back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Mbushem pafundësie…” nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2013
Ilir Seci 2013

“Mbushem pafundësie…”

nga Ilir Seci

…Të pakta janë ato përpjekje njerëzore që mund të shperblehen ma mirë se e ngjituna në Mas-Kollatë, mbi Kikaj…
Këtë vend e kish pasë gatitë Perëndia si Fron për veti… Kur mbrrin njeri aty harron lodhjen e mundin e ngjitjes thikë përpjetë! Harron ndjersën e derdhun… Të tana harrohen kur ngjitet aty njeri dhe gostitë shqisat me pamjen e magjishne që shpalohet para tij… Pamja që kundrohet aty për nji sekondë, ban me u harrue krejt mundi i ngjitjes, krejt ai mund shlyhet a thue se s’ka ndodhë kurrë, bukuria që shpalohet përpara ta fshin ndjersën me ledhatimin e erës që flladit atje nalt… Shqisat shkunden mu si ai kërthia i porsaçuem prej gjumi, njashtu edhe ndijimi fërkon sytë nga mrekullia që ka para…
Ku paskam kenë deri sot?! Si paskam ndejtë deri sot pa e shijue këtë mrekulli…?!
Mbi Mas-Kollatë… Nji agsholl korriku u ngjitja pa le Dielli, e mbrrina në kohe për me kundrue lemjen e Diellit në Bjeshkët e Némuna… Kët Agim që asht fiksue në këtë foto… herët në agsholl, bash në të leme të Diellit mbi Bjeshkët e vendlindjes teme… Falë mundësisë që na jep teknologjia me ba foto-panorama u ba e mujtun me përfshi shumëçka në kët foto, má së parit krejt rrjedhën e lumit Valbonë… Mé përfshi gati krejt Kunorën e Bjeshkëve të Némuna, krejt majat e maleve mbi Krasniqe… dalin në spikamë në kët foto: Maja e Hekurave që kulmon mbi Bjeshkën teme, Lugin e Thive, skejt saj asht Zhaborrja e Krasniqes që duket sikur asht zgjatë edhe má me soditë mrekullinë e Luginës së Valbonës… Má përtej, në sfond ngrihet Maja e Jezercës, e kredhun mendueshen në jezerin mbledhun rreth majes…
Jezerca, ma e nalta maje në vargmalin e Dinarideve, prej Bjeshkëve të Némuna e deri në Slloveni… Má e nalta përgjat tanë atij bregu ku Gadishullit Ilirik falet me detin e Adries…
Dielli lind herët në këtë stinë të vitit, e ngjan sikur edhe atij nuk i pritet me le, ngjan sikur ngarendë me le sa má herët për me soditë sa má gjatë Kunorën e Bjeshkëve të Némuna… Rrezet e Arta të Diellit duket sikur mezi ç’presin me përkedhelë kreshtat e Bjeshkëve…

"Mbushem me pafundesi...!"
“Mbushem me pafundesi…!”

Saora duket sikur edhe Dielli nuk u beson syve kur sheh at mrekulli… A mundet me qenë e vërtetë!? Rrezet prekin çdo majë e lug sikur dojnë me u bindë se kjo asht e vërtetë e nuk asht vegim… E Dielli e ban kët çdo agim, njesoj për çdo agshol përkëdhel çdo majë si me dashtë m’u bindë që gjithshkafja asht e përnjimendtë…
Kundroj këtë pamje magjepsese e në mend me bien vargjet e famshme të poetit të madh italian, Giuseppe Ungaretti:

“Mattina” – M’illumino d’immenso
“Mëngjes” – Mbushem me Pafundësi”

…Këto vargje përkthye aq thukët në shqip prej poetit tonë Zef Zorba, m’u duk se i po i shkruenin ato rreze dielli që gufojshin nga Dielli i porsalemë…
“…Mbushem me Pafundësi…”
Pafundësia… E çka asht Pafundësia!? A nuk mundet me qene pafundësia kjo pamje bjeshkësh legjendare, po ky mëngjes i lamë në ar diellor?! Pafundësia a munden me qenë  këto Bjeshkë ku njeriu gjallnon me shekuj, n’zgrip të qenësisë, duke nxjerrë me thonj bukën e përditshme e duke mbushë përmbrame sofrën e Kullës!? Pafundësia a mundet me qenë si gjakimi sizifian i Malsorit të këtyne Bjeshkëve që me shekuj e ka shkue jetën përpjetë e pjetposhtë këtyne kreshtave vetëm e vetëm që me mbetë i lirë dhe i pavarun mes tyne?! Mes këtyne kreshtave ku jetë e mot prej se ka le dielli, asht rrekë me ruejtë të pastra dy gisht ftyrë!? Dy gisht nder!… Dy gisht Nder që s’ka pasë të paguem kur e lypë rasa… Kur asht ulun në Odë e ka mbajtë shtatin ndrejt si Mik apo si Mikpritës… E kur e ka ardhë puna që me ju cënue ata dy gisht Nder e Ftyrë ka brof n’kambë dhe i ka ruejtë me një gisht në kambëz… A nuk mundet me qenë Pafundësia ai Malsori që kurrë nuk ndrroi ata dy gisht Ftyrë për Mall e Gja!?… Ai Malsor që kurrë s’e la lakminë me ja pri udhën… Ai malsor që njisoj si kapronjtë a dhitë e egra, mori prej Bjeshkëve aq sa i lypej për jetesë e asnjëherë nuk u ba i pangimë!? Ai Malsor që me ruejtë ato Bjeshkë prej Armiqve ua vuni emnin “Bjeshke të Némuna”… Vetëm e vetëm me i mbajtë ata larg…

Bora e sivjeme në malsinë e Markajt
Bora e sivjeme në malsinë e Markajt

***
Shumë njerëz vrasin mendjen pse u kanë thanë “Bjeshkë te Némuna”!? Bubrrojnë me mend shkaset dhe arsyenat pse ka mbetë bash njaj emën!? Na duhet ta ftillojmë hamendësimin “Bjeshkë të Namuna” asht eufemizëm… Zakonisht Eufemizmi, (shqip “Ogur i mirë”), asht përdorë quejtë një dukuni që njerëzit i kishin frikë si për shembull sëmundjet vdekjeprurëse,”Kolla e Mirë”, që ka kenë në fakt një kollë shkatërrimtare… Eufemizëm tipik kemi shembullin me emnat e Dy Drinave… Bash dega e Drinit që thirret “Drini i Bardhë” dihet që gjithmonë e jetë ka shkaktue përmbytje e damè dhe njerëzit e kanë marrë me të mirë duke i vendosë emnin-eufemizëm “Drini i Bardhë”… Kurse degës tjetër të Drinit ja kanë vnue emnin “Drini i Zi”, në një kohë që kurrë s’ka shkaktue përmbytje, prandaj jane mundu mos me e marrë mësysh duke e quejtë “Drini i Zi” Bota po ashtu ka plot të tilla emërtime siç asht rasti i Kepit të frikshëm në Afrikë të Jugut që nga tmerri e kanë quajtë “Kepi i Shpresës së Mirë” kur në të vërtetë ishte kepi ma kalladatës, mbasi shumë anije përplaseshin aty!… Edhe në rastin e Bjeshkëve të Namuna asht përdorë Eufemizëm, dmth – emërtim me u mbrojtë!
Malsorët, të vetëdijshëm për bukurinë marramendëse të Bjeshkëve të veta kanë dashtë me mbajtë larg armiqtë grabitqarë, pushtuesit ziliqarë, kojshitë makutë, prandej edhe e kane qujtë Bjeshkë të Nemuna, për me i trembë dhe me i mbajtë ata sa ma larg! Sepse këto Bjeshkë vetëm të Nemuna nuk janë; në të vërtetë janë të Bekueme.
…Emni mendoj se ka ardhe nga Néma e Ajkunës, grues së Mujit, të cilës ja vranë 7 djemtë në ato Bjeshkë, të shtatë me emnin Omer! Kur ja kanë vra të shtatin, ka némë bjeshkë e ka némë vrri… Mbrapa malësorët e kanë gjetë shumë të përshtatshëm kët emën me e ba Eufemizëm…
“Kurrë mos këndoftë qyqe në këto bjeshkë”- ka némë Ajkuna dhe fakti është se në krejt këto vise në foto deri sot, s’ka ndie kush qyqe tue kndue prej asaj dite!?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.