back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mbyllet viti i turpit – 1967 – 50 Vjetori i shpalljes Revolucionit Kulturor – nga Fritz Radovani

Gazeta

Kinezë dhe shqiptarë të Revolucionit Kulturor
Kinezë dhe shqiptarë të Revolucionit Kulturor

Mbyllet viti i turpit – 1967

50 Vjetori i shpalljes Revolucionit Kulturor

nga Fritz Radovani

6 Shkurt 1967 – Kush në Europë ka ba mbi popullin e vet ate shka kanë ba këta dy terroristë nga viti 1941-1991?!
2018: Afrohet Viti i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.
“Revolucioni ideologjik antinjerzor i 1967”: Diktatori Enver Hoxha “Revolucionin Ideologjik e Kulturor të vitit 1967” e filloi me surratin e vet antieuropian, dhunoi identitetin tonë kombtar tue fillue nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili nga “dr. profësorët e akademikët” quhet “Skënderbeu – Gjergj Kastrioti” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964), vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luftën për pavarësi kundër pushtimit osman… një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV…” Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte Figura ma e shqueme, dhe jo “një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV…”
Këtu fillon edhe dhunimi i Tij…
.
Kisha e Vaut të Dejës (e hedhur në erë 1969)
Kisha e Vaut të Dejës (e hedhur në erë 1969)

1969: Dhunohet në Vaun e Dejës Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në 500 vjetorit të vdekjes së Tij. Themelet e saj janë e vetmja dëshmi e vjetërsisë së saj. Veprat e artit dhe afresket u shkatrruen… Shkatrruesit e saj sot shetisin ndër bulevardet e Tiranës, ku tregojnë “sesi i vuen dinamitin Kishës…”

Komunistët kudo ku kanë marrë pushtetin, kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje. Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” të tij, për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazën e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh”, synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore dhe arsimore, me ba “spastrimin” e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”. E me çka i zëvendsoi ato?!
Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”… me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist”… Artikulli 37, i Kushtetutes RPSSh, 1976. Tirani anadollak Enver Hoxha përsëriste: “Çka thotë partia bën Populli!”… Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike… Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës: Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut, psr me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”.
19 Mars 1967, terroristi Ramiz Alia, mbyll përfundimisht Kishat Katolike në Shkodër, tue fillue me Kishen Katedrale të Shkodrës. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave ndër Kisha të Atyne klerikëve që kishin vdekë para vitit 1900 dhe 1944.
Ndoshta, një krim i tillë ishte i panjohun ndër shtetet tjera komuniste të Lindjes!
29 Prill 1967: Atëherë kur nder oborret e shtëpijave të Shkodrës ishin vendosë piramidat e kufinit, dhe errësina sllavokomuniste e frika kishte pushtue mendjet e zemrat tona, nga një shtëpi përdhese në Ballabane u ngrit një Burrë, me Kryq për parzëm e me penë në dorë na la të daltueme në Gurt’e Rozafës atë testament që ndoshta gjithë Europa sìe ka! Ishte i Madhi At Pjetër Mëshkalla S.J., që pa Ju tutë syni i rrethuem nga bishat e egra komuniste në kopshtin zoologjik të Institutit Pedagogjik u tha kriminelëve të pashpirtë, instruktorëve të partisë, “profesorëve dhe intelektualëve të njohur” për kulturën e tyne të gjanë ateiste dhe antishqiptare, po si gjithmonë shumica agjenta sigurimi:
“Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit?!
Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruejë në zemër Fenë e Krishtit!”
U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni Shqiptar, se linda nga prind Shqiptarë… Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes, do të jem Shqiptar! Unë i përkas Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…
5 Prill 1967 – Në letren që At Mëshkalla i shkruen kriminelit Mehmet Shehu i tha:
“…Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.
Kur në vjetin 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.”
19 Korrik 1967: Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja… E kjo një ditë “do të shkrepin”!
Në fjalën e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”
At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij Fitoi!
Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit. Me këte detyrë merrej direkt Ramiz Alia dhe servilët e tij Xhemal Dini, Musa Kraja, Jovan Vujoshi, Jup Kastrati, etj.
Seksioni Katolik në Degën e Mbrendshme në Shkodër, jep orientimet per zhvillimin e këtij “Revolucioni Ideologjik”! Fillojnë arrestimet e pushkatimet barbare…
Eksperienca e viteve 1944-’48 në Shkodër, kur ishin në qytet 26 Burgje dhe Hetuesi, ku masakrohej inteligjenca dhe Populli Heroik i Shkodrës, filloi me dhunimin e Kanuneve dhe objekteve të kultit:
Dhunohet Opera e “Skënderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova.
1968: Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë.
Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj për Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.
Shfarosen bibliotekat e klerikëve dhe veprat e artit nder Kishat Katolike të Shqipnisë…
Diktatori Hoxha dhe trashëgimtari i tij Alia
Diktatori Hoxha dhe trashëgimtari i tij Alia
***
Kush në Europë ka ba ate që bane dy monstrat tona dhe sot, ata terroristë vazhdojnë me kenë “Heronj të popullit shqiptar?!
Prill 1967: Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit E. Hoxha, tek Dosja 2291 Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme, prokurori i përgjthshëm Lefter Goga, urdhnon: “…Hetuesit mund të përdorin torturat më çnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi…!” Dhe, jo nder pak hetuesi u aplikue kjo shkresë antinjerzore.
Vetëm nga viti 1967-1990 u pushkatuen dhe u mbytën në tortura:
1.Imzot Ernesto Çoba (8 Janar 1980)
2.Don Zef Bici (8 Maji 1968)
3.Don Mark Dushi (8 Maji 1968)
4.Don Marin Shkurti (1 Prill 1969)
5.Don Shtjefën Kurti (20 Shtator 1971)
6.Don Anton Doçi (1973)
7.Don Mikel Beltoja (10 Shkurt 1974)
8.Don Prek Nikçi (15 Mars 1974)
9.Don Mark Hasi (11 Shtator 1981)
10.Don Lazër Jubani (29 Korrik 1982)
11.Don Lec Sahatçija (4 Prill 1986)
12.Don Nikollë Gjini (1987)
13.Imzot Lazër Sheldija (10 Shtator 1988)
14.Don Pjetër Gruda (13 Janar 1989)
.
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Burgosën, torturohen dhe dënohen me shumë vite burg e punë të detyrueshme:

1.At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg;
2.Don Mikel Koliqi 38 vjetë;
3.Don Nikoll Mazrreku 37 vjetë;
4.At Zef Pllumbi 28 vjetë;
5.Don Simon Jubani 26 vjetë;
6.At Gegë Lumaj 20 vjetë;
7.At Gjergj Vata 10 vjetë si pasuesit…
8.Don Frano Illija;
9.Don Ndoc Sahatçija;
10.Don Nikoll Troshani;
11.Don Zef Simoni;
12.Don Kolec Toni;
13.Don Ndre Krroqi;
14.At Anton Luli;
15.Don Ndoc Ndoja;
16.Don Gjergj Simoni;
17.Don Marjan Arta;
18.Fra Gasper Jubani;
19.At Ferdinand Pali;
20.At Aleks Baqli;
21.At Leon Kabashi;
22.Don Martin Trushi;
23.Don Nikoll Pergjini interrnohet.
 
Arrestohet kangtari Lukë Kaçaj; përkthyesit Prof. Nikoll Dakaj e Prof. Mark Dema, shkrimtarë, artistë… Puntorë dhe besimtarë…E kushdo që mendohet Atdhetarë!
Tragjedia e Popullit Shqiptar vazhdon me mbi 120 varreza të Rinisë vrame në kufi.
Vrasjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër, tregojnë vazhdimsinë deri tek Rin Monajka në Vjenë.
Europë, nuk të lejon kanabis, korrupsioni dhe pasunimi i politikanëve me pa ma larg!
Hypni mbi gërmadhat e Shtëpijave të Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, Osman Kazazit dhe Kullave të Prekë Calit… E shihni, se vazhdon me kenë e shkrueme…
25 Prill 1993 Tek Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut: “Europa duhet ta dijë…
“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…” Papa Gjon Pali II (Sheshi Skendërbeu, Tiranë).
Melbourne, 15 Dhjetor 2017.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.