back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Me 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani 25 Vjet përpara, na tregoi si shëmbet Komunizmi nga Fritz Radovani: Pjesa e II.

Gazeta

Dom Simon Jubani - Nëntor 1990
Dom Simon Jubani – Nëntor 1990

Me 11 Nandor 1990,

Don Simon Jubani

25 Vjet përpara, na tregoi si shëmbet Komunizmi.

nga Fritz Radovani: Pjesa e II.

Don Simon Jubani (1928 – 2011)

Rrëmaj… Shkodër… 11 Nandor 1990, ora 11.00 p. dr…
Ishim mbi 50.000 vetë mbrenda murit rrethues të Vorrezave, kur ndër tarraca dhe skuta, në vagona e magazina, sampistët e sigurimit shtetit prisnin urdhën me shkrepë shnajpert mbi kokat tona… Pa asnjë mbrojtje përveç rreth 300 vllazenve Musliman t’armatosun… dhe, “Dorës së Zotit”, që gjithmonë ishte pranë Atyne Çinarëve…
Fjala e Don Simon Jubanit në Meshën e Parë…

Vllazën dhe motra!
Le t’ i kujtojmë per nji minut në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi nder këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për nji Shqipni Europiane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme!
Në vjetin 1443, kur Heroi i ynë Kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e përshndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua pruna unë, por e gjeta midis jush!”
Unë i padenjë për ketë mision po Ju tham se Fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë e flakët nder zemrat tona e dëshmon ardhja e Juej sot në ket Vend të Shejtë prej të kater anëve të Shqipnisë, për me adhurue, për me falnderue, për me lavdue të Madhin Zot për këtë Mrekulli të madhe që po shohim sot me sy.
Se ky Besim ka kenë përherë i ndezun në Shpirtnat tonë e vërteton restaurimi i kësaj Kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla, edhe vllaznit tonë myslimanë dhe ortodoksë.
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona e dëshmon edhe ma mirë Shejtnoria e Shna Ndout në Laç, kur midis terrorit mbi ato gërmadha kanë rrâ mija Shqiptarë për çdo vjetë, sejcili në Fenë e vet, sejcili në gjuhën e vet, vazhdimisht tue Ju lutun Zotit dhe Shejtit Shna Ndue, për të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore, dhe këto lutje u kunorzuen sot me këtë panair plebishitar.
Për të Madhin Zot e për Fenë e Tij, ma bukur se unë flitni Ju, me ato ngushllimet e panumërta që gjeni nga kjo Fe që i ngushllon, i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendjet e zemrat e të gjithë njerzimit.
Për të Madhin Zot e për Shejtnit e Tij, ma bukur se unë flasin shurdhët që ndijnë, pagojcët që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që shërohen…
Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshëm për ekzistencën tonë fizike, njashtu për ekzistencën tonë shpirtnore asht e domosdoshme Nji Kenje e Mbinatyrshme që na ndihmon me përballue vishtirsitë e kësaj jetë me optimizëm, entuzjazëm, kurajo, dhe Kjo  Kenje e Mbinatyrshme, na ban me e pa me sytë e Shpirtit Lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jetë të shkurtë, njashtu sikurse shohim me sytë e trupit bukuritë e rruzullit toksor.
Kudo nëpër Botë si nëpër qytetet e modernizueme ashtu edhe në katundet ma të harruemet naltohen kah qiella kupola, minare xhamijash, kumonare të cilat janë simboli i kontakteve, i lidhjeve që njerzimi mban përherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e Tyne të mprehta u përngjasin heshtave të nji ushtrije në heshtje, që u bajnë roje vlerave morale e kulturore, që rraca njerzore ka krijue nder shekuj.
Çfarë interesash botnore përfaqson Feja?
Kush i zbuti barbarët e Kohës së Mesme, gotët, vizigotët, hunët, vandalët, përveçse Jezu Krishtit, përveçse murgjëve dhe murgeshave që i zbutën hordhitë e egërsinave me Kryq në dorë e me lutje në gojë?
Kush ja dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor dhe politik përveçse Kristjanizmi?
Krejt zhvillimi moral dhe intelektual i Europës e ka burimin te filozofia dhe te teologjia kristjane.
Kush i shliroi Vendet Arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe i fali monoteizmin, dhe nga fiset primitive u ngritën në shtet të organizuem dhe ma vonë në perandori arabe, përveçse Islamizmit dhe profetit të Tij, Muhametit?

Varri i Gjon Kurtit n'Rrmaj
Varri i Gjon Kurtit n’Rrmaj

Po në shkallë kombtare çfarë rolit qytetnues ka luejtë Feja?
Në aspektin moral Feja asht nji digë. Diga nuk i lejon ujnat me vërshue dhe me shpartallue tokat pjellore e shtëpijat e banimit. Njashtu Feja asht nji digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin, me dëpertue nëpër mendjet e zemrat e njerzimit, dhe në këte drejtim Feja jep kontributin ma të madh për rendin publik. Në aspektin kulturor: Të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha institucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue dhe drejtue nga Baziljanët, Benediktinët, Jezuitët, Françeskanët, etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne në Bardhaj asht themelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës.
Por Feja asht determinante edhe në mbrojtjen e Atdheut.
Në pamundësi idetë e shekullit me ua dhanë Shqiptarëve Bashkimin Politik, vetëm Feja dijti me i bashkue Princat Shqiptarë të Shekullit Pesmbdhjetë kundër anmikut tonë të përbashkët të Perandorisë Osmane. Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në Kishën e Shënkollit të qytetit Lezhë, dhe në këtë Kishë janë marrë të gjitha Vendimet për të gjitha operacionet politike dhe ushtarake që ka zbatue Beslidhja. Por Bota e qytetnueme na njeh edhe famëmadhen Lidhja e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymer Efendi Prizrendi, s’bashkut me krenët e tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë si, Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pasha e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i kanë zhvillue në Xhaminë e Prizrendit e prej kësaj Xhami, kanë dalë të gjitha direktivat.
I Madhi Zot per t’i ushqye Shqiptarët me bollëk e ka pajisë Shqipninë tonë me dy mushkni, me tokë e me det. Për këtë frymëmarrje të shndoshtë me tokën e me detin jetuen, luftuen dhe vdiqën Princat Shqiptarë të Shekullit XV, si edhe Fatosat e Kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.
Vjeti 1989, ka kenë Vjeti i Paqës dhe i Lirisë për të gjithë Boten, sepse në ketë Vit u shembën të gjitha muret dhe perdet e hekurta që ndanin vende dhe popuj, por ma tepër ndanin zemrat e njerzve. Në këtë vit pushoi së rrjedhunit gjaku, po fshihen lotët, mbaroi djersa e pashpërblyeme e mori fund lufta e të gjithëve, dhe njerzimi ka hy në nji Epokë të Re paqeje, lirije, mirësije, armonije, begatije. Begatia dhe harmonija e nji Populli mvaren nga Liritë që u akordohen qytetarëve.
Lirija në kuptimin filozofik të fjalës asht progresi gradual i ndërgjegjes dhe i kulturës njerzore.
Këto Liri e këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore.
Rruga paqësore asht tipar i nji Populli të qytetnuem. Dhuna e brutaliteti s’kanë zgjidhë kurrë probleme kombtare as familjare.
Duhet t’i qëndrojmë tundimit e s’duhet të përdorim dhunën, as brutalitetin kundër njeni-tjetrit për me kërkue të Drejtat e Liritë që na tokojnë, sepse të gjitha këto Liri e të Drejta, po na epen gradualisht e me rrugë paqsore.
Vetem kështu do t’ua mbyllim gojën atyne që na quejnë shprehje gjeografike, tokë e pazbulueme, tokë e askujt, vetem kështu, do t’ua mbyllim gojën anmiqëve tonë, që na konsiderojnë nji popull kopil i gjetun midis katër rrugëve nga Nana Histori.
Shkodra qytet me nji Histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës dhe Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, Kjo Shkodër, asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse, trashigimtarët e Gjergj Balshës së Madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësat e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu, në këta Troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njiherë traditën dhe autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.

***
Shënim nga FR: Ky material historik asht marrë nga origjinali, pa asnjë ndryshim.
Botohet me rasën e 25 vjetorit të Meshës së Parë, mbas “Revolucionit Kulturor të 1967”.
Një Pllakë përkujtimore tek Kapela e Vorrezave të Rrëmajit, asht shumë pak per me Përjetsue Veprën e një Atdhetari të Madh si Don Simon Jubani, me 4 e 11 Nandor 1990.
Melbourne, Nandor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.