back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 66, në Koleksionin e Piero Voltolina – nga Lutfi Alia

Gazeta

Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 67
Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 67

Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 66,

në Koleksionin e Piero Voltolina

nga Lutfi Alia

Medaljoni i tretë
me portretin e Gjergj Kastriotit,
i renditur me numër 67,
në veprën e Piero Voltolina,
është prodhuar në Romë.[5]
Në skedën historike Voltolina shkruan:
Giorgio Castriota Scanderbegvs (1403-1468)
Condottiero – Eroe Nazionale Albanese.
.

Medaljoni Nr. 66

Georgivs Castriota Scanderbegvs: Gjergj Kastriota Skenderbegus:
 
Skeda teknike e medaljonit Nr. 66
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Roma. Diametri: 37,4 mm
Prodhuar me derdhje.
Metali: AE – MC, Venecia
Faqia e pasme: lishio
 
Bibliografia e medaljonit.
Koleksion i Piero Voltolina-s.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan S. Noli, Scanderbeg, Argos, Lecce 1993
 
Për medaljonin Nr. 66, Voltolina bën këtë përshkrim: Busti nga ana e majtë, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara, i veshur me mantel të prodhuar me stofë të shtrenjtë.
Medaljoni është prodhuar në një punishte argjendarie në Romë. Metali i prodhimit ishte blerë në Venecia dhe përbëhej nga përzierje metalesh, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje të linkotës, e derdhur në formën sipas modelit të parapërgatitur. Medaljoni është rrumbullak, me buzën të zbukuruar me granula të imta, në formë të një kurore elegante.
Portreti është punuar me plastikë të spikatur, me shprehje të tipareve të fizionomisë të Gjergjit; evidentohet profili i fytyrës, hunda shkabë, lehtësisht spikasin buzët, veshi dhe sytë, ndërsa mustaqet dhe mjekra e gjatë janë punuar në bllok kompakt, pa detaje e pa ondulacione, njëlloj si portreti Nr. 66. Busti shtrihet deri në buzën e poshtëme te medaljonit, madje e ndërpret qarkun me granula. Kjo teknikë punimi e bustit të Gjergj Kastriotit ndryshon me të gjithë medaljonet e tjerë.
Emri është në latinisht, i gdhendur me shkrim kontinua (pa nderpreje) e ne fund mbyllet me dy pika: GEORGVSCASTRIOTASCANDERBEGVS:
Emri dhe mbiemri janë vendosur në sfond të sheshtë, brenda qarkut me granula, ndryshe nga medaljonet e tjerë, që e kanë emrin dhe mbiemrin, në kornizë të ngritur në riliev rrethor në periferi.
Megjithë ngjashmëritë, medaljoni Nr. 66, ka disa veçori dalluese, si p.sh, metali i përdorur është më cilësor, se ka përmbajtje të lartë argjendi, ka diametër rreth 1 cm më të vogël se ai me numër 66, dhe teknikisht është më cilësor, ku evidentohen dukshëm tiparet fizionomike të portretit të Heroit. Nga ana tjetër, artisti e ka punuar bustin në përmasa më të mëdha, të shtrirë deri ne buzën e poshtme të medaljonit, ndryshe nga të katër medaljonet e tjerë, që e kanë bustin me vendosje qendrore, të kufizuar me kornizën rrethore. Faqja e pasme e medaljonit është e sheshtë.
Nga këto karakteristika teknike e artistike, mund të thuhet se forma e medaljonit është punuar nga i njëjti artist, që prodhoi medaljonin Nr. 66, në të njëjtën punishte të Romës, por i prodhuar me cilësi më të lartë.
Mund të hamendësojmë se medaljoni Nr. 67, duhet të jetë prodhuar në vitet 1465-1466, me porosi të Vatikanit dhe sipas portretit origjinal të Xhentile Bellini, ndofta dhe një portreti te mundshëm të Gherardo Giovanni Maffei. Ndonëse portreti origjinal i Maffei-t nuk është gjetur, të gjitha gjasat sugjerojnë se u riprodhua besnikërisht në vitin 1465, në të njejtën kohë me miniaturën e dorëshkrimit të A. D. Fioccho.
Sipas “Le cronache Romane, 32”, në dhjetor 1466, Gjergj Kastrioti, shkoi në Romë i ftuar nga Papa Pali II. Në fillim të dhjetorit 1466, Gjergj Kastrioti, me veshje ushtari, i shoqëruar nga nje grup kalorësish, u nis nga Durrësi me anije dhe pas një qendrimi të shkurtër në Raguzë, lundroi dhe zbarkoi në Ankona.[31, 32]
Në Romë mbërriti në javën e dytë të dhjetorit, si vërtetohet nga një letër e 15 dhjetor 1466, e kardinalit Gonzaga (ruhet në Archivio Gonzaga, in App. Nr. 83) dhe në letrën e dëshmitarit okular I. P. Arrivabenus, që ka qenë i pranishëm, kur Gjergji mbërriti në Romë më 12 dhjetor.
Në letrën e 14 dhjetorit 1466, Arrivabenus shkruan:[31] “El S. Scanderbeg gionse qui venerdi 12 dicembre et incontra li forono mandate le famiglie de cardinali. È homo molto de tempo, è venuto e da povere homo. Sento vorrà subsidio”. [Zoti Skenderbeg arrijti të premten më 12 dhjetor dhe për ta pritur kishte dalë familja e kardinalëve. Është burrë i moshuar, ka ardhur si një i varfër. Dëgjova se do të kërkoi mbeshtetje financiare.]
Papa Pali II, e ftoi të rrinte në kuvendin domenikan të Bazilikës së San Marko, por Gjergji preferoi të banonte në shtëpinë e një miku albanez, që banonte në “Trejo”, pranë “Collis Quirinalis”. Miku i tij albanez merrej me importe venash dhe velierash. Sheshi dhe rruga ku banoi Gjergji, kanë emrat “Vicolo Scanderbeg” dhe “Piazza Scanderbeg”, ndërsa mbi arkitraun e portës kryesore të ndërtesës ruhet ende afresku me portretin e Gjergj Kastriotit dhe mbishkrimi “Geor. Castriota Scanderbeg, princeps Epiri. Ad fidem iconis rest. ann. dom. MDCCXLIII”. Në mbishkrim theksohet se portreti u restaurua në vitin 1843, duke respektuar besnikërisht portretin e vjetër: “Ad Fidem iconis Restauratum”.[31]
.
Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodit “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465.
Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu,
në faqen e fundit të kodit “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465.

Më 24 dhjetor, Gjergji u prit ne Vatikan nga Papa dhe së bashku festuan krishtlindjen. Papa Pali II, u mrekullua me pamjen madhështore, me karizmën dhe dinjitetin e Gjergj Kastriotit. Gjatë pritjes në Vatikan, Papa Pali II e nderoi me titullin honorifik “Gentium Armorum Capitaneus”, i dhuroi “Pilus et ensis” (kapelen dhe shpatën), si dhe medaljonin. Shpata ishte prodhuar dhe zbukuruar nga argjendari personal i Papës.[31]

Kjo shpatë, e llojit “Ensis” (gladius, telum), u dhurohej princave dhe kapedanëve, të shquar në luftërat për mbrojtjen e krishtërimit.[31, 35]
Një tjetër dhuratë e Papa Pali II për Gjergj Kastriotin ishte përkrenaria “Pilus”me kokën e dhisë mitike Amalthea në pjesën e sipërme. Koka e dhisë ka kuptim të qarte simbolik. Sipas mitologjise helene, dhia Amalthea e mori Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë), e ushqeu me qumështin e vet, e rriti, e mbrojti, duke ia fshehur të atit Krono, i cili e kërkonte ta gëlltiste, si kishte vepruar me fëmijët e tjerë.
Në shirin e artë rrethor të përkrenares, ndërmjet 6 rozetave, sejcila me gurë të çmuar në qendër, janë gdhendur inicialet: IN. PE. RA. TO. RE. BT
Këto iniciale janë interpretuar me kuptimin: Jhezus Nazarenus · Princeps Emathie · Rex Albaniae · Terrore Osmanorum · Rex Epirotarum · Benedictat Te. [Jezu Krishti të Bekon Ty, Princi i Matit, Mbreti Albanisë, Tmerri i Osmanllijëve, Mbreti i Epiriotëve].[7, 35]
Shume autorë te huaj dhe shqiptarë, e shkruajnë Regis, por kjo nuk është e saktë, sepse në latinisht do të thotë mbretëri, rezidencë mbretërore, ndërsa shkrimi në perkrenare i dedikohet Gjergj Kastriotit, i cilësuar Mbret i Albanisë Rex Albaniae dhe Mbret i Epiroteve (Rex Epirotarum).
Këtë perkrenare, Gjergji e përdorte në ceremoni zyrtare, në pritje dhe festime, pra nuk ishte helmetë lufte.
Po ashtu, është e njohur, se gjatë takimeve me Papën Pali II dhe me kardinalët, Gjergji kërkoi ndihma financiare, mbështetje me forca dhe armë, për të përballuar turqit, që mësynin parreshtur mbi trojet arbërore, duke qenë kërcënim real e i rrezikshëm edhe për vetë Italinë dhe vendet e tjera europiane.[4, 19]
Kastrioti qëndroi në Romë dy muaj, kohë që e shfrytëzoi për takime me kardinalët dhe fisnikët italianë, si dhe për vizita në zona të tjera. Nga dokumentat në Arkivin e Vatikanit dhe në Bibliotekën Arkixhinazi të Bolonjës, rezulton se në dhjetor të vitit 1466, Papa Pali II e dërgoi Gjergj Kastriotin të vizitonte Peruxhien e Vjetër. Nga Roma, Gjergji, i shoqëruar nga kalorësit arbërorë, udhëtoi nëpër luginën e lumit Tevere dhe kur mbërriti në Kastello di Kastelleone, ndaloi në fortesën antike të Deruta. Në takimin me banorët, që ishin mbledhur për të përshendetur miqtë albanezë, Gjergj Kastrioti nga kulla Longobarda, u bëri thirrje të bashko-heshin në kryqezatën kundër Perandorisë Osmane.[19, 31]
Përkrenaria e Gjergj Kastriotit, në Muzeun Schatzkammer në Vienë
Përkrenaria e Gjergj Kastriotit,
në Muzeun Schatzkammer në Vienë
Gjatë kësaj vizite, Kastrioti u takua me Piero de Medici, Grandukën e Toskanës, i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke, i përlotur i dha një ndihmë financiare bujare.[19, 31]
Rreth takimit të Gjergj Kastriotit me Papën Pali II dhe me kardinalet, Ludwig Pastori, duke iu referuar relacionit të kardinal Gonzaga shkruan: “Gjatë koncistorit sekret të 7 janarit 1467, Papa Pali II vendosi t’i japi Gjergj Kastriotit një ndihmë financiare prej 5000 dukate, si dhe i akordoi tituj honorifikë, i dhuroi një medaljon dhe një relike të shenjtë.”[31]
Këto të dhena përputhen me “Libri dei conti di Papa Paolo II”, pra me librin e llogarive të Papës, që ndodhet në Achivio di Stato di Roma.
Sipas kardinalit Gonzaga: “Il Papa si dichiarò pronto a sborsare sul momento 5000 ducatti, dicendo di non poter dare di più, perchè costretto a proteggere il proprio paese. Il cardinale Orsini, ostile al Papa Paolo II, si permisse di osservare, che il capo della chiesa, non aveva a temere da alcuna parte”.[31, 33] “Papa deklaroi se për momentin ishte gati t’i dorëzonte 5000 dukate, duke theksuar se nuk mund të jepte më shumë, pasi ishte i detyruar të mbronte vendin e tij. Kardinali Orsini, kundërshtari i Papa Pali II, pati guximin të theksonte, se kryetari i kishës, nuk kishte arsye të trembej nga askush.” Kardinali Orsini i bëri apel Papës t’i jipte ndihmat Gjergjit, pasi Vati-kani nuk rrezikohej nga askush, pra nuk qëndronte justifikimi i Papes, ndërkohë që me Hungarinë dhe Bosjen ishte treguar dorëlëshuar, duke iu dhene ndihma financiare me dhjetramijera dukate.[7, 27, 31]
.
Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II. (Ndodhet në Muzeumin e Palazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)
Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II.
(Muzeumi iPalazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)
Ndihma finanaciare u konfirmua në konçistorin e 12 janarit e ndërkohë Venediku, Mbretëria e Napolit dhe duka i Toskanës, i dhanë ndihma finnaciare si dhe dërguan ushtarë.[31, 33] Pastori thotë se medaljoni iu dhurua Gjergj Kastriotit nga Papa Pali II, por nuk shprehet qartë, në se ia dorëzoi gjatë festimit të Krishtlindjes me 24 dhjetor 1466, çka është më bindëse, apo në janar të vitit 1467, gjatë konçistorit nëpërmjet kardinalit Gonzaga.
Gjithashtu nuk është e qartë, mbetet një enigëm për t’u verifikuar, çfarë ishte kjo relike e shenjtë dhe kujt shenjëtori i përkiste?!
Më 14 shkurt 1467, Gjergj Kastrioti u kthye në atdhe.
Marin Barleci thotë se u kthye i gëzuar për ndihmat që mori[4], por autorë të tjerë si Muzaka[8], Xhiovio[27], Pastori,[31] Hopf[7], Popovski[11], Milloscevich[33] etj, theksojnë se në fakt Gjergji mbeti i pa kënaqur, pasi ndihma financiare e Vatikanit ishte e pamjaftueshme dhe larg kërke-save e nevojave të Gjergjit, për të mbajtur në këmbë një ushtri të fortë e të përgatitur, për të përballuar dyndjet masive të ushtrisë otomane.
Gjatë vitit 1467, ushtria albanese, e mbështetur nga repartet veneciane dhe artilierët napolitanë, luftuan heroikisht dhe dolën fitimtar kundër dyndjeve të hordhive turke, të komanduar nga tradhëtari Ballaban Pasha, i cili mbeti i vrarë para mureve të kështjellës së Krujës, ashtu si u shpartalluan forcat turke te komanduara nga i vëllai i Ballabanit, i cili u kap rob nga ushtarët arbëror.
Viti 1467, shënoi një fluks të madh migrator të arbërve drejt Italisë.
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.