“Me rrena nuk shkohet në parriz…”
refleksion nga Albert Bikaj mbi JO-në e negociatave me BE
Para ca ditësh, Shqipëria u refuzua nga BE-ja dhe natyrisht reagimet janë të ndryshme dhe kuptueshme. Qytetarët e thjesht janë të pakënaqyr, me të drejtë të nevrikosur, edhe kjo kuptohet, po qeveritarët dhe vasalët ç’kanë? Po të hapësh facebook-un, portalet apo televizionin gjithandej do shohësh reagime gjoja me frymë nacionaliste. Për mendimin tim, nga të gjitha komeditë përreth, nuk ka gjë më komike se nacionalizmi i sforcuar i “rilindasve” mbasi morën lajmin e refuzimit nga BE-ja. Persona të caktuar, që të kujtojnë personazhe romanesh absurdiste, që përballë dështimeve, disa nga ata duan t’ia kujtojne BE-së të kaluarën e lavdishme para 400-500 vitesh, gjoja për të dëshmuar lidhjet e vjetra me kulturën europiane. E ku ka më absurde se kjo? Gjendja e rilindasve tanë është migjeniane, qeveria shqiptare përballë dështimeve te veta BE-se i drejtohet me: “A do Skënderbe, zotni? A do stratiotë, zotni?” Fatmirësisht, krerët e shteteve të BE-se nuk janë budallenj. Këta “rilindasit patriotë” të Skënderbeut, s’e kanë fare problem të flirtojnë me Erdoganin apo të tregojnë haptazi nostalgji për pushtuesit turko-osmanë, të cilët meqë bie fjala çdo herë që takohën i quajnë vëllezër. Shenjë tjetër e nacionalizmit rilindas është dëshira e madhe për ta rilindur miqësinë me miladinët e rinj, të cilët jo vetëm që mohojnë krimet e kryera në Kosovë, por pa pikën e turpit këmbngulin deri në fund ta ripushtojnë. (Të mos keqkuptohemi, nuk jam apologjet i folklorizmit, marrdhënia e mirë me Turqinë dhe me fqinjët është më se e nevojshme, por gjithmonë në reciprocitet, cilado palë qoftë kjo.)
Por tashmë është e dukshme sa shumë e dashkan atdheun, aq sa të rinjëve dhe të moshuarve po ua përmende emrin Shqipëri, nuk u bien ndërmend votra as malet, por u kujton “kulmin e dëshpërimit”. Dhe me thënë të drejtën, nuk kanë faj. Ekonomia, drejtësia dhe arsimi nëse nuk mund të thuhet se janë pertokë, janë gati-gati të shembën. Qeveria është e uzurpuar nga njerëz të korruptuar, ndër ta, si erëz speciale, kanë edhe nga ata të kohës së diktaturës. Enveristët dhe pasardhësit e tyre (biologjikë apo ideologjikë) zotërojnë kudo, kjo është ana tjetër e historisë – për të cilën nuk besoj se ua ka ënda të flasin e aq më pak të dëgjojnë. Nuk kanë se si, vetë kryeqeveritarët janë ndër ta. Jo më larg se 3-4 muaj më parë kërcënuan se do mbyllnin Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Që të mos flasim për lirinë dhe korrpuptimin ose kontrollimin e mediave. Përveç ofrimit të historisë, është e kotë që BE-se t’i ofroni martesa të paqëna apo liri për vrasjen e foshnjeve në bark të nënave – këtë të fundit skeni pse ta bëni. E dini pse? Për aq kohë sa të jeni në pushtet, keni për t’ua vrarë idealet dhe ëndrrat menjëherë mbasi të lindën.
Të dashur shokë patriotë, është e kotë të përmendni Konstandinët e antikës dhe Skënderbenjtë e mesjetës; sot, çdo bashkëkombas i suksesshëm, suksesin e ka arritur nëpër shtete të perëndimit, sepse qeveria në atdhe nuk u ka ofruar asgjë tjetër përveç valixheve. Ju mund të vazhdoni po deshët me retorikë të shterpë, por siç thonë në Malësi të Madhe: “Me rrena nuk shkohet në parriz”
.
Albert Bikaj, politolog
.