back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Me kohë… poezi nga Jorge Luis Borghes

Gazeta

Jorge Luis Borges (i Vjetri dhe i Riu)
Jorge Luis Borghes (i Vjetri dhe i Riu)

Me kohë…

poezi nga Jorge Luis Borghes

 Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat,
e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata,
as dhuratat s’janë aspak premtime,
e kushdo nis me i pranue humbjet e veta
kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue 
ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.
.
Me kohë kushdo mëson
n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin,
në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt
që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend
dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.
.
Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët
a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë
njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue,
mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër
nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej,
n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.
.
Me kohë keni me e ndje se miqtë e vërtetë janë gjà e rrallë
e kush s’lufton për ta, herët a vonë
ka me mbetë i rrethuem prej miqsish të rrejshme.
Me kohë mësohet se fjalët e thana
n’nji çast zemërimi, munden me ta vazhdue
dhimbjen e me t’plague për tanë jetën.
.
Me kohë mësohet se m’e shfajsue dikënd
njiherit edhe e ke falë, po kjo asht vepër shpirtmdhenjsh.
Me kohë kuptohet që edhe në qofshi të lumtun
me miqtë, nji ditë keni me u përlotë
për njata që ju vetë i keni lanë me shkue.
Me kohë ka me u ba gjithnji e ma e qartë se krejt
ajo përvojë e jetueme me cilindo, asht e papërsritshme.
.
Me kohë ka me ju ra ndërmend se njaj që e poshtnon
o e përçmon nji krijesë njerzore,
herët a vonë ka m’i pësue të njajtat poshtnime
o përbuzje, po tashma n’katror e ka.
Me kohë mësohet krejt harta e labirintheve t’sotme,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt për andrrat.
Me kohë ka m’u kuptue se ushtrimi i trusnisë
mbi gjithçka, veç me i detyrue gjanat me ndodhë,
ka me sjellë në fund të fundit ç’ka ju s’e kishit shpresue.
.
Me kohë ka me u marrë vesh me t’vërtetë
se ma e mira s’ishte e ardhmja, por njaj çasti
që ju jeni tuj i përjetue vetë ndër n’kto vargje.
Me kohë, edhe pse vedin ke m’e pa të lumtun
me krejt ata që t’rrethojnë,
ke m’e kuptue se janë tue t’mungue tmerrësisht
njata që dje ishin me ty, po tash kanë shkue me të shumtit.
.
Me kohë keni me mësue me kërkue falje e me ju kërkue falje,
e me thanë të due e të adhuroj
pse e keni t’nevojshme me thanë se: dishroj t’kem mik,
po kjo para nji vorri, s’ka ma asnji kuptim.
Sepse, për fat të keq, veç me kohë…
për fat të mirë apo të keq, veç me kohë…
Po edhe sa kohë na ka mbetë n’kët ndërdyshje?
Sa kohë na duhet me pritë, që t’jetë e vërtetë kjo gja?
A mos vallë dishrojmë të jetë gjithnji kështu?
 
Përktheu – Jozef Radi, 2 maj 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.