Mbi jetën dhe veprën e Dr. Oda Buchholz*
marrë nga Deutsche Welle
Dr. Oda Buchholz u lind në Dessau më 21 janar 1940. Pasi mbaroi shkollimin e mesëm në vitin 1959 Oda u dërgua për të studiuar në Shqipëri në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe.
Në Tiranë ajo qëndroi vetëm dy vjet, sepse për shkak prishjes së Shqipërisë me ish-Bashkimin Sovjetik dhe ftohjes së marrëdhënieve me vendet e Traktatit të Varshavës ajo u detyrua të kthehej në vitin 1961, në Berlin. Aty ajo i vijoi studimet në Universitetin Humboldt të Berlinit në degën e Albanologjisë dhe të Gjuhës dhe të Letërsinë bullgare dhe u diplomua në vitin 1964.
“Meqenëse Oda kishte mësuar që në fillim shqipen letrare, shpesh studentet shqiptarë, që vinin nga krahina të ndryshme dhe ende nuk ishin familjarizuar me rregullat e shqipes letrare, e pyesnin shpesh Oden se cila është forma sipas drejtshkrimit.” – kujton kolegu i saj prof. Wilfried Fiedler.
Pas diplomimit Oda Buchholz filloi punë si asistente pranë Akademisë së Shkencave të Republikës Demokratike Gjermane në sektorin e gramatikës strukturore (Strukturelle Grammatik) nën drejtimin e Manfred Bierwiesch, ku pati mundësi të zhvillohej si gjuhëtare jo vetëm me shkollat e gramatologjisë gjermane, por njëherësh edhe me gjuhësinë strukturaliste dhe me zhvillimet shumë të rëndësishme në fushën e gjuhësisë gjenerative.
Vepra e parë gjenerative-transformacionale për shqipen
Me këtë formim dhe njohjen e shkëlqyer të gjuhës shqipe si dhe të bullgarishtes, gjuhë ku përsëritja e kundrinës manifestohet në përmasa dhe rrethana afërsisht si të shqipes, Oda Buchholz ndërmori përshkrimin dhe shpjegimin e rregullave të përsëritjes së kundrinës që varen në mënyrë komplekse nga faktorë të ndryshëm sintaksorë. Në vitin 1969 Oda Buchholz mbrojti për këtë temë disertacionin e saj të doktoratës në gjuhësi me titullin “Zur Verdoppelung der Objekte im Albanischen”. “Rezultatet e shumta në këtë punim i japin studimit të Oda Buchholz statusin e veprës së parë serioze dhe të thelluar në këto punë, primatin e studimit gjithnjë jo të tejkaluar dhe të veprës së parë gjenerative-transformacionale për shqipen. Në 230 faqet e librit të botuar më 1977, si version i shkurtuar i dorëshkrimit me po atë titull, studiuesit vazhdojnë të gjejnë mbështetjen e domosdoshme për hulumtime të mëtejme në këtë fushë.” – vlerëson prof. dr. Rexhep Ismajli.
Nga viti 1970, deri në vitin 1989 ajo punoi krahas gjuhëtarit dhe albanologut Wilfried Fiedler si bashkëpunëtore shkencore në Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave të RDGJ-së, në sektorin e Ballkanologjisë, duke qenë për një periudhë edhe drejtuese e këtij sektori. Bashkë me Wilfried Fiedler ata kanë pasur një veprimtari të dendur shkencore dhe kanë botuar shumë studime për gjuhën shqipe dhe raportet e saj me gjuhët e Ballkanit.
Vepër bazë e gramatologjisë shqiptare
Vepra kryesore e bashkëpunimit Buchholz & Fiedler është “Albanische Grammatik” botuar në vitin 1987 në Lajpcig. Në këtë vepër prej 582 faqesh formati të madh, sistemi gramatikor i shqipes së sotme vështrohet në tërë gjerësinë e tij: në fonologji, në strukturën morfologjike dhe në fushën sintaksore. Veç përshkrimit të plotë të strukturës gramatikore të shqipes letrare, vepra përmban edhe mjaft shënime e shpjegime për forma dhe ndërtime që u përkasin varianteve letrare të tjera ose ligjërimit popullor me bazë dialektore. Kjo gramatikë mund të konsiderohet jo vetëm si vepra më e rëndësishme e albanologjisë gjermane, por edhe si një ndër veprat bazë të gramatologjisë shqiptare në përgjithësi.
Puna me leksikun
Edhe pse objekt kryesor i studimeve të Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler ishte struktura gramatikore e shqipes së sotme, ata janë marrë edhe me funksionimin e gjuhës letrare shqipe, proceset e formimit të saj dhe sidomos me hulumtimin e leksikut shoqëror të shqipes në kuadrin e projektit studimor “Drejtimet e zhvillimit në formimin e leksikut modern shoqëror në Evropën Juglindore”. Oda Buchholz, Wilfried Fiedler dhe kolegia e tyre Gerda Uhlisch janë edhe hartues të Fjalorit Shqip-Gjermanisht, të shoqëruar me një gramatikë relativisht të plotë të gjuhës shqipe. Ky fjalor që pa dritën e botimit të parë në vitin 1977 pati edhe katër botime të tjera në RDGJ dhe vijoi nga viti 2000 në serinë e fjalorëve Langenscheidt.
Ndërmjetësuese mes kulturave
Dr. Oda Buchholz bashkë me W. Fiedlerin kanë dhënë një kontribut të madh për komunikimin midis kulturës shqiptare dhe gjermane edhe me përkthimin e një sërë veprash të letërsisë shqipe në gjermanisht. Në vitin 1976 u botua në serinë “Erkundungen” vëllimi “8 Albanische Erzähler” (“8 Tregimtarë shqiptarë”) me tregime nga Fatmir Gjata, Sotir Andoni, Dritëro Agolli, Shefqet Musaraj, Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi, Naum Prifti, Ismail Kadare. Në vitin 1977 Buchholz dhe Fiedler sollën në gjermanisht romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë. Vijojnë dy vëllime me poezi nga Kosova “Der bekümmerte Zweig. Albanische Poesie in Jugoslawien.” (1979) dhe “Zieh dich zurück in den vers Homers: moderne Dichtung aus Kosovo” (1988), përmbledhja “Die Schleierkaravane” me tregime dhe novela të Ismail Kadaresë (1988) apo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e Dritëro Agollit (1993). Vitet e fundit Oda Buchholz kishte përkthyer bashkë me Dieter Nehring librin e Bardhyl Hotit dhe Frank Nordhausen “Entkommen – Tagebuch eines Überlebenden aus dem Kosovo” (2000) dhe librin me poezi të Bekim Morinës “Diçka më të mirë se vdekja” (Etwas Besseres als den Tod, 2006). Po ashtu Oda Buchholz ka hatuar edhe mjaft zëra për autorët e letërsisë shqipe në “Encyklopédia literárnych diel” (Bratislavë, 1989) dhe në “BI-Lexikon Literaturen Ost- und Südosteuropas” Lajpcig, 1990). etj.
Me 2 janar 2014, Dr. Oda Buchholz u nda nga jeta. Me punën e saj sistematike, të thelluar dhe këmbëngulëse, por pa bujë e zhurmë, ajo la pas një varg studimesh të gjera dhe me vlera të qëndrueshme shkencore për të sotmen e për të ardhmen e studimeve albanologjike. I madh do të mbetet kontributi i saj edhe për krijimin e urave dhe lidhjeve mes kulturës gjermane dhe shqiptare.
Dr. Oda Buchholz lë pas një veprimtari të dendur shkencore dhe shumë studime e botime për gjuhën shqipe dhe raportet e saj me gjuhët e Ballkanit.
* titulli redaksional nga radiandradi
Marrë nga http://www.dw.com/sq/ndahet-nga-jeta-albanologia