back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Mbi Kullën e Ngujimit në Theth… Ilir Seci

Gazeta

Kulla e Ngujimit - Theth
Kulla e Ngujimit – Theth

Mbi Kullën e Ngujimit në Theth… Ilir Seci

Kulla trikatëshe në kët foto asht nji Kullë unikale në krejt trojet Shqiptare… Ajo njihet me emnin “Kulla e Ngujimit”… Kullën e përmend Edith Durham në përshkrimet e saj, e përmend Baroni Nopça, po ashtu edhe i madhi At Shtjefën Gjeçovi, mbledhësi dhe kodifikuesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, ndryshe Kanuni i Maleve…
Kur sot dëgjojnë sintagmën: “Kullë e Ngujimit” njerëzit menjiherë mendojne nji familje të ngujueme aty!?
Përshtypje krejtësisht e gabuar!
Kulla në të vërtetë ka pasë funksion krejt tjetër… Kur ka ndodhë që janë vra malësorët mes veti, (e për fat të keq kjo ka ndodhë!), atëherë  njerëzit kanë ra në gjak! Fill mbas vrasjes janë thirrë pleqtë njohës dhe zbatues të Kanunit të Lekëvet… Nga ana e pleqve asht krye hetimi, si ka ndodhë vrasja, rrethanat dhe sa gjaqe mund të jenë hapë! Gjatë procesit të hetimeve personi që ka krye vrasjen asht sjellë i çarmatosun dhe i shoqnuem me roja te kjo Kullë ku asht mbajtë i mbyllun, asht marrë në pyetje nga pleqtë për gjithë rrethanat e ndodhjes së vrasjes! Ai që ka krye vrasjen asht mbajtë ma pas aty në Kulle derisa Pleqnia kanë dalë me vendim të pleqnuem mirë! Askush s’ka guxue të afrohet aty te Kulla, mbasi  pleqtë jo vetëm që kishin autoritet të bazuem në Traditë, por kishin edhe autoritet praktik…
Ata kishin disa djem të zgjedhun për trimni që ishin roje aty te ajo Kullë! Po ata djem ishin që  bënin shoqnimin e atij që kishte krye vrasjen deri te Kulla…!
Pra, Kulla e Ngujimit, ka pasë luejtë rolin e Paraburgimit të sotëm, Pleqtë kanë luejtë rolin e Gjykatësit, kurse djelmnia që bënte roje luente rolin e Policisë!
Shumëkush sot e gjykon Kanunin e Maleve, Kanunin e Lekëvet  pa e njoftë fare!?…

Dorshkrimi i Kanunit - At Shtjefen Gjeçovi
Dorshkrimi i Kanunit – At Shtjefen Gjeçovi

“Kanuni nxit gjakmarrjen!” – shohim nganjiherë  tituj artikujsh shkruar nxitimthi nga gazetarucë të porsadalë nga veza, që kujtojnë se kështu i venë pikat mbi “i”?! Kanuni s’e ka nxitë kurrë gjakmarrjen, Kanuni si Kod Penal i kohës, në kushtet e mungesës së shtetit, ka qenë rregullator dhe ka vendosë drejtësinë përmes ligjit të pranuen prej të gjithëe! Të akuzosh Kanunin për nxitje të gjakmarrjes asht njisoj si të akuzosh çdo Kod Penal të botës së sotme moderne: për nxitje të vrasjeve…!?
…Në këtë Kullë pleqtë shoshitnin imtësisht se si asht  krye vrasja dhe nëse personi e kishte krye vrasjen nga halli, pse s’kishte pasë tjetër rrugë, atëhere Pleqnia ka bërë çdo përpjekë të mundshme me e mbyllë ate gjak! Nji nga mjetet që kanë përdorë ka qenë edhe ky… Në Odën e Kullës silleshin burrat e familjes të të vramit! Dhe në praninë e tyne sillej edhe nji foshnje djalë, në djep. Djepin e vendosnin përmbys dhe foshnjen me krye poshtë! Fëmija në djep nuk mund të rrijë gjatë ashtu kryeposhtë, dhe mbas pak kohe nëse nuk sillet së mbari foshnja vdes…!?
“O Filani! – i thonin pleqtë të Afërmit e të vramit, – A po e falë kët kërthi a po e len me vdekë!?” …dhe rrinin në pritje gjithë ankth se çka do thoshte plaku i Palës së vrame…!
Nji rast të kësaj natyre e përshkruen Edith Durham, e cila ka qenë vetë aty e pranishme para ma se nji shekulli…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.