back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbi poetin Kostandin P. Kavafis (1863-1933) dhe katër poezi të tij – nga Harallamb Fandi

Gazeta

Kostandin Kavafis (1863-1933)
Kostandin Kavafis (1863-1933)

Mbi poetin Kostandin P. Kavafis (1863-1933)

nga Harallamb Fandi

Përvjetori i një poeti,
që më kujtoi kohën
kur filluam ta njihnim më mirë poezinë…
.
Harallamb Fandi
Harallamb Fandi
Para pak ditësh nisa të shqipëroj, krahas të tjerave, edhe disa poezi të Kavàfisit. Ngaqë unë nuk e njoh greqishten, më erdhi në ndihmë miku im Petrit Stefa. Shumica e njerëzve e njeh Petritin për sukseset kulmore në basketbollin e femrave kur “Flamurtari”, që trainohej prej tij, u bë për shumë vite i paarritshëm. Por këtu nuk është rasti të flitet për këtë e as për matematikën që u mësonte dikur gjimnazistëve. Sepse ai, pasi i lexoi shqipërimet e mia, më kërkoi në telefon dhe, veç të tjerave, më tha “E di kush ma bëri të njohur Kavàfisin?! Dionis Qirxidhi”. “Edhe mua, Dionisi!” i thashë, duke ndjerë në buzë po atë të qeshur të dhimbshme, që pashë te Petriti nëpërmjet smartfonit. Se Dionisi, shoku ynë që në fëmini, ka vite që lëngon në shtrat nga një sëmundje e rëndë. Kujtimet më çuan në adoleshencën tonë kur Dionisi, që i binte fizarmonikës, luante mirë basketboll e shquhej për humorin e tij të veçantë, u shfaq papritur si poet dhe poet i mirë. Tani që nisa të shqipëroj Kavàfisin, nuk mund të mos kujtoja dhe kohën kur ai ndrinte i tëri, teksa fliste sidomos për zbulimin e poezive të treshes Kavàfis, Seferis e Livadhitis, të cilët, krahas me shumë të tjerë, diktatura i kishte futur në “Listat e Zeza”. Çdo pakujdesi të rrezikonte. Edhe për poetin tonë, që shkruante “pa frena” dhe bukur, sidomos për detin dhe çafkat e bardha – simbole të lirisë, “syri i lig” bënte punën e tij dhe krokamat demaskuese për Dionisin u dëgjuan edhe në plenumet e famshme të asaj kohe. Po Dionisi mbeti ai që ish dhe gjithë jetën e kaloi mes vrullit dhe dashurisë, që e karakterizonte për shokët dhe për gjithë njerëzit.
I përmenda këto, jo vetëm ngaqë Dionisi na çeli një dritare poetike të vendit me diell mesdhetar – Greqisë që, si fqinjë, na takonte ta shihnim më parë se të tjerët. Ajo që më nxiti ta filloj kështu shkrimin ishte njohja me biografinë e Kavàfisit, te e cila gjeta mjaft gjëra të ngjashme me ato të zbuluesit të tij për ne, pra të Dionisit. Nuk janë ngjashmëri apo fakte për krahasime poetike. Jo! Janë disa rastësi, të cilat vetvetiu të bëjnë ta zgjatësh edhe pak atë buzëqeshje të dhimbshme, që përmenda më sipër. Si Kavàfisi dhe Dionisi ishin grekë që s’kishin lindur në Greqi (Ne e mësuam kombësinë e Dionisit, pas viteve ’90). Shkollën, gjithashtu, nuk e bënë atje. Kavàfisi, që konsiderohet gjeni i poezise moderne greke, e rimësoi greqishten, në të cilën shkruajti, kur zbuloi që kishte nevojë të brendshme të pajisej me çelësin gjuhësor, që do t’i hapte dyert poezisë së tij. Që të dy u rritën, studiuan dhe shkruajtën kryesisht jashtë Greqisë. (Dionisi, për arsyet që dihen, po të shkruante greqisht, në një ditë “të bukur” do të gjente belanë). Asnjëri nga të dy nuk kishte mësuar në shkollë të lartë për letërsi (Dionisi kishte mbaruar për matematikë – fizikë) dhe të dy punuan në institucione shtetërore, që merreshin me sistemimin e emigrantëve. Këtu do të ndalem, po nuk mund të rri pa theksuar ndihmën e jashtëzakonshme që Dionis Qirxidhi u dha emigrantëve shqiptarë gjatë punës në një nga zyrat e Bashkisë së Athinës.
Vlora, qyteti i tij i lindjes, për këtë dhe për gjithë veprimtarinë e tij të shumanshme, e ka nderuar me titullin “Personalitet i Shquar”.
.
Qirxidhi dhe Cigani i Fizarmonikes
Dionis Qirxidhi dhe Cigani i Fizarmonikes (Mantova 2006)

***

Konstandin Kavàfisi lindi në Aleksandri të Egjiptit, më 29 prill 1863 nga prindër grekë, të emigruar ne Egjipt prej Stambollit. Në vitin 1876, pas vdekjes së të atit, familja e tij u transferua në Angli e, më pas, u kthye në Stamboll. Prej vitit 1885 e deri sa vdiq nga një sëmundje kanceroze, me 1933, Kavàfisi jetoi në qytetin e tij të lindjes, që me historinë mijëravjeçare la gjurmë të thella në shpirtin e tij. Më 1892, pasi kishte mbaruar gjimnazin “shkëlqyeshëm” dhe kishte fituar një emër të mirë për veprimtarinë e tij publicistike e poetike u emërua në Ministrinë e Punëve Publike të Egjiptit, në Aleksandri, ku punoi me mjaft sukses deri në vitin 1922. Në vitin 1897, ai udhëtoi për të parë Parisin, ndërsa në vitin 1901 shkoi në Athinë, të cilën e vizitoi gjithsej tri herë.
Imazhi i Kavàfisit, si një ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë e poetë të 900-s, u krijua nëpërmjet një “corpus”-i të vetëm prej 154 poezish, të publikuara në fletëpalosje e të mbledhura pak nga pak në fashikuj, nga të cilët, pas vdekjes (më 1935), doli libri i tij, që u përhap në gjithë botën. Lirikat e Kavàfisit janë epigramatike, thelbësore, jo të gjata, mbartin shumë trishtim, po jo sentimentalizëm. Ato përshkohen shpesh nga një ironi e hollë dhe kanë një konceptim aristokratik, që duhet kuptuar si mjet për fisnikërimin e formës dhe çlirimin nga mjerimi e padrejtësitë shoqërore. Në pjesën më të madhe të saj poezia e Kavàfisit vjen si një këngë e “kujtesës së distiluar të një të kaluare biografike e historike”, në periudhat helenistike, romake e bizantine. Motivi qëndror i saj lind nga ndërgjegjësimi i rrënimit dhe nga mungesa e shpëtimit prej tij. Këtu, detyrimi i poetit ndaj Homerit është i madh: që të dy kanë të përbashkët dashurinë e fuqishme për njeriun dhe bindjen për të vërtetën elementare që qëndron në themel të fatit të të gjithëve: “Fatkqësinë e paprapsueshme të vdekjes”. Kavàfisi zgjedh për shkrimet e tij, të cilat shquhen edhe për njohuritë e shumta kulturore, fakte dhe personazhe ku mishërohen probleme ekzistenciale, të cilat ai i mbledh dhe i vendos në krijimet e veta me shkathtësi kthjelluese e kumbime jashtëkohore. Si bota e ndjenjave private, veçanërisht ajo që te Kavàfis lidhet fort me bukurinë efebike dhe dashuritë e lidhura me të, mjaft të kritikuara e të ndaluara në kohën që shkruajti, po ashtu edhe shembujt e marrë nga mitet e historia, u janë nënshtruar shndërrimeve poetike. Sepse “mjedisi artistik” ishte kuptimi final i gjithë jetës së tij. Për pastërtinë e formës apo për realizimin me shprehësinë më të lartë Kavàfis punoi me mundim e sedër të rrallë dhe gjeti rrugët e një kënge të pakrahasueshme. Vepra e tij duhet parë, siç ka theksuar Seferisi, si ëork in progress, pra si punë e veçantë, që përsoset në vazhdimësi dhe asgjë nuk e ndal, përveç vdekjes. Koha ka treguar se të gjitha tentativat për të gjetur në të module apo modele bashkëkohëse, s’kanë bërë gjë tjetër veç nxjerrjes edhe më në dukje të origjinalitetit të tij absolut.
.
Kostandin Kavafis (1863-1933)
Kostandin Kavafis (1863-1933)

Katër poezi nga Konstandinos Kavafis

Shqipëroi Harallamb Fandi

Një i harruar

Brendësi kafeje. Zhaurimë.
Në një tavolinë rri veçuar
një i moshuar, përkulur mbi gazetë.
Pranë, asnjë shok.
Dhe mendon aty, n’at’ pleqëri të trishtë,
sa pak e ka gëzuar jetën,
kur ish’e bukur dhe e brishtë,
kur fliste lirshëm e me rrjedhshmëri,
si dinte të fliste dikur ai.
E ndjen që shumë ka rënë, e sheh, e di.
Koha e rinisë?
“Ajo që qe dje”.
O hapësirë e shkurtër, përse kaq shpejt më le?
Befas për urtësinë mendon, që e ka tallur e mashtruar.
Dhe ai, tërësisht (çfarë çmendurie!)
e kish besuar:
“Ke kohë plot, kohë ke dhe nesër,
mos u mendo kaq shumë!”, thosh ajo,
mirë ke për t’ia kaluar, mos dysho!”
Kështu gëzimet një nga një i bëri fli,
vrapin e ndali. Në vend, si mjaft të tjerë, mbeti dhe ai.
Tani kujton me radhë humbjet
dhe
çdo rast
tingull përqeshjeje e talljeje i duket se mbart.
Ҫ’marrëzi!..
 
I zhytur në mendime, nën at’ shi kujtimesh
është shushatur fare.
S’i vete mendja për kafe.
Mbështet kokën n’tavolinë dhe…
i harruar,
rri
e
fle.
.

Kuajt e Akilit

Kur Patroklin,
trimin e tyre të ri e të bukur,
të vdekur e panë,
kuajt e Akilit qanë:
natyrën e pavdekshme e kthyen në revoltë,
turfullonin, tundnin krifat e me thundra rrihnin tokën
atje ku Patroklin armiqtë egërsisht e lanë
me trupin bosh
e shpirtin nisur drejt Asgjësë së paanë.
Zeusi ua pa lotët, u mërzit e u nxi i tëri,
u duk se u nxi dhe dheu
nga gabimi që në dasmën e Peleut,
kuajt i pat dhuruar shpejt, pa u menduar…
“Përse ju dërgova, o kuaj, atje,
mes të vdekshmëve të mjerë,
për ca lojra fati e dëfrime pa vlerë?
Ju që moshë e thyer nuk ju prek,
që nuk ju mposht as vdekja…
ç’pata që iu lashë të vuani në të përkohshmet fatkeqësi,
ku njerëzit grinden, vriten e zhyten në zi…?!
Po kuajve fisnikë lotët s’u pushonin,
vdekjen e paprapësueshme e njihnin.
Prej saj s’kishin ç’të kërkonin.
.
Muzikë dhe poezi...
Muzikë dhe poezi…

Nga sirtari

Do të doja që ta varja në një mur të dhomës.
Po lagështia e sirtarit e ka prishur.
Nuk po e vë në kornizë këtë foto.
Më i kujdesshëm duhej të tregohesha për të.
Këto buzë, kjo fytyrë…
Sikur për një ditë të vetme,
apo dhe vetëm për një orë
të kthehej dot ajo kohë e shkuar!
Jo, nuk do ta vendos në kornizë këtë foto.
Më bën të vuaj kur e shoh kështu.
E si do të përmbahesha për të mos u tradhëtuar…
nga një fjalë, ose nga toni i zërit…
në rast se dikush do të më pyeste
kush kishte qënë këtu…
.

Qirinjtë

Përpara nesh ditët e ardhshme rrinë
si një radhë qirinjsh të ndezur,
të artë, të ngrohtë, të gjallë.
Mbeten pas ditët e shkuara,
rreshti mërzitës i qirinjve të shuar:
të fundit ende tymojnë,
të ftohtë, të shkrirë e të shtrembëruar.
Nuk dua t’i shoh: më trishton pamja e tyre,
në brengë ma mban kujtesën drit’e vjetër
dhe vështroj përpara qirinjtë e porsandezur.
S’dua të kthehem që të shoh pas, për të mos zbuluar
se me ç’vrull zgjatet
e sa rrënqethshëm rritet
rreshti i errët i qirinjve të mi të shuar.
 
Poezitë u shqipëruan në prill-maj 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.