back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mbrojtës i besimit, traditës dhe ortodoksisë Mirënjohje për Papa Benediktin XVI – nga Albert Bikaj

Gazeta

Papa Benedikti i XVI (16 pril 1927 - 31 dhjetor 2022)
Papa Benedikti i XVI (16 pril 1927 – 31 dhjetor 2022)

Mbrojtës i besimit, traditës dhe ortodoksisë

Mirënjohje për Papa Benediktin XVI 

nga Albert Bikaj

Lajmin për vdekjen e Papa Benediktit XVI e mora me trishtim. Në retrospektivë, më kujtoi emocionet kur mendoja për abdikimin e tij. Megjithatë, kësaj here është pak më ndryshe. Në të njëjtën kohë ndjeva dhembje dhe mirënjohje të thellë. Sepse jam i bindur se kjo nuk është një lamtumirë, nuk është fundi, por një fillim i ri drejtë përjetsisë. Pavarësisht se jam pushtuar nga emocione të forta, jam përpjekur të shkruaj disa fjalë adekuate në lidhje me Shenjtërinë e Tij dhe të ndaj me ju një dëshmi të shkurtër, modeste dhe personale, një reflektim në shenjë mirënjohjeje dhe dashurie.
Ndër mendimet e para që kisha, më kthyen në vitin 2005 kur Benedikti XVI u zgjodh Papë, atëherë isha rreth 9 vjeç. Si fëmijë, nuk kuptoja shumë, por dy gjëra i mbaj mend mirë. Komentet e hidhura nga media të caktuara dhe njerëz të ndikuar prej tyre, të cilët papën e cilësoni si “burrë të vjetër dhe të ashpër”. Dhe nga ana tjetër ishte nëna ime, një katolike e devotshme, e cila e admironte atë, madje shpesh e dëgjonte nëpërmjet Radio Marisë dhe lutej çdo mesnatë me rruzare në latinisht të drejtuar nga papa Benedikti XVI. Unë do i bashkohesha në lutje herë pas here pavarësisht se nuk e kuptoja gjuhën. Ndërsa ajo shpesh theksonte se sa e fuqishme e e ndjen lutjen në latinisht.
Ndërsa po rritesha dhe po arsimohesha në një mjedis ideologjik, lutja më dukej krejtësisht e pakuptimtë; feja për mua ishte një relik i së kaluarës, ashtu si latinishtja – një gjuhë e vdekur. Isha bërë një adoleshent tipik i indoktrinuar, besimi i të cilit u zëvendësua nga ideologjitë, madje edhe nga antikatolicizmi. Më vonë, si student, u përballa me një horizont intelektual dhe literaturë shumë më të gjerë, e cila gradualisht sfidoi bindjen time të njëanshme antifetare. Dy nga mentorët e mi në universitet më njoftuan me autorë si Kenneth Clark dhe GK Chesterton. Madje më kujtohet një prej tyre që lavdëronte teologjinë e papës gjerman dhe reformën e tij liturgjike. Në veçanti, duke qenë i vetëdijshëm për trashëgiminë time katolike, ai më theksoi disa herë Meshën tradicionale në latinisht, të cilën më tha se e ndiqte shpesh kur shkonte në Kroaci.
Në të vërtetë, nuk e kisha rifituar besimin tim; isha ende katolik kulturalisht. Por e gjitha kjo më zgjoi interesin për shkak të ndikimit të krishterimit përgjatë gjithë historisë së qytetërimit evropian. Veçanërisht u magjepsa nga historia intelektuale mesjetare, të cilën më vonë vendosa ta studioj rastësisht në kryeqytetin e Kroacisë. Pra në Zagreb, një qytet i mrekullueshëm i arkitekturës mesjetare dhe Habsburge, i njohur për katedralen e tij ikonike neo-gotike. Ishte gjëja e parë që vizitova kur mbërrita në qytet; pranë saj vura re një librari lokale katolike, ku mes shumë librave të tjerë bleva “Dy ese mbi ndërgjegjen” të Joseph Ratzinger. Libër të cilin e lexova menjëherë; argumentet e tij, të thella dhe elokuente në stil më magjepsën. Si dhe sfiduan pikëpamjen time për Zotin, natyrën njerëzore dhe ligjin natyral. Befas doja të lexoja më shumë nga opusi i tij i madh, kështu që vazhdova të blija librat e tij, të cilët i lexoja gjatë pauzave, udhëtimeve dhe pushimeve.
Fillova të marr pjesë përsëri në Meshë, dhe ndërsa e admiroj formën e zakonshme të ritit të ri (Novus Ordo), më duhet të them nuk më bëri shumë përshtypje varianti i modernizuar; kremtimi, petku dhe muzika emocionaliste e kitarës më kujtuan gjithçka përveç katolicizmit. Kërkoja diçka më shumë. Një ditë, gjatë kursit të latinishtes, na caktuan si detyrë të transkriptonim dhe përktheshim një fragment të vogël biblik që përdoret tradicionalisht në ditën e Pashkëve. Papritur, ndërsa po lexoja, më kujtoi “Meshën Latine” të cilën ma kishte përmendur profesori im disa herë. Pasi mbarova mësimet, vendosa të hulumtoj se ku mund të merrja pjesë në Meshën tradicionale latine. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Ishte Dita e Gjithë Shenjtorëve e vitit 2017 kur spontanisht mora pjesë për herë të parë në Meshën tradicionale latine. Më magjepsi dhe më bënte të ndihesha si një fëmijë, shumë kurioz, pavarësisht se në fillim nuk kuptoja shumë, por me siguri nuk mund të ndihesha indiferent. U mahnita nga përshpirtmëria e thellë dhe bukuria e saj e shenjtë. Thashë me vete tani e kuptoj plotësisht thënien e Shën Gregorit të Madh se ‘qiejt hapen dhe turma engjëjsh vijnë për të ndihmuar në Sakrificën e Shenjtë të Meshës’. Tradita është e bukur!
Ishte përvojë që më ndryshoi jetën, e cila më frymëzoi të eksploroja katolicizmin përmes udhëzimeve të papa Benediktit XVI. Sa më shumë mësoja për të, aq më shumë lexoja dhe shikoja liturgjitë e tij dhe aq më shumë magjepsesha me të si intelektual, teolog dhe papë. E thënë thjesht, ai filloi të bëhej shumë i dashur për mua. Admirimi im që po rritej ndaj tij ishte krejt i pazakontë, ngjante me atë që ndjeja për gjyshin tim të dashur të ndjerë. Perzemërsi e tillë, saqë gjatë bisedave tona brenda rrethit tim të miqve ratzingerianë, e quaja atë perzemërsisht “papa Beni”.
Ndonëse, për fat të keq, nuk e pata privilegjin ta ndiqja gjatë papatit të tij dhe as nuk pata mundësinë të takohesha personalisht me Shenjtërinë e Tij. Takimi im me të ishte nëpërmjet liturgjisë së tij ndriçuese, mendimit të thellë dhe teologjisë, të shkruar dhe të folur – të cilat kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në jetën time intelektuale dhe shpirtërore; madje më kanë hapur rrugën për kthimin tim në shtëpi, në katolicizëm.
Në veçanti, i jam borxhëli për Summorum Pontificum dhe për kryeprën e tij Jezusi i Nazaretit, me të cilat bëri të mundur për mua, si për shumë të rinj të tjerë, jo vetëm zbulimin e madhështisë së Meshës tradicionale latine, por vetë thelbin e besimit dhe liturgjisë. Përmes saj, rizbulova , jo vetëm besimin tim të humbur te Kisha, por edhe te bukuria, mirësia dhe e vërteta. Vlerat të cilat në ditët e sotme janë pothuajse tërësisht të shpërfillura si koncepte “të vjetruara”, të cilat jo vetëm që Benedikti i çmonte shumë të rëndësishme, por i mbrojti dhe i promovoi gjatë gjithë jetës së tij. Pra, e bukura jo thjesht për hir të saj, por e bukura si simbol transhcendental i Zotit. Mirësia dhe e vërteta – elementet që mishëron Forma e Jashtëzakonshme e Ritit Romak; dhe falë saj ata gjetën rrugën e tyre për t’u kthyer në Kishë. Pasi përgjatë një kohe kur bota është e rrethuar nga egocentrizmi, profaniteti, kiçi dhe kulti i shëmtisë, Riti i Vjetër ofron një zgjidhje: orientimin drejt Zotit ( ad orientem ), përshpirtmërinë dhe bukurinë.
Falë papës së nderit, bashkëpunëtorit të së vërtetës, rizbulova pasionin tim për të vërtetën dhe besimin; i udhëhequr nga shkrime e tij elokuent, teologjia erudite, rizbulova shkëlqimin e traditës së shenjtë dhe estetikën. Si dhe devocione të tilla si rruzarja dhe liturgjia tradicionale – të cilat ai i lartësoi ndër vite.
Prej tij mësova se Perëndia është një Atë që nuk na braktis kurrë; dashuria e vërtetë që na jep jetë. Na mësoi se Perëndia jo vetëm që na do, por se Perëndia është dashuri; se Zoti është drita e përjetshme që mposht çdo errësirë, qoftë ajo e brendshme apo e jashtme; se Zoti është shpresa e përjetshme që na shpëton. Veçanërisht, në enciklikën e tij Spe Salvi (Të shpëtuar në shpresë), Benedikti XVI theksoi thelbin e besimit të krishterë, që si besimtarë, veçanërisht si të konvertuar, dëshmojnë përmes përvojës së tyre se besimi sjell shpresë dhe shpresa na çon në një jetë të re. Një jetë e udhëhequr nga drita e së vërtetës.
Gjatë gjithë jetës së tij, Benedikti XVI dëshmoi përkushtim ndaj së vërtetës përmes së Vërtetës së mishëruar – Logos – Zotit tonë Jezu Krisht. Sepse i gjithë opus-i i tij mund të përmblidhet si shpallje e harmonisë midis besimit dhe arsyes; një besim i arsyeshëm dhe një Zot i arsyeshëm. Ai theksoi se vetëm Krishti është masa e vërtetë e humanizmit. Se vetëm Ai është udha, e vërteta, burimi i gëzimit dhe jetës së përjetshme!

Papa Benedikti i XVI (16 pril 1927 - 31 dhjetor 2022)
Papa Benedikti i XVI (16 pril 1927 – 31 dhjetor 2022)

***
Papa Benedikti XVI njihet gjerësisht si një teolog i madh bashkëkohor, ndoshta një nga më të mëdhenjtë e shekullit; profesor i jashtëzakonshëm universitetarë dhe autor i shumë librave të rëndësishëm, poliglot dhe kompozitor. Ai ishte gjithashtu ithtar i hershëm i reformës përpara Konçilit, figurë e rëndësishme në Konçilin e Dytë të Vatikanit, i njohur si reformator, dhe njëkohësisht si mbrojtës besnik i traditës dhe i drejtëbesimit.
Ai është një nga teologët autentik i denjë për t’u quajtur defensor fidei (mbrojtës i fesë), titull dhe cilësi të cilën ai e dëshmoi gjatë viteve të tij si kreu i Kongregacionit për Doktrinën dhe Fe, dhe rrjedhimisht si papë, duke paraqitur reformën e reformës dhe duke rivendosur paqen liturgjike.
Në të vërtetë, mbrojtja e tij ndaj besimdrejtësisë dhe zhvillimit, veçanërisht hermeneutika e vazhdimësisë, e cila shpesh u keqkuptua nga shumë njerëz. Për Benediktin XVI, Konçili i Dytë i Vatikanit dhe reformat e tij mund të kuptohen vetëm si pohim i doktrinës nën dritën e traditës dhe konçileve të mëparshme ekumenike. Çdo interpretim tjetër që pohon “shkëutje” nga tradita, pra mohimin e çdo konçili të mëparshëm, nuk mund të konsiderohet katolik. Megjithatë, pavarësisht sfidave, ai mbrojti me sukses drejtëbesimin duke ripohuar doktrinën katolike gjatë kohërave të vazhdueshme të trazuara, dekadente dhe konfuze, kohë të cilën ai me të drejtë i përcaktoi si “diktaturë të relativizmit”. Ideologjia relativiste që, sipas tij, “nuk njeh asgjë si definitive apo të vërtetë”. Si rezultat, ai e identifikoi atë si ideologji totalitare – një nënprodukt i dekristianizimit dhe dehelenizimit të mendimit; ideologji shkatërruese që kërcënon jo vetëm gjithë ekzistencën e qytetërimit perëndimor, por edhe vetë njerëzimin.
Si dikush që kishte perjetuar tmerret e nazizmit, ai pa një nevojë të veçantë për të paralajmëruar njerëzimin për kërcënimin e totalitarizmit të ri dhe utopive tunduese. Sipas tij, totalitarizmi bazohet në disa modele dhe supozime thelbësisht të rreme antropologjike që mohojnë të vërtetën si koncept dhe mohojnë realitetin e natyrës njerëzore dhe në këtë mënyrë mohojnë dinjitetin njerëzor. Kërcënimi fillon kur politika bëhet utopike dhe ofron “shelbim”, qoftë fondamentalizëm fetar apo totalitarizëm laik, në fund në vend të Parajsës së premtuar ajo sjell Ferrin në Tokë.
Papa Ratzinger shpesh na kujtonte se përgjigja e përhershme ndaj këtyre kërcënimeve është krishterimi dhe antropologjia e saj humaniste, e cila është vetë thelbi i qytetërimit evropian. Kështu, duke ritheksuar se Evropa nuk është thjesht kontinent, pasi ajo nuk mund të reduktohet në aspekt gjeografik, por mund të kuptohet më tepër si një koncept historik dhe kulturor me krishterimin dhe filozofinë greko-romake në qendër. Pa të cilat, jo vetëm se Evropa nuk mund të ekzistojë, por edhe dinjiteti dhe liria njerëzore janë vënë në rrezik.
Pikërisht për shkak të “ideve të tij jo popullore” si dhe arsye të tjera të ngjashme, kundërshtarët e tij shpesh e quanin atë si “figurë kontroverse”; i quajtur shpesh nga media si “Rotueileri i Zotit”, bile edhe “tradicionalist” nga teologë të caktuar. Por nuk duhet të pyesim veten pse një reformator i madh dhe mendimtar i respektuar, madje edhe gjatë kohës që po shkruaj, ende shpifet dhe nënçmohet nga shumë ideologë, duke përfshirë edhe kolegë, të cilët janë ithtarë të ideve radikale të viteve ’70 – të vetëshpallurit ‘novatorë’ dhe ‘përparimtarë’ të cilët pretendojnë se doktrina e Kishës është ‘e vjetëruar’ dhe duhet t’u ‘përshtatë’ vlerave bashkëkohore. Në një letër publike të publikuar në vitin 2019, përgjigja e tij ndaj pretendimeve të tilla ishte e qartë:

Papa Ratzinger
Papa Ratzinger

“Çfarë duhet bërë? Mos ndoshta duhet të krijojmë një Kishë tjetër që gjërat të funksionojnë? Epo, ai eksperiment është ndërmarrë dhe tashmë ka dështuar. Vetëm bindja dhe dashuria për Zotin tonë Jezu Krisht mund të na tregojnë udhën. “
Benedikti XVI ishte një nga ata teologë të rrallë besnikë dhe që refuzuan të komprometonin doktrinën katolike dhe të përkuleshin ndaj tendencave dominuese të Zeitgeist [Frymës së kohës] në këmbim të lavdisë së garantuar botërore dhe personale. Pavarësisht kësaj, historia na dëshmon se krenaria intelektuale është kurth i zakonshëm, i së shkuarës dhe i së tashmes, që i shtyn dhe i shtyu teologët jo vetëm të shpërfillin doktrinën dhe traditën, por të shpikin dhe të imponojnë idetë e tyre. Një tundim i fortë që ka joshur shumë teologë bashkëkohorë me ndikim që t’i nënshtrohen frymës së një epoke të caktuar për t’u bërë më vonë një produkt mediokër i një ideologjie ose epoke jetëshkurtër.
Ndryshe nga shumë teologë të shquar bashkëkohorë, Benedikti XVI mbeti i vendosur. Edhe atëherë si peritus i ri Atë Joseph Ratzinger rezononte me mendimin e tij si Papë, se një besim i pjekur nuk ndjek tendencat e modës, por përkundrazi është i rrënjosur thellë në Krishtin, i cili hapet ndaj gjithçkaje të mirë dhe na jep një kriter me të cilin dallojmë të vërtetë nga e rremja. Ai shpjegoi se tradita e shenjtë nuk është koleksion i thjeshtë i gjërave të vdekura – siç mendohet shpesh gabimisht. Sipas tij, tradita e shenjtë është ‘një lumë i gjallë që na lidh me origjinën’, një lumë që na çon në ‘portat e Përjetësisë’.
Një mendimtar i shquar thoshte se “tipari më i rrallë ndër njerëz është qëndrueshmëria” dhe Benedikti XVI e demostroi se ishte një prej tyre. Besimi i tij i thellë në Krishtin e shoqëroi vazhdimisht deri në frymën e tij të fundit, duke rezonuar me fjalët e tij të fundit që përmbledhin të gjithë teologjinë dhe shërbesën e tij meshtarke: “Jesus, ich liebe dich” – Jezus, të dua !
Ai ishte prift besnik i Krishtit, jeta dhe mendimet e të cilit pasqyronin Ungjillin. Ndoshta, pasazhi paulin në vijim përmbledh gjithë jetën, mendimin dhe shërbesën më të mirë të Shenjtërisë së Tij papa Benediktit XVI – mendimtarit, teologut të shkëlqyer; mbrojtësit të së vërtetës, bukurisë dhe besimit!
“Sepse do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin; do t’i largojnë veshët prej së vërtetës dhe do t’i sjellin drejt përrallave. Ti veç rri zgjuar në çdo gjë me kujdes, duroji të vështirat, kryeje mirë detyrën e ungjilltarit, kryeje plotësisht shërbesën tënde! Sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta.” (2 Timoteut ‭4:3-7‬ ‭‬)‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬‬
Evropa dhe Kisha Katolike kanë humbur një mendimtar të thellë, një nga teologët e fundit të mëdhenj – patriarkun e Krishterimit, një patriark të pazakontë që karakterizohej nga mençuria dhe butësia!
Për të kuptuar madhështinë e tij siç duhet do të duhet ende kohë.
I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta të gjithë katolikëve dhe admirueseve të tij. Shenjtëria e tij do të na mungojë, por trashëgimia e tij do të jetojë gjatë, si Doktor i Kishës dhe shpresojmë se së shpejti edhe si ndërmjetësi ynë – Santo Subito !
Engjëjt të shpjeshin në parajsë; martirët të mirëpritëshin dhe të shpjeshin në qytetin e shenjtë, në Jerusalemin e ri dhe të përjetshëm. Koret e engjëjve ju mirëpritëshin dhe ju shpjeshin në gjirin e Abrahamit; dhe aty ku Lazëri nuk është më i varfër, u prehsh në paqën e amshueshme.
U prehsh në paqe, Shenjtëria juaj!
Pusho në paqe Papa ynë i dashur Benedikti XVI!

,

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.