Mbrojtja e avokatit Dr. Vasil K. Dilo
në procesin e komunistëve, në shkurt të vitit 1939
nga Genci Hoti
Mbrojtja e avokatit Dr. Vasil K. Dilo në procesin e komunistëve është pikërisht kjo që po botojmë duke pasur parasysh vetë origjinalin, i cili ekziston në të vetmen kopje dhe nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, siç është pretenduar. Sipas këtij materiali rezulton që Qemal Stafa nuk ka qënë në gjyqin e komunistëve të vitit 1939, e për rrjedhojë nuk ka qënë as i dënuar dhe as i arratisur nga burgu:
Mbrojtje të pandehurvet: 1.Zef Mala, 2.Niko Pando Xoxi, 3.Vasil Petush Shanto, 4.Subhi Xhafer, 5. Enver Beqir Pulliqi, 6.Kristo Pando Isak, 7.Riza Deliallishi.
Përpara Gjyqit Politik të Tiranës
09.02.1939
.
1.Ç’është akuza
Z. Kryetar: Nga të përfaqësuarit e mi, të quajturit: Zef Mala, Niko Pando Xoxi dhe Vasil Petushi Shanto akuzohen se: kinse kanë organizuar – me disa shokë të tjerë – në tokën e Mbretërisë, një shoqatë, e cila ka pasë për qëllim të vendoet me forcë Diktatura e një klase shoqërore, përmbi të tjerat dhe të përmbyset me forcë rregulli ekonomik dhe shoqëror, që ekziston në shtet. Të tjerët d.m.th. të quajtur: Subhi Xhafer, Enver Pulliqi, Kristo Pando Isak dhe Riza Deliallisi, kanë marrë pjesë në këtë shoqatë dhe kanë përhapur teorira dhe idera komuniste dhe Nd. Prokurori ka kërkuar dënimin e të parëve në bazë të N. 1 të ligjës mbi fajet kundra rregullit shoqëror dhe ekonomik me dt. 23 prill 1937 dhe të dytët në bazë të N. 6 po të atij Ligji.
.
2.Ç’kanë pohuar të pandehurit para Gjyqit
Por faji i të pandehurve, siç e pohuan vetë para Gjyqit, është siç pason:
1.Zef Mala tha se proçes- verbalet e mbajtura prej Xhandarmërisë nuk i përshtaten të vërtetës; se kjo qëndron kështu që: deshëm të njoftonim ç’është komunizmi, me qëllim që të propogandojmë për të përhapur idenë Komuniste me broshurat e shkruara me makinë daktilografike dhe poligraf.
2.Niko Pando Xoxi tha se me Zef Malën kam qënë shok: kemi biseduar për çështje komuniste, por jo për diktaturë klase. Kemi biseduar thjeshtësisht për çështjen e punëtorëve dhe se nga broshurat një e ka përkthyer ai nga greqishtja, atë me titullin “Zhvillimi ekonomik”.
3.Vasil Petush Shanto tha se: isha në seminarin Ortodoks; më akuzonin se isha komunist dhe u interesova të mësoj se ç’është. Bisedova me shokë dhe filluam të përhapnin komunizmin pa ndonjë qëllim tjetër; se përfundimi është në dorë të turmës, dhe shtoi se: nga broshurat ka shpërndarë një pjesë.
4.Subhi Xhafer Dedia tha se: i pandehuri Sami Begollin i dha një libër me titull “Zhvillimi Ekonimik”, pa e ditur se ishte komuniste dhe kur ju kërkua e dorëzoi pa e kënduar. Buletinin ja pat dhënë i pandehuri Memet Myzyri dhe, si i vogël nga mosha, nuk mori dot vesh se ishin komuniste.
5.Enver Beqir Pulliqi tha gjithashtu se: Sami Begolli i dha një libër, por sa e pa se ishte komuniste e dogji dhe tjetër nuk mori dhe shtoi se Riza Tola nuk ka thënë të vërtetën për të.
6.Kristo Pando Isak tha se: nuk jam komunist dhe se Niko Xoxin nuk e njoh dhe as kam biseduar me të për komunizmin.
7.Riza Deliallisi tha gjithashtu se: as jam e as kam qënë kurrë komunist. Por kur u kap, Abdyl Myzyri vajti ta pyeste se përse u kap dhe atje i dhanë një libër për ta fshehur, por se ky e kallzoi se e kishte dhe se e dorëzoi sapo ja kërkuan.
Këto janë faktet dhe veprat që pohuan vet të pandehurit që përfaqësojmë para se nd. Gjykatë.
.
3.Rëndësia e pohimit jashtëgjyqësor
Pretenca e së nd. Prokurori ndryshon nga pohimet e të pandehurve për sa i përket veprave në ndjekje. Ndryshimi i detyrohet faktit se: kjo bazohet më tepër në pohimet që përmbajnë Proces-verbalet e Xhandarmërive lokale të ndryshme se sa në ato para Gjyqit.
Por në këtë pikë del pyetja se: Ç’rëndësi kanë pohimet jashtë-gjyqësore, si provë, në Gjykatat penale?
Përgjegjësia e shkencës së Drejtësisë Penale, si dhe ajo e Procedurës penale në fuqi, është kundra mendimit të së nd. Prokurorit. Dhe ja se për se:
Pohimi, i cili në Gjyqet Civile është një provë e plotë, në Gjyqet Penale nuk përmendet të përdoret si bazë për vendim dënimi, sa që nuk forcohet nga prova të tjera. Procedura Penale në fuqi nuk i zë krejt fill, si provë dhe shkaku është ky që: kërkush nuk mund të bëjë një pohim, i cili ka me shkaktuar dënimin e tij. Se instinkti i vet-ruajtjes është më i fortë nga detyra për me kallzuar të vërtetën. Nga ana tjetër pohimi shumë herë bëhet nga një solidaritet i jashtëzakonshëm për të mbuluar fajtorin e vërtetë, të cilin pohuesi e ka mik ose gjini të ngushtë, si për shëmbëll burri për gruan e vet ose i jati dhe e ëma për djalin e vet ose vëllai për motrën e tij.
Po përveç këtyre në çmim të pohimit jashtë-gjyqësor dhe të atij që bëhet para Gjyqit duhet të merret parasysh shkaku që e shtyn një të pandehur për të pohuar fajin, i cili ka për të përfunduar me dënimin e tij. Dy gjëra mund ta shtyjnë një të pandehur për të pohuar fajin e vet, dmth o frika ndaj perëndisë, e cila e bën fajtorin të mos rrejë, por të kallxojë të vërtetën, që kështu të jetë në rregull kundrejt Asaj, për të evituar Skëterrën, ose Frika e njeriut. Pra nëse një i pandehur ka pasë bërë një pohim, përse ta revokojë këtë më vonë, nëse atë pohim e bëri për me qënë në rregull kundrejt ndërgjegjes së tij? Nëse pohimin e bëri nga frika e Perëndisë, kjo frikë s’mund t’i hiqet as për një minutë. Duhet ta ketë dhe para Gjykatores, siç e pati dhe para Xhandarmërisë dhe atëhere nuk duhet të mohojë para Gjyqit çka pohoi para Xhandarmërisë.
Por nuk ngjet po ashtu dhe përsa i përket frikës tjetër. Se kjo çduket para Gjyqit. Se këtu pyetet botërisht, prej Gjyqit të përbërë nga shumë veta në prani të Prokurorit, i cili detyrë kryesore ka mbrojtjen e lirisë personale dhe në ndihmë të avokatit, të cilin – në rast se nuk është në gjendje ta emërojë ai vetë ja emëron gjyqi, mbasi as Statuti Themeltar as Procedura Penale nuk e përmend që të gjykohet kush pa avokat mbrojtës, dhe në sy të gjithë Popullit, i cili është i lirë me pa dhe me dëgjuar, mbasi është absolutisht i ndaluar gjykimi me dyer të mbyllura. Këto garancira kundra frikës nuk i ka i pandehuri as në Xhardamëri, por as edhe në Pyetësi. Kur pra duhet të jetë më i besueshëm i pandehuri, para Gjykatores apo jashtë Gjyqit?
Nuk themi se frika në fjalë është ne domosdo objektive, ndonëse nuk mund të ekskludohet, qoftë dhe një për mijë. Por mjafton të jetë dhe subjektive; se përgënjeshtrimi ose modifikimi para Gjyqit, i një pohimi jashtëgjyqësor, i detyrohet një shkaku, shkak i cili e bën të dyshimtë njërin nga të dy pohimet. Por cili nga të dy duhet të preferohet?
Pa dyshim, ai që është i garantuar më tepër kundra frikës – qoftë kjo edhe fantastike – pra – pa pikë kontestimi – ai që bëhet para Gjykatores.
Këtë gjë e kanë pranuar, si princip procedurial themeltar, që të gjithë Procedurat e Botës së Civilizuar. Këtë preferim e imponon patjetër dhe fakti se: kërkush nuk dënohet difinitivisht as me proces verbalet e xhandarmërisë, as me vendimet e gjyqit hetues, para se të shkojë në Gjyqin kompetent dhe të akuzohet botërisht e të mbrohet solemnisht, me të gjitha mjetet që i akordon ligji. Se Drejtësia penale interesohet dhe detyrohet të dënojë fajtorin e vërtetë, atë dmth që ka për të kapur të tillë, mbasi të rezultojë botërisht se i pandehuri, – me gjithë lirinë e plotë që pati për mbrojtjen e vet nuk mundi me pranuar pafajësinë e tij.
Ky rregull nuk sundon vetëm për të pandehurit, por edhe për dëshmitarët e së Drejtës Botërore; dhe nga deponimet e këtyre më të preferueshme janë ato që bëhen para Gjyqit, në praninë e të pandehurit dhe nën kontrollin e tij, nga ato që bëhen fshehtas para Xhandarmërisë ose Gjyqit Hetues.
Preferimin e pohimeve dhe atë të dëshmive gjyqësore nga ato jashtëgjyqësoret e imponon dhe fakti se: konditat dhe zhvillimi i fajit të pohuar para Gjyqit, nuk e paraqesin këtë faj në realitet aq të tmershëm siç e prezantuan hetimet e Xhandarmërisë dhe vendimet e pyetësisë mbi të cilat u bazua më tepër Pretenca e të nd. Prokurorit. Se çdo vepër njerëzore me ngjyrë faji dënohet si të jetë çfaqur e jo si mund të ketë qenë e menduar. Se drejtësia njerëzore nuk ka kapacitetin e duhur që të futet edhe në tru të njeriut dhe të gjurmojë se çmendon ky dhe ta dënojë për çka mendon. Ky gjurmim i përket Perëndisë. Pra, Drejtësia njerëzore është e shtrënguar të kufizohet me çmimin dhe dënimin çka çfaqet me vepra dhe çka realizohet inisiativisht ose plotësisht.
Përveç këtyre, procesverbalet Gjyqësore i bën më të besueshme dhe fakti se: ata që redaktojnë dhe kompozojnë procesverbalet jashtëgjyqësore, nga një anë ngjan të mos kenë kapacitetin e duhur nga pikëpamja kulturore dhe nga ana tjetër nuk kanë po atë interes që ka Gjyqtari. Se ky përpiqet të gjurmojë të vërtetën, kur që ata duan të tregojnë aktivitetin, duke ja lënë Gjyqtarit përgjegjësinë e vendimit për fajësinë ose pafajësinë të së pandehurit. Fakti se – pothuaj, që të gjithë të pandehurit protestuan kundra përmbajtjes të proces-verbaleve në fjalë dhe se edhe dëshmitari i vetëm që u pyet para Gjyqit e përgënjeshtroi me insistim proces-verbalin përkatës, për sa i përkiste pikës se as që e njeh fare të pandehurin Zef Mala për të cilin proces-verbali në fjalë e prezanton sikur kishte pas thënë të kundërtën dhe kishte deponuar kundra tij, këto fakte sigurisht e vënë së paku – në një dyshim harmoninë e përmbajtjes së tyre me objektivitetin e duhur.
Lëkundjen e besueshmërisë, si të pohimeve dhe të deponimit të dëshmitarit e ndjen dhe Autoriteti ndjekës duke observuar, si për pohimet e të pandehurit, se këto i bënë që të gjithë të pandehurit – me fare pak përjashtim.
Por dhe nga një tjetër pikëpamje janë më të besueshme pohimet e bëra para gjyqit, këto që shumica e tyre prapë se prapë bënë pohime; dmth se përgënjeshtrimet nuk i bënë për me shpëtuar veten, duke gënjyer, por para gjyqit – si i sëmuri trupërisht para Mjekut – hapën zemrën e tyre dhe treguan fajin e tyre të vërtetë.
Shumë bukur e me vend mund të na bëhet përveshtrimi se: përgënjeshtrimet e pohimeve kanë për shkak e qëllim lehtësimin e të pandehurve, pra dhe pakësimin e dënimeve që cakton Ligji. Por Gjykatores nuk i intereson aspak kjo pikëpamje; Ajo do të dijë se si e ku qëndron e vërteta objektive, pavarësisht se ç’mund të ngjajë rastësisht. Por dhe nga kjo pikëpamje preferimin e kanë pohimet gjyqësore. Se faktet, që formojnë fajin në gjykim, vetëm këto pohime i vërtetojnë.
Nga rrjedhimet e Gjyqit dhe nga provat e parashtruara prej së Nd. Autoritet ndjekës, ajo që rezultoi objektivisht, është kjo që: “të pandehurit Zef Mala, Niko Xoxi, dhe Vasil Shantua me disa shokë të tjerë, formuan një shoqatë, për të propaganduar idenë komuniste dhe blenë një makinë daktilografike dhe një shaptilografike dhe disa letër të bardhë dhe disa bojë dhe nxorrën disa broshura në 100-120 kopje dhe i shpërndanë nëpër anëtarët e shoqatës”. Përveç këtyre veprave nuk rezultoi se të pandehurit guxuan ndonjë vepër tjetër.
Pra si mund të jenë të besueshme pohimet që i u referuan fakteve fantastike? Të tilla pohime dhe sikur të përsëriten para gjyqit, nuk mund të merren si bazë dënimi. Gjyqtari Penal dënon atë që ka guxuar me bërë një faj dhe jo kur atë që pohon se ka bërë një faj, i cili nuk provohet se është guxuar me të vërtetë prej tij. Se atëhere do të ketë dënuar një të pafajshëm në realitet, gjë të cilën këtij nuk ia ka pranuar ndërgjegja, por Drejtësia.
Se dhe kjo nuk premton të dënohet një i çmendur ose një që lakmon të zëvendësojë kriminelin e vërtetë.
.
4.Cili Nen i Ligjit të Posaçëm është i Aplikueshëm?
Por tani lind pyetja se këto akte – si të tilla – në bazë të cilit Nen të Ligjit të posaçëm duhet të dënohen?
E nd. Prokurori, duke pretenduar se gjoja faji i të përfaqësuesve të mi: Zef Mala, Niko Xoxi dhe Vasil Shanto me disa shokë të tjerë, “përmbledh të gjitha konditat dhe ekstemet juridike të nenit I të Ligjit mbi fajet kundra rregullit shoqëror dhe ekonomik me dt. 23.04.1937, kërkoi që dënimi i seicilit prej këtyre të caktohet në bazë të dispozitave të këtij Neni dhe sa për të tjerat të aplikohet neni 6 i Ligjit në fjalë, “pa caktuar konkretisht dhe pa i u përshtatur konditave të fajit.
Pavarësisht nga çështja Juridike “në se në caktim të dënimit duhet të shikohet vetëm fakti që formon fajin apo dhe fajtorin, çështje kjo për të cilën rezervohemi për të bërë fjalë më poshtë, themi se: faktet, siç thamë se rezultuan nga rrjedhimi i Gjyqit, nuk e justifikojnë pretencën e së nd. Prokurorit.
Neni 1 i Ligjit në fjalë, thotë tekstualisht kështu: “Kushdo që në tokën e Mbretërisë formon, organizon ose drejton shoqata, që kanë për qëllim të vendosin me forcë diktatura të një klase shoqërore për mbi të tjerat ose të zhdukë me forcë një klasë shoqërore ose përgjithësisht të përmbysë me forcë rregullin ekonomik ose shoqëror, që ekziston në shtet, ndëshkohet me burgim të rëndë nga 5 pesë deri në 12 dymbëdhjetë vjet, kur vepra e tij nuk formon një faj më të rëndë”.
“Kushdo që merr pjesë në ato shoqata ndëshkohet me burgim të rëndë nga një deri në tre vjet”.
Por Neni në fjalë, dënimin që cakton i vë konditë të domosdoshme – sin equa non – forcën dhe këtë fjalë e përdor 3 tre herë. Pra, që të aplikohet ky nen, siç kërkon e nd. Prokurori, duhet pa derman – që më parë, të jetë provuar qëllimi me forcë. Por ekzistenca e këtij qëllimi, për t’u realizuar me forcë, nuk u provua me as një mënyrë; pra si mund të aplikohet një nen Ligji, që nuk i puthitet faktit, që formon fajin në ndjekje?
Të pandehurit, që përfaqësojmë s’kanë pohuar asnjëherë se: qëllimi i tyre ka qenë përdorimi i forcës, për të vendosur diktaturën e klasës ose për të zhdukur klasë ose përgjithësisht për me përmbysë rregullin ekonomik ose shoqëror, që ekziston; Këta thanë dhe përpara Gjyqit se: qëllimi i tyre ishte propaganda – akademike – në favor të komunizmit me anë broshurash dhe shpërndarje librash, pa përdorur forcë kundra kërkujt dhe pa u interesuar aspak se ç’kishte për të bërë populli, mbasi të merrte dijeni mbi doktrinën dhe idenë komuniste, nëse dmth do ta pëlqente për aplikim ose do ta refuzonte.
Mungesën e forcës si element kryesor i fajit, që parashikon dhe dënon Neni 1 në fjalë, s’ka mundur ta mohojë as Autoriteti ndjekës që kur filloi ky proces. Se po ta kishte dhe më të paktën provë, sigurisht që do ta parashtronte. Është e vërtetë se pretendoi tekstualisht se: “faji i të pandehurve në fjalë përmbledh të gjitha konditat dhe ekstremet juridike të nenit 1”. Por kondita kryesore dhe esenciale, ajo të cilin neni 1 e përsërit tre herë, duke dhënë të kuptohet se: vetëm nga ekzistenca e saj mvaret caktimi i dënimit nga 5-12 vjet burgim, është vetëm një dmth forca; pse vallë e nd. Prokurori nuk i vuri gishtin kësaj dhe t’i linte të gjithë të tjerat? Përgjigjja nuk do ndonjë filozofi të madhe; nuk e përmënd se: Nuk kishte se si ta provonte ekzistencën e saj.
Forcë do të thotë fuqi – violencë – shtërngatë, e tillë që objekti i sajë do të thotë ai mbi të cilin zbatohet kjo, të zhdukë lirinë e vet dhe të bëjë jo çfarë don vetë, por çfarë i imponon ai, i cili ja ka dredhur vullnetit të tij. Forca nuk bëhet me fjalë të thata: kërkon vegla të tilla që t’i përkasin objektit të saj, të tillë frikë sa të paralelizohet çdo rezistencë e tij ose të dërmojë me katastrofë çdo kundërshtim dhe pengim. Vendosja e një diktature me forcë ose zhdukja e një klase të shoqëruar me forcë dhe përgjithësisht përmbysja e një rregulli ekonomik ose shoqëror po me forcë, nuk bëhet me broshura poligrafi, por me armë më të shumta dhe më të forta se ato që ka në dispozicion shoqëria e atakuar; bëhet me revolucion të gjakosur. Por në çështjen konkrete, ku shihet dhe më e vogla shënjë force?
E nd. Prokurori në pretencën e saj elokuente dhe ndofta nga çdo tjetër pikëpamje të – paçfuqizueshme dhe e – paçvlersueshme -, pretendon se: që të gjitha provat e saj nuk janë gjëra të imagjinuara. Por në këtë pikë nuk na duket se mund të pretendohet po ashtu. Sa që nuk mundi të provojë ekzistencën e forcës, e cila është kondita kryesore dhe esenciale e dënimit, që ka kërkuar, nuk mund të evokojë dhe të kërkojë të aplikohet në çështjen konkrete dispozita e nenit 1 në fjalë.
Pretendimi se fara që mbillet dhe atje mund të arrijë përmban aq seriozitet sa edhe ajo e atij i cili “për një ve kërkon një stan nga pula”.
Por duhet të shënohet me gjithë seriozitetin që karakterizon të nd. trupin Gjykues dhe Gjyqin vetë se: fjala “forcë” nuk është vënë as përsëritur tri herë kot na së koti në Nenin në fjalë; ka lidhje të ngushtë me qëllimin e përgjithshëm të Ligjit në fjalë, i cili është ndalimi i ngjitjes së sëmundjes të komunizmit dhe në popullin e Shtetit tonë. Për të provuar për çfarë themi, lutemi të na lejohet të shpjegohemi me pak fjalë.
.
5.Ç’është Komunizmi
Mbasi mbrojmë para Gjyqit njerëz të pandehur si komunista, vjen vetvetiu pyetja se: ç’është kjo gjë, për të cilën akuzohen këta dhe kërkohet dënimi i tyre?
Komunizmi – siç dihet (kanë kaluar 65 vjet nga data e mbajtjes së kësaj mbrojtjeje dhe ne pretendojmë se as sot nuk dihet thelbi real i kësaj filozofie, por gjithsesi autori i kësaj mbrojtjeje e njihte filozofinë komuniste shumë më mirë se anëtarët e byrosë politike të PPSh të viteve 80-të, shën. G.H.) – është një doktrinë dhe një sistem organizimi të shoqërisë njerëzore, që bazohet në bashkëpunimin të së gjithave të mirave (dmth të mjeteve dhe të produkteve), duke përjashtuar pasurinë vetiake dhe individuale si dhe dallimin e njerëzve në klasa të ndryshme.
Kjo doktrinë nuk është e re; por përkundrazi është po aq e vjetër sa dhe njerëzit vetë, qysh prej kohës që mundi të kalojë nga egërsia dhe barbaria në organizimin shoqëror me bazë: “pronësinë idividuale”
Njerëzit nuk dualën nga duart e krijuesit të vet të mësuar si të jetojnë mbi Dhe. Por ai është përpjekur vetë që të gjente mënyrën më të sigurt të lumturisë së tij. Kjo nevojë e shtrëngoi që të shpikë e të vërë në zbatim sisteme të ndryshme dhe t’i lërë njëra mbas tjetrës duke kërkuar gjithmonë më të mirën, gjë të cilën as nuk e ka goditur deri më tani e as që ka për ta goditur kurrën e kurrës, sa që sisteme supreme ose të mirën supreme, nuk e arrin as kur njeriu është me mendim të kufizuar.
Tre janë periudhat e zhvillimit të tij:
1.e vjetra, që mbaron në kohërat e para të Krishterimit.
2.e kohës së mesme dhe e
3.fillon prej shekullit të 18.
Në periudhën e parë flamurin e mbajti më i madhi filozof i botës së vjetër, Platoni, i cili me gjithë zgjimin e tij mbërriti me veprën e tij “Politika” të imagjinojë një shtet ku gra e fëmijë të ishin bashkë; por kësaj doktrine të tij njerëzia, e cila e adhuronte atë vetë, i ktheu shpinën. Në shekujt e mesëm dualën plot mbrojtës duke imagjinuar seicili nga një shoqëri njerëzore as pak të realizueshme, të cilat i përmbledh fjala “Utopi”, dmth ëndrra pa vend.
Formë të rrezikshme mori kjo doktrinë që kur gjermani Marks e lidhi me relacionet e klasave të kapitalistëve dhe të punëtorëve. Megjithëatë u mbajt si një doktrinë ekonomiste dhe si fillim i një drejtimi të ri të shkencës “ekonomia politike”. Degjenerimim i kësaj doktrine, që ju dha emri “Marksizëm” e prunë Bolshevikët e Rusisë. Se këta deshën ta imponojnë jo me bindje por me forcë; dhe këta qenë ata që shkaktuan dallimin e komunizmit në dy: në Shkencorin dhe në Revolucionarin. Shkencori nuk është i rrezikshëm, sa që nuk del jashtë qarkut të bisedimeve Shkencore dhe Akademike. I rrezikshëm është ky i bolshevikëve: pse ky përdori forcën madhore dhe është duke mbruajtur Rusinë me atë. Këtë pra sistem të komunizmit ka para sysh dhe këtë dënon Neni 1 i Ligjit.
Komunizmi, simbas zhvillimit, që i dha Marksi është kurdoherë i rrezikshëm, ndonëse përpiqet të imponojë jo me forcë por me bindje dhe me perkursione; se nuk është e mundur të vihet në aplikim, saqë njerëzimi të shkallmojë themelet e tij shekullore, dmth familjen – formën e martesës – Fenë – të drejtën e pronësisë vetiake.
Por kush gabohet dhe bëhet partizan i komunizmit të butë, nuk do të thotë se – domosdoshmërisht – ka për t’u bërë dhe partizan i komunizmit të rreptë. Ligji i posaçëm në fuqi i parashikon që të dyja këto degë të komunizmit dhe për llojin e butë disponon nenin 6-të.
Veprat e të pandehurve në veten e tyre, nuk mund të klasifikohen gjetiu veçse në ato që përshkruan Neni 6 në fjalë, i cili tekstualisht thotë siç pason: “Kushdo që në tokën e mbretërisë, me gojë, me shkrim ose me çdo mënyrë tjetër, për së drejti ose tërthotazi, zhvillon ose përhap teori dhe idera komuniste ose sisteme shoqërore dhe ekonomike, në kundërshtim të hapur me regjimin shoqëror që është në fuqi në Mbretërinë Shqiptare, ndëshkohet me burgim nga 1 vjet deri dhjetë vjet dhe me ndalimin të përkohëshëm nga ofiqet Publike” dhe shton se: “ndëshkimi nuk mund të jetë më pak se dy vjet, kur:
-a.Përmbarimi i veprave të lartpërmëndura bëhet me anë të shtypit ose proklamash ose në vende publike apo të hapura për publikun.
-b.Vepruesi ose bashkëvepruesi apo ndihmësi, është nëpunës ose shërbëtori i shtetit ose i një Bashkie, Komune ose një komuniteti Fetar dhe veçanërisht arsimtar, kleri ose oficer apo nënoficer”.
Pra, kurse, siç nuk kemi as më të paktin dyshim, e nd. Gjykatore e ka rregull të patundshëm, të mos lozi nga vija e detyrës së saj kundrejt misionit të lartë dhe ndërgjegjshëm së pastërtisë së saj, duhet – na duket – të lokalizojë karakterizimin e fajit si dhe dënimin e tij, brenda kufijve të qartë, që cakton Neni 6 në fjalë, si për vepruesa gjithashtu edhe për bashkëvepruesa edhe për ndihmësa, por ndihmësa në krijim të fajit ekskluzivisht. Se, siç kemi për të shpjeguar hollësisht më poshtë, nuk është e drejtë që të karakterizohen si ndihmësa dhe se u gabuan me fshehë do sende të tëpandehurve, pa ditur krejt se ç’ishin këto.
.
6.Shikimi i fajit subjektivisht
Sa thamë më lart i referohen shikimit të fajit objektivisht dmth në vetveten e tij. Por kjo nuk i mjafton gjyqtarit; pse kishte për ta prezantuar si një lloj vegle mekanike. Do të kishte për t’ia kufizuar detyrën në caktimin e dënimit simbas Nenit përkatës të K.P. Do të sillte në rolin, që lot në Mjekësi farmacisti, i cili gatuan barnat simbas recetës, që jep doktori: “Ky pandehet se shkeli filan Nen të K.P.; caktojani pra Zotëria e Juaj dënimin që meriton simbas atij Neni”.
Por jo! Misioni i Gjyqtarit nuk kufizohet në këtë rol mekanik. Ky duhet ta shikojë dhe atë që i paraqitet si fajtor; por, që të gjurmojë shpirtin e këtij, gjendjen e tij psikologjike, shkaqet determinuese me qëllimin e tij të vërtetë dmth dhelin (?, GH), i cili duhet të ekzistojë pa tjetër, që ta bëjë fajtor, më duket se duhet të jetë më i fortë se ata që gjurmojnë fundin e detit. E në këtë shërbim misioni i gjyqtarit Penal bëhet sa më i lartë aq dhe më i shenjtë. Në këtë gjurmim mvishet prej shtetit me një fuqi pa kufi e pa kontroll, për veç atij që e bën ndërgjegja e ndritur dhe e pastër e tij. Kombinimi i fajit me fajtorin formon vështirësinë kolosale, që përballon Gjyqtari Penal në zbatim të detyeës së tij të shenjtë.
.
7.Misioni i Gjyqit Politik
Na duket, Z. Kryetar, sikur misioni i një Gjyqi Politik, ndryshon nga ai i Gjykatës Penale ordinere. Se qëllimi i këtij Gjyqi nuk është vetëm sadisfaksioni i Drejtësisë abstraksionisht. Ky Gjyq ka për detyrë, që t’i shërbejë dhe oportunitetit Politik. Ato faje, që i janë dhënë me i çmuar dhe më i gjykuar ky, nuk janë faje ordinere dhe nuk janë vetëm të shoqërisë njerëzore, por i interesojnë më tepër organizimit Shtetëror dhe prandaj karakterizohen veçanërisht dhe eksepsionalisht, si faje, dhe vepra njerëzore, të cilat në vetveten e tyre nuk kanë aspak ngjyrat e fajit, por oportuniteti Politik e kërkon nga ndonjë herë që të karakterizohen si të tilla, kur përgjithësisht dhe në vetvete, si fillim shkence, dhe mund t’i përkrahë dhe mund t’i inkurajojë dhe shteti vetë. Pasi dhe doktrinat shkencore janë si dhe veglat mekanike ose kompozimet kimike, të cilat i zbulon mendja njerëzore dhe janë, në vetvete, katastrofale sa po të përdoren abuzivisht.
Nuk formon faj çdo vepër njerëzore; por merr formën e fajit çdo vepër, të cilën e ndalon shprehimisht Ligji. Por veprat e ndaluara i dallojmë në dy klasa:
a.Në ato që janë në kundërshtim me Ligjet Morale, me ato dmth. Të cilat i ka mbjellë thellë në shpirt të njeriut krijuesi i atij vetë, ato që çfaqen me protestime të ndërgjegjes të çdo njeriu, qoftë ky dhe më krimineli i Botës mbarë.
b.Në ato, të cilat në vetvete nuk janë të ndaluara, por përkundrazi, ndofta dhe të imponuara jo vetëm prej natyrës, por dhe prej nevojës të Shoqërisë Njerëzore, për të cilat oportuniteti i kohës imponon ndalimin e tyre.
.
8.Ç’ndalon Ligji i Posaçëm në çështjen konkrete dhe cilat janë kufijtë e ndalimit?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep studimi dhe komentimi i Ligjit të Posaçëm dhe veçanërisht Neni 6 i tij.
Duhet të shënohet veçanërisht se ky Nen nuk përmend të gjithë fjalën forcë të Nenit 1, fjalë e cila, dhe në atë Nene, – është vënë si konditë e domosdoshme dhe duke u përsëritur, – lë të nënkuptohet se nuk është e mundur që një Ligj i lindur nën hijen e një Statuti Themeltar nga më liberalët në Botë, do të ndalonte evolucionin fiziologjik të shoqërisë njerëzore. Në Shqipërinë e lirë ndalohet forca, por jo dhe Drita. E tregojnë përparimet e kësaj të fundit brenda kësaj periudhe të shquar të jetës tonë shtetërore, siç e tregon dhe zhdukja e asaj që sundonte me tërbim në kohën e Ilegalitetit.
Neni 6 ndalon dhe dënon zhvillimin ose përhapjen e teorive dhe ideve Komuniste ose sistemeve shoqërore dhe ekonomike që janë në kundërshtim të hapët me regjimin shoqëror të Shqipërisë Mbretërore, duke përdorur si mjet; gojën, shkrimin ose çdo mënyrë tjetër drejtëpërsëdrejti ose tërthorazi. Dheli në këto vepra konsiston në qëllimin për të zëvendësuar me të regjimin shoqëror që është në fuqi. Por nuk ndalon as dënon studimin e këtyre sistemeve ose dhe bisedimin Akademik mbi të. Ndalon dhe dënon përhapjen jashtë dmth në Popull, por jo dhe përmbledhjen e tyre në tru të njeriut. Se dhe këto janë një pjesë diturie, të cilën njeriu e ndjek fivti-fivti; se ja don natyra spirituale, siç i kërkon dhe trupi ushqimin.
Ky dallim ka rëndësi të posaçme dhe tepër esencial në çmimin e veprave në gjykim. Gjykonani, – z. Kryetar, me Ligj dhe prej një gjykatësi Ligjor dhe Legal. Pra duhet të dënohet çka ndalohet prej këtij Nenit dhe asgjë më tepër.
Autoritetet ndjekëse, në mos dhe nga zelli i tepërt, por ndofta pse shosha e sytë i janë besuar së nd. Gjykatore, kanë mbështjellë kashtë e koqe dhe ia kanë paraqitur kësaj në anenin gjenerik “ndihmesa”.
Neni 6 në fjalë dënon dhe ndihmesat me paragrafin e dytë të tij; por ç’kujton vallë me fjalën ndihmesa? E nd. Prokurori nuk e pa mbase të nevojshme ta shpjegonte; por ne s’kemi pikë dyshimi se i nd. Trupi Gjykues ka për ta kufizuar brënda kufijve të këtij Neni dhe ka me e konsideruar dhe deklaruar si ndihmesa vetëm ata, që kanë ndihmuar në zhvillimin dhe përhapjen e teorive dhe ideve komuniste, po me ato vegla dhe mjete që cakton paragrafi i parë i Nenit në fjalë.
Cili thuhet ndihmës e cakton Kodi Penal, që formon trungun e Drejtësisë Penale, me Nenin 65 p. 3 me të cilin i vë ndihmës kufijtë e duhur, nga pikëpamja e kohës. As premtimet nuk duhet të konsiderohen si ndihmës i ndëshkueshëm nga kushdo që bën një ndihmë pa pasur dhel dmth nëqoftëse nuk ka pasur për qëllim faktin, që formon deliktin.
Dhe që të shpjegohemi konkretisht: Çfarë ndihmësi mund të konsiderohet, psh, i përfaqësuari im djaloshi nxënës Riza Deliallisi, për shkakun e vetëm që shënon e nd. Prokurori në pretencën e saj se: “Ditën që u arrestua i quajturi Abdyl Mezyri, ky ka marrë dy copa prej broshurave të inkriminuara dhe i ka fshehë në banesën e tij të cilat më vonë janë zënë dhe gjetur prej Autoriteteve të Xhandarmërisë Lokale?
Por ky është dheli që lyp për konditë çdo delikt simbas nenit 46 të Kodit Penal? E si e provoi Autoriteti ndjekës kur qe dihet se dheli duhet të provohet dhe jo të prezumohet? E ku janë provat se këto broshura janë zënë dhe gjetur prej xhandarmërisë e nuk i janë dhënë asaj – qoftë dhe sa po i kërkoi?
Por një e tillë fshehtësie çfarë ndihme formon për zhvillim dhe përhapje të teorive komuniste, në mënyrë që kërkon dhe Neni 6 i Ligjit posaçëm dhe Neni 65 i kp? “dhe këta (thotë pretenca e së nd. Prokurori dmth Riza Deliallisi me shokë), kanë marrë pjesë në përhapjen dhe zhvillimin e ideve shkatërruese të komunizmit”; Por këto janë thjeshtësisht fjalë të thata. Me se u provua pjesmarrja? Në provat që parashtrohen nuk figuron dhe ndonjë e tillë; mos vallë kujton se të tillë pohimin e përgënjeshtruam solemnisht para Gjyqit, së cilit pohim nuk i ngeli as një pikë fuqie prove?
Pra për ndihmesë të fajit, që dënon Neni 6 i Ligjit të posaçëm nuk mund – na duket – të bëhet fjalë, para së nd. Gjykatore. Sa edhe sikur të pranohet – për një minutë – se gjasme ekziston një farë fshehtësie, sa që nuk u provua që kjo ka lidhje të famshme (në tekst doloroze, GH) me faj, që iu ngarkohet vepruesve, edhe sikur një e tillë fshehtësi të formojë ndonjë faj, ky mund të jetë një faj ordiner dhe gjykimi i tij na duket sikur është jashtë kompetencave të së nd. Gjykatore.
.
9.Cilët janë të pandehurit
Simbas principit themeltar të së Drejtës Penale, për të cilin u bë fjalë dhe më lart se çdo faj duhet të kqyret në relacion me fajtorin, lutemi, Z. Kryetar, të na lejohet të bëjmë pak fjalë dhe mbi çështjen se: Cilët janë të pandehurit, të cilët përfaqësojmë. Nga këta: i quajturi Zef Mala është një djalosh, i cili, mbasi mbaroi Gjymnazin me notën “shumë mirë” (10), u dërgua me bursë të Qeverisë Kombëtare në Universitetin e Vjenës për me studiuar “Filozofinë”. Por pas një viti e gjysëm i u pre bursa dhe ngeli nëpër rrugë të Vjenës “si peshku pa ujë”! I varfër, siç është, lërmëni ta imagjinoj vet i nd. trupi Gjykues se si bëhesh. Njëzet e pesë (25) vjeç djalë me një kulturë, si shtëpia pa çati, pa ndonjë mjeshtëri siguruese të bukës së gojës nuk është në pozita të bëjë asgjë dhe siç është e ditur “Vobektësia është kurdoherë e për këdo një këshilltar i keq”. Çfarë e shkaktoi prerjen e bursës nuk është ndonjë gjë e vështirë për t’u imagjinuar. Si student i filozofisë ky natyrisht është marrë dhe me probleme të rënda sociologjike, nga të cilat, në radhë të para gjendet në të gjithë Botën e civilizuar. Lufta e rreptë që po bëhet midis sistemeve shekullore të organizimit të shoqërisë njerëzore dhe të atij të riut, që përbën komunizmi i ndarë në dy degë dmth në marksizëm, që simbolizon evolucionin paqësor dhe në leninizmin që ndjek aplikimin e doktrinës komuniste me revolucion dhe lufta gjakësore të klasave kundra njëra-tjetrës.
Leninizmi u bë tmerri i gjithë Botës; se arriti të verë dorë mbi një Popull e një Shtet nga më të mëdhenjtë dhe më të pasurit dhe ka në dorë gjithë mjetet e duhura për të bërë propogandë të rreptë kudo në botë. Rreziku prej tij e tregon shqetësimi që sundon në çdo shtet të civilizuar e konservator dhe lidhja që kanë bërë shumë shtete duke formuar një Grup kundra përhapjes së tij.
Por nga rrjedhimi i gjyqit u provua se: komunizmi në këtë formë nuk hyn dot në Shqipëri, kur asnjë nga shtetet e Ballkanit nuk mund të pretendojë se ka mbetur i paprekur pak a shumë. Faktet që u parashtruan para së nd. Gjykatore zbuluan një padi dhe një imitacion qesharak të komunizmit. I pandehuri Zef Mala, si një nga organizatorët më të kulturuar, e kufizoi në një doktrinë thjeshtë Akademike pa të tregohet ndonjë aventurier jashtë qarkut të ideologjisë abstrakte.
I pandehuri tjetër Niko Pando Xoxe është çiltazi një viktimë e injorancës së tij, e cila ja mbushi plot tym kokën sa që, si ai që vete me tre zollot në dasmë, deshi ky të përkthente në shqip nga një gjuhë e huaj, që nuk e di, një libër shkencor me objekt evolucionin ekonomik një çështje, dmth që ai nuk e ka parë as ëndërr në gjumë.
I pandehuri Vasil Petush Shanto është një punëtor i thjeshtë, të cilin peripecitë e jetës e bënë viktimë të premtimeve të thata që jep doktrina komuniste.
Të pandehurit e tjerë: Subhi Dede djalosh i mitur dhe nxënëx shkolle, Enver Beqir Pulliqi një djalosh i cili mbasi mbaroi gjimnazin përballoi i dëshpëruar rreptësinë e përpjekjeve për jetesë dhe pandehu se do të zgjidhte problemin e mënyrës të sigurimit të jetesës me ëndrra dhe Riza Deliallisi një djalosh gjithashtu i mitur dhe student, që të gjithë pa fuqinë mendore dalluese të konseguencave të këtyre lloj doktrinash, të cilat ndofta është shumë që një për mijë midis njerëzve të kulturuar t’i kapi dhe t’i kuptojë.
Të pandehurit e tjerë: Jorgji Pavli Shuteriqi dhe Kristo Isaku ndonëse mësuesa, por sa që karakterizohen si ndihmësa janë sigurisht viktima të ndonjë keqkuptimi nga ndonjë bisedim akademik mbi çështjen sociologe që shqetëson gjithë Botën.
.
10.Cilat janë shkaqet determinuese dhe cili është qëllimi i tyre.
Mbasi s’ka gjë në botë që të bëhet pa shkak determinues e pa qëllim, na duket sikur ka për të lehtësuar çështjen e çmimit të fajeve që iu ngarkohen të pandehurve, që përfaqësojmë dhe shikimi i personave të tyre nga këto të dy pikëpamje. Nga rrjedhimi i gjyqit na duket sikur rezultoi aftësisht se: shkaku është varfëria e tyre dhe qëllimi mbi shpëtimin, që ëndërronin prej saj. Por për këto të dyja “shkak e qëllim” rezervohemi për të bërë fjalë më të goditura si më poshtë.
11.A ekzistojnë shkaqe lehtësuese?
z.z. Gjykatës,
E nd. Prokurori kërkoi dënimin më të rreptë të të pandehurve pa pikë mëshire dhe pa ndonjë përjashtim dhe pa ndonjë shkak lehtësues për veç atij të moshës për disa prej këtyre.
Rreptësia e saj është e justifikueshme nga kjo pikëpamje që: faji i të pandehurve e shikojnë në një mënyrë abstrakte, pa ndonjë lidhje me konditat dhe cirkostancat (rrethanat, GH), në të cilat u lind dhe u zhvillua.
Por mbrojtja është e mendimit se ekzistojnë për ta shkaqe lehtësuese dhe të shumta dhe serioze të cilat meritojnë mëshirën e së nd. Gjykatore, kaq më tepër se: siç patëm nderin të observojmë dhe më lart, Gjykatorja e z. Juaj nuk është ndonjë Gjykatore ordinere, por rregullon dhe oportunitetin Politik.
Të pandehurit janë që të gjithë djelmosha, dhe shumica, nxënësa shkolle. Pra nuk është aspak gjë jo e arsyeshme që t’i shikohet mosha. Kjo luan rol – siç e ka dalluar Kodi Penal – në faje ordinere, në faje që janë në vetvete faje; se ngjarjen e fajit jua jep Ligji Moral, të cilin e interpreton Ndërgjegjja e seicilit.
Në çështjen konkrete kemi parasysh një vepër, e cila nuk ka damkën e fajit, të dhënë prej Ligjit Moral. Doktrina në fjalë u deklarua si faj dhe u ndalua me Ligj të Posaçëm me d. 23 Prill 1937, i cili i zgjati të nd. Gjykatë kompetencën edhe mbi këtë. Para kësaj date nuk konsiderohesh faj dhe sikur të mos ekzistonte ky Ligj, as e nd. Prokurori nuk do të ndiqte si një delikt Politik, as e nd. Gjykata nuk do ta gjykonte. Është pra kjo doktrinë një faj i ri i deklaruar si faj për oportunitetin Politik, por jo pse dhe për këtë proteston Ligji Moral me anë të Ndërgjegjes. Nga ana tjetër mbasi këtë faj e formon një doktrinë sociologjike e re, njeriu i gatuar prej Natyrës që të dojë të mësojë çka i mungon dhe më tepër çka i ndalon, ky faj ka këtë të keqe të veçantë nga fajet ordinere, që e tërheq njeriun në vend që ta largojë.
Nuk thotë kërkush pa të vrarë ose pa të vjedhur, të shoh se si vret ose si vjedh njeriu; por a thoni se do të vuante njerëzia, sikur Adamit të mos ishte ndaluar përdorimi i një peme të caktuar?
Nga ana tjetër ky faj konvencional ka dhe një tjetër të keqe të veçantë, që tërheq – e ca më tepër Rininë – jo vetëm nga kurioziteti natyral i tij, por edhe nga lehtësia fantastike që premton. Cili i ri mashkull ose dhe femër – nuk elektrizohet duke ndëgjuar se në këtë sistem sociolog, dashuria ka për të qënë krejt e lirë dhe se zinxhirët e martesës kanë për t’u zhdukur dhe se detyrimi atëror ose dhe amëtar ka me ju ngarkuar shtetit? E cili i varfër nuk fërkon duart prej gëzimit kur t’i thuash se në këtë sistem ke për t’ju bashkuar Shefqet Bej Verlacit ose kujt do tjetër milioneri Shqipëtar?
Komunizmi, z. Kryetar i u shëmbëllen sirenave mitologjike, të cilat besoheshin se ishin në bregun e detit të Italisë Jugore, tri vajza të bukura sa s’bëhesh më dhe me një zë të ëmbël pa shëmbull dhe me bukurinë dhe zërin e tyre tërhiqnin detarët, që kalonin andej dhe pastaj e bënin të tyret. Kundra Sirenave të Komunizmit duhet dinakëria e Odiseut (duke filluar që këtu materiali kalon në dorëshkrim) i cili për të shpëtuar shokët i lidhi prej anijes që të shihnin e të dëgjonin, por të mos mundnin t’i afroheshin. Por bëhet dot dhe sot kështu?
Tjetër avantazh për të shtuar partizanët e vet kjo doktrinë ka dhe këtë, kundra të cilit nuk para bën fuqia çmuese mendore, që anëtarët e saj nuk janë në pjekurinë e duhur që edhe premtimet e bukura t’i kontrollojnë dhe dëmet e mbledhura që ka për t’i shkaktuar sistemi i vjetër ekonomik t’i vlerësojnë. Nga ana tjetër propaganda që bëhet për të është e tmershme. Premton lirinë absolute në relacionet e sekseve duke e ngritur dhe femrën në nivelin e mashkullit dhe duke e bërë këtë të pavarur ekonomikisht. Siguron Njerëzinë se Perëndia nuk ekziston dhe se nuk ka ndonjë fuqi supernjerëzore; predikon njehsimin midis njerëzve dhe këshillon solidaritetin midis tyre që vuajnë duke u përdorur si objekt spekullimi nga të tjerët dhe e ndjek për vdekje këtë spekullim; mohon akuzën që i bën propaganda e kundërt, se ka për qëllim shkatërrimin e familjes; lufton ashpërsisht pronën private, si dhe të drejtën e trashëgimisë, me qëllim që të sjellë barazinë dhe të zhdukë vobekësinë dhe jo që të paralelizojë aktivitetin individual, siç e akuzon kapitalizmi; predikon se nuk ekzistojnë Ligjet Morale, absolutisht të imponuara prej Natyrës në respekt nga ana e Njeriut, por se Ligjet i vë vetë sipas nevojave që ndjen në zhvillimin e tezës së tij.
Kush do t’i çmojë siç duhet gjithë këto që kërkojnë moshë të pjekur dhe dituri të lartë?
S’ka gjë më të lehtë se kritika; por drejtësia kërkon që të merren parasysh dhe konditat, nëpër të cilat ngjan të shkasë njeriu në gabime dhe në faje.
Komunizmi konsiderohet prej kapitalizmit si armiku më i madh i tij, si organizmi spekullator i shoqërisë Njerëzore. Por urtësia imponon që të mos përbuzet, por të luftohet po me Diturinë.
Zbulimet e sotme, siç është veçanërisht Radioja, e sjellin Doktrinën dhe zhvillimin e tij natë e ditë; si mund të ndalohet propaganda që i bën vehtes ai vetë? (këtu materiali kalon me makinë shkrimi).
.
12.Ambienti
Nëse nuk duhet të përbuzet armiku, gjithashtu nuk duhet të ekzagjerohet dhe fuqia e vetes. Si duhet pranuar se edhe ambienti i ndihmon atij pa dashur; por i ndihmon.
Në shoqërinë njerëzore sundon egoizmi dhe është shumë i rrallë solidariteti. Me shkollat na gjeti si barin e seicilit ja pështynë dhentë! Afetizma e shtetit u keqkuptua dhe ne lindi ateizmi; pikërisht ajo që don armiku i cili predikon se “feja është opium i popullit”.
Brenda në këtë ambient u qep mikrobi i komunizmit. Nëse e kanë këta fajin dhe nëse me dënimin e këtyre sigurohet zhdukja e çdo rreziku, i dënoni pa mëshirë, siç kërkon e nd. Prokurori, por mos harroni principin: “Summum Jus Summa injuria”. Mos harroni se dhe këta janë një pjesë e Djalërisë Shqiptare, mbi të cilën Kryetari i Shtetit Nalt Madhëria e Tij Mbreti ka varur gjithë shpresat e kombit dhe të Atdheut, nëse u gabuan nuk është faji i tyre vetëm; por sidoqoftë pësimi ka për t’ju bërë mësimi më i dobishëm. Shartohet hardhia, por pa ju prishur sythet. Mjafton për dënim pandehmëria e tyre. Kthejni në gjirin e Atdheut. I gaboi drita djegëse, si fluturat. Ndjesa – na duket – është ajo që lyp dhe interesi i shoqërisë njerëzore.
Z. z. Gjykatës,
Në dorë e keni dhe mëshirën dhe rreptësinë, por mos harroni se dhëmshuria amëtare i neutralizon helmet e familjes ndërsa rreptësia i tërbon në armiqësi kundra saj. Mos bëni zemrën e armikut, por jepjani Popullit dhe popullit përgjithësisht një mësim, duke mos e kufizuar përgjegjësinë në djemtë e tij vetëm.
Përfundojmë duke kërkuar lehtësinë më të madhe.
Tiranë 09 shkurt 1939
Avokati Mbrojtës, Av. Vasil K. Dilo, Firma
.