back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Meditim për një fenomen: Vëllezërit Mirash e Martin Ivanaj të Lazër Radit – nga Kristaq Jorgo & Edlira Birko – Jorgo

Gazeta

Prof. Kristaq Jorgo & Edlira Birko në Konferencën Mbi Librin "Ministri i Hekurt - Mirash Ivanaj" i Lazër Radit
Prof. Kristaq Jorgo & Edlira Birko në Konferencën
mbi Librin “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj” i Lazër Radit

Meditim për një fenomen:

Vëllezërit Mirash e Martin Ivanaj të Lazër Radit

nga Kristaq Jorgo & Edlira Birko – Jorgo

[Ligjëratë mbajtur në Konferencën Jubilare “Në emër të… Kulturës”
& Promovimin e librit “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj” (L. Radi).
Organizuar në përkujtim të
130-vjetorit të lindjes së Martin Ivanajt,
65 vjetorit të vdekjes së Mirash Ivanajt dhe
20-vjetorit të vdekjes së Lazër Radit.
Tiranë, 25 shtator 2018]
.
Prof. Kristaq Jorgo duke lexuar kumtesën
Prof. Kristaq Jorgo duke lexuar kumtesën
Fillesat ky meditim i ka në vitet 1992 – 1994, periudhë gjatë së cilës Edlira Birko-Jorgo pati fatin të bashkëpunojë ngushtë me dr. Lazër Radin dhe të njohë nga afër personalitetin e tij të jashtëzakonshëm. Vijoi me thellimin e përbashkët në veprën e tij dhe në atë të vëllezërve Ivanaj.
Trajta pak e veçantë e titullit të ligjëratës na detyron një qartësim: Le të vërehet formulimi: “Vëllezërit Mirash e Martin Ivanaj të Lazër Radit” që sikur le të kuptohet se Lazrin e shohim si një vëlla të Mirashit e Martinit. Po, të tillë e shohim dhe i tillë është në vizionin tonë. Kjo vëllazëri, natyra e së cilës mbetet të ndriçohet më tej, përfaqëson për ne një fenomen, që tok me kontributet dhe specifikat e çdonjërit prej tre personaliteteve shenjojnë diçka emblematike, me vlerë përtej vetvetes në kontekstin e botës shqiptare.
Përmendëm sintagmën “botë shqiptare”. Le ta pohojmë shpejt cilësinë themelore të saj, të gjithëpranuar tashmë: kompleksitetin e ndërlikimin e jashtëzakonshëm. Kolektiviteti shqiptar i çdo periudhe historike nuk ka arritur asnjëherë ta administrojë në mënyrë normale këtë ndërlikim, pasi nuk ia ka dalë e njëherësh nuk e kanë lënë ta zbulojë e ta ndërtojë mekanizmin që do ta funksionalizonte çdo njësi përbërëse të së tërës tejet komplekse për mbarëvajtjen e asaj që mund ta emërtonim “Shqipëria e plotë”. Dhe, nëse kjo e fundit do të përfytyrohej metaforikisht si një sferë, ajo – “Shqipëria e plotë” – na shfaqet në tri shtresa që mbulojnë njëra-tjetrën: në sipërfaqësoren apo “Shqipërinë e dukshme”, në të ndërmjetmen apo “Shqipërinë e fshehur” dhe në bërthamën apo “Shqipërinë e fshehtë”. Si dhe në një shtresë të katërt, vertikale, që i ndërlidh a i pret të tria të parat, “Shqipërinë e vërtetë” me çka kemi parasysh “Shqipërinë e vlerave”.
“Shqipëria e plotë” ngjan e zotëruar në të gjitha kohët prej një kaosi endemik. “Shqipëria e fshehtë” përmban, ndërkaq, kodin e funksionimit të së plotës dhe të katër Shqipërive përbërëse. Raportin tejet dramatik të dukjes kaotike të së tërës shqiptare me rendin (e palexueshëm) të thelbit duhet të ketë pasur parasysh p.sh. Lasgush Poradeci kur shprehej: “Zemra ime e tharë dhe e rraskapitur nga logjika e dialektika e këtij vendi”.
Ç’na thotë kodi i “Shqipërisë së fshehtë” e kjo botë kaq komplekse shqiptare, aq sa mundemi t’i deshifrojmë? Dhe në ç’kuptim personalitetet Mirash Ivanaj, Martin Ivanaj, Lazër Radi e vëllazëria që i lidh janë emblematikë në këndvështrimin e tyre?
“Shqipëria e dukshme”, përherë nën zotërimin e Shqipërisë politike, është thuajse kurdoherë një strukturë më shumë a më pak konjukturale, me kujtesë të dobët, dominuar nga vizioni i çastit, nga materialiteti dhe jo idealiteti, shprehje e “kontingjencave dhe jo e permanencave” të shqiptarësisë – me termat e Mitrush Kutelit. E tillë siç është, “Shqipëria e dukshme” pranon vetëm një pjesë të “Shqipërisë së vërtetë”, duke mos kuptuar, shpërfillur, harruar, dërrmuar, sakatuar ndoshta pjesën kryesore të saj, e cila shtyhet e mblidhet kruspull në “Shqipërinë e fshehur”, në pritje të ditëve më të bardha. Mirash e Martin Ivanaj dhe Lazër Radi, shembuj emblematikë, ndër të shumtët.
Detyrat që në kombe jo vetëm të mëdhenj i zgjidhin breza të tërë, në botën shqiptare si rregull ideohen, rroken dhe çohen gjer në fund nga personalitete të vetëm. Kjo i bën ata të jenë më shumë se individë, të jenë – në kuptimin e vërtetë të fjalës – Institucione dhe të shihen prej bashkësisë shqiptare si të jashtëzakonshëm, unikalë, të hekurt, jo rrallë të padëshiruar, shpesh të pakuptueshëm, plot mistere – cilësorë këto që i gjejmë shpesh në librin “Ministri i Hekurt – Mirash Ivanaj” të Lazër Radit.
Moskuptime dramatike, ndonjëherë tragjike e përplasje të ashpra edhe mes vedi, përpos me botën shqiptare, i shoqërojnë thuajse kurdoherë përfaqësuesit e “Shqipërisë së vërtetë”, të shtrënguar të zgjidhin brenda pak muajsh a vitesh detyra të shumta e shpesh kundërthënëse, të cilat kombe me zhvillim normal i kanë vënë në jetë paqësisht ndër dekada e shekuj. I ka prekur në të gjallë e vijon t’i prekë ende sadokudo ky moskuptim Mirash e Martin Ivanajn dhe Lazër Radin.
.
Kristaq Jorgo & Edlira Birko - Jorgo - Pas Konferencës
Kristaq Jorgo & Edlira Birko – Jorgo – Pas Konferencës
Personalitetet e “Shqipërisë së fshehur” kryejnë detyra thelbësore, janë modele virtyti, bëhen depozitë e kujtesës kolektive, revizionojnë e pasurojnë përfytyrimet mbi ‘Shqipërinë e plotë”.
Ja p.sh. Martini, me kontributin e tij themeltar në të drejtën zakonore shqiptare dhe në legjislacion, si kryerealizues i Kodit të parë Civil dhe atij Penal në historinë e shtetit. Ja Mirashi, ideues e njëmendësues i reformës epokale që hodhi kolonat e kombëtarizimit e të laicizimit të shkollës shqipe (1932-1935). Ja Lazri, ndërlidhësi pionier dhe më gjenuin në fushë të kulturës i Shqipërisë së Jashtme me Shqipërinë e Brendshme.
Mirashi e Martini me arkivin e jashtëzakonshëm e bibliotekën madhështore si dhe me kujdesin obsesiv të fiksimit të ngjarjeve kombëtare në ditarët, pa të cilët më shumë se një faqe e historisë politike e kulturore të Shqipërisë do të mbetej e bardhë. Lazri, me kolanën monumentale të veprës së tij, që sjell në jetë prej hirit të harresës së sigurt pa të, kujtesën fort më shumë se personale të disa dekadave të gjallimit të qenies shqiptare, plot me portrete e ngjarje të dorës së parë të “Shqipërisë së vërtetë”.
Martini, Mirashi, Lazri – të hekurt e intrasigjentë, shërbëtorë flijues të nderit, të integritetit dhe të detyrës ndaj Atdheut.
Martini e Mirashi, të cilët përmes vëllimit të përbashkët poetik, të jashtëzakonshëm në më shumë se një aspekt, “Epopeja e Njeriut”, zbuluar, veshur me pëlhurën e shqipes e studiuar me pasion e thellësi të admirueshme nga Lazri, e zbresin të tre bashkë, gati tri dekada në kohë para Esad Mekulit, fillesën e muzës shqiptare në shprehjen gjuhësore sllave, ashtu siç do ta detyrojnë me siguri historishkrimin letrar shqiptar të revizionojë më shumë se një tezë të vetën.
Nëse “Shqipëria e dukshme” është mbretëri e egocentrizmit, e pragmatizmit materialist, e individualizmit ekstrem dhe e anomisë, një aleancë, më saktë, një vëllazëri e shenjtë i ndërlidh personalitetet e “Shqipërisë së fshehur”. Është edhe falë kësaj vëllazërie, përpos falë vlerës së tyre që dot nuk shkatërrohet, që ata mbijetojnë dhe i imponohen herët a vonë, por domosdoshmërisht “Shqipërisë së dukshme”. Shembull unikal e i papërsëritshëm – lidhja e jashtëzakontë në jetë, në formim, në vizion, në ideale dhe vepra e vëllezërve Ivanaj me njëri-tjetrin. Një shembull sublim të kësaj vëllazërie të shenjtë përfaqëson po ashtu kujdesi ndër dekada i Lazër Radit për – dikur – mësuesin e tij Mirash Ivanaj, më pas bashkëvuajtësin nën dhunën e “Shqipërisë së dukshme” të diktaturës, kulmuar me përpjekjen këmbëngulëse për të nxjerrë në dritë e vënë në piedestalin e meritueshëm veprën monumentale të dy sivëllezërve të tij të mëdhenj.
Bota shqiptare dhe kolektiviteti shqiptar do të gjejnë rrugën e përparimit vetëm atëhere kur të ndriçohet i plotë kodi i “Shqipërisë së fshehtë” dhe kur e gjithë “Shqipëria e fshehur” do të arrijë të bëhet pjesë integrale e thelbësore e “Shqipërisë së dukshme”, në mënyrë që “e dukshmja” të jetë më në fund “Shqipëria e vërtetë”, ajo “e vlerave”. E mundur të arrihet? Padyshim! Jeta e pasjeta tok me veprën e vëllezërve Mirash Ivanaj, Martin Ivanaj, Lazër Radi e sa të mëdhenjve të tjerë na e dëshmojnë dhe do ta dëshmojnë më fort në të ardhmen këtë. Pasi “misteri” dikur zbulohet, “e fshehura” i imponohet shpejt a vonë të “dukshmes”, virtuti – vesit, idealja – materiales, vlera – të pavlerës, e përhershmja – të përkohshmes, e hekurta – baltës.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.