back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Me qenë poet… poezi nga Florbela Espanca

Gazeta

Nji rrugice ne Lisbone
Nji rrugice ne Lisbone (foto Y. Demneri)

Nji poezi e shkruar mbi mur t’nji qoshe rruge…

nga Jozef Radi

Për t’u larguar paksa nga toksifikimi poetik ma i fundit, i cili si nji ortek përfshiu krejt shoqërinë shqiptare nga qytetarët e rëndomtë te mediat, te shtypi, botën virtuale, opinionet… edhe të fëmijve deri edhe krejt shtetin, … po shetisja krejt rastësisht fotot ma të reja të faqes së nji mikut tim, Ylli Demnerit, mbas nji vizite që ai kishte bërë në Lisbonë… Mbas çdo fotoje, (edhe pse pa shënime informuese), gjeta rast ta shihja Lisbonën me sytë e nji shkrimtari dhe intelektuali, i cili veç pak ditë më parë më kishte dhënë kënaqësi të veçantë me leximin e librit të tij të fundit: “E dashur A…” për të cilin gjeta rast dhe e përgëzova, po edhe sot ia përsëris përgëzimin ndaj atij botimi aq delikat…
Ndër fotot që i kaloja me klik, ishte njera që ma tërhoqi veçmas vëmendjen… Nji poezi e shkruar në nji kthesë rruge me titull “Ser Poeta” e firmosur nga emri i nji poete krejt e padëgjuar prej meje e quajtur Florbela Espanca…
U ndala dhe u përpoqa ta marr vesh, aq sa mund ta merrja vesh… portugalishten!!!! Që në vargun e parë ndjeva nji tërheqje të menjihershme, pse lidhesh me të qenit Poet, e që aq shumë më kujtoi vizitat e mia në Recanati, qytetin e Leopardit, ku gjithkund nëpër mure e tij gjen të gdhendura vargje të famshme të poezive të tij, me ndryshimin se aty poezia dhe figura e poetes futesh te kategoria e Grafiteve, nji komunikim i ri i artit të pikturës murale të rrugës me qytetarin. Dhe drejt me thënë, ndjeva mjaft kënaqësi!
Imagjinova poezitë e ndonji poeti shqiptar të shkruara në mure rrugicash apo pallatesh, në vend të atyre bojatisjeve politike dhe marrëzive pafund që i bëjnë shpesh muret e qyteteve tona të ndjehen me turp e me dëshirë të rrëzohen prej sikletit… Si duket, – mendova – ne ende jemi larg kësaj magjie, dhe ndoshta do të na duhet kohë t’i mbetemi viktima të leximit të politikës murale o në mos “vrimave” të rishta që mund të shfaqen ndër mure, si nji fenomen i ri komunikimi (aq i përkrahur nga politika), e të jemi të detyruar ta kthejmë kokën anash kur të jemi me nënat, motrat apo me fëmijë të mitur…
I lashë hamendësitë mënjanë dhe hyra në shpirtin e kësaj poezie të shkruar në mure të Lisbonës… dhe po ju a sjell ashtu… si të nxjerrë nga muri me krejt atë shpirtin magjik që duhet të ketë misioni i Poetit ndaj njerëzve dhe kohës; si misioni i atyre poetëve shqiptarë që  shpesh i kemi parë të varur, të pushkatuar, të sharruar e të masakruar… ndërsa ne ngjisnim në lavditë e epërme ata “poetë” që shkonin dashuri të përjetshme me gjithë llojet e pushteteve, e që mbasi kanë realizuar vjeljen më të begatë të privilegjeve, e që edhe ata vetë nji ditë e gjejnë “befas” forcë për t’i quajtur ato regjime që u kanë shërbyer me aq zell: regjime kriminale…
Mendoj se është tejet vonë për ta mbrritur atë lavdi që ata ia kanë projektuar dhe ia pretendojnë vetvetes… sepse kjo poezi e shkruar në nji qoshe rrugice në Lisbonë, sigurisht ka parasysh nji tjetër imazh poeti dhe jo atë puthadorin e regjimeve…
Dhe kështu i dola në krye përkthimit të këtyre vargjeve me shpresën se roli i Poetit dhe i Poezisë, jetojnë në shpirtin e kohës dhe të lexuesve, që një ditë duke e shkruar edhe në muret e së përditshmes sonë do ta bëjnë poezinë e vërtetë të papushkatueshme!!!!
23 dhjetor 2015

Grafite - Florbela Espanca (foto Y. Demneri)
Grafite – Florbela Espanca (foto Y. Demneri)

 Me qenë poet…

poezi nga Florbela Espanca

Kët përkthim ia kushtoj
poetit 31 vjeçar Trifon Xhagjika,
në 52 vjetorin e pushkatimit… j. radi

Poet domethanë me qenë ma i nalti, ma i madhi
ndër tan’ njerzit. Edhe kafshimi yt me u ndje si puthje!
Asht si me qenë lypës e me dhurue gjithçka, si t’ishe
mbret mbi mbretën, këndej e përtej dhimbjes!

Asht si me pasë ndër njimijë dëshira shkëlqimin
e mos me e dijtë as ti vetë se ç’ka dëshiron
Asht si me pasë mbrenda vedit hyllin që flakërin
me pasë flatra dhe kthetra si të Condorit!

Asht si me pasë uri, si me e pasë etje Pafundsinë!
me pasë përkrenare, mëngjeset e arta e t’mëndafshta…
me e shkri krejt botën n’nji ulërimë të vetme,

dhe me u ndje i dashunuem deri në vetmohim…
Me qenë ti shpirti, gjaku dhe jeta mbrenda çdokujt
dhe m’e dëshmue kët gjà tuj i këndue botës mbarë…

(Përktheu Jozef Radi, 23 dhjetor 2015)

Egon Schiele - Poeti - 1911
Egon Schiele – Poeti – 1911

Ser Poeta – Florbela Espanca

Ser poeta é ser mais alto, é ser maior
Do que os homens! Morder como quem beija!
É ser mendigo e dar como quem seja
Rei do Reino de Áquem e de Além Dor!

É ter de mil desejos o esplendor
E não saber sequer que se deseja!
É ter cá dentro um astro que flameja,
É ter garras e asas de condor!

É ter fome, é ter sede de Infinito!
Por elmo, as manhãs de oiro e de cetim…
É condensar o mundo num só grito!

E é amar-te, assim, perdidamente…
É seres alma, e sangue, e vida em mim
E dizê-lo cantando a toda a gente!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.