back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbi Esat Pashë Toptanin nga Gazmend A. Bakiu

Gazeta

Esat Pashë Toptani (1863-1920)
Esat Pashë Toptani (1863-1920)

Mbi Esat Pashë Toptanin

nga Gazmend A. Bakiu

15 vjet të shkuara, ndërsa diskutoja me një mikun tim për Esat Toptanin, ishim të mendimit se ai që do të trajtonte pashain, paanësisht, në bazë të dokumenteve arkivore, etj., do të bënte bingo. Por, vështirësia për studiuesin do të ishte e madhe, hiç fare prej marrëzive që janë thënë për Toptanin, por nga mali i pengesave që lidhen me periudhën e tij dhe puna e pazakontë me të cilën do të përballej, për dokumentacionin që ndodhet në shumë shtete, dhe në disa gjuhë. Gjithmonë vjen një ditë, që dikush merr përsipër t’i kapërcejë vështirësitë. Ndërkohë, kemi pasur këto vite botime me vlerë, si dokumentet britanike, ruse dhe franceze, për këtë periudhë, ditarin e Gino Berrit për rrethimin e Shkodrës, kujtimet e sekretarit Heaton Armstrong të princit Wied, etj., por këto ishin të pamjaftueshme, sepse ndriçonin vetëm pjesë të së vërtetës.
Ilir Ikonomi pas katër vitesh pune, (siç u shpreh në një intervistë televizive) arriti të ndriçojë në librin e tij “Esat pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti”, të komplikuarin Esat pashë të vërtetë, duke u bazuar në burime arkivore dhe në periodikët e Italisë, e Austrisë, e Francës, etj., shumë prej tyre të pa cekura më parë, por edhe në sajë të një literature të pasur, të njohur dhe të panjohur. Një mit tjetër “tradhtie” i historiografisë së rreme të regjimit të kaluar (dhe më gjerë) ka rënë. (Ndërsa shfletonte letërkëmbimin e Toptanit me At Pal Dodajn në arkivin e françeskanëve, a nuk pati vënë re At Zef Pllumi se Esati “aty dilte në nji dritë tjetër”?, Rrno për me tregue, Tiranë, 2006, f.42.) Kjo është e rëndësishme, sepse ne, shqiptarët, nuk do të mund të gjejmë drejtpeshimin e duhur, nëse nuk njohim mirë dhe me vërtetësi (së paku) të shkuarën tonë jo të largët. Merita më e madhe e autorit nuk është puna për mbledhjen e materialeve, por seleksionimi dhe zhbirilimi inteligjent. Ai ka kuptuar se nuk kanë hiç rëndësi kujtimet apo opinionet e kujtdo personazhi të dashur ose jo, përballë dokumenteve dhe analizës logjike.
A ka vend për diskutime? Sigurisht, dhe kjo është normale, por kjo asfare nuk e cenon përpjekjen dhe arritjen e lavdërueshme të autorit.

Esat Pasha Toptani dhe Medaljet e shumta
Esat Pasha Toptani dhe Medaljet e shumta

Fillimi

Historia fillon me rrëzimin e Sulltan Abdyl Hamitit të dytë (1909), ku Esat pasha është protagonist. Me qëllim që “të godasë” dhe të tërheqë lexuesin, autori e ka paraqitur ngjarjen, jo në rend kronologjik, por në krye të herës. Qartas informohemi se do të lexojmë për një njeri, që s’e kishte problem të përballej edhe me Sulltanin. Por, të duket sikur ke në duar një roman kur lexon: “Dëgjohen vetëm hapat e të ardhurve që shkelin zhuk-zhuk në zhavorr”, apo “të ardhurit provojnë me gishta këllëfët e revolverëve…” (f.2-3). Më tutje kemi një panoramë jo fort të saktë të Tiranës së asokohshme ku “nuk kishte shumë festa të zhurmshme përveç Bajramit të Madh dhe ndonjë synetllëku…” (f.15). Natyrshëm lind pyetja: Po me rastin e martesave nuk bëhej festë, apo festohej veç për synetllëk?! Sidoqoftë, këto kanë rëndësi të pakët, sepse dora-dorës, libri bëhet gjithnjë e më serioz.
Në një monografi historike, mendoj se duhet proceduar sipas rendit kronologjik. Mirëpo, këtu është problemi: Autori nuk ka mundur të gjejë të dhëna për Esatin përpara vitit 1891, kur ai shkon të martohet në Stamboll me çerkezen Shadije, (f.13) apo më mirë të themi përpara emërimit të Toptanit më 1893, komandant i regjimentit të Xhandarmërisë në Vilajetin e Janinës (f.16). Si ndodhi ky emërim, kështu papritur?! Autori shkruan: “Në atë kohë, shpërblime të tilla u jepeshin njerëzve të pasur dhe me ndikim. Ishte politika e Sulltan Abdyl Hamitit të bënte për vete të parët e vendit, për ta pasur më të lehtë kontrollin mbi popullatën” (f.16). Justifikimi nuk është shterues. Esati me shumë gjasë ka pasur një veprimtari të mëparshme, dhe miqësitë e nevojshme, sepse nuk mund të binte nga qielli si komandant xhandarmërie. Po ashtu, ngjan jo e besueshme që familja e pasur e Toptanëve ta kishte lënë Esatin pa arsimim (“njeri pa ndonjë shkollë”, -shkruan autori, f. XV) ndërkohë që në burime të pakonfirmuara (që të themi të vërtetën) përmendet se ai kishte mbaruar akademinë ushtarake në Stamboll. Të dhëna të tjera, duhet të ketë dhe të gjenden në arkivat e pashfrytëzuara të Turqisë.

Pashai

Në Perandorinë osmane, titulli pasha ishte një titull personal, që nuk thuhet se kur Esati e mori. Sipas hierarkisë së Perandorisë, pashai me një tujë ishte gjeneral brigade, pashai me dy tuja ishte gjeneral divizioni dhe pashai me tri tuja ishte gjeneral armate. Meqenëse autori ka përcaktuar afërsisht kohën (viti 1897) se kur Esati u bë gjeneral brigade (f.16) mund të themi se njëkohësisht ai mori titullin pasha.

Taksimi dhe Shpallja

Për mbledhjen e Taksimit më 1911, çuditërisht, kujtimet e Hasan Prishtinës vijnë nëpërmjet një përmbledhjeje të vitit 1962, të P. Pepos (f.25), ndërsa kemi librin “Një shkurtim kujtimesh” të Hasan Prishtinës, Bari, 1925, që mund të ishte i vlefshëm edhe më shumë se për mbledhjen e Taksimit. Mbase duheshin shfrytëzuar ndopak edhe “Patriotizma në Tiranë”, të Ibrahim Dalliut, 1930, dhe dy librat e Justin Godart.
Për Shpalljen e Qeverisë së Durrësit, autori i referohet librit “Quo vadis Shqipëri”, Tiranë, 1993, (f.208), ndërkohë që veç fondeve të tjera, si burim parësor mund t’i referohej gazetës “Taraboshi” (të drejtuar nga Terenc Toçi), datë 19 tetor 1913, ku Shpallja është botuar e plotë. Nga sa përmendëm dhe nga bibliografia në tërësi, arrihet në përfundimin se ndërsa është gjurmuar imtësisht shtypi i huaj, kjo nuk ka ndodhur me shtypin shqiptar të atyre viteve, ku mund të gjenden të dhëna të tjera.

Esat Pashë Toptani në Selanik mes ushtarakëve - 1917
Esat Pashë Toptani në Selanik mes ushtarakëve – 1917

Pullat dhe kartëmonedhat

Autori shkruan se në janar 1915, Esati u kërkoi ndihmë italianëve për të shtypur pullën e tij postare (f.398-399). Në fakt, sipas katalogut të filatelisë rezulton se Esati shtypi një seri me 11 copë pulla, me vlera të ndryshme, më 9 janar 1915; dhe dy seri të tjera përkatësisht me 7 copë dhe 5 copë secila, më 10 shkurt 1915 (Michel, Sudeuropa, 2014, f.180). Mirëpo, kemi “diçka” më shumë. Siç dihet, pasi dha dorëheqjen nga Qeveria e Vlorës, Esati formoi Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme, (12 tetor 1913 – 12 shkurt 1914). Në këtë periudhë, për herë të parë në Shqipëri, Esati ka emetuar kartëmonedha: 5 para, 10 para, ½ grosh dhe 1 grosh, (1 grosh = 40 para, këtu mund të shikoni 4 fotot e tyre). Sipas Albert Pick, (Standart Catalog of World Paper Money, vol.I, USA, 2002, f.3-4), këto kartëmonedha janë emetuar në vitin 1913, ndërsa sipas Katalogut të Bankës së Shqipërisë, në vitin 1914 (Tiranë, 2002, f.30 dhe 257).

Flamuri dhe serbët

Autori shkruan se në pritjen e Princit Wied më 7 mars 1913 “një pjesë e flamurëve më të vegjël që mbanin nxënësit, kishin vetëm yllin e bardhë në mes të fushës së kuqe dhe asgjë tjetër…” (f.285). Edhe në rikthimin e Esatit pas ikjes së princit, kur malazezët hynë në Shëngjin, autori shkruan (me referencën përkatëse): “u ul flamuri i kuq me yll të bardhë i Esatit…” (f. 408). Si qëndron puna e flamurit? Ndërsa luftonte i rrethuar nga rebelët, pasi uli flamurin turk, ai ngriti në Durrës flamurin e përdorur zyrtarisht në kohën e Princit Vidit nga anijet tregtare, i cili ishte “kompozuar” kështu: “një brez i gjatë, i zi e me një yll të bardhë në mes, e nga një brez i gjatë e i kuq, poshtë e lart tij”; Esati e bëri këtë për të mos acaruar elementin mysliman, (Eqrem bej Vlora, Kujtime, Tiranë, 2003, f.407). Mendoj se këtu i duhet besuar kujtimeve të Eqrem beut, aq më tepër që mund të shikoni edhe foton e flamurit, i cili korrespondon me përshkrimin e mësipërm.
Në libër del qartë se Esati i përdori serbët për të shtypur kryengritjen e rebelëve. Por, nga disa burime dihet se beteja e ushtrisë serbe me rebelët u bë në ditët e para të qershorit 1915 në Qukës dhe në Kërrabë, ku këta të fundit u thyen përfundimisht; kjo mund të përmendej.

Dekoratat

Esat pasha ka qenë një nga politikanët shqiptarë që si rrallë kush ka marrë me bollëk dekorata. Autori na rrëfen se më 28 shkurt 1914, austriakët i dhanë medaljen Kryqit të madh të Urdhrit të Franc Jozefit (fq. 280); më 1916: Princi trashëgimtar i Italisë Umberto II e dekoroi me Kryqin e madh të Urdhrit të Shën Mauricios dhe Lazaros (f.454); Presidenti i Francës e dekoroi me medaljen e Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit (fq. 455); Mbreti George V i Britanisë e dekoroi me medaljen Oficerit të Madh të Shën Mikelit dhe Shën Xhorxhit (fq. 456). Mirëpo, nëse shikon foton e Esatit më 1908 (fq. 149) vëren se gjoksi i tij është plot me dekorata, ndërkohë që deri në këtë kohë, përmendet se ai kishte marrë Urdhrin Osmanije të klasit të dytë (fq. 16). Si shpjegohet kjo? -Kjo është një indicie tjetër për një veprimtari të mëparshme.

Esat Pashë Toptani (1863-1920)
Esat Pashë Toptani (1863-1920)

Konvertimi

Mbetet mister se si autori ka konvertuar vlerën e shumave të frangave të arit apo të frangave të asaj kohe (që përmenden dendur) me dollarët e sotëm. Kështu, p.sh. në fq. 235, ai shkruan: “15 mijë franga ari (rreth 70 mijë dollarë sot)”; pra, raporti këtu del 1 frang ar = 4,67 dollarë. Por në fq. 477 shkruan: “50 milion franga (rreth 100 milion dollarë me vlerën e sotme)”; pra, raporti tani del 1 frang = 2 dollarë. Më tutje në fq. 509, shkruan: “1 milion franga në vit (rreth 850 mijë dollarë sot, shënim i autorit)”; kësisoj raporti del 1 frang = 0,85 dollarë!

Kongresi i Lushnjës

Për sa i takon Kongresit të Lushnjës, çuditërisht, autori i referohet Giannini-t dhe Pastorelli-t (fq. 500-501), kur shumë mirë mund t’u referohej dokumenteve në AQSh për Kongresin, apo ndonjë libri historie të vendit, sepse burimet jo parësore çojnë në pohime të gabuara. Kongresi i Lushnjës u hap më 21 janar 1920 dhe përfundoi më 31 janar 1920, dhe në Lushnjë nuk u vendos që Tirana të bëhej kryeqytet, ashtu si kujton në kundërt Giannini; gjithashtu, Këshilli i Naltë dhe qeveria hynë Tiranë më 11 shkurt 1920 (duke e shpallur kryeqytet të përkohshëm) dhe jo më 12 shkurt, ashtu si e di Pastorelli. Ka edhe një “hollësi” tjetër për Esatin dhe Kongresin e Lushnjës që autorit i ka shpëtuar: në kujtimet e tij, Hoxha Kadri Prishtina (ministër i Drejtësisë më 1920) shkruan se Esati ka qenë pro mbajtjes së Kongresit të Lushnjës. Materiali gjendet në AQSh,

Fundi

Libri do lexuar me vëmendje, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Esatin, dhe rrethanat ekstreme me të cilat ai u përball, por për një dritare nga ku mund të shikosh Shqipërinë dhe shqiptarët para një shekulli, politikën e fuqive të mëdha dhe të fqinjëve, po ashtu. Del qartë rivaliteti Ismail bej – Esat pasha, por ajo që të bën përshtypje është se fituesi kur takohet me kundërshtarin e tij në vështirësi ekonomike më 1918, i bën elozhe dhe i lidh një pagë mujore (fq. 471).
Ajo që më ka habitur gjithnjë, në historinë e vrasjes së Esatit, nuk është konfirmimi se vrasësi Avni ishte i dërguar dhe i paguar, por fakti që ai u la i lirë pas gjyqit. Si ka mundësi, që në mes të Parisit, të dalë pa u dënuar killeri, me justifikimin se kishte kryer “një vrasje pasioni”?! Mendësia jonë ballkanike, na çon në hamendje shqiptare, por për këto autori nuk mban përgjegjësi; tregohet i ftohtë dhe korrekt përballë letrave që ka përpara. Nëse do të zbulojë të tjera, si për këtë çështje dhe Esatin në tërësi, ai do të na i përcjellë, pa dyshim.
Libri mbyllet me një pasthënie të goditur, e cila është një sintezë plot konkluzione logjike, mbi gjithë atë që është parashtruar në mbi 500 faqe. “Esat pashë Toptani, njeriu, lufta, pushteti” i Ilir Ikonomit është një punë për t’u përshëndetur. Jam thuajse i sigurt, se autori do të hulumtojë dhe do të zbulojë materiale të tjera, dhe do të kemi një ribotim të këtij libri të vlertë.
http://www.albmendimiarts.com Dhjetor 10, 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.