back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq në Dibër, dhjetor 1915 nga Moisi Murra

Gazeta

Cen Elezi (1861-1924)
Elez Isufi (1861-1924)

Mbreti i Serbisë, Petar Karagjorgjeviq në Dibër, dhjetor 1915

nga Moisi Murra, historian

Më 6 tetor 1915, ushtritë austro-hungareze nisen operacionet ushtarake kundër Serbisë. Më 14 tetor edhe Bullgaria, pasi kishte nënshkruar një marveshje të fshehtë me Aleancën Tripalshe, i shpall luftë Serbisë. Ushtria serbe u sulmua në pjesën veriore të saj nga forcat austro-gjermane dhe në lindje nga bullgarët, të cilët kishin si synim që të pengonin trupat anglo-franceze, për t’i shkuar në ndihmë ushtisë serbe.
Më 14 tetor 1915, trupat e Armatës I dhe II austro-gjermane përparuan me shpejtësi deri te liqeni i Dorjanit. Po ashtu dhe trupat bullgare, pasi pushtuan malin Korishta-Gllava në kufirin serbo-bullgar,më 16 tetor u futën në luginën e Moravës e pushtuan Vranjën, më 20 tetor morën Kumanovën dhe më 22 Shkupin.
E vënë përpara këtyre vështirësive, që mund çonin në shkatërrimin e plotë të ushtrisë serbe, Komanda Supreme serbe, e këshilluar dhe nga Rusia Cariste, nuk kishte rrugë tjetër: ose të dorëzohej ose të tërheqjes. Më 4 nëntor 1915, Komandanti Supreme i ushtrisë serbe Radomir Putnik dha urdhër për tërheqje, nëpër tokat shqiptare, në brigjet e Adriatikut shqiptarë e, prej aty me anije të hidhej në frontin e Selanikut, që ishte hapur në tetor nga fuqitë e Antantës, kundër blloku Qëndror.
Komanda Supreme serbe planifikoi që ushtrinë ta lëvizte në tri drejtime: 1 Pejë-Deçan-Gjakovë; 2 Prizren-Lezhë-Durrës. 3 Dibër-Strugë-Elbasan-Durrës. (Milan Nediç, Srpska vojska na “Albanskoj Golgoto” Beograd, 1937.) Lëvizja e ushtrisë serbe nëpër tokat shqiptare nuk do të shkonte si në vaj. Këto ushtritë gjatë viteve 1912, 1913 kishin kryer mizori barbare në Kosovë, Shkodër, Lezhë, Dibër, Lumë, Gostivar, Strugë.

Historiani Moisi Murra dhe Cezar Ndreu
Historiani Moisi Murra dhe Cezar Ndreu

Këtë e dinte mirë Komanda e Lartë serbe, prandaj dhe mori masa për të izoluar krerët shqiptarë me influencë nga do të kalonte ushtria. Vëmendje të veçantë komanda serbe i kushtoi drejtimit: Gryka e Caralevës, Qafë Duhle, Suharekë, Prizren, Zhur, Kulla e Lumës, Ceren, Dibër. Jo vetëm se në këtë rrugëkalim do të haste në fshatra që ende nuk ishte tharë gjaku i shqiptarëve nga bajonetat e pista serbe, të kryera në tetor 1913, por dhe sepse në këtë drejtim do të lëvizte dhe vetë mbreti i Serbisë, Petër Karogjorgjeviçi.
Për këtë, Nikola Pashiqi, i kërkoi Esat Pashë Toptanit, mbështetje, sipas marrveshjes së nënshkruar më 14 shtator 1914, në Nish, kundrejt 150 mijë dinar ari. (Xheladin Shala, “Mardhanjet shqiptaro-serbe 1912-1918”, Prishtinë, 1990, fq. 279) dhe Esat Pasha pasi mbushi xhepat u angazhua, që do të dërgonte kontigjente e tij në pika të ndryshme nga mund të sulmoheshin trupat serbe, si në Vaun e lumit të Veleshicës, tek ura e Tallamazit (Kala e Dodës), në lagjen Kallë të Vleshës (Dibër), Ura e Vezirit, Ura e Dodës (Reç), Ura e Lushës (Arras).
Më 26 nëntor 1915, tre regjimente të Divizionit të II, nën komandën e gjeneral Timokut, me car Petër Karagjorgjeviçin në mesin e tyre, nisën marshimin në drejtim Prizren-Lumë-Peshkopi, Qafë-Murrë-Mat-Durrës. Populli këndoi:

Ushtria serbe ne terheqje... (ekspozita 2015)
Ushtria serbe ne terheqje… (ekspozita 2015)

kah po shkon mori Serbi?/ N’at Italje du me hi./
Ti mër serb, mër faqezi/ A s’e njofte kët Shqipni?

Elez Isufi i informuar për lëvizjet e ushtrisë serbe në drejtim të Dibrës, hyri në lidhje me Islam Spahiun e Lumës, për të bashkrendruar veprimet luftarake kundër ushtrive serbe. Si sinjal udhëheqësit popullor lanë kur fundi kollonës serbe të dilte nga Luma, Islam Spahiu do të shtinte me pushkë.
Ndërkohë një borë e imtë binte pa pushuar.
Më 2 dhjetor 1915, Divizion i Nishit me Car Petrin mbrriti në Kala të Dodës. Kral Petri me disa ministra u vendos në shtëpinë e Halil Shirës në Vasije. Xhelal Ndreu thotë: “Vetë krajli u ul në sexhadën e famshme e të bukur të Lumës, si mik në shtëpinë e Halil Shirës, piu kafen në filxhanin pa bisht, pyeti sa dhen e dhi kishte dhe ky iu përgjigj nji ma pak, se nji ja kishte pre për darkë. I qiti të nesërmen e i dha disa grushta me flori, por Halili s’ja pranoi…!”
Në Kala të Dodës, Divizioni i Nishit, u riorganizua pas gjithë atij marshimi të gjatë e të lodhshëm. Komandanti i Regjimentit të I-rë i paraqiti forcë Komandantit të Divizionit, duke iu drejtuar dhe perëndisë me lutjen: “Pomog ti bog!” (Të ndihmoftë Zoti!), “Bog ti Pomog!”(Zoti të ndihmoftë) u përgjigjën ushtarët të mbuluar me dëborë si shkurre dushqish. Kollonat e ngjeshura me ushtarë serbë, robër austrohungarezë, gjermanë, çekë, gra të oficerve serbë, kafshë, si një gjarpër nisi të rrëshqiste drejt Veleshicës.
Kreu i kollonës e kaloi lumin e Veleshicës në urën e Tallamazit, doli në Kallë dhe vazhdoi udhën nëpër Vleshë. Një kollonë e gjatë që nuk kishte të mbaruar. Elez Isufi me ftyrë nga Kalaja e Dodës, si një shkëmb qëndronte i palëvizur në Lisivalle bashkë me Dik Xhelilin, në pritje të sinjalit nga Lam Spahiu.
Dhe Baba Lami e dha sinjali. U dha kushtrimi dhe Elez Isufi me pesë të shtëna pushke. Atë ditë në konakun e Elez Isufit ndodheshin Seit Prishtina me një shokë të tij nga Kosova,  Brahim Gjoçi i Lurës, Selim Sula i Ratkës dhe Vehbi Shehu i Peshkopisë. Këta dhe dy djemtë e Suf Xhelilit përlanë pushkët dhe dolën në Qafë të Trojakut. Elez Isufi me Dik Xhelilin, nga Lisivalle me një shpejtësi rrufeje lëvizën prej aty në lagjen Ratke, Çore, Pashnjare, Nezhe dhe zunë pritë në perëndim të udhës Mulliri i Vleshës – Ura e Tallamazit. Ndërkohë vrapuan dhe malësorë të tjerë pranë Elez Isufit e Dik Xhelilit.
Kur kreu i kollonës duel në Qafë të Trojakut Elez Isufi i briti fort një oficeri serb, që kishte hipur në një kalë me shalë: -Teslim! Teslim! -Nema teslim, – ia ktheu serbi. Një e shtënë preçize e Mersin Ndreut e rrokullisi nga kali në tokë kumandarin me një britëm vajtuese: “Lele majko-ooo !” Krisma e dalë nga arma e Mersin Ndreut shërbeu dhe si sinjal i asaj goditje të rrufeshëm që i dhanë dibranët ushtrisë serbe në përbërje të së cilit ishte dhe Garda Mbretërore komanduar nga kapiten Misha Anastasijeviç, që shoqëronte car Petër Karagjorgjeviçin.
Ushtria serbe bëri përpjekje të hapej në formacion luftimi në dy anët e rrugës: lumi i Veleshicës-Qafa e Trojakut. Por goditja e befasishme, e menjëherëshme, e luftëtarëve vullnetarë dibranë nga Qafa e Trojakut, Pylli i Lajthisë, Vleshë, Ura e Vleshës mbi lumin e Veleshicë, si dhe goditja lumjanëve të Lam Spahiu në hapsirën jugore të Bituçit dhe Çenjevës e çoroditi elitën komanduese serbe.
Burimeve serbe thonë, se ushtria e Petar Karagjorgjeviq, që në pushkët e para iu vranë 250 ushtarë e shumë të plagosur. (A. Stojçeviç, “Istoria nash ratova 1912-1918”, Beograd, 1932, fq. 468) Pas një ore e gjithë kollona serbe u gjind nën goditje e fuqishme të luftëtarëve dibranë, që kishin vrapuar e organizuar prita në nyje, pika kyçe, qafa, përrenj, nga lumi i Veleshicës deri në Kastriot. Në kët çast thirri Brahim Gjoçi i Lurës: “Bani gajret, or djem, edhe pak se po vijnë Uj’ e m’Ujë e Reç e Dardhë!’’
Dhe popull këndoi:

Krajli Petar Karagjorgjeviq 1915 (ekspozita2015)
Krajli Petar Karagjorgjeviq 1915 (ekspozita 2015)

Elez Jusufi po derdh fjalë:/ A s’po vini ju Reç e Dardhë?/
Se këtij serbit jam tuj i dalë,/ Façe më façe e ballë më ballë.

Dhe me të vertetë malësorët e Reçit e Dardhës në atë të ftohtë të 2 dhjetorit 1915 e kaluan Drinin e Zi të veshur, dhe ashtu hynë në luftim në anën e poshtme të Pyllit të Lajthisë, ndërsa në anën e sipërme të këtij pylli, tek Guri i Zi, sosën e zunë pritë katundet e epërta të Uj’em’Ujës, Sllatinës, Venishtit e Dipjakës, me qëllim që të mos i jepnin mundësi ushtrisë serbe të tërhiqej grykës që komunikon me bjeshkën.
Ushtarët serbë edhe pse po dëmtoheshin rëndë nuk hiqnin dorë nga masakrat. Në lagjen Cale të Sllovës dogjën shtëpinë e Abas Calës, vranë katër burra e plagosën një vajzë. Nga kulla e saj luftoi e vrau disa ushtarë serbë edhe gruaja Gjylaze Cala.
Dita po ia linte vendin natës. Një mjegull e zezë po ulej nga Korabi, një mjegull që dukej sikur donte të ndihmonte ushtrinë e dëmtuar, të demoralizuar e të trembur serbe për të shpëtuar kush të mund të shpëtonte.
Elez Isufi dha urdhër që gratë dhe fëmijët robër të strehoheshin e të bënin kujdes për ta. Në kullën e Elez Isufit, në Lisivallalle, veç të tjerëve u strehuan dy vajza serbe: Iftinia dhe Maria më nënën e tyre Siblia. Në mëngjesin e 3 dhjetorit ushtria serbe nisi marshimin në tre drejtime: Petar Karagjorgjeviqi me shputën e tij zbriti nga Vasijet (Kala e Dodës) tek Ura e Vezirit, kaloi në Va-Spas, Pukë dhe më 6 dhjetor arriti në Lezhë. Një pjesë tjetër e ushtrisë lëvizi drejt rrjedhjes së Veleshicës: Vleshë, Gështenja e Kalisit, fshati Kalis, Gur-Kalis, Ura e Dodës, Zall Reç, Gur-Reç, Arrëmallë, kaloi Drinin e Zi në urën e Dodës dhe lëvizi drejt Lurës. Për paudhësitë që kishte bërë ushtria serbe dy vjet më parë, tetor 1913, banorët e fshatrave të Lurës u kishin zënë pritë dhe i sulmuan duke vrarë 50 ushtarë e oficerë, zunë rob 50 oficerë dhe 250 ushtarë.
(Moisi Murra, Gafur Zoto, Hazis Ndreu, Elez Isufi – Kreshniku i Dibrës) Pjesa tjetër që përbëhej nga robër serbë, austrohungarezë, çekë, gra e fëmijë nën kujdesin e njerëzve të Elez Isufit i nisën për në Peshkopi, në udhën Qafa e Trojaku, Kastriot, Qafë Murrë, Mat… Kur këta robër arritën tek “Fieri i Sahodollit”, Haxhi Llan Kaloshi iu shpërndau bukë, ashtu siç bëri edhe Elez Isufi një natë më parë. Gjesti human i Elez Isufit dhe i Llan Kaloshit, i vinte dibranët disa shkallë më lartë se gjeneralët serbë të Petër Karagjorgjeviçit e të shumë gjeneralëve të vende të Evropës së qytetruar.
Ish-oficeri çekosllovak, Rudolf Prohaska, në një libër që e ka botuar në Pragë, në vitin 1928, ka shkruar se: “…ata (Shqiptarët M. M.) preferonin më mirë të merreshin vesh me robërit austro-hungarezë, sesa me serbët që i shihnin në mënyrë armiqësore. Jo të gjithë ushtarët serbë i rezistonin mundimeve mbi shtigjet me borë të atyre maleve të larta. Kush binte i raskapitur, vdiste pa pasur mundësi që t’i jepej asnjë ndihmë. Gjatë atij marshimi serbët hodhën në lumin Drin të gjitha ato pajisje që i pengonin për të ecur, si kamionë, topa e deri dhe automobilin e Mbretit të tyre Pjetrit”. Në këtë luftë ushtria serbe pësoi humbje të mëdha. Sipas Haki Stërmillit, asaj i ishin vrarë 2000 ushtarë e shumë të plagosur, ishin kapur gjashtë topa, shumë mitroloza dhe një numër i madh armësh, municione e ushqime. (H. Stërmilli, vepër e cituar, f.104.)
Edhe burimet serbe i pranojnë humbjet që pësoi ushtria serbe në Luftën e Kaushit. Komandanti i Divizionit të II-të të Moravës në 1915, Millan Nediç, në kujtimet e botuara në Beograd në 1935, e të ribotuara në 1937, duke bërë fjalë për pritën që i zunë dibranët Divizionit të Nishit, në faqen 41 ka shkruar: “Në krahun e djathtë të Drinit duke u afruar nga Ura e Veziri një divizion (Divizioni i Nishit – M.M) ka patur humbje të mëdhaja dhe të tmerrshme. Këtu 20 oficera dolën jashtë luftimit. (Nediç, Tërheqja e ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, 26 nëntor – 17 dhjetor 1915, Beograd, 1937, f.41).

Elez Isufi dhe trimat e tij (pikture)
Elez Isufi dhe trimat e tij (pikture)

Gjenerali serb Borivoje K. Joniç, 61 vjet më vonë, në 1976, duke kujtuar Luftën e Kaushit, ka shkruar: “…vazhdonim udhëtimin nëpër katundet Vleshë e Sllovë. Na sulmuen nën udhëheqjen e Elez Isufit… Filloi lufta për jetë a vdekje. Shqiptarët na sulmojnë, na turren drejt e në mitrolozat tonë, të cilët shpraznin plumbat e fundi. Me at rast u vranë 14 oficera në krye me komandantin e Gardës mbretërore, kapedanin Misha Anastasijeviç, dhe rreth 300 nënoficerë e ushtarë.
Të vdekunit e të plagosunit, me keqardhjen më të madhe, nuk mujtëm t’i mbledhim, as të plagosunit t’i shpëtojmë… Mezi pritshim që të zbardhë drita që të largoheshim nga Dibra” (Serbischer National Kulture, nr. 76,10 qershor 1976, Klub in Scheiz) Edhe shtypi italian, veçanërisht, gazeta “Corriere della Sera”, e ka publikuar Luftën e Kaushit.
Në 28 kallnor 1916, kjo gazetë shkruante se “…nëpër këta male ku serbët kryen barabarizma çnjerëzore, të mallkuarin Pjetër* e zuri gjaku dhe iku sikur ta kishin ndjekur lugetërit”. (Gazeta “Vëllazënija”, Ikja e Kral Pjetri nëpër Shqipëni, Vjenë, 28 kallënduer 1916.) Në këtë luftë dhe nga dibranët ranë 10-12 luftëtarë. Lufta e Kaushit nisi me një thirrje kushtrimore të Elez Isufit “As po vijni ju Reç e Dardhë” dhe e përfundoi me një vlerësim kult për Plakun veteran të Dibrës: “Krisi pushka ke Kaushi/ Namë që bani Elez Isufi!”

*Mbreti Petar I Karagjorgjeviq, ka lindur ne Beograd në vitin 1844. Ishte fëmia i tretë i knjaz Aleksandar Karagjorgjeviq dhe i Persidës. U shkollua në Beograd, Zvicër dhe Francë , ku mbaroi akademinë Ushtarake të njohur Sen-Sir. Erdhi në pushtet, në maj të vitit 1903, pas vrasjes së sunduesit të fundit serb nga dinastia Obrenoviqëve, Aleksandër Obrenoviqit dhe bashkeshortes së tij Drage Mashin. Ka qenë komandanti suprem i ushtrisë serbe, në Luftrat Ballkanike të viteve 1912-13. Në vitin 1915, gjatë tërheqjes së ushtrisë serbe, Petar Karagjorgjeviq, kaloi nëpër Shqipëri.
Vdiq në vitin 1921. Serbët e konsiderojnë për një nga mbretërit më të suksesshëm.

http://www.albeu.com

Ekspozita (Ezili serb në Shqipëri  (1915-2015)
Ekspozita Ezili serb në Shqipëri (1915-2015)

Lidhur me ekspozitën e Eksodit të Mbretit serb

Petar Karagjorgjeviç në Shqipëri

***
Ne në FMimages mendojmë se ekspozita për eksodin serb, e cila në thelb ka për qëllim të përmirësojë marrëdhëniet e qeverisë Rama me Serbinë, është pikërisht një budallallëk pa fund për disa arsye: Dy qeveritë po përpiqen të gjejnë pika takimi për të ngrohur marrëdhëniet dhe për t’u miqësuar. Ambasadorit të Serbisë në Tiranë i vjen në kokë një ide gjeniale: të ekspozojmë fotot e eksodit. Këta të rilindjes, si njerëz modernë që janë, domethënë si njerëz me shije dhe me dije që ne të tjerët nuk i kuptojmë dot, e pranojnë menjëherë idenë e ambasadorit me një servilizëm që për fat të keq ne shqiptarët e kemi pasë gjithnji. Në fakt, ekspozita është një shtrëmbërim i trashë i historisë për arsye se faktet historike paraqiten aty në mënyrë selektive. Paraqitet eksodi serb, që i tregon serbët të përvuajtur dhe aspak kriminelë dhe nuk paraqiten krimet serbe kundër shqiptarëve, që janë vërtet të shëmtuara dhe në përmasa të tilla që bota rrallë i ka parë.

Nuk kemi dyshim se Lame dhe Tare kanë njohuri nga historia. Por, çuditërisht në fjalimet e tyre, autorët e ekspozitës ishin mjaft të paqartë dhe kontradiktorë. Nuk e morëm vesh, a ishte gjë e mirë apo e keqe eksodi i serbëve; nuk e morëm vesh përse serbët ikën nga vendi i tyre; nuk e morëm vesh përse serbët kishin patur probleme me shqiptarët. Asnjëra prej këtyre nuk u tha qartë në hapje të ekspozitës. Por budallallëku më i madh ishte ajo që u tha: se dy popujt tanë e kanë pësuar nga fuqitë e mëdha. Për cilat fuqi e kishte fjalën Lame? Për Austro-Hungarinë e vitit 1912-1913, e cila krijoi shtetin shqiptar dhe më pas pushtoi Serbinë, atë Serbi që robëroi Kosovën për gati 100 vjet? Apo e kishte fjalën për Amerikën, e cila e ndihmoi Shqipërinë në vitin 1992 kur rrëzoi komunizmin, në vitin 1999, kur bombardoi Serbinë dhe përsëri në vitin 2008 kur e bëri Kosovën shtet të pavarur?
Marrë nga Muri i Fb FMimages (20 shtator 2015), lidhur me ekspozitën me 41 foto të eksodit serb në vitin 1915…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.