back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Me poetin dramaturg Et’hem Haxhiademi nga Makensen Bungo

Gazeta

Makensen Bungo
Makensen Bungo 

Me poetin dramaturg Et’hem Haxhiademi

nga Makensen Bungo

Në sofrën e madhe të shkrimtarëve shqiptarë të kohës së Pavarësisë Etëhem Haxhiademi zë një vend të nderuar si dramaturg.
Në grupin e atdhetarëve shqiptarë, ai përmendet për ndjenjat e tij të pastra si republikan, për qëndrimin konseguent në luftën për çlirimin e Atdheut dhe për qëndrimin burrëror në burgjet e Diktaturës komuniste. Midis njerëzve, ai është dalluar për shpirtin e tij të pastër dhe zemrën e tij të madhe.
Ne të rinjtë elbasanas, që porsa kishim nisur atëherë rrugën e vështirë, por të bukur të letërsisë, Et’hem Haxhiademin e nderonim dhe e respektonim, veprat e tij i lexonim me endje dhe, si bashkëqytetarë, krenoheshim me të.
Me poetin dramaturg Et’hem Haxhiademi së pari jam takuar në një vizitë që i kam bërë tok me të nipin, në shtëpinë e tij, në fillim të vitit 1946. Më bëri përshtypje pritja e tij e ngrohtë, biseda e lirë që bëri, dashuria dhe interesimi që tregoi për ne dhe udhëzimet që na dha. Dy ishin këshillat e tij: të lexonim sa më shumë dhe të mësonim patjetër mirë një gjuhë të huaj. Duhet të shtoj se gjatë bisedës që bëmë, ai na tha se kur ishte student në Austri kishte shkruar nj roman erotik me titull “Tyrbja e Gocës”, dorëshkrimi i të cilit i kishte humbur gjatë udhëtimit, kur ishte kthyer në Atdhe. E shënoj këtë detaj, sepse deri tani autorët që janë marrë me këtë shkrimtar nuk e kanë përmendur këtë vepër.
Dihet se Et’hem Haxhiademi gjatë diktaturës komuniste ndejti në burg rreth njëzet vjet… Ai u arrestua në vitin 1947, në mes të natës, në shtëpinë e tij, kur ishte duke korrigjuar hartimet e nxënësve, se atëherë ishte emëruar mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit. Nga shtëpia e nisën drejt në Tiranë, ku e mbajtën në hetuesinë e atjeshme muaj të tërë mes torturash të tmerrshme. E akuzuan se kishte riorganizuar organizatën “Balli Kombëtar”. Prej kndej e kthyen prap në Elbasan për ta gjykuar. Kur kryetari i gjyqit ushtarak shqiptoi dënimin e tij me vdekje (si më ka thënë Abdulla Mema, që u dënua në një seancë gjyqësore tok me atë), Et’hem Haxhiademi me plot gojën thirri: “Rroftë Shqipëria!”
Të dënuarit me vdekje, i mbanin me duar të lidhura me pranga, derisa vinte miratimi nga Gjykata e Lartë dhe nuk i torturonin më. Me Et’hem Haxhiademin ndodhi e kundërta. Edhe pse u dënua me vdekje, atë e torturonin vazhdimisht egërsisht, pothuajse çdo natë. Aq shumë e torturuan sa që u dobësua mjaft, sa kur e lejonin të shkonte në banjë, nuk kishte më fuqi të ecte vetë, por mbahej nëpër muret e koridorit dhe, së fundi, kur u dobësua fare, filloi të tërhiqej zvarrë.
Nuk e pushkatuan falë ndërhyrjes pranë Diktatorit të prof. Aleksandër Xhuvanit dhe të prof. Kostaq Cipos.
Në këtë gjendje të rëndë shëndetësore e dërguan nga birucat e hetuesisë në Burgun e Armiqve të Popullit të Elbasanit, ku e mbajtën afër dy muaj me duar të lidhura me pranga hekuri , ditë e natë, pa ia hekur për asnjë çast. Faljen e jetës ia njoftuan shumë vonë .
Mbas një kohe të gjatë që e mbajtën në burgun e Elbasanit, e dërguan në Kalanë e Gjirokastrës dhe pastaj në burgun e Burrelit, ku vdiq me 18 mars 1965, gjashtë muaj para se të mbushte dënimin. Të afërmit e tij dyshojnë se vdekja e tij nuk ka qenë natyrale. Per diktaturën, ky njeri nuk duhej të dilte i gjallë nga burgu.

Monumenti i Kostandin Kristoforidhit Elbasan
Monumenti i Kostandin Kristoforidhit Elbasan

* * *
Në vitin 1991, fillova të mbledh material për të shkruar një monografi për Et’hem Haxhiademin. Kisha lexuar veprat e tij, kisha mësuar mbi veprimtarinë e tij atdhetare, kisha jetuar me të për një kohë të gjatë në birucat e hetuesisë dhe në Burgun e Armiqve të Popullit në Elbasan dhe, mbi të gjitha, kisha një amanet që më kishte lënë ky poet i madh dramatik në çastet më kritike të jetës së tij.
Midis materialeve që mblodha, djali i tij, i madhi, më dha fotokopjen e një letre që Et’hem Haxhiademi i kishte dërguar Lasgush Poradecit, në vitin 1938, me kërkesën e këtij të fundit, sepse donte të hartonte – si më tha i biri – një antologji mbi shkrimtarët më të përmendur shqiptarë të kohws së bashku me biografié e tyre. Ja letra:

E mora në Elbasan, sot me 9 prill 1938
Lasgush Poradeci.

Lasgush Poradeci (1899-1987)
Lasgush Poradeci (1899-1987)

Shënime mbi jetën T’ime

Et’hem Haxhiademi

Kam le n’Elbasan mbë 8 mars 1902. Im at, Emin Haxhiademi, aktiviteti patriotik i të cilit fillon qysh me 1877, d.m.th. përpara Kongresit (Lidhjes) të Prizrenit (sikundër asht permendun dhe nga komisioni i 25-vjetorit në jetëshkrimet e patriotëve të cilët nuk u botuen nga qeverrija) njihet n’Elbasan si bashkëpunëtor i ngushte i Kristoforidhit dhe i dyti patriot mbas atij në vjetërsi në këtë qytet. Prej t’im eti kam mësue mshehtazi gjuhën shqipe përpara shpalljes së Hyrrietit dhe, kur u hap e para shkollë shqipe n’Elbasan mbë 1908, kam qenë i pari nxënës që u shkrue n’atë shkollë. (Shkolla e parë shqipe asht hapun me inisiativen e disa patriotëve elbasanas ne krye të të cilëve ka qene im atë. Kam edhe origjinalin e telegramit të urimit qi i bante asi kohe nga Londra Faik Konica dhe pergjigjen qi i ka dhanë im atë). Si gjithë ata qi merreshin me çashtjen shqiptare dhe im atë përdorte të gjitha librat, revistat e gazetat shqipe qi ishin botue n’atë kohë te rregullueme në nji odë të posaçme ku unë rrija shpesh herë mbasi nxuna shqipen dhe ushqehesha me ato botime të vorfëna por mjaft të pasuna për atë kohë dhe për moshën time të ngjomë.
Nji ditë midis librave më rroku dora dramën e përkthyeme nga turqishtja të Sami Frashërit “Besa”. Si e këndova pak në fillim, më preku mjaft dhe kështu u mbylla në odë deri sa e sosa së kënduemi deri në fund. Aq tepër më pelqeu moshës t’ime të vogël sa qi mbusha sytë me lot .dhe qysh atëhere më ngeli në mendje interesimi për veprat theatrore. Efekti i asaj kohe më ka ngelun edhe sot mbi dramën “Besa” sa qi ndonëse i shoh mjaft të meta kryesore si vepër arti, por prap më pëlqen ta këndoj mbasi ka lidhje me kujtimet e kohës s’ime të kalueme. Nji ditë (do të kemë qenë ndoshta ja 14 vjeç) u ngula në nji tryezë dhe fillova të shkruej gjoja nji dramë natyrisht me subjekt kombëtar si ç’ishte koha. Rrija pra ditë me radhë dhe nga nji herë linja dhe shkollën pa e frekuentue. Kur më pyetshin njerzit e shtëpisë ç’ka baja, nuk dëftenja. Në fund mbas afër dy muejesh e sosa dramën(!) t’ime dhe kryenalt për punën qi kishje ba ja tregoj t’im eti, i cili ishte i aftë prej nature për të gjykue. Kur iu afrova pra dhe i thashë se kishja shkrue nji dramë, me priti me nji buzëqeshje ironike dhe as nuk deshi t’a këndojë, por ma vonë lutjet e momës s’ime më nji anë dhe kurioziteti i tij mbë t’jetrën anë filloi me e këndue. Zemra e ime rrihte dhe prisja me padurim gjykimin e tij. Në funt më thirri po këtë radhë jo me qeshje ironike dhe më thotë se un ishja akoma i ri dhe se me shkrue nji vepër dramatike nuk asht nji punë e vogël për çuna. Un pra duhesh ma parë të mbaroja shkollën, të studjoja veprat dramatike të poetenvet të mëdhenj të huej dhe pastaj të bija në prehnin e theatrit. Pra kjo qi ke shkrue, më thotë i ndjeri im atë, asht gja për të qeshun dhe meriton të digjet. Kur ndëgjoj këto fjalë prej tij u idhnova shum. E mora të ashtuquejtunen veprën t’ime dhe së pari e rueja me kujdes midis librave te mija, por ma vonë u binda në këshillën atnore dhe nji ditë e dogja. Me gjithë këte dëshira e ime e jashtzakonshme për t’u ba autor dramatik nuk u shue kurrë prej zemrës s’ime.
Në shkollë vinja mjaft mirë. Të gjitha landët e mësimevet i ndiqja me interes. Qysh prej së vogli e deri sa lashë Atdheun e ika jasht për të studjue, vit për vit dilnja i pari i klasës. Mbë 1919, shkova n’ Itali, në qytetin Lecce. Kemi ndejtë në nji konvikt ja 60 shqiptarë përveç italjanëve dhe unë pregatitesha për vitin e katërt të gjymnazit, kurse të t’jerët shqiptarë klasa ma të ulta. Kur do të epeshin provimet në fund të vitit ka qenë koha ma e disfavorshme për shqiptarët, të cilët urreheshin nga italjanët nga shkaku i luftës së Vlonës. Në fund të provimeve vetem unë e kalova klasën nga të gjithë shqiptarët, gjithë të tjerët mbeten nga nji a dy lëndë. Për të vërtetue fjalën t’ime mund të pyetni z. (emër i palexueshëm) i cili ka qenë nji nga shqiptarët qi pregatitesh për klasën e dytë të gjymnazit dhe ngeli edhe ai për vjeshtë si gjithë të tjerët. Pra, po qe i ndershem, ndonëse me ka armik, duhet të thotë të vërteten. Në Lecce kishja nji profesor mjaft te zotin qi më pregatiste për gjuhën latinishte. Kur nji ditë po me pregatiste për shkollë ‘Bukoliket’ e Virgilit pa që u impresionova mjaft për bukurin e veprës. Më pyeti me buzëqeshje në se më pelqen. I thashë se kur ta mësoj mirë gjuhën latine do t’a kthej këte vepër në shqipet. Dhe me të vërtetë mbas tre vjetësh u mora me kthimin e Bukolikeve të Virgilit të cilën e ktheva jo krejt veprën në versin origjinal, në heksameter. Si bazë për përdorim të heksametrit në shqipet mora për model përkthimin e Bukolikeve në gjuhën gjermane nga Vossi, i cili asht po në heksameter, tyke marrë për daktila e sponde jo si te vjetrit gjatësin e rrokjeve, por theksat. Këto lloje heksametra në bazë të rrokjeve në gjermanishten (si ç’e dini edhe ju) perveç Vossi-t në përkthimin e Homerit e të Virgilit e përdori edh Goethe-ja në ‘Hermanin und Dorothea’. Pra me përkthimin e Bukolikeve unë besoj se bana dy sherbime: 1)Jam i pari qi ktheva ne shqipet nji poet latin, 2)Jam i pari qi përdora në gjuhën shqipe heksametrin si mbas modeleve qi përmenda ma siper. (Rreth përdorimit të heksametrit nga unë shih edhe gazetën ‘Demokratia’ të Gjirokastres Nr. 453 datë 3 mars 1935).
Klasat e sipërme të gjymnazit i ndoqa n’Austri. Në Tirol bana edhe maturën dhe hyna me dieni të plotë të literaturës greke e latine. Autorët grekë e latinë nuk u kënduen prej meje sa për të kalue klasën si ç’e bajnë shumica e studentëve, por me etje të madhe. Mbasi dienia e gjuhës greke nuk më mjaftonte për autorët e nanës, si kulture përdorja edhe përkthimet në gjuhën gjermane.
Mbë 1924, ndodhesha në Berlin dhe ndiqja mësimet universitare n’atë qytet në fakultetin (fjalë që nuk lexohet) kundra dëshirës s’ime dhe si mbas dëshirës së prindëvet. Në këte kohë pothue se njihja mirë jo vetëm literaturën greke e latine, por edhe literaturën gjermane, franceze e italjane dhe prej anglishtes Shakespeare-n, këte të fundit me përkthimin e (emër i palexueshëm ).
Nji ditë tyke këndue ‘Odyseen’ e Homerit pashë se Homeri e sillte fundin e veprës deri ke mbarimi i peripetive të fatozit t’Ithakës. U interesova të gjenje se ç’ka ka qene fati i këti fatozi mbaskëndej dhe gjeta në (fjalë që nuk lexohen) se Ulisi qenka vra prej të birit Telegon pa e njohun t’an i shtërnguem nga fati. Kjo landë m’interesoj për të trajtue tragjedinë t’ime të parë ‘Ulisi’ tyke besue se asht adapte për të dalë nji tragjedi në frymën e Eskilit. Ky subjekt me sa kam hetue nuk asht përdorun deri më sot nga ndonji shkrimtar, vetëm se Aristoteli përmend në veprën e tij ‘Poetika’ se kjo landë ka qenë trajtue nji herë nga Sofokliu në veprat e humbuna. Atëherë historija greke, kultura greke dhe veçanërisht tragjeditë e Eskilit, Sofokliut e Euripidit më kishin marrë zemren, më kishin ba për vete. Vrapova pra dhe shkrova tragjedinë t’ime të parë ‘Ulisi’ tyke e punue dhe ripunue mjaft kohë. Heren e parë desha t’i ve edhe kore, por ma vonë tyke besue se koret nuk mund t çfaqen në sqenë, i lash e sikundër i lanë edhe shkrimtare të tjerë që ndoqen gjurmët e tragjikëve grekë si Corneille, Racine deri edhe Goettheja në ‘Ephigenie auf Tauris’. Si vers pëlqeva pesëkambat jambike të (fjalë që nuk lexohen) por u vuna rimë për t’i dhanë ma muzikë dhe i influencue nga Corneille e Racine. Ndërtesën e tragjedisë e thura si mbas theorisë aristotelike tyke përdorun të tri njisitë si klasikët francezë e grekë. Vërtet, se sot njisitë aristotelike kanë vetëm nji vleftë historike por më duket se në tragjeditë me subjekte të vjetër kanë mbetun prap si nji stoli. Dhe Goetheja që ka qenë nji ndër kryengritësit e Sturm und Drang në veprat e tij dramatike të djalëris, por kur shkroi ‘Iphigenin’ në moshën e mavonshme si mbas subjektit përdori të tri njisit. Landa e tragjedis s’ime ‘Ulisi’ asht lufta e njeriut me fatin. Çka asht thanë nga oraklli do të përmbushet dhe njeriu nuk ka si shpeton. Këtë tregon edhe Sofokliu në “Edipi mbret”, këte dhe Shilleri (fjalë që nuk lexohen) këte edhe unë te ‘Ulisi’.
Në vitin 1926, erdha të vazhdoj mësimet ndë Vjenë, mbasi në Berlin me daljen (fjalë që nuk lexohen) u shtrejtue jeta sidomos për mue qi nuk kishja subvencion nga shteti dhe më mbante shtëpija. Nji ditë më erdhi në mendje të thur nji tragjedi të dytë me protagonist kryetrimin e ‘Iliadës’ së Homerit. Edhe ‘Iliada’ e çon Akilin deri sa vret Hektorin (fjalë që nuk lexohen) gojdhanën se Akili asht vra nga Paridi tyke e gabue Priami se do ta bante dhandërr e do t’i japë të bijën Poliksenin me të cilën Akili kishte dashuni. I hyna pra punës dhe mbas shumë punimi dhe ripunimi në sistemën e ‘Ulisit’ doli tragjedija e ime e dytë ‘Akili’. Shpirti i tragjedisë ‘Akili’ asht ahmarrja. Çdo njeri qi vret sado i fortë me qenë në fund do ta pësojë. Nji mendim të tillë e gjejmë dhe ke ‘Agamemnoni’ i Eskilit dhe ‘Elektra’ e Sofokliut.
Këtu në Vjenë bashkëpunova dhe me revistën ‘Djalërija’. Asht e dyta revistë ku bashkëpunoja rregullisht. Për herën e parë kam bashkëpunue në ‘Kopështin letrar’ me 1918 qysh në moshën 16 vjeç, natyrisht me sende të lehta. Në ‘Djalërija’ botova dhe vjershat e mija të parat lirike. (Shih Nr. 1, voll. II, viti VIII datë Maj 1927). Ma e bukura e kësaj në këte numër asht ajo me titullin ‘Galates’. Kjo asht nji elegji për nji vajzë të vdekun. (Më ke shkrue në letër dhe për shënime (fjalë që nuk lexohen) ke ndoji vetë dhe merr ato qi të pëlqejnë). Vdekja e nji vajze qi e dashunoja nga lark më tronditi dhe kështu i bana nji përmendore të vogël këtë elegji me titullin e nji emni magjepes ‘Galates’.
Në fund të vitit 1927, u ktheva në Shqipni dhe mbë 1928, u emnova nënprefekt në Lushnje. Këtu tyke këndue nji ditë Plutarkun m’interesoi landa e Aleksandrit të Math se si u ba mbret dhe se si u vra ati i tij Filipi nga rivaliteti i dy grave të tij. Pra mbas nji kohe të gjatë pune doli tragjedija ‘Aleksandri’, tragjedija e tretë nga numri, por e para nga vlera, mbassi te ‘Ulisi’ e ‘Akili’ njihen ende gjurma djalërije. Mbe 1930, kur u banë garat teatrale në Tiranë, grupi filodramatik i Elbasanit çfaqi ‘Aleksandrin’ t’im dhe mori çmimin e Mbretit. Ndonse grupi i Shkodrës dhe i Korçës qenë të pregatitun ma mirë ne pikëpamje sqenike, por si ç’thoshte edhe gazeta ‘Ora’ atëherë çmimin Elbasani e fitoi vetëm nga vepra e bukur qi çfaqi.
Tragjedija ‘Aleksandri’ asht tragjedija e rivalitetit. Tregon se dy gra shemra me nji burr ku e çojnë nji familje dhe në ç’fatkeqsi.
Mbë 1933 e deri mbe 1936 ndodhesha në Gjirokastër si krysekretar i Prefekturës. Mbë 1933, atje shkrova idilin ‘Nymfat e Shkumbinit’, të cilin e botova n’ ‘Illyria’ Nr. 4, datë 25 mars 1934 dhe Nr.5 , datë 1 prill 1934 . Nymfat dhe Muzat e Greqis së Vjetër i solla nga Parnasi në Shkumbi qi të lahen dhe të këndojnë nëpër pyjet gjatë buzës së tij gjersa gjahtarët shqiptarë qi nuk kuptojnë vlerën e kangës së tyne i rrëmbejnë. A nuk asht kjo nji ndodhje shqiptare?!
Prap po në Gjinokastër tyke këndue jetën e Pirros nga Plutarku trajtova mbë 1934, tragjedin e katert ‘Pirrua’. Kjo asht vepra ime ma e dashun dhe kam besim të patundun se do të mbesi për shumë kohë kryevepra e Melpomenës shqipe. (Ju lutem ta këndoni krejt). Këtu prap shkrova Elegjin ‘Nata e zezë’ botue n’ ‘Illyria’ nr. 8 datë 29 prill 1934. Këtu vajtoj vdekjen e nanës s’ime të cilën e kam dashun ma tepër se çdo gja në këtë botë. Shkrova po këtu odën ‘Naim Frashërit’ botue n’ ‘Illyria’ nr. 16 datë 24 qershor 1934. Në këte ode lavdoj vlerën e Naimit si poet e patriot dhe u thërras shqiptarëve (ma i pari e baj këtë) të merren eshtnat e këtij njeriu të math e t’i sjellin n’Atdhe. Shkruej ma vonë poemthin ‘Lufta e dragonjvet me kuçedren’ botue n’ ‘Illyria’ Nr. 22 datë 14 shtator 1935. Tyke marrë për bazë gojdhanën popullore se kur bie shi dragonjt luftojnë me kuçedrën, perpilova këte poemthë si balladë.
Prej vjershave të mija lyrike vetëm këto po të përmend se shumica s’e kanë pa dritën e botimit. Tani së shpejti do t’i nxirr në nji vëllim të posaçëm, por për veprat e mija dramatike meriton të bisedohet ma ndryshe. Mbë 1935, shkrova tragjedinë ‘Skënderbeu’. Kjo asht tragjedija e zilisë. Zilija sjell tragjedin individuale dhe tragjedin kombëtare si ç’asht kjo e shtjellueme në tragjedin t’ime ku nuk tregohet vetëm tragjedija e Skënderbeut, por e krejt popullit shqiptar.
Mbë 1936, shkrova tragjedin e gjashtë ‘Diomedi’. Kjo asht tragjedija e dashunis. Dashunija asht e papërkulshme. E shkuemja në rrugë të kundërt sjell at ma të tmerrshmen sa të vrasë i vllai të vllan, si ç’ngjet në tragjedin t’ime.

Virgilio - Bucoliche
Virgilio – Bucoliche

Përshkurtazi dhe si mbas porosis tande në dhitë faqe kjo asht jeta e ime artistike. Në letret qi më dërgoje ma tepër u jipje randësi poezive lyrike. Por tek mue randësija ma e madhe asht te tragjedit e mija. Dramatika ka gjetë mbarimin tek unë sikundër ka gjetë lyrika ke ti e novelat ke Koliqi. Pra tragjedit e mija: 1)‘Ulisi’; 2)‘Akili’; 3)‘Aleksandri’; 4)‘Pirrua); 5)‘Skenderbeu’; 6)‘Diomedi’, ndonse t’i përshkrova shkurtimisht mbrendit e tyne, por po deshe nji mendim të sakët duhet t’i këndosh, sidomos katër të fundit dhe veçanërisht ‘Pirrua’ që, si t’a thashë ma nalt asht vepra e ime ma e dashun. Në të gjitha tragjedit mija asht përdorun po ajo teknikë qi të përmenda ke ‘Ulisi’, po ai vers, dhe po ajo thurje dramatike. Si mbas kërkesës tande me postë po të dërgoj 6 tragjeditë dhe ‘Bukoliket’. Për vjershat lyrike ju kam kallxue gazetat dhe revistat ku janë botue deri sa nuk kanë dalë të botueme si libër. Vetëm 5 vjersha të kam shënue se të tjerat nuk janë botue as në gazetë. Po ato të pesta nuk janë vetëm vjersha, por mund të them sa janë poemtha të gjata. Vetëm ‘Galates’ asht nji elegji e shkurtën.
Tani do të shohim gjykimin qi do të bani ju vetë. Simbas porosis tande 10 faqesh po t’i dërgoj shënimet. Si t’i këndoni këto dhe veprat qi po ju dërgoj, besoj se unë nuk jam ne takamin e (fjalë të pa lexueshme) me shokë, por jam në degën e dramaturgjis si ç’je ti në lyrikën dhe Koliqi në novelat. (Dy rreshta të palexueshëm). Kurr nuk e kam pasë zakon ta mburr veten, por vetëm se m’i kërkove ti po t’i dërgoj.
Ji i drejt në gjykimet. Pra të fala.

Elbasani - Kulla e Sahatit
Elbasani – Kulla e Sahatit

* * *
Kjo është letra, të cilën unë po e botoj pa asnjë ndryshim. Unë nuk e di nëse kjo letër është botuar më parë në ndonjë organ, as edhe nuk e di se ku ndodhet origjinali i saj. Unë po e botoj për të ndihmuar biografët dhe studjuesit e ardhshëm që do të merren me jetën dhe krijimtarinë letrare të tij. Po për këtë qëllim unë po botoj edhe këto pak shënime mbi vuajtjet e këtij shkrimtari në hetuesinë e Elbasanit, të cilat janë më se të vërteta, sepse kam qenë vetë në hetuesi në atë kohë.
Me këtë rast dua të kujtoj qytetin e tij për vlerësimin e nderimin që duhet t’i bëhet figurës së këtij poeti dhe atdhetari të shquar. Elbasani ka monumentin e atdhetarit dhe gjuhëtarit të madh Kostandin Kristoforidhi, ka gjithashtu monumentin e atdhetarit Aqif pashë Biçakut, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, ka bustin e atdhetarit dhe filantropit Ali Agjahut, ka bustin e atdhetarit, gjuhëtarit dhe mësuesit Aleksander Xhuvanit, pse të mos ketë, midis tyre, përballë nymfave të Shkumbimit, edhe monumentin e atdhetarit dhe poetit dramaturg Et’hem Haxhiademi?
(Marre nga http://gazetadielli.com/ 30 qershor 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.