back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Mbi Gjenialitetin e Albatros Rexhajt” nga Armend Mazreku + 1 opinion

Gazeta

Varri i Tolstojt - në Pranverë
Varri i Tolstojt – në Pranverë

Kur nga nji shkrim – zgjedh gjysmën e tij…

nga Jozef Radi

Pak rreshta ndaj shkrimit “Mbi Gjenialitetin e Albatros Rexhajt” të Armend Mazrekut

Shkrimin, “Mbi Gjenialitetin e Albatros Rexhajt” të Armend Mazrekut, botue te http://www.gazetaexpress.com, me 25 gusht 2015, e lexova të plotë dhe gjej rast ta falenderoj autorin Mazreku për krejt analizën e bërë… Në të vërtetë ky shkrimi përbëhej nga dy shkrime, që mund t’i quaj ndryshe edhe: drita dhe hija, ose lavdia dhe poshtërimi…
E lexova gjithë kënaqësi, magjinë e së parës pjesë, dhe shkoqjen e saj në pjesën e dytë… Kështu që kjo shije më shtyu ta përgjysmoj shkrimin, duke menduar të shpreh edhe nji vlerësim për punën e mirë të Armend Mazrekut, po njiherit edhe të shpreh nji mendim mbi Fenomenin Albatros, pa dashur as ta gjykoj ashpër, dhe as ta paragjykoj Rexhajn, të cilin nuk e njoh, jashtë disa bisedave të tij, që kam mundur t’i ndjek përmes televizioneve…
Prej këtyre kontakteve po dhe ndonjë shkrimi të tij, mbetem i mendimit se ai sot është nji model që kërkon të shumfishohet e ta shumfishojë vetveten në nji botë mediatike, ku kultivimi i antivlerës po bëhet gjithnji e ma tepër qëllim primar… Sigurisht nën “efektin e pompës”, aq sa nesër ai mund të na shfaqet edhe si: “shkrimtari më i madh”, “poeti më i madh”, “komunikatori më i drejtpërdrejtë”, “politikani më i shquar”, e shumë “ma të mëdha” të tjera, duke e lejuar të ndjehet e të vetndjehet edhe përfaqsues i mbi nji, dy, tre apo më shumë milionëve shqiptarëve… si Gjeniu i tyre. Unë s’do ta dëshiroja, dhe s’do t’ia uroja kët lloj fukarallëku përzgjedhjeve tona… edhe pse në të vërtetë shpesh ato lënë për të dëshiruar!!! Sepse mendoj se morali, vlera dhe madhështia e artit as ka e as ka për të pasë ndonji lidhje me figura tashmë të mediatizueme të ajo e Albatrosit, që ndryshe mund të quhen edhe “fenomene tullumbace”, që vërtet ngjiten lart… po s’mbrrijnë askund… jo për tjetër, thjesht pse janë objekte të papesha, të çfryshme e lehtësisht të harrueshme…
Duke i qëndruar këtij mendimi, përzgjodha vetëm pjesën e parë të këtij shkrimi, për t’ua ofruar lexuesve si nji model pune serioze, ndërsa pjesën ku autori nis paralelen me Rexhajn e lashë jashtë, duke i sugjeruar çdo kurreshtari të “Fenomenit Albatros”,  të  mund ta vazhdojnë qetësisht leximin në adresën e mëposhtëme  http://www.gazetaexpress.com/arte/mbi-gjenialitetin-e-albatros-rexhajt-125206/

Armend Mazreku
Armend Mazreku

“Mbi Gjenialitetin e Albatros Rexhajt”

nga Armend Mazreku

“Në mbarë botën nuk gjen dot varr më poetik, më mbresëlënës dhe që ta mbush tërë shpirtin me përdëllim se varri i Tolstoit.” – Në këtë mënyrë shprehej shkrimtari i madh austriak, Stefan Cvajg, për varrin e shkrimtarit të shquar rus, Leo Tolstoi.
Po ç’shtysë, vallë, e detyronte Cvajgun të mrekullohej mbas varrit të Tolsoit?
“Varri i tij nuk ka as kryq, – thotë Cvajgu, – as pllakë varri me mbishkrim, nuk është i shkruar as emri i Tolstoit. Është varr njeriu të madh, varri i atij që si askush tjetër rënkoi nën barrën e emrit të lavdisë së vet dhe mbeti pa emër, si të ishte i varrosur ndonjë njeri i rrugës, pa plëng e pa shtëpi, pa farë e fis, apo ndonjë ushtar i panjohur.”
Po, mirë, mirë, mund të thonë lexonjësit e këtij shkrimi, por ç’kuptim mund të ketë që një shkrimtar si puna e Tolstoit të mos ketë vërtet një varr të denjë për të, për veprën dhe tërë madhështinë prej shkrimtari që e karakterizon?
A thua vallë se populli rus nuk ditka t’i nderojë njerëzit më të shquar të popullit të vet, apo ndofta qe vetë shkrimtari që nuk dëshironte që varri i tij të çatrafilohej me lloj-lloj mbishkrimesh?
Është pikërisht e dyta, në gjykimin tim.

Stefan Zweig (1881-1942)
Stefan Zweig (1881-1942)

Kishte qenë vetë dëshira e shkrimtarit, – siç shkruan Cvajgu, – të varrosej në një pyll të fshehur, vështirë të identifikueshëm për vizitorët. Ishte amaneti që kishte lënë të varrosej nën ata drurë të dendur dhe gjarpërues, të mbjella me vetë duart e tij gjersa kishte qenë në moshë të njomë.
“Asgjë në botë, dhe për këtë edhe njëherë bindesh pas vizitës në këtë varr,- e vazhdon më tej rrëfimin e vet Cvajgu, – nuk ndikon aq fort, nuk të lë mbresë aq thellë, sa thjeshtësia mahnitëse që e karakterizon atë. As Mauzoleu i Napoleonit nën qemerin e mermertë në Shtëpinë e Invalidëve, as Varri i Gëtes në mauzoleun princëror në Vajmar, as Sarkofagu i Shekspirit në Abacinë e Westministerit, nuk të ngjallin në shpirt ndjenja aq thellësisht njerëzore, sa heshtja gjithësunduese, varri aq i thjeshtë dhe aq prekës në thjeshtësinë e tij, në këtë pyll, që ledhatohet tërë kohën nga era dhe ruhet me kujdes nga qetësia!”
Ajo që Cvajgun e tërhiqte më shumë te Tolstoi, por edhe secilin lexues të veprave të tij: Ana Karenina, Lufta dhe Paqja, At Sergei, Vrasja e Ivan Iliçit dhe Vdekja dhe Kuptimi i Jetës, qe lidhshmëria e pashkëputshme e shkrimtarit me Thjeshtësinë.
Këtu, sidoqoftë, ekziston një kontradiktë.
Në njërën anë, kishte qenë vetë dëshira e shkrimtarit të mos gëzonte nam e nishan në këtë botë, ndërkaq, në anën tjetër, emri dhe vepra e tij është bërë e pavdekshme ndër shekuj.
Si është e mundur, pra, që përkundër dëshirës së tij për të mbetur në anonimitet Tolstoi arriti të bëhet njëri ndër përfaqësuesit më të denjë të letërsisë botërore?
Qenë dy arsye, në mendimin tim.
E para, siç u theksua edhe më lartë, ishte pikërisht urrejtja dhe përbuzja që shkrimtari mbante ndaj namit, parasë, pozitës së lartë në shoqëri, dhe gjithçkaje tjetër të pështirë që adhurohet në ditët e sotme, jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm, por edhe nga ata që çirren si artistë e shkrimtarë të njëmendtë.

Varri i Tolstoit - në dimër
Varri i Tolstoit – në dimër

Jo vetëm Tolstoi, por të gjithë krijonjësit e mëdhenj përbuznin shthurjen e njeriut pas parasë, famës, lexuesit, pushtetit. Në fushën e letërsisë, ta zëmë, që nga Eskili e deri te Rorthi; në fushën e filozofisë, nga Talesi e deri tek Heideggeri; në fushën e shkencës, nga Arkimedi e deri te Perelman. Madje, ky i fundit pat refuzuar edhe çmimin prej një milion eurosh, duke deklaruar se “synimi i tij kurrnjëherë s’kishte qenë fama, lavdia apo paraja.”
Dhe, e dyta, leximet e gjithanshme për klasikët, poetët, historianët, filozofët, piktorët, teologët, etj. Vetë Tolstoi pohonte:
“Një kohë, – thoshte ai, – kur njeriu donte të fitonte kulturë (fjala është për krijonjësit), zinte e studionte gjithë klasikët, etërit e kishës, poetët tragjikë, historianët, filozofët; merrni me mend se ç’punë të madhe mendore duhej të bënte ai!”
Ndërkaq, sot, situata është tërësisht e ndryshme.
Të refuzosh leximin e klasikëve, të dehesh nga numri i madh i lexuesve mediokër, të vraposh pas parasë, pozitës së lartë në shoqëri, famës, lavdisë. Ja, kjo është ajo që shkrimtarët e sotëm rreken pareshtur, e veçanërisht ata shqiptarë, të cilët sa herë që i dëgjojnë thirrjet: ‘ju, shkrimtarët’, ‘ju, artistët’, ‘ju, poetët’, seç pësojnë një lloj orgazme të pështirë në fytyrat e tyre…
vazhdimin e keni në:
http://www.gazetaexpress.com/arte/mbi-gjenialitetin-e-albatros-rexhajt-125206/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.