back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbi një muzikant italian! – nga Genci Hoti

Gazeta

Guido Guglielminetti
Guido Guglielminetti

Mbi një muzikant italian!

nga Genci Hoti

Jeta e shqiptarëve është me të vërtet e çuditshme, pothuajse në të gjitha drejtimet. Dhe a e dini pse? Shqiptarët janë i vetmi popull europian që jeton si gjithë popujt e tjerë të kontinentit, por me produktin social që nuk e ka ndërtuar vetë në asnjë pikë. Përmasat e kësaj jetese dhe asaj që huazojmë përditë nga Europa të detyron ta studiosh jetën europiane nga fillimi për të zbuluar përse jemi europianë biologjikisht, por tepër larg nga pikëpamja sociale. Të paktën ngjarja e mëposhtme, më së paku, është një tregues se si jemi formuar si individë dhe përse plotësimi ynë intelektual vazhdon përditë edhe në moshën e pensionit.
Para do kohe më ra në dorë një libër (përmbajtjen e të cilit dhe mënyrën se si erdhi tek unë do ta përshkruaj më poshtë) që më solli përpara syve kujtimet e fëmijërisë, të viteve 1969/1970, atëhere kur kisha filluar studimet në Shkollën e Mesme Profesionale “7 Nëntori”, dega radio-televizor. Ishte koha kur shikonim në Tv emisionet kulturoro-muzikore italiane tek stacionet RAI 1 dhe RAI 2 dhe dëgjonim në radio Hit-Parade-in italian për ditë të hënë (ora 13) dhe ditë të premte (ora 13.30). Ishin një emisione 30-35 minutësh për të cilat çunat e Tironës (flas për tironasit e vjetër me prejardhje qytetare nga Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi, Gjinokastra, etj. dhe jo për ata të formuar pas 1945, që e quajtën veten djemtë e bllokut) e kishin për turp të mos i dëgjonin dhe komentonin. Linim mësimet (orën e fundit, sidomos ditën e hënë që e kishim me 6 orë) dhe vraponim pranë radiove për të dëgjuar Celentanon, Minën, Lucio Batistin, Modunjon, Xhani Morandin, Katerina Kazelin, Ornela Vanonin, Mino Reitanon, Klaudio Vilën e shumë shumë këngëtarë të tjerë italianë e jo italianë të famshëm për kohën që janë futur në Historinë e Njerëzimit (Bitëllsat). Revoltoheshin mësuesat për këtë sjellje, na hiqnin vërejtje, na ulnin notat, por mosha e adoleshencës nuk donte t’ia dinte dhe grindeshin seriozisht mësuesa e nxënësa në orët e edukimit rinor. Nuk do dhe shumë mend për të kuptuar se kush ishte fajtori, por hajde të na mbushje mendjen se “kryengritja” ishte në dëmin tonë dhe riti vazhdonte çdo ditë të hënë dhe të premte (mos gabofsha kjo vazhdoi deri në kohën e Festivalit të 11, i cili u përdor për të na bërë presion deri në familje).
.
Libra Muzike
Libra Muzike

.

Interesantja ishte se ne mësonim përmendesh emrat e këngëtarëve, përmbajtjen e këngëve, por asnjëherë nuk tentonim të mësonim emrat e kompozitorëve, autorëve të teksteve, aranxhuesve të muzikës dhe kjo përbënte edukimin gjysmak dhe formal tonin në fushën e muzikës. Kjo mangësi, pa dyshim, që tregon mënyrën e mbrapshtë se si jemi vetedukuar ndër vite dhe çfarë produkti do të krijonim në të ardhmen (këtu e ka burimin karakteri kryengritës dhe mospajtues me të kaluarën).
Dhe të mendoje në ato vite se një ditë prej ditësh do të më binte në dorë libri i njeriut që kishte bashkëpunuar me këngëtarët e mësipërm, por dhe me këngëtarët, muzikantët dhe kantautorët e mëposhtëm ishte gjëja jo vetëm më e pabesueshme, por dhe më e papranueshme (me kollaj fantazia të çonte në Hënë se sa në njohjen me hollësi te personazheve të Botës së Muzikës italiane për atë kohë):
Franco Tozzi, Patrick Samson, Adriano Pappalardo, Nilla Pizzi, Lucio Battisti, Umberto Tozzi, Ivano Fossati, Oskar Prudente, Anna Oxa, Mia Martini, Loredana Berte, Marcella Bella, Mina, Francesco De Gregori, Luigi Grechi, Lucio Dalla, Mira Leon…
Fjala bëhet për artistin shumë përmasor (instrumentist, kompozitor, arranxhator, autor tekstesh dhe prodhues këngësh) Guido Guglielminetti, i cili ne një libër të vogël, Essere… basso, Piccole storie di musica, Salerno, Italy 2017, (kushtuar djalit të tij Andreas) përshkruan jetën e vet artistike dhe punën voluminoze për të arritur qëllimin artistik të dëshiruar.
I lindur në Torino me 15 Dhjetor 1952, dhe në moshën 14 vjeçare zbulohet talenti i tij për muzikën; në sajë punës autodidakte, këmbënguljes njerëzore, produktit origjinal artistik bëhet i njohur në rrethet muzikore të Torinos duke realizuar bashkëpunimin e suksesshëm me Lucio Battistin dhe këngëtarët e mësipërm. I gjithë libri përshkruan punën e madhe të autorit për pasurimin e Muzikës së Lehtë Italiane.
Përpara disa muajve shoh e FB një fotografi të bashkëshortes së mikut tim 60 vjeçar Apollon Dilos (me Apollon Dilon njihem që në kopështin fëminor Nr. 24 në grupin e dytë (1959), Eti Kupin, së bashku me autorin e librit, muzikologun Guido Guglielminetti duke pasur në dorë librin në fjalë.
Si i paturpshëm që jam për punë librash i kërkova një kopje dhe premtimin për t’i bërë një prezantim të veprës së autorit tek lexuesi shqiptar. Kështu që në këtë rast nuk po bëj më shumë, veçse po mbaj premtimin e dhënë duke i uruar autorit të librit, muzikologut Guido Guglielminetti, një jetë të lumtur dhe një produkt muzikor sa më të suksesshëm.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.