back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Mbi jetën dhe veprën e Pano Taçit…

Gazeta

Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)
Pano Taçi (13 tetor 1928-13 qershor 2012)

Mbi jetën dhe veprën e Pano Taçit…

Pano Taçi është poet i njohur.
Pano Taçi kaloi mbi dy dekada të jetës së tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pas viteve ’90-të u bë i famshëm për librat e tij me poezi erotike, që më së shumti i këndonin dhimbjes së një jete plot peripeci dhe privacione. Disa nga të pathënat të jetës së tij që nga fëmijria kur ishte Debatikas, mosha 12-vjeçare kur ai u njoh me Lasgush Poradecin, që i botoi dhe poezinë e parë, tre arrestimet dhe dënimet, shokët dhe bashkëvuajtësit në kampe dhe burgje, poezia që i ndryshoi rrjedhën e jetës, çmimi “Naim Frashëri” që fitoi në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë, “çmimi” tjetër në burg ku në “juri” ishin disa nga personalitetet më të spikatura të artit, kulturës, politikës dhe letrave shqipe të periudhës së Monarkisë dhe më pas, si dhe botimi i librave të parë të tij pas viteve ’90-të, për të cilat ai do të shprehej: “Rinia ime e pakonsumuar në këtë moshë të kaluar, brengat e dhembjet e një jete të trazuar janë prushi ku piqet nektari i poezisë që më del nga shpirti dhe hedh në letër, e ku, pa këto trazira në një jetë të qetë do të isha i vdekur”.
Ndërsa librat dhe vëllimet poetike të Pano Taçit tashmë janë mjaft të njohura, pasi mbas viteve ”90-të, ai pati një famë të madhe edhe për shkak të poezisë erotike që lëvroi me sukses si askush tjetër, historia e jetës së tij pothuaj është fare e panjohur. Ndaj në këto pak rradhë, po mundohemi të japim disa copëza nga jeta e tij, të cilat na i tregonte vite të shkuara kur bashkë me Tos Baxhakun e ndjerë, herë pas here i bënim shoqëri tek lokali i “Fidelit”, ku ai kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe ne jo pak. I përkulur mbi copat e letrës ku hidhte vargje që më pas do të mbushnin libra të tërë, qëndronte me orë të tëra i zhytur në mendime duke tymosur me llullën e tij që s’e hiqte kurrë nga goja, dhe duke kthyer ndonjë gotë konjak “Skënderbeu” me akull. Nga tavolina ku rrinte gjithnjë i vetëm dhe ku nuk e shqetësonte askush, mund të lëvizte vetëm kur i thonim: “Xha Pano, po të kërkon Xhevo (Xhevahir Spahiu), miku i ngushtë i tij, apo kur dilte për të parë motorrin “Vespa”, që e parkonte ndonjëherë fare pranë “Fidelit” dhe kthehej përsëri brenda për të vazhduar ritualin e tij. Hedhjen e vargjeve mbi copa letre, që kur kënaqej me to, herë herë na thërriste dhe na i lexonte, apo më saktë na i recitonte me sytë që i gëzonin si një fëmijë i lumtur….!”
I lindur në qytetin e gurtë të Gjirokastrës në vitin 1929, Pano Taçi do të largohej që i vogël nga familja e tij për t’u rritur nga Thoma Papapano, ose siç njihej ndryshe në qytetin e tij, si Basho Thomai, i cili për shumë vite do të ishte kujdestari i Panos së vogël. Në shkollën “Koto Hoxhi” të qytetit të Gjirokstrës ai do të kryente mësimet e para të shkollës fillore së bashku me dy nga shokët e tij ndonëse më të vegjël se ai, Agim Shehun e Ismail Kadarenë. Në fillimet e luftës italo-greke në vitin 1940, Pano Taçi detyrohet të lërë qytetin e lindjes nga reperkursionet që pritej të kishte nga grekët si familje nacionaliste, ku gjyshi i tij Pano Taçi (nga i cili ka trashëguar edhe emrin Pano), prifti nacionalist, ishte armik i betuar i tyre. Me ardhjen e Basho Thomait në Tiranë erdhi dhe Pano i vogël, i cili ndonëse kishte të gjithë familjen e tij këtu, ai nuk do t’i ndahej Bashos, që frekuentonte asokohe ambientet më intelektuale të kryeqytetit.

Pano Taçi, Xhevahir Spahiu e dy miq të tyre
Pano Taçi, Xhevahir Spahiu e dy miq të tyre

Kështu, diku nga fundi i vitit 1941, Basho Thomai së bashku me Panon 12 vjeçar, shkuan në kafe “Kursal”-in e famshëm që asokohe frekuentohej nga shumë personalitete të kulturës dhe politikës, që ishin edhe elita e vendit. Aty për herë të parë Pano do të takohej me Lasgush Poradecin, për të cilin ai kishte lexuar nëpër libra dhe kishte ngelur i mahnitur nga poezitë e tij të cilat Pano i dinte përmendësh dhe shpesh duke u munduar të shkruante vetë si ai. Bashkë me Lasgushin e madh në atë tavolinë ishte edhe Eqerem Çabej e Dr. Kërçiku, të cilët sapo e panë Bashon Thomanë e ftuan në tavolinë. “Lasgushi ishte një burrë shumë simpatik dhe i veshur bukur me kostum të zi dhe me papion”, kujtonte Pano atë takim, që në jetën e tij do të ishte një pikë kthese, duke ju kushtuar tërësisht poezisë nga e cila do të kishte një jetë të trazuar dhe plot peripeci. “Lasgushi më kërkoi që unë t’i recitoja disa nga vargjet e mia”, kujtonte Pano dhe me këmbënguljen e Çabejt, ai mundi t’i recitojë një vjershë, ashtu krejt i skuqur nga turpi. Lasgushi këtë vjershë që më tepër ishte si gjëagjëzë do ta mbante mend dhe do ta botonte në gazetën “Bleta”, e cila do të ishte dhe e para herë që Pano Taçi do të lexonte emrin e tij në gazetë, poshtë poezisë së tij.
Me ardhjen në Tiranë, Pano do të njihej me disa bashkëmoshatarë të tij, si: Selman Vaqari, Musa Anadolli, Shefqet Çela, Gëzim Erebara, etj., të cilët do të ishin dhe themeluesit e organizatës “Debatik”. Lidhur me këtë Pano tregonte se në vitin 1941, aty nga muaji maj, ai bashkë me shokët e tij kanë hequr nga zyrat e Fashios flamurin italian dhe kanë lënë vetëm atë shqiptar, gjë për të cilën ai kujtonte se ka qenë aksioni i parë i kësaj organizate. Në qershorin e vitit 1944, babai i Panos, Koço Taçi, kryen një aksion për rrëmbimin e arshivës së Ministrisë së Brendëshme, ku pasi spiunohet, kapet dhe torturohet. I frikësuar nga kjo, Pano detyrohet dhe del partizan në Brigadën e 23 Sulmuese, duke bërë pjesë në një skuadër zbuluese të shtabit të Brigadës dhe në rradhët e saj. Pano do të merrte pjesë në të gjitha luftimet deri në çlirimin e qytetit të Shkodrës.
Pas mbarimit të Luftës, me fillimin e mësimeve në Tiranë, Pano nuk do të hiqte dorë nga poezitë që i kishte aq për zemër. Kështu në bangat e shkollës ai do të shkruante një poezi të cilën ja kushtonte një shoqeje të klasës që ishte mjaft simpatike. Poezia që Pano shkroi, do të denoncohej nga Byroja e Rinsë së shkollës si një poezi dekadente dhe u vendos për përjashtimin e tij nga shkolla. Pano qeshte kur e kujtonte këtë ndodhi që i ndërroi atij “kursin” dhe gjithë rrjedhën e jetës. Motivacioni i përjashtimit të tij ishte “Poezi dekadente dhe dashuri borgjeze”. Kjo ndodhi për arsyen se vajza të cilës i kushtohej poezia, ishte e bija e një ushtaraku madhor. Pasi u përjashtua nga shkolla, Pano shkoi në qytetin e tij të lindjes, në Gjirokastër, ku mendonte se mund të vazhdonte mesimet e ndërprera dhe se nuk do të merrej vesh përjashtimi i tij. Por gaboi, sepse shkolla ishte njohur me masën e marrë ndaj tij. I mërzitur Pano i shprehet një shoku të tij: “Po nuk më lanë të vazhdoj shkollën, do të arratisem për në Greqi dhe prej andej për në Amerikë tek gjyshi, që punon bashkë me Fan Nolin”. Por këto fjalë të thëna me naivitetin e një adoleshenti, rezultuan fatale, pasi shoku i tij shpejt e shpejt bëri denoncim dhe Pano arrestohet e sillet në Tiranë, ku dënohet me 18 muaj burg, të cilat i vuajti po në Tiranë. Pas lirimit nga burgu, ai internohet në Savër të Lushnjës, ku asokohe ndodheshin shumë nga familjet që ishin shpallur “armike” të regjimit komunist.
Gjatë periudhës së internimit, Pano njihet dhe krijon shoqëri të ngushtë me Zenel Prodanin (ish-prefekt në kohën e Zogut) dhe duke përfituar nga një porosi që Lasgushi, tashmë miku i Panos, i kishte dhënë kryetarit të Degës së Brendëshme të Lushnjës, Nuçi Tira, “që ta kishte pak kujdes atë”, duke shfrytëzuar kohën në mes të apelit të mëngjesit dhe të darkës, Pano shkonte në Fier dhe takohej me Sejfulla Malëshovën. “Në atë kohë Sejfullai vazhdonte të përkthente poetin e madh rus Nekrasovin, me poemën ‘Mëmë Rusi”, kujtonte Pano me nostalgji Lame Kodrën, dhe disa nga vargjet e tij të famshme, si: “Pse e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë/ Për një lule në lëndinë”.
Pasi mbaroi katër vitet e internimit në fushat e Myzeqesë, Pano rikthehet në Tiranë dhe çdo mbasdite ai shkonte dhe takonte Lasgushin tek Kafe “Flora”, ku ai pinte kafen rregullisht me miqtë e tij. Në vitin 1960, Pano njihet dhe martohet me një vajzë me origjinë greke, familja e së cilës kishte ardhur nga Greqia në vitin 1949 dhe në atë kohë banonin në Lushnjë. Nga kjo martesë erdhi në jetë një djalë, të cilin Pano e la vetëm gjashtë muajsh, pasi ai u dënua përsri dhe djalin mundi ta shohë vetëm pas 27 vitesh! Pas kthimit nga internimi në Tiranë, Pano kishte zënë një shoqëri të ngushtë me Jorgo Bllacin dhe Bajram Hysenin, edhe këta letrarë të njohur. Të tre ishin të pakënaqur nga regjimi komunist dhe shpesh në bisedat e ndryshme që bënin, ata diskutonin edhe për mungesën e fjalës së lire, etj., rezerva që ata kishin. Ndërkaq një i katërt u shtua në shoqërinë e tyre me “porosi”, i cili një ditë të bukur denoncoi qëndrimet e tyre, dhe ata u arrestuan e u dënuan të tre me nga 5 vite burg. Këtë dënim Pano e vuajti në kampe-burgjet e Rubikut, Laçit, Fushë-Krujës dhe Elbasanit, ku asokohe ndërtoheshin objektet industriale si fabrika dhe uzina. Në vitin 1968, ai përfundon dënimin dhe u stabilizua në punë si montator në vepra të ndryshme industriale që ndërtoheshin asokohe në disa rrethe të vendit.
Edhe pse me një jetë të vështirë në kampe dhe burgje, Pano vazhdoi pasionin e tij të të shkruarit poezi, ku miqtë e tij me sakrifica ia botonin, edhe pse herë pas here kishin probleme, pasi në adresë të redaksive dërgoheshin letra ku vinin në pah biografinë e tij. Nga ajo periudhë kohe Pano kujtonte një konkurs që zhvilloi Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, në Tiranë, ku morën pjesë letrarë të njohur dhe Pano fitoi çmimin e parë, me poezinë “Ballada e gjahtarit”. Po kështu me ndihmën e Vath Koreshit, Pano arrin të botojë te “Zëri i Popullit”, një cikël me poezi për Kosovën, për të cilat Koreshi u kritikua “përse ishin botuar poezitë e një reaksionari”. Në vitin 1962, Aleks Çaçi i botoi Panos një poezi tek gazeta “Drita” të titulluar “Balona”, por edhe në këtë rast Aleksit ju krijuan probleme. Miku i ngushtë i Panos, Kin Dushi, për të cilin ai thoshtë se ishte një njeri me zemër të madhe dhe shpirt liberal, arrin t’i botojë një cikël me poezi tek revista “Ylli”, por duke vendosur vetëm inicialet dhe jo emrin e autorit. Në korrik 1964, Panos iu botuan disa poezi si: ”Shoku zot”, “Gjoni”, ”Një varr që mban dy varre” (kushtuar Liri Gegës, që u pushkatua shtatëzan), poezi të cilat më pas iu përdorën në hetuesi dhe u quajtën si “dekadente që evokonin thirrje për kryengritje” dhe për këtë, Pano u dënua përsëri.

Poeti Pano Taçi 2006
Poeti Pano Taçi 2006

Pas daljes nga burgu, në vitin 1974, Pano shkon vetë vullnetarisht në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, “për të rregulluar biografinë”, me shpresë se do të harrohej e shkuara e tij. Por ai nuk do të gjente qetësi, përkundrazi situata u bë më e rëndë. Pas një muaji në Elbasan, Panon e arrestuan në sy të punëtorëve duke e akuzuar si: “punëtor me pamje dhe mendime borgjezi”, dhe ai u dënua me 15 vite burg. Pas kësaj, nga presioni, gruaja bën divorcin me të, duke e ndarë me gjyq dhe ai nuk e pa më kurrë atë. Ndërkaq gjatë vuajtjes së dënimit në burgje, Pano nuk rreshti së shkruari poezi. Ai kujtonte se edhe në burgje zhvilloheshin konkurse, ku në një prej të cilave ai morri çmimin e parë dhe në atë konkurs morën pjesë personalitete të tilla si: Mirash Ivanaj, Astrit Delvina, Fiqiri Llagami, Kudret Kokoshi, Fejzi Dika, Lazër Radi etj. Juria e këtij konkursi ku Pano u vlerësua dhe mori çmimin e parë, ishte nga bashkëvuajtësit e tij, personalitete nga më të spikatura në kohën e tyre, nga arti, kultura, politika etj, si: Gjergj Bubani, Mihal Zallari, Anton Frashëri, Et’hem Haxhiademi, Ali Cungu. Shpërblim i këtij çmimi nuk ishte vetëm moral por edhe material, ku Pano “fitoi” 10 paketa cigare, një pako kafe dhe një kg. sheqer. Pano kujtonte se një nga miqtë e tij dikur, kishte qenë dhe Martin Camaj, edhe ky i ridënuar si pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, që pas burgut mundi të arratisej nga Shqipëria dhe bëri emër të madh në Perëndim, si poet, prozator, studjues, etj.
I gjithë shpirti rinor poetik që Panos ju ndrydh burgjeve në rininë e tij të herëshme, duket sikur për kompesim iu kthye në vitet e pleqërisë, ku ai botoi librin e tij të parë në vitin 1994, të titulluar, “Blerim i Thinjur”. Librin e tij të dytë ai e botoi në vitin 1997, me titullin “Dhe vdekja do paguar”, për të cilin midis të tjerash, poeti Xhevair Spahiu ka shkruar: “Gjendje dhe gjetje të mirfillta poetike shumë pikëllim dhe pak shpresë: hove të fundme dashurore në pleqëri të thellë, ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse, poeti Pano Taçi, të cilit si burgu dhe pasburgu, ia mpakën por s’ia plakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuajse serembiane. Humbellat e dhembjeve dhe ritmi i valëve të një jete të trazuar të pikin në zemër dhe të bëjnë të mendosh se njeriu nuk është një ishull i vetmuar, fati i tij është pjesë e fatit të të gjithëve…”. Ndërsa lidhur me këtë, vetë Pano, do të shkruante: “Rinia ime e pakonsumuar në këtë moshë të kaluar, brengat e dhembjet e një jete të trazuar janë prushi ku piqet nektari i poezisë që më del nga shpirti dhe hedh në letër, e ku, pa këto trazira në një jetë të qetë do të isha i vdekur”.
“Po iki, e di, s’kthehem më/ Nga jeta një të mirë s’pashë/ Nuk di për mall pas nëse lë/ Një fjalë të çiltër që thashë”. Kështu shkruante dikur poeti Pano Taçi në poezinë e tij “Për ç’heq e vuaj”, i cili u nda dje nga jeta, pa lënë pas në të vërtetë “mall e gjë”, por vetëm poezi brengash e dashurie. Ndonëse nuk iu tut sëmundjes deri në momentin e fundit, në moshën 83-vjeçare, pas një jete plot mundime, poeti mbylli sytë. Tavolina e preferuar tek bar “Europa” do të mbetet bosh, miqtë e kamerierët nuk do të dëgjojnë më zhurmën e motorit të tij apo histori burgjesh e të dashurash, që ai i tregonte gjithnjë me të qeshur.

Marre nga https://www.teksteshqip.com/pano-taci/poezi-113397.php

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.