back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mbi një vepër të pa njohur të Isuf Luzaj – nga Enver Memishaj

Gazeta

Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)
Prof. Dr. Isuf Luzaj (1913-2000)

Mbi një vepër të pa njohur të Isuf Luzaj

nga Enver Memishaj

Në vitin 1996, ndërsa po punoja për veprën “Hysni Lepenica…”, në gazetën “LiriA”, gjeta poezin “Martiri”, me vlera ideo-artistike, kushtuar Hysni Lepenicën, sipas gazetës krijim i Musine Kokalarit.
Po në këtë gazetë, Makensen Bungo në artikullin “Një vepër e panjohur”, bënte të ditur se gjatë hulumtimeve të tij kishte gjetur në fondin e Musine Kokalarit poemën “Prosopopea”, pa emër autori, të pa njohur më parë dhe të pa botuar. Z. Bungo bënte thirrje që në se ndokush e dinte emrin e autorit të kësaj poeme ta publikonte atë.
Poezinë, apo poemthin “Martiri”, e përfshiva në librin tim “Hysni Lepenica…”, që botova në vitin 2000, me këtë post shënim: “Marrë nga “Zëri i Lirisë”, Tiranë, Organ i Partisë Socialdemokrate, dt. 1 janar 1944. Ka mendime se autorja nuk është Musine Kokalari. Kur punoja me këtë libër u njoha me z. Hektor Kokalari, i cili ruan origjinalin e librit “Prosopopea”. Atë e posedonte i ati Vesim Kokalari, para pushkatimit. Hektori pohon se babai tij këtë libër, ia ka marrë autorit të saj që është z. Isuf Luzaj që banon në Çikago, SHBA”. (“Hysni Lepenica…”, Geer, Tiranë 2000, f. 106-108, 175-176)
Pavarësisht nga këto infornacione, unë e botova poezinë si krijim të Musinë Kokalarit. Më pas gjatë hulumtimeve në fushën e historisë gjeta në Arkivin Qëndror të Shtetit, poemën “Prosopopea”, të plotë, e cila ashtu si edhe Makesen Bungos më tërhoqi vëmëndjen për vlerat e sajë ideo-artistike.
Aty gjeta se poezia “Martiri”, ishte pjesë e kësaj poeme dhe ishte nxjerrë prej sajë e botuar në gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i Partisë Socialdemokrate, në Nr.1, datë 1 kallnor 1944 ditë e shtunë, nënshkruar me shkronjën L.
.
Ismail Qemal bej Vlora
Ismail Qemal bej Vlora

Përmbajtja e poemës dramatike “Prosopopea”

Vepra është daktilografuar me makinë shkrimi në 36 faqe të formatit të zakonshëm. Titulli është “Prosopopea”, që në shqip do të thotë libri i shenjtë, pjesë nga ungjilli. Autori nuk shënohet, ndërsa shënohet viti dhe vendi i përfundimit të poemës: Vlorë, fruer 1944.
Vepra është një poemë epiko-lirike, ose poemë dramatike. Autori i panjohur ua kushton poemën: Dëshmorëve të Kombit me citimin: “Asnjeri gjatë jetës së tij nuk bën për Atdhe aq sa bën heroi në një çast”. Fjalë Varri.
Më poshtë shënohen personazhet veprues të poemës:
 
Plaku i Vlorës – Ismail Qemali
Heroi i Dragobisë – Barjam Curri
Pashai i Shkodrës – Preng Bib Doda i Gjon Markaj
Bilbili i Frashërit – Naim Frashëri
Martiri i Korçës – Themistokli Gërmenji
Dervishi i Salarisë – Selam Musai
Misionari – Një misionar i Kryengritjes Kombëtare
 
Në këtë poemë janë himnizuar denjësisht heronjtë dhe dëshmorët që u dalluan në betejat për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar që nga plaku Ismail Qemali e deri tek Selam Musai, duke mos harruar Bajram Currin, Preng Bib Dodën, Naim Frashërin e Themistokli Gërmenjin.
Vepra i bën jehonë heroizmit të popullit tonë në shekuj dhe veçanërisht vullnetarëve të lirisë gjatë Lëvizjes Antifashiste, 1939-1944. Poema dramatike, fillon me “Proemio”, ku autori i drejtohet Zotit:
 
Ndihmë o Zot në qoft’ Kombi Shqiptar
Në udhë të vërtetë për të drejtën e tija
Ta fitojmë lirinë, e heronjëve mbi varr
Me shkronja shqip t’u këndohet trimëria.
 
Në poemë, nëpërmjet deklarimit të personazheve dhe përshkrimit të tyre prej autorit vihet në dukje krenaria e tyre për prejardhjen e lashtë të popullit shqiptar. Kështu Ismail Qemali thotë:
 
Ne jemi një komb i vjetër, që kur nisi qytetaria,
Kur filluan qimekuqtë të dilnin tëhu nga Azia.
 
Ndërsa heroi i Dragobisë për Kosovën martire që vuante nën zgjedhën e egër të asaj kohe shprehet:
 
Po njashtu si ta thotë zemra, burrë i mirë duhet përpjekur
Ta shpëtojë kët radhë Kosovën zgjedhës së serbit barbar.
 
Ngjarjet e poemës në një pjesë të madhe të saj, përfshijnë Lëvizjen Antifashiste të popullit shqiptar. Më tutje autori përshkruan luftën që bëjnë forcat e Ballit Kombëtar kundër pushtuesit fashit italian. Autorit i shfaqet një hije që është Plaku i Vlorës, i cili fillon t’i flas për historinë heroike të shqiptarëve dhe më tutje deri në fund përmbajtja e veprës zhvillohet nëpërmjet deklamimit të shtatë personazheve të renditura në hyrje të librit.
Gjatë gjithë zhvillimit të veprës Shqipëria mendohet dhe deklamohet me Kosovë e Çamëri, që është në fakt edhe programi i Ballit Kombëtar. Misionari fillon të ngrejë himne për disa personalitete të historisë sonë, veçanërisht për veprimtarinë patriotike dhe sakrificat e komandantëve të Ballit Kombëtar:
 
Ndonjë këngë nga këto që janë lot e psherëtima
Ndonjë vaj të shokut t’onë që janë britm’ e ulërima…
T’u këndoj duke vajtuar
Dy tri këngë burrash dëgjuar
Sa të kem guxim e lot…
 
Më tutje autori u ngre himne Qazim Koculit, Hysni Lepenicës, Safet Butkës, Neki Saliut:
 
Qazim Koculit
Ti ngjeshe shpatën e zjarrtë të Kastriotit
Besove burrërisë shqiptare dhe Zotit…
 
Hysni Lepenicës:
Njëzet vite mallkuar ta lanë shenjën në ballë
Kosova e Çamëria! Të dogji i shkreti mall…
Flamurin Kombëtar e shpure në fitore
Me bes e fjal e nder e burrëri arbërore
Do të qaj duke i kënduar një djepi e një varri.
 
Safet Butkës:
Si vigan përballove tmerr e shtypjes çnjerzore
Trim i ndjenjës kombëtare, bir i shqipes arbërore
Shpirt i fortë e i vendosur në një lufte me okupator…
Lumthi ti që i dhurove jetën çështjes kombëtare
Historisë emrin ia le, shembullin rinisë shqiptare
Punën tënde si apostull shkollës shqip për Shqipëri
Neve jemi shokë t’vërtetë, shokë të lidhur besa besë
Kështu kombi si u përlesh, asnjë prapa nuk do mbesë
Pritna, se do vijmë me radhë vullnetarë për liri!
 
Neki Saliut:
Kujtoj fundin e betejës grirë flamuri e coptuar
Që kish qenë në vijë të parë e shtërngoje fort në duar…
Të qaj moshën aq të re të qaj ndjenjën e therorisë…
Pritna se do vijmë me radhë: Vullnetarë për liri.
 
Autori i kushton vëmëndje të veçantë katastrofës shqiptare, luftës vëlla-vrasëse të hapur nga Partia Komuniste, e të nxitur nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha:
 
Janë thyer me çekan eshtra njerëzish për së gjalli
Janë nxjerrë foshnja nga barku me një thikë për së gjalli
Janë prerë vesh e hundë, janë nxjerrë sytë nga balli
Janë prerë pjesë trupi që ka turp t’i shoh i gjalli
Janë prerë duar e këmbë, qënkej njeriu i shëmtuar
Në mes trungjesh me një sharrë është prerë trup burri
Është djegur femra e gjorë më i nxehtë ku ish furri.
 
Në vepër vihet re edhe ndonjë korigjim me dorë, që mendojmë siç do të provojmë më poshtë se këto korigjime nuk i ka bërë autori i poemës.
Nga kqyrja që i bëjmë poemës, përmbajtjes, idesë, vlerës artistike etj., arrijmë në përfundimin se vepra është shkruar nga një poet i talentuar, me figura letrare, me një varg të pa rregullt, kryesisht me strofa 16 rrokshe.
Poema është ndërtuar në strofa me gjashtë vargje të rimuar me skemën A_A,B_C_C_B. Vepra përshkohet fund e krye me figura të bukura letrare të ndërtuara me ndjenjë e mjeshtëri. Autori ka përdorur një gjuhë të pastër të krahinës së Vlorës dhe pa barbarizma.
.
Musine Kokalari (Muza)
Musine Kokalari (Muza)

Cili është autori kësaj vepre?

Kjo është pyetja e parë që lexuesi i bën vetes. Më poshtë do të mundohemi jo pa sukses që kësaj poeme t’i kthejmë autorsinë.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo vepër është shkruar në Vlorë, nga një poet vlonjat, simpatizant apo anëtar i Ballit Kombëtar, antikomunist, përfundim që arrihet nga:
-Gjuha e përdorur që është gjuha që flitet në Vlorë dhe krahinat për rreth sajë, nga ngjarjet kryesore të veprës që zhvillohen në Jug të Shqipërisë, kryesiht në Vlorë.
-Nga hollësitë që përshkruhen personazhet, p.sh. për Hysni Lepenicën, që në atë kohë nuk diheshin hollësi mbi veprimtarinë e tij atdhetare, Neki Saliun një patriot, komandant çete i Topalltisë, i Ballit Kombëtar, vrarë pabesisht nga komunistët në Gumenicë të Vlorë, në dhjetor të vitit 1943, i cili pothuajse nuk njihej jashtë Vlorës.
-Autori poemës ka një kulturë të mirë në fushën e letërsisë dhe njohuri të mira për historinë tonë, pra është njeri i arsimuar dhe i kulturuar.
-Autorja nuk mund të ishte Musine Kokalari edhe për faktin se nuk njohim prej sajë asnjë poezi origjinale. (Shih: Musine Kokalari, Vepra, Vëllimi parë dhe i dytë, Geer, Tiranë 2009. Përgatitur nga Novrus Xh. Shehu)
Nisur nga sa sipër dhe nga argumentat që do të trajtojmë më poshtë arrijmë në përfundim se autori i kësaj poeme dramatike është Isuf Luzaj, lindur në Kaninë të Vlorës “http://sq.wikipedia.org/wiki 21 shkurt 1913, vdiq në Çikago më 7 nëntor 2000 dhe u varros në vendlindjen e tij. Isuf Luzaj është njeri nga ideologët dhe udhëheqës i Ballit Kombëtar, shkrimtar në prozë dhe poezi, autoritet i shquar i kulturës shqiptare.
Mendimin tonë e vë në dyshim një fakt që nuk mund të nënvleftësohet: Në shtypin e përditshëm është botuar lista e veprave të Isuf Luzajt, prej 100 titujsh, baras me 122 vëllime. Në këtë listë nuk figuron një vepër e titulluar “Prosopopea”
Isuf Luzaj në letrën e datës 9.2.1996, drejtuar botuesit të veprave të tija në Shqipëri, shkrimtarit Xhevat Beqaraj, i dërgon atij listën e veprave të tij me 93 dorëshkrime, por edhe në këtë listë nuk përmendet vepra e titulluar “Prosopopea”. (Arkiva e Xhevat Beqaraj, cituar nga Mimoza Hysa “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”, Ombra, Tiranë 2012, f. 8)
Po kështu edhe studiuesi Uran Butka, shprehet me dyshim për autorsinë e veprës: “Vepra “Prosopopea” është shkruar në Vlorë, në fruer të vitit 1944. Është dërguar në Tiranë për botim, por, për shkak të ngjarjeve të luftës, nuk u botua. Në këtë vepër nuk është shënuar emri i autorit. Mendoj që mund të jetë një i internuar politik nga Vlora, ndoshta edhe Isuf Luzaj, sepse në këtë poezi vendin më të madh e zë rezistenca antifashiste në ishullin Ventotene, ku kanë qenë internuar edhe Safet Butka edhe Isuf Luzaj e shumë patriot të tjerë”. (“Safet Butka”, Maluka Tiranë – 2003, f. 729. Përgatiti Uran Butka)
Për këto arsye të vënies në dyshim të autorsisë së poemës duhet të vazhdonim kërkimet për të bërë të pa kundërshtueshëm autorin e poemit ”Prosopopea”.
.
"Prosopopea" - Poemë nga Isuf Luzaj
“Prosopopea” – Poemë nga Isuf Luzaj

I pari që ka pohuar se vepra është e Isuf Luzaj është Hektor Kokalari, djali Vesim Kokalarit, vëllai i Musine Kokalarit, nga Gjirokastra pushkatuar nga komunistët. Dihet se Musineja ishte bashkthemeluese e Partisë Socialdemokrate me Isuf Luzaj e Skënder Muçon, por edhe vëllai saj porofesor Vesimi ishte në krah të sajë dhe mik që nga viti 1932, i Hysni Lepenicës. Këto janë arsyet që poema e Isuf Luzajt u gjend në arkivin e Musine Kokalarit.

Makensen Bungo në shkrimin e vitit 1996, nuk kishte mundur të identifikonte autorin e kësaj poeme dhe nuk ka dhënë asnjë mendim për autorin e saj, por në vitin 1997, ai shkoi në Amerikë dhe atje pati korrespodencë me Isuf Luzin për të cilin shkruan: “Me të unë këmbeva vetëm tri letra. Kur i shkrova së pari, ai pranoi të bisedonte me mua me gëzim, me gjithëse nuk njifeshim…
Isuf Luzi, kur u largua nga Shqipëria dorëshkrimet e disa veprave që kishte bërë gati për botim nuk i mori me vete, i la në atdhe. Kështu më ka shkruar në njerën nga letrat që më dërgoi këtu në Amerikë. Fati tyre është për të ardhur keq se duhet të kenë humbur. Njëra nga këto më ka rënë mua në dorë rastësisht. U lidha me atë dhe me anë të një letërkombimi të thjeshtë mësova të dhëna mbi formimin e Partisë Socialdemokrate më 12 tetor 1943, dhe veç të tjerave edhe se kur ishte larguar nga Shqipëria Prof. Isuf Luzaj kishte lënë në Atdhe disa vepra të pabotuara, midis të cilave edhe një poemë titulluar “Prosopopea”. Nga ky letërkëmbim me Prof. Dr. Isuf Luzaj mësova se cili ishte autori i veprës ”Prosopopea”. (Internet: Makensen Bungo në “Zemra shqiptare”: Bisedë për Prof. Dr. Isuf Luzaj, dt. 23. 10. 2011)
Edhe studjuesa Mimoza Hysa pohon autorsinë e Isuf Luzajt për poemën “Prosopopea”, kur shkruan: “Pas kapitullimit të Italisë, Isuf Luzaj kthehet në Vlorë i lodhur, i dërrmuar, i zhgënjyer nga politika e krerëve të Ballit Kombëtar. Me largimin nga radhët e Ballit përpiqet të realizojë ëndrrën e projektuar që në burg në Itali, krijimin e Partisë Socialdemokrate. Kësaj here ia arrin qëllimit së bashku me Musine Kokalarin, Vesim Kokalarin, Kujtim Koculin, Manush Peshkëpinë dhe Selami Çelën. Partia e posakrijuar e shtrin aktivitetin e sajë në Tiranë, Shkodër e Vlorë dhe nxjerr gjithashtu shtatë numura të gazetës “Zëri i Lirisë”, ku profesori do të botojë me pseudonim, shkrime dhe krijime: programi i Partisë Socialdemokrate, artikuj edhe shkrime filozofike e vjersha, poezi për Hysni Lepenicën”. (AQSH F. 270/7, V. 1944, D. 2/2, Gazeta “Zëri i Lirisë”, Tiranë, nr. 1-7; Mimoza Hysa “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”, Ombra, Tiranë 2012, f. 22, 140, 150)
.

Hysni Lepenica
Hysni Lepenica

Çfarë gjetëm në dosjen e Raile Muhamet Luzaj?

Për të mos lënë asnjë dyshim për autorin e veprës, pas këtyre të dhënave mendova të shfrytëzoja dosjen e Raile Luzit, motrës së vogël të Isuf Luzit, e cila ishte dënuar për motive politike.
Është me interes të mësojmë diçka më tepër për këtë vajzë të re 25 vjeçare që u burgos e persekutua egërsisht nga komunistët e Vlorës.
Raile Muhamet Luzi, kishte lindur në vitin 1928, në Kaninë dhe banonte në lagjen Uji i Ftohtë – Vlorë, fshatare e mesme, shtëpiake, me arsim fillore pa triska fronti.
Ajo u arrestua më 29 janar 1953, dhe në proçesverbalin e kontrollit të banesës së kësaj date shënohen shumë materiale të sekuestruara. me interes historik si thirrje, Statut i Partisë Socialdemokrate, proçesverbal mbi formimin e kësaj partie, historik i ngjarjeve të luftës, etj., por që nuk u gjetën në dosje. Këto materiale ose janë marrë nga studiuesit komunistë ose janë zhdukur për shkak të injorancës së hetuesve.
Pavarësisht nga shqetësimi im që materialet e sekuestruara nuk i gjeta në dosje më gëzoi fakti se në faqen 15-16 të dosjes gjeta dorëshkrimin e poezisë “Martiri” që i dedikohej Hysni Lepenicës.
Po shënojme për interes të lexuesit se vajza 25 vjeçare Raile Luzaj u akzua dhe dënua se:
Familja e sajë ka ndihmuar deri në fund Organizatën e Ballit Kombëtar, vëllezërit e sajë Isuf dhe Ibrahim Luzi kanë qenë udhëheqës dhe organizator të Ballit Kombëtar, të arratisur jashtë shtetit në vitin 1944.
Ka pasur dijeni për Organizatën Rilindja Kombëtare dhe ka ndihmuar anëtarët e kësaj organizate si Dervish Hodon dhe Petref Bajramin, duke u dhënë atyre edhe një makinë shkrimi nga fundi i vitit 1948.
Ka bërë agjitacion dhe propagandë dhe ka kërcënuar qytetarët se kur të kthehen vëllezërit e saje do të hakmerren.
Ka bërë fushat për mbledhje ndihmash për të burgosurit e Burrelit dhe mbante në shtëpi një pushkë të të vëllait Ibrahim Luzit.
Gjyqtarët kriminelë komunistë e dënuam vajzën e re pa asnjë faj me 10 vjet burg.
Vendimi për arrestimine sajë e ka marrë Punëtori Operativ Ramadan Cano dhe është miratuar: prej Kryetarit të Degës n/kolonel Petrit Hakani, zv/kryetari i Degës Qendër n/kolonel Dhosi Progri, Kryetarit i degës së Hetuesis n/kolonel Nevzat Haznedari.
Në përfundim të hetuesisë, hetuesit komunistë konkludojnë se: “Qëndrimi i Raile Luzit në Hetuesi ka qënë shumë i keq, është munduar të mashtronte organet e hetuesisë dhe të mohonte aktivitetin e saj armiqsor, i ka qëndruar deri në fund udhës së tradhëtisë, aktivitetit armiqësor të saj dhe të shokëve… E pandehura shoqërisht është shumë e rrezikshmë e vendosur në aktivitetin e saj armiqësor deri në fund dhe që nuk e ndryshon kurrë këtë rrugë”. (Arkivi i MPB, F. 1, D. 8682)
Kjo zonjë e nderuar pas daljes nga burgu u martua me patriotin dhe luftëtarin e palodhur për liri dhe demokraci, Ceno Caushin nga Mallakastra dhe vdiq e nderuar në Ujë të Ftohtë të Vlorës, në vitin 2014.
Tani pasi u njohëm me vuajtjet e padrejta të kësaj zonje le të shqyrtojmë poezinë “Martiri”, që gjetëm në dosjen e sajë kushtuar Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica.
Poezia është shkruar me shkrim dore në format të zakonshëm, po në atë format që është daktilografuar edhe poema “Prosopopoea”. Nga krahasimi i kësaj poezie me atë të botuar në poemën ” “Prosopopoea” dhe në gazetën “Zëri i Lirisë”, të cituar më lart, del se është e njëjta poezi fjalë për fjalë.
Autori nuk e shënon emrin e tij në këtë poezi, por mendja vetvetiu na shkon se ai s’është tjetër veçse Isuf Luzaj, vëllai i Ralile Luzajt.
Sipas hetuesve kriminelë, kjo poezi ishte kaq e rrezikshme sa që e kanë detyruar z. Raile të konfirmojë me dorën e sajë pas letrës format ku është shkruar poezia: “Vërtetoj që u gjet në kontrollin që u bë në datën 26.1.1953” Firma
Por për të mos lënë asnjë dyshim për autorin e kësaj poezie dhe për pasojë edhe të poemës ”Prosopopea”, dorëshkrimi i poezisë së bashku me një letër të Isuf Luzit datë 16.11.1992, drejtuar deputetit Ibrahim Vasiari në Vlorë, shkrimi iu nënshtruan një kqyrje dhe analize nga një specialist i Ministrisë së Brendshme.
Specialistit iu kërkua t’i përgjigjet pyetjes: Dorëshkrimi i poezisë tek e cila nuk është shënuar autori dhe letra e shkruar nga Isuf Luzaj a janë shkruar nga e njëjta dorë nga i njëjti person?
Përgjigja e z. Mitkolli A., ishte: “Po Poezia dhe letra janë shkruar nga i njëjti person”, gjë do të thoshte se autori poezisë dhe poemës “Prosopopea”, ishte pa asnjë dyshim Isuf Luzaj.
Edhe një detaj tjetër duhet marrë parasysh se Raile Luzaj ka disponuar një makinë shkrimi të cilën ia ka dhënë Petref Bajramit nga Vlora, të dënuar më vonë me pushkatim, për pjesmarrje në organizatën antikomuniste ”Rilindja Kombëtare”.
Ky fakt na bën të mendojmë se edhe poema “Prosopopea” është daktilografuar në shtëpinë e Isuf Luzajt dhe Raile Luzajt me këtë makinë shkrimi.
.

Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)
Profesor Isuf Luzaj (1913-2000)

Rëndësia e poemës “Prosopopea”

Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se është vepër unike e shkruar gjatë luftës dhe për pasqyrimin e luftës që bëjnë shqiptarët për liri, pa harruar për asnjë moment Kosovën dhe Çamërinë si pjes të pa ndara të Kombit shqiptar.
Nuk ka asnjë vepër tjetër të shkruar gjatë luftës 1939-1944, që në mënyrë të plotë të evokojë të kaluarën e lavdishme të popullit tonë dhe të pasqyrojë heroizmin e luftëtarëve të Ballit Kombëtar, si pjesë e kryengritjes së përgjithshme që bën populli shqiptar.
Është një vepër letrare origjinale që paraqet mendimin politik të kohës me besnikëri dhe origjinalitet, veçanërisht të Ballit Kombëtar. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet analizuar kjo vepër.
Vetëm kjo vepër hedh poshtë me neveri dhe përbuzje fallsifikimin e historisë prej komunistëve se Balli Kombetar nuk ka asnjë këngë!!!
Gjithashtu vepra paraqet ndjenjat atdhetare me qëllim që ngrejë ndërgjegjen e shqiptarëve në luftë për liri, por edhe në luftë kundër ideologjisë komuniste.
Vlerën e kësaj poeme duhet ta analizojmë në kontekst me kohën që është shkruar dhe pse është shkruar.
Në studimin e sajë Mimoza Hysa nuk e ka parë të arsyeshme të ndalet në analizën e kësaj vepre. (Shih: Mimoza Hysa “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”, Ombra, Tiranë 2012.)
Marre nga Dielli qershor 19, 2015
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.