back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Meditim për poetin e dijetarin e përndjekur Vexhi Buharaja Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)

Meditim për poetin e dijetarin e përndjekur Vexhi Buharaja

nga Agim Xh. Dëshnica

Me rastin e 90-vjetorit të Lindjes

Berati, si gjithmonë, kur vjen muaji i këndshëm i majit me qiell të kaltërt, Berati hijeshohet nga lule shumëngjyrëshe. Gjelbërimi i dendur harbon në kopshte e oborre shtëpishë të bardha, një mbi një, mbi Osum, ku pasqyrohen lagjet Mangalem e Goricë, përballë njera-tjetrës, nën pamjen e largët të malit Tomorr, që ndërron veshjet sipas stinëve. Lumi shekullor pasi çlirohet nga trysnia e kenioneve, hyn e kalon mespërmes qytetit të lashtë me zhurmërimë të lehtë, rrëshket nën tri ura, njera e varur, tjetra legjendare, duke u harkuar në qendër, e në mbarim e treta, ku ndodhet lagja Murat Çelepi në fushë dhe mbi shpatin perëndimor të Kalasë. Kjo panoramë mahnitëse mbyllet nga mali i zgjatur i Shpiragut, i shtrirë sa gjatë e gjerë sikur fle nën qiell. Mbi të në mbarim të ditës dielli përskuqet e dalë ngadalë shuhet e humbet prapa tij duke lënë pas muzgun e mbrëmjes mbi qytet e rrethinat me ullinj, pemë frutore e pisha mbi kodra e male. Gjithkush tek sodit qytetin nga kullat e Kalasë, nga lartësitë e malit të Goricës, nga dritaret plot dritë, nga parmakët anës lumit apo urat, sidomos nga rruga e Ura e re dhe e gjerë e ndërtuar mbi zallishte në afërsi të Velabishtit si fillim i austotradës së ardhshme Berat-Tepelenë, pushtohet nga ajri i pastër, hareja dhe fymëzimi poetik. Lagja Murat Çelepi dikur me ndërtesa monumentale, me rrugica të pastra, bahçetë përrallore buzë lumit, në shekujt e shkuar mahniti udhëtarë si, Evlia Çelebiu, piktorë dhe shkrimtarë të huaj, nga vende të perëndimit e lindjes. Jo më kot Berati njihet në histori si qyteti i poetëve dhe i këngëtarëve gazmorë, larg çdo trishtimi, qytet i mësuesve të apasionuar, qytet i myezinëve, zëri i të cilëve nga minaret e bardha dëgjohej në largësi. Edhe shtëpitë me shumë dritare, rrugicat, bahçetë, ndërtesat e xhamive dhe e kishave me pikturat e Onufrit, disa mbi shkëmbinjë, ura e e gurtë me shumë harqe harmonike, janë vepra të mirëfillta artistike nga dorë mjeshtrish.

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Lindja e poetit dhe e dijetarit
Në këtë qytet, ku jetuan e krijuan Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe poeti kombëtar Naim Frashëri, në familjen e Ibrahim Buharasë më 12 maj 1920, 90 vjet më parë, u lind një fëmi. Shtëpia ndodhej në fund të një rrugice me kopësht apo bahçe plot pemë buzë lumit e përballë Shpiragut, në lagjen Murat Çelepi, tashmë rrafshuar, tok me shtëpi të tjera patriotësh, qysh në kohën e diktaturës komuniste. Pra, u lind një fëmi, një djalë, i cili do të quhej Vexhi. Një djalë, i cili do të nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike. Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e Beratit dhe të atdheut. Një fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç me poezitë si, “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë, “Poeti”, “Zemrës”, “Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat të sjellin ndër mend Lasgush Poradecin. Të krijuara sipas traditës rilindase, shprehin ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Vargjet me gjuhë të kulluar shqipe, rrjedhin ëmbël e natyrshëm. Pseudonimet “Valater Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë u pasqyruan në shtypin e kohës, nga Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu, etj.

Drama e jetës së tij
Vexhi Buharaja pas mësimeveë të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura Islame”. Vitet 1940 -1944 i përkasin një krijimtarie të larmishme, në poezi e prozë, studime figurash e ngjarjesh historike, përkthime e redaktime punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organe shtypi të kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël”, etj.
Në fillim të vitit 1944, e shohim të kthehet në Berat. Në ditët e premte, i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të përkryer. Deri në vitin 1947, jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi për njerëzit e ditur, Vexhi Buharaja si shumë intelektualë të tjerë u arrestua. Biblioteka e tij e pasur u sekuestrua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi…! Gjyqi komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg. Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët patriotë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarët e talentuar, njerëzit e shërbesave fetare etj. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesën e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse. Me duart e pafuqishme, të përdorte sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.

M.Peshtani, S.Bejko, F.Haxhialiu, T.Shehu, Vexhi Buharaja, S.Ago, M.Dervishi
M.Peshtani, S.Bejko, F.Haxhialiu, T.Shehu, Vexhi Buharaja, S.Ago, M.Dervishi

Frymëmarrja nëpërmjet krijimtarisë
Në vitet ’60, kur diktatura do të ndalte pak vrullin e vet vrastar, krijohet mundësia të kthehet në arsim. Në shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur institucionet qendrore të asaj kohe patën nevojë për dijet e tij, në vitin 1965, pranohet punonjës shkencor në Institutin e Historisë, Gjuhës e Letërsisë të UT, më vonë në Akademisë së Shkencave. Për Buharanë do të niste një kohë e re krijuese dhe hulumtuese. Shquhet për punë të palodhshme e cilësore për historinë e Shqipërisë. Kjo u duk në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre kumtesa për Gjergj Kastrotin-Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes, mbajtur në një sesion shkencor në Berat. Të një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij. Siç dihet në vitet e diktaturës shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë shqipe e të huaj. Të tillë qenë, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Bujar Doko, Isuf Vrioni, etj. Po atë fat pati edhe Vexhi Buharaja. Në Institutin e Historisë, përktheu shumë dokumente arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke. Përkthimi i shkrimeve dhe qindra letrave në turqisht të rilindasve tanë, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima, etj. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në studimet shkencore, për shpjegimin e toponimeve të vendbanimeve; transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shumë rrethe të vendit, në objektet fetare, në kështjella, në kulla sahatesh, në ura, në shtëpitë e lashta, etj. Një nga veprat e tij me titullin, “Monumente të kulturës turko-arabe” përmban rreth 300 mbishkrime, të një kohe që nis nga Shekulli XV deri në Shekullin XX. Shumë studjues për temat e tyre përdornin punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, “sipas arkivit të Institutit të Historisë”. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje i përfaqësuan padrejtësisht të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger, etj. Në lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama “Besa” e Sami Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit nga lexuesit, botimi në shqip i veprës së Saadiut “Gjylistanit dhe Bostanit”, perlë e poezisë botërore. Përgatiti dhe një antologji me poezi të zgjedhura të poetëve persianë.
Për letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe kthimi në shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën perse të Naimit, “Endërrimet” (Tahajjulat) dhe “Katër Stinët” Sipas një letre publçisti N.J, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi prej tij ndihmë për një kumtesë, rreth këtyre dy librave. Lasgush Poradeci për këto punë arti, do të shkruante: “Për mua dy janë të mëdhenj në fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi Buharaja këtu…” Prof. Eqrem Çabej pas leximit të “Gjylistanit” u shpreh me fjalë të ngrohta: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore”. Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për tema që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhshme, disa ktheheshin e disa humbisnin.

Qyteti i Beratit
Qyteti i Beratit

Largimi nga puna
Kur diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i egër u prit me pakënqësi të thellë nga disa intelektualë të ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka, për këtë akt të mbrapsht, dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari shkencor mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: “S’ka dyshim se elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës. Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perla…”
Vexhi Buharaja, i prekur, por aspak i thyer u largua nga puna shkencore. Pushtetarët e mefshtë të Beratit për ta fyer më tej këtë intelektual të rrallë, e caktojnë arkëtar në një lokal shërbimi. Megjithatë populli i Beratit si përherë e respektonte dhe mburrej me të. Ashtu si më parë, ai vijoi të merrej me art e shkencë. Të gjithë ata që patën fatin ta takonin, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë, dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar.

Përfundimi
Muret u shembën e idhujt ranë. Në vitin 1993, Vexhi Buharaja u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit dhe “Mësues i Popullit”. Medreseja dhe Biblioteka e Beratit mbajnë emrin e tij. Ahmet Kondo më 1995, botoi librin “Vexhi Buharaja – Njeriu, poeti, dijetari”. Ai përmendet në librin, “Antologjia e Krimit Komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima. Pas një heshtje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.
Tashmë, emri i Vexhi Buharasë, njihet kudo për dhuntitë e rralla si: poet, publicist, fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës dhe zotërues i 10 gjuhëve. Së pari, gjuhët klasike të Lindjes Islame: persisht, arabisht, osmanisht dhe turqishte e re. Së dyti. gjuhët e perëndimit: anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht. Së fundi rusisht. Lexuesi në kohët tona u njoh edhe me shqipërimin e përkryer të “Shah-Name-së” së Firdusiut, një kryevepër tjetër botërore, e lënë në dorëshkrim nga Vexhi Buharaja.
http://www.fryma.info

Busti i Vexhi Buharasë
Busti i Vexhi Buharasë

Vexhi Buharaja u njoh në botën letrare qysh më 1939, me poezitë “Përpara Tomorit,” fituese e çmimit të parë, “Zemrës“, “O fletëz e Zambakut”, “Shiu”, “Eja të vemi gjer në burim”, “Një ditë e një natë”, “Loti i nënës” e shumë të tjera. Krahas krijimeve e studimeve shkencore, ai njihet si përkthyes i vëllimeve “Endërrimet” dhe “Katër Stinët” nga persishtja të Naimit, dramës “Besa” të Samiut nga turqishtshtja dhe qindra dokumenteve e mbishkrimeve arabo-turke, me të cilat bënë emër e fituan grada të tjerët, kurse emri i tij u fsheh në arkiva.
Si zotërues i disa gjuhëve të huaja Vexhi Buharaja, u shqua sidomos me përkthimet e kryeveprave të letërsisë persiane e botërore, si “Beharistani” të Xhamiut, “Gjylistani e Bostani” të Saadiut, “Shah-Nameja” të Firdeusiut, etj.
Vexhi Buharaja i burgosur dhe i persekutuar mizorisht nga diktatura komuniste, u vlerësua nga poeti i madh lirik Lasgush Poradeci dhe dijetarët prof. Eqrem Çabej, Sami Visoka, Mykerem Janina, orientalisti gjerman Franc Babinger, etj.
Vetëm pas shembjes së regjimit komunist, Vexhi Buharaja u nderua më 1994, nga presidenti i parë demokrat Sali Berisha me titullin “Mësues i Popullit” dhe Biblioteka e qytetit të Beratit u përurua me emrin e tij. Më 2008, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e përkujtoi në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.