po prej tij u përkthyen në gjermanisht. Së këtejmi, edhe quajtja e tyre “Fjalorth shqip-gjermanisht” i vitit 1497. Nga shqyrtimet e shpjegimet e imëta të Ashtës del se Harfi, së pari, do të jetë ndalur në Ulqin, për të cilin thotë se “ky është një qytet i bukur, i vogël, pronë e venedikasve dhe është tokë shqiptare”. Prej andej kalon nëpër det dhe del në Durrës e aty, mbledh disa fjalë dhe mban shënime që, më vonë, do të ngjallnin aq interesim.
Në të vërtetë, përtej interesimit të mirëfilltë për historinë e shqipes së shkruar, ato pak fjalë të Harfit, do të meritonin edhe një hetim e analizë të hollë dialektologjike, sepse, bash qysh aty, mund të vinim re edhe ndonjë dukuri dialektore karakteristike për të folmet bregdetare të Shqipërisë së Mesme dhe të toskërishtes, përderisa dihet se, gjatë udhëtimeve të tij në Shqipëri, ai qëndroi edhe në Sazan. Porse, puna është se teksti origjinal nuk na ka mbërritur, kemi në dorë vetëm kopjimin sipas botimit që ka bërë Mario Roku (Roques). Të interesuarit, studiues apo studentë të letrave shqipe, në studimin e prof. Kolë Ashtës kanë tërë listën e fjalëve shqip-gjermanisht të Harfit, bashkë me disa shpjegime kritike në kllapa. Aty kemi, gjithashtu, alfabetin e shqipes të nxjerrë nga “Fjalorthi”.
Sa thotë Ashta rreth veçorive gjuhësore-historike të “Fjalorthit” si dhe të dhënat leksikore të nxjerra së andejmi kanë pasur e do të kenë edhe më tej rëndësi të madhe për studimet rreth fonetikës historike të shqipes, si dhe përgjithësisht rreth morfologjisë e leksikut të gjuhës sonë. Ato janë përfillur e cituar gjerë sidomos në kërkimet e Eqrem Çabejt.
3.Dokumenti i tretë i shqipes, të cilin Ashta e trajtoi gjerë në veprën e vet, është “Perikopeja ungjillore”. Aty flitet për përkthyesin anonim të dokumentit, për ndryshimet mes kodit dhe dokumentit shqip të Anonimit “Perikopeja ungjillore”, bëhet përshkrimi i dokumentit nga ana filologjike, jepet pasqyra e alfabetit të “Perikopesë ungjillore” dhe teksti i dokumentit shqip të Anonimit. Tërheq vëmendjen, në mënyrë të veçantë, shqyrtimi i gjerë dhe plot erudicion i të dhënave rreth fonetikës dhe përbërjes leksiko-frazeologjike që nden “Perikopeja”.
Aty, praktikisht, Prof. Ashta ka derdhur shpjegime e shpallime etimologjike, historiko-kulturore, etnologjike etj., të cilat nuk mund të mos përfilleshin nga dijetarët bashkëkohës dhe ata që do të vijnë.
4.Natyrisht, puna më e madhe dhe themeli i vëllimit është studimi “Gjon Buzuku dhe vepra e tij “Meshari” (1555), një monografi e hapët dhe e plotë prej gati 400 faqesh. Kemi të bëjmë me një studim të kryer qysh më 1963 dhe është bërë duke u mbështetur fillim e mbarim vetëm në fotokopjen tërësore të “Mesharit”, sepse, deri atëherë nuk kishte dalë ndonjë botim filologjik i tij. Vendin kryesor në studimin e Ashtës për librin e Buzukut e zënë, siç e thotë edhe ai vetë, sidomos dy gjëra të reja: ana letrare e përkthimit shqip dhe leksiku i plotë i nxjerrë nga vepra.
Monografia është nyjëtuar si vijon: pas disa shënimeve paraprake, shkurt, vjen hyrja me titull “Jehet e kohës e të hapësirës në shekullin XVI dhe Buzuku me veprën e tij” (fq. 113-120), sythi rreth jetës së Gjon Buzukut dhe disa vija të personit të tij (fq. 121-126), Arsyetim për çështjet biblio-grafike të veprës së Buzukut (fq. 127-134), vrojtime grafike për shkronjat e alfabetit në veprën e Gjon Buzukut (fq. 135-141), Një përpjekje për studimin e anës letrare të veprës “Meshari”, sipas përkthimit shqip nga Gjon Buzuku (fq. 141-175), Veçori dalluese të gjuhës së Buzukut (fq. 183-220), Bibliografi për Gjon Buzukun (f. 221-223) dhe Leksiku i plotë nxjerrë nga vepra e Gjon Buzukut, punuar mbi fotokopje (f. 227-494). Vëllimi që kemi në dorë na fton ta këndojmë me nge, po edhe të nxjerrim së andejmi shumë fakte, pikëtakime e të dhëna që do të na duhen shpesh për të shqyrtuar e zhdavaritur të errëtat e kërkimeve rreth gjuhës shqipe. Po ndalem, kalimthi, vetëm në ndonjë ide e përsiatje që na del gati spontane duke lexuar Leksikun e veprës së Gjon Buzukut. Së pari, në afrinë shumë të madhe fonetike dhe leksikogramatikore të asaj që nden “Meshari” me të folmet e anës veriperëndimore, sidomos me ato të Malësisë së Madhe.
.
Profesor Kol Ashta (1918-1997)
Profesor Kol Ashta (1918-1997)

.

E kam fjalën, në mënyrë të veçantë, për pika të mëdha takimi e përkimesh që nuk ka si kalohen në hije, si p.sh. grupin e zanoreve uo (afëruom, amëshuom, amëltuom, anëkuom, bekuom, besuom, bukuruom, buollicë, dërguom, dëftuom, dëshmuom, duoj, duruoshim, fabrikuom, faruom, firmuom, gruoja, guxuom, gjatuor, gjimuom, idhënuom), që nuk e ndeshim më kurrkund në të folmet e gegërishtes veriperëndimore, përveç trevave të Malësisë dhe të zonave prej nga kanë qenë shpërngulur malësorët, si në anët e Krajës dhe në diasporën e krijuar prej mërgimtarësh krajanë e anamalas në Zarë të Dalmacisë. Shumëkush, ndonjëherë edhe në radhët e gjuhëtarve që maten me hijen e mëngjesit, harrojnë se, p.sh., të folmet e Kastratit, të Hotit, të Kelmendit etj, bash hir të pranisë së togut uo dhe fazës së mëtejme të tij ua (grua, mua, prrua, shkua) dallohen prerazi nga mbarë të folmet e tjera të gegërishtes, dhe, least but not least, bashkëzanojnë më dukshëm me toskërishten e me gjuhë letrare standard, sesa me të folmet e tjera, qoftë edhe aq pranë, si p.sh. me të folmen e qytetit të Shkodrës. Pikërisht ashtu si gegërishtja e Gjon Buzukut, siç e kemi thënë edhe gjetkë, ngjason aq fort e përputhet harmonishëm në shumëçka me toskërishten e Lekë Matrëngës.
Natyrisht, hipoteza si kjo mbeten gjithësesi “në kantier” e duhen çuar më tej, porse mua më duket se, edhe në shumë raste të tjera, leksiku dhe semantika buzukiane që nden “Meshari”, jo vetëm gjen përputhje të plota, po edhe jep shteg për të menduar për një zanafillë të mundshme të Gjon Buzukut pikërisht nga ndonjë vis veriperëndimor që kishte një të folme si ato që ndeshim edhe sot në Malësi të Madhe.
Sa për ilustrim, po theksojmë këtu se, duke lexuar Leksikun e Buzukut, mua më vijnë kundruall e krejt të njëjta shumë leksema si këto: ardhija dhe shqiptimi i saj në formën ërdhi, që aq shpesh e kisha ndeshur ndër të moshuarit e Kastratit; mbiemri cilësorë i atillë, e atillë me kuptimin “i fortë, i fuqishëm”, që e kam ndeshur në Budishë e Kastrat të Epërm qysh kur punoja për temën e diplomës për të folmen e Kastratit (1965-‘66); bakeq “keqbërës” dhe antonimi bamirë “mirëbërës”, forma briena si shumës i emrit brini “briri”, folja bukuroj dhe rrjedhojat e saj bukuruom, e bukuru-ome, që ndërtohen pa parashtesë, por drejtpërdrejt nga tema bukur: ka nis rrushi m’u bukurue (Kastrat), butaku që lidhet me buti, por që në Kastrat e ndeshim në formën bucak-u; fjalët dejem, i dejun “dehem, i dehur”; forma me ll e emrit të së dielës: Buzuku dielle-ja, Kastrat e gjetkë në Malësi edhe sot: e diell, t diell n mrame; djergem “zbres”, duoj “dorëz kallinjsh”, fjala ndez me formën në dh: dhezunë, dhezëllimë, që, krejt ashtu, na shfaqen në Malësi: me llez i cigare, zjarmin e laç llezun, ka marr t llezun etj. Dukuri të tilla, sigurisht, nuk mjaftojnë vetëm të hetohen, ato duhet edhe të ndiqen në ballë të gjerë e sipas një ideje për te mbërritur në përqasje sa më të plota e sistemore. Vetëm kështu besojmë se mund të jepen pamje më të hapëta e prurje më të sigurta, mbi bazën e të cilave edhe mund të zhdavariten sadopak mjegullnajat rreth fazave të hershme të gjuhës shqipe e të jo pak proçeseve fonetike e morfosintaksore të saj. Paçim shëndet e jetë për t’u ardhur rreth e për të hulumtuar mbi to. Pastë dritë e iu përmendtë kurdoherë për mirë emri mjeshtrit të madh Prof. Dr. Kolë Ashtës.
https://shkoder.net/kole_ashta/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.