back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

20 shtator 1991: Gazeta “Ora e Fjalës” – Dalip Greca Dielli

Gazeta

Dalip Greca me Diellin (numer Special)
Dalip Greca me Diellin (numer Special)

20 shtator 1991,

nis në Lushnje botimi i  Gazetës “Ora e Fjalës”

20 shtatori i 2021, është përvjetori i 30-të i gazetës “Ora e Fjalës”,
ndër të parat gazeta të pluralizmit shqiptar,
gazetë e cila dha një kontribut të veçantë në shtypin lokal dhe atë kombëtar.
Gazeta u botua në Lushnjë, dhe pat për themelues
një grup djemsh të guximshëm me Shpend Sollakun e Gëzim Hajdarin në krye,
që aso kohe patën krijuar edhe të parën degë të republikanëve shqiptarë në rrethe
dhe po ashtu themeluan dhe të parën gazetë lokale të demokracisë.
Gazeta “Ora e Fjalës” i kapërceu kufijtë e Lushnjës, 
ajo shkoi edhe në Tiranë, po edhe në Berat, edhe në Durrës, po edhe te emigrantët shqiptarë
në Romë, Frosinone, Milano, Bari, Brindizi, kudo që ata ndodheshin.
Sigurisht 20 shtatori i 2021, tri dekada te një Gazete – një përvjetor që s’do të përkujtohet,
sepse kurrë nuk iu njoh as merita dhe as përkushtimi i idealistëve që e themeluan atë
atyre që luftuan me shpirt nëpër dhëmbë për dinjitetin e asaj “Ore të Lirisë së Fjalës,
asaj Ore që ende nuk ka mbrritur si duhet ndër Ne…
Nder dhe respekt gjithë atyre, që e ngritën dhe e mbajtën kët gazetë të shpresave të mëdha…
qoftë edhe duke sakrifikuar mjaft nga jeta e tyre…

jozef radi, 20 shtator 2016

 

Drejtuesit e "Orës së Fjalës" - Sallaku, Hajdari, Greca
Drejtuesit e “Orës së Fjalës” – Sallaku, Hajdari, Greca

Kjo gazetë, vërtet u krijua nga republikanët Shpend Sallaku, Gëzim Hajdari, Themi Bello, Pirro Kice, Astrit Hodo, por ajo pati edhe mbështetjen e krijuesve të njohur, jashtë PR-së, si Faslli Haliti, Visar Zhiti, Halil Jaçellari, Bujar Xhaferri, Sherif Bali, Kadri Fishta, Seit Selfo, Dr. Prenjo Imeraj, Minella Dani, vëllezërit Bedri, Caush dhe Esat Çoku, Baki Nezha, Elmaz Qerreti, i ndjeri Vladimir Çuni, Fatbardh Rustemi, e mjaft të tjerë. Gazeta dhe një kontribut të veçantë edhe për të ndihmuar krijuesit e rinj, në pjesë e të cilëve sot janë kontribues me emra të spikatur në median qendrore në Tiranë.
Ndjehem mirë që themeluesit e gazetës më përfshinë edhe mua që në numrin e parë, ku botova një artikull kundër korrupsionit, do të më përfshinin edhe në Këshillin Botues, dhe pastaj do të isha me “Orën” deri në fundgushtin e vitit 1996, kur gazeta u mbyll, pasi unë shkova në Tiranë tek gazeta Republika.

Shpend Sollaku
Shkrimtari Shpend Sollaku

Numri i parë i Gazetës doli të premten e 20 shtatorit 1991. Faqja e parë kishte dizajnuar në të majtë, Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës – maketi i saj, titulli – emërtues në mes, dhe një njoftim i opozitës, “Miting i Madh” – sigluar nga PD, PR PSD dhe Sindikatat, që do të bëhej pasdite në qytet.
Në faqen e parë gazeta botonte urimin “Udhë të mbarë “Orës…”, poshtë saj ishin vendosur dy shkrimet kryesorë të gazetës, shkrimi i Shpend Sallakut dhe Gëzim Hajdarit: “Demokratë të orëve të fundit”, “Historia si duhej të ishte”, po në faqen e parë ishte një përkthim nga Bujar Xhaferri prej Antuan Fabre D’Olivet: “Fjala është një pemë e madhe”; në faqen e dytë ish deputeti i ndjerë – Izet Shehu, që botonte një shkrim për tokën; përkthyesi i talentuar Seit Selfo sillte shkrimin: “Tatimet e jshtzakonshme të luftës dhe pasojat e tyre”; kurse faqja e tretë sillte shkrime të artit dhe bukurisë. Binte në sy një poezi e shkurtë, por tepër pikante e Albana Kozelit “Diktaturë”: Ja disa nga vargjet:

Diktaturë është;/ Babai im që vjen
Çdo mbrëmje i dehur,/ Këpucët që i fusin ujë,
Dhe xhaketa e tij e shqepur/ …dhe kallot
Dhe rroga e tij/ modeste…
Fytyra e nxirë,/ Sytë e trishtuar,
Diktaturë është…

Në faqen 4 të gazetës binte në sy shkrimi i të ndjerit Vladimir Çuni, edhe pse i radhitur në krah të socialistëve, godiste pa mëshirë krimin, falsitetin, gjithcka që i kundërvihej frymës demokratike…

Gëzim Hajdari
Poeti Gëzim Hajdari

Gazeta deri në prillin e vitit 1992 doli në drejtimin e Shpend Sallakut dhe Gëzim Hajdarit, të ndihmuar nga grupi i republikanëve. Më pas dolën disa numra nën drejtimin e Themi Bellos, Dalip Grecës, Pirro Kices, Astrit Hodos. Pastaj për më shumë se tre vjet e kam mbajtur unë duke patur bashkëpunëtorë dhe ndihmës, krijuesit e Lushnjës, pavarësisht kahjeve të tyre politike.
Gazeta “Ora e Fjalës” fillimisht shtypej në shtypshkronjën e qytetit, më pas u botuan disa numra në Berat, ndërsa prej vitit 1995 deri në fundgushtin e 1996, u shtyp në Shtypshkronjën Eurorilindja në Tiranë.
Në bibliotekën e Qytetit të Lushnjës dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë duhet të egzistojnë koleksionet e plota tw lidhura që i kam dorëzuar me dorën time. Janë botuar rreth 200 numra të kësaj gazete. Nuk e di nëse jam i saktë, por kujtoj se gazeta ishte e përjavshme.
Me këtë shkrim u shpreh mirënjohjen atyre që e krijuan dhe atyre që kontribuan. Gazeta ka fiksuar kronikën e ngjarjeve nga viti 20 shtatori 1991 deri në gusht 1996, kur u botua numri i fundit.
(Marre nga http://gazetadielli)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shpend Sallaku – Noe, ne statusin e tij ka shkruar:
    E vërteta historike dhe rëndësia e gazetës së parë opozitare në rrethe “ORA E FJALES”:

    Rreth daljes së kësaj gazete, me numrin e parë me 20. 09. 1991, është folur pak, dhe në mënyrë të pasaktë. Kam pritur që të tjerët të shkruanin për të. Kam pritur edhe që dikush të korrigjonte shënjestrën, por kjo nuk ka ndodhur. Eshtë shkruar për të si një gazetë që lindi nga një grup personash, sipas mënyrës së sheshimit të vlerave dhe vënien të të gjithëve në të njëjtin plan. Dy janë gjërat më të rëndësishme që dua të theksoj në këto pak rreshta:

    1-Kjo Gazete ishte para dhe e vetmja që bëri propagandën antikomuniste në Lushnje e më gjerë. (Shitej edhe në rrethe të tjera).

    2- Pavaresisht se kush iu afrua asaj me vonë, Ajo u krijua prej meje dhe ndihmës së pashoqe të krahut tim të djathtë Gëzim Hajdari. Unë e drejtova që në fillim, i imponova linjën editoriale, ndërsa Hajdari kish rolin e sekretarit. Shumë të tjerë, edhe intelektualë të rëndësishëm, u lidhën më pas me të. Pak prej tyre idealistë! Ndërsa unë mendoja rënien e strukturës dhe të mendësisë komuniste, të tjerë mendonin përfitimet dhe riciklimin e tyre në kushtet e reja.

    3-Në 25 vjetorin e kësaj gazete shpresoj tʼju sjell një studim më të plotë rreth saj.
    20 shtator 2015

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.