back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 18 Nëntor, 2024

Me Visar Zhitin, vizitë në shtëpinë e Walt Whitman – nga Dalip Greca

Gazeta

Visar Zhiti 2013
Visar Zhiti 2013

Me Visar Zhitin, një vizitë në shtëpinë e Walt Whitman

nga Dalip Greca/Dielli-Arkiv

Krahas programit që kishin ndërtuar ftuesit e Visar Zhitit, (Albanian Freedoom House) dhe mikpritësit e tij në New York, Zef Balaj (sponsor) dhe Esat Çoku, bashkëvuajtës në burgun e Spaçit, tek i cili Visari bujti për katër ditë, ai e kishte kumtuar një dëshirë që nga Tirana: Dua të shkoj të vizitoj Shtëpinë muze të Whitmanit.
Dine Dine së bashku me të birin Ervisin, i kishin marrë masat. Pas vizitës në Vatër, të shtunën me 16 shkurt, me dy makina, u nisëm drejt Shtëpisë muze, që ndodhej në 330 Mickle Bulevard (e njohur edhe si Martin Luter King Jr. Bulevard, Camden NJ. Plot 170 kilometra rrugë. Visari udhëtoi me Dinen dhe të birin e Dines, Ervisin, ndërsa ne, me Esat Çoku, udhëtuam në makinën e Zef Balës. Një aksident trafiku në mesrrugë e zgjati kohën e udhëtimin. Ervisi e shmangu autostradën duke përfituar nga njohuritë për zonën, udhëtoi nëpër rrugë lokale, ndërsa Zefi udhëtoi në autostradë. Gjithsesi Visari kishte përfituar në ato pak minuta të vonesës tonë duke soditur shtëpinë dhe duke mbledhur “Fije bari”, titulli i librit të famshëm të Walt Whitman, odiseja e të cilit zgjati më shumë se tri dekada, që nga botimi i parë e deri tek i fundit, që u botua 33 vjet pas të parit, më 1891. Përmes njoftimi të publikuar dy muaj para vdekjes, në janar 1892 në Herald New York, poeti i madh Walt Whitman njoftoi se ky botim, siç quhet ndryshe dhe edicioni në shtratin e vdekjes, i shfuqizon të mëparshmit. Kishte nisë botimi në vitin e largët 1859, një libër i vogël me vetëm 12 poezi, dhe rrugës orteku, ishte rrokullisur e rritur me shpirtin e poetit dhe botim pas botimi, 1855, 56, 60, 67, 71-72, 1881, 88-89, deri tek 1891-92, libri peshonte në vlerë dhe në volum, kishte plot 400 poezi botimi i edicionit në shtratin e vdekjes.
.
Zef Balaj, Visar Zhiti,  Dine Dine
Zef Balaj, Visar Zhiti, Esat Coku, Dine Dine – shtepia e Walt Whitman
Whitman është poeti që la gjurmë jo vetëm në fushën e poezisë, ai quhet dhe “bardi” i Demokracisë. Ishte poet, eseist dhe gazetar, provoi të punonte mësues, punë zyre, ndërsa fillimet i pat edhe si ndihmës në shtypje gazetash. Pat lindur në 31 maj 1819 në West Hills, Huntington, Long Island, New York.
Krijimtaria e Whitman i thyen kufijtë e formës poetike tradicionale. Ai përdori imazhe të pazakonta dhe simbolet në poezinë e tij. Whitman shkroi hapur për vdekjen dhe seksualitetit, duke përfshirë dhe prostitucionin. Ai është etiketuar shpesh si babai i vargut të lirë, edhe pse ai nuk e shpiku atë.
Whitman vdiq më 26 mars 1892. Autopsia zbuloi se mushkëritë e tij ishin bërë copë, funksiononin vetëm me një të tetën e kapacitetit. Shkaku i vdekjes është shënuar zyrtarisht si “pleurit në anën e majtë, konsum i mushkërisë së djathtë, tuberkuloz, dhe nefrit parenchymatous.” Whitman kishte abuzuar me alkoolin që në rini. Madje në gjendje gjysëm të dehur, ai pat shkruar dhe një roman, të cilin e pat përfunduar për pak ditë, por më vonë nuk ndjehej mirë, që ishte autor i tij.
Vdekja e Whitmanit tërhoqi shumë njerëz. Arkivoli u vendos në Camden, shtëpinë e tij. Mbi njëmijë njerëz e kanë vizituar për tre orë, ndërsa kurorat me lule ishin të panumërta nga adhuruesit. Katër ditë pas vdekjes, ai u varros në varrin e tij, mauzole, në varrezat Harleigh në Camden, ndërtimin e të cilit e pat ndjekur vetë dhe pat shpenzuar për të 4 mijë dollarë.
.
Visari ne shtepine e Walt Whitmanit
Visari ne shtepine e Walt Whitmanit
Ndërsa çoja ndër mend se ç’kisha lexuar rreth Whitmanit, në shtëpi ruaj përkthimin e Skënder Luarasit, botim i vitit 1959, zëri i Visari sikur më shkund:
-A e di se e kemi pasur edhe në burg “Fije Bari” të Whitmanit?
Po që, në biblioteka e librari e vendosnin tek stenda e librit bujqësor, e dini? Mos u çudit. Po, po, i shpëtoi diktaturës nga injoranca Whitmani. E kishin klasifikuar në stendat e librit bujqësor. Ishte lejuar botimi me “urdhër” nga Moska, në të gjitha vendet ish-komuniste, përfshi dhe Shqipërinë, kohë kur qe liruar për pak kohë çensura, por kur u shtërngua sërish dhe autorë të tjerë që ishin botuar në të njëjtën kohë u ndaluan po me urdhër, në Shqipëri Whitmani pati fat, se e klasifikuan libër bujqësor!
Disa fotografi në hyrje të shtëpisë muze të Whitmanit, fiksojnë vizitën e Visarit dhe ne shoqëruesëve të tij.
Duke u ndarë me shokun e prangave, Dine Dinen, duk buzqeshur, ndërsa në dorë shëtrngon barin e mbledhur rrotull shtëpisë muze, Visari i thotë:
-Ia vlente të udhëtonim 170 kilometra për të ardhur deri këtu, qoftë edhe për këto fije bari, për këtë shtëpi ku pushoi së rrahuri zemra e poetit të madh.
-Natyrisht që ia vlente…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.