back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mehdi Frashëri – Biografi nga Gazmend A. Bakiu

Gazeta

Mehdi Frashëri (1872-1963)
Mehdi Frashëri (1872-1963)

Mehdi Frashëri – Biografi

nga Gazmend A. Bakiu

Ka qenë një rregull i pashkruar i Mbretit Zog për ta emëruar kryeministrin me origjinë nga jugu dhe ortodoks, meqenëse ai vetë ishte nga veriu (babai nga Mati dhe e ëma nga Tirana) dhe mysliman (syni). Kështu, ai mendonte se balancat fetare dhe krahinore, të brishta, ruheshin e respektoheshin, në një vend që s’kishte akoma kohezionin e duhur kombëtar. Për të plotësuar mozaikun e shtetit, nuk mungonte prania e katolikëve dhe e krahinave të tjera në qeveri e parlament, që në një kuptim e gjithë popullata të ndjehej e përfaqësuar. Në vitet 1928-’39, “këkesën” për kryeministër tosk dhe ortodoks e përmbushën më së miri dy personalitete të shquara si Pandeli Evangjeli dhe Kostaq Kotta.
“Rregulli” u thye në vitin 1935, dhe Shqipëria pati kryeministër Mehdi Frashërin, që vërtet ishte nga jugu, mirëpo ishte bektashi. Por, kush ishte Mehdi Frashëri?

Mehdi Frashëri dhe fëmijët
Mehdi Frashëri dhe fëmijët

Mehdi Ragib Frashëri lindi më 28 shkurt 1872, në Frashër të Përmetit. Kreu kolegjin e Janinës, liceun e Manastirit, dhe u diplomua në Universitetin e Stambollit, në fakultetin e shkencave politike dhe ekonomike (1898). Po atë vit u emërua ndihmës guvernator në ishujt Archipelagos. Nënprefekt në Peqin (1901-03), pastaj në Ohër (1903-06). Ushtroi detyrën e nënprefektit edhe në vende të tjera si në Deridere, Tshorlu, Lule-Burgas, derisa u bë prefekt Senidje të Novipazarit, dhe më pas në Serez të Maqedonisë.
Në vitin 1911 u emërua guvernator i Jeruzalemit dhe i gjithë Palestinës, dhe më pas nënkomisar i Egjiptit.
Me shpalljen e pavarësisë, Mehdi Frashëri vjen në Shqipëri, në prill 1913. Emërohet prefekt në Berat, dhe më pas përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, (1914).
Me largimin e Princit Wied ikën në Itali, dhe prej këtej shkon në Lozanë të Zvicrës. Në prill 1915, në Kalabri emërohet profesor i gjuhës shqipe në kolegjin San Demetrio Korona, ku qëndron deri në vitin 1918.
Në gusht 1918 shkon në Romë dhe kthehet në Shqipëri, në tetor të po atij viti.
Merr pjesë në punimet e Asamblesë Kombëtare në Durrës (25-27 dhjetor 1918) dhe emërohet ministër i Brendshëm, në qeverinë e kryesuar nga Turhan pashë Përmeti.
Në fund të marsit 1919 shkon në Konferencën e Paqes, në Paris. Pas kësaj, lirohet nga detyra e ministrit të Brendshëm, emërohet ministër i Jashtëm, dhe zhvillon një aktivitet të ngjeshur diplomatik në Paris.
Njohu vendimet e Kongresit të Lushnjes (21-31 janar 1920) dhe qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina. Më 14 maj 1920 kthehet në Durrës, në Tiranë, dhe pastaj qëndron pranë familjes në Elbasan.
Në dhjetor 1920, thirret nga qeveria në Tiranë, dhe emërohet ministër i Brendshëm (12 janar-1 korrik 1921). Zgjidhet deputet i Elbasanit në Parlamentin që u konstitua më 21 prill 1921. Ministër i Punëve Botore dhe më pas ministër i Bujqësisë (11 korrik-16 tetor 1921).

Deputetët e Elbasanit: Shefqet Vërlaci, Mehdi Frashëri, Shyqyri Myftiu, Taqi Buda, Anton Beça, Shefqet Daiu, Ahmet Hastopalli
Deputetët e Elbasanit: Shefqet Vërlaci, Mehdi Frashëri, Shyqyri Myftiu,
Taqi Buda, Anton Beça, Shefqet Daiu, Ahmet Hastopalli

Në dhjetor 1921 (i caktuar nga kryeministri Pandeli Evangjeli), shoqëron një komision të Lidhjes së Kombeve në veri dhe pastaj në jug të Shqipërisë.
Në mars 1922 shkon në Firence, si delegat i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufijve. Në maj 1922 emërohet kryedelegat i Shqipërisë në Konferencën Ekonomike Ndërkombëtare, në Genova të Italisë. Që këtej, caktohet të përfaqësojë Shqipërinë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë të Zvicrës. Në dhjetor 1922 shkon në Konferencën e Lozanës. I rikthehet jetës parlamentare në janar 1923.
Në shtator 1923 përfaqëson qeverinë shqiptare në Komisionin Ndërkombëtar, për hetimin e vrasjes së gjeneralit Telini. Pas kësaj, emërohet komisar i qeverisë shqiptare pranë Komisionit të Kufijve; udhëton e punon pa ndërprerje në këtë detyrë dhe zgjidh çështjen e Shën Naumit dhe të Vermoshit, në vitin 1925, duke mbyllur përfundimisht çështjen e kufijve tokësorë me fqinjët problematikë.
Në vitin 1926 shkon në Athinë për bisedime me qeverinë greke. Në vitin 1927 merr pjesë në Komisionin e Ligjeve. Në vitin 1928, (dhe më pas), shkon përsëri të përfaqësojë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve.
Në periudhat prill 1929-mars 1930, prill 1931-1934 emërohet kryetar i Këshillit të Shtetit, organ shumë i rëndësishëm që përgatiste ligjet kryesore. Ministër i Ekonomisë Kombëtare (6 mars 1930-11 prill 1931).
Mehdi beu veç aktivitetit shtetëror dhe diplomatik nuk reshtëte së shkruari dhe së botuari. Ai e kishte zakon t’i diktonte duke ecur lart e poshtë nëpër dhomë, ato që pastaj do të ishin librat e tij.

"Mehdi Frashëri, duke shkuar ne Pallatin Mbreteror, në vitin 1933"
“Mehdi Frashëri, duke shkuar ne Pallatin Mbreteror, në vitin 1933”

Deri në vitin 1944 botoi:
Nevruzi (roman), Tiranë, 1923;
Tirana kryeqytet, Tiranë, 1924;
Një polemikë mbi kulturën greke në Shqipnië, Tiranë, 1925;
Trathëtia, (dramë), Tiranë, 1926; Liga e Prizrenit, Tiranë, 1927;
Histori e Shqipërisë dhe e shqiptarëvet, Vlorë, 1928;
Aveniri i Shqipëris në pikëpamje bujqësore, Tiranë, 1931;
Lidhja e Prizrenit (bot. 2), Tiranë, 1938;
Nevruzi (roman, bot. 2), Tiranë, 1938;
Nacionalizma shqiptare, Tiranë, 1943;
Probleme shqipëtare, Tiranë, 1944;
Përkthim nga frengjishtja: Vassa Efendi, E vërteta e mbi Shqipninë dhe shqiptarët, studim historik, Tiranë, 1935.

Këshilli i Regjencës 1943 - në qendër Mehdi Frashëri
Këshilli i Regjencës 1943 – në qendër Mehdi Frashëri

Por nuk ishin vetëm këto; ai mbante referate në konferenca dhe shkruante pa pushim artikuj me vlera në shtypin e përditshëm ose periodik; ai ishte personalitet përparimtar dhe simpatizant i dojçkulturës. Popullariteti dhe integriteti i tij bënë që në vitin 1935, Mbreti ta emëronte kryeministër.
Mehdi Frashëri qe kryeministër dhe zëvendësisht ministër i Drejtësisë, nga 21 tetori 1935 deri më 7 nëntor 1936. Ai mbahet mend si kryeministri liberal i këtij vendi. Me një program ambicioz, fillimisht qeveria pati disa suksese në ekonomi; censura preventive thuajse ra, por të majtët përfituan për futjen në Shqipëri të literaturës sovjetike. Ndërkohë, filluan të shfaqen probleme, dhe ndodhi përplasja me kastën e vjetër që e njihte më mirë pushtetin. Qeveria e Mehdi Frashërit u rrëzua nga Parlamenti, gjë që ndodhte për herë të parë, duke shënuar kësisoj një precedent demokratik. Ai ishte 64 vjeç dhe u duk se tashmë karriera e tij politike kishte përfunduar, por nuk rezultoi ashtu.
Mehdi beu bajti një fjalim patriotik që u mbajt mend gjatë, në “Radio Tirana”, ndërsa Shqipëria po pushtohej nga Italia. Kërkoi strehim politik në legatën turke, por pastaj u internua në Itali, (1939-43), dhe pas kësaj u përfshi sërish në politikë.
Më 25 tetor 1943 u bë anëtar i Këshillit të Naltë dhe qe i vetmi që ushtroi detyrën si kryetar i këtij Këshilli; në fjalimin e mbajtur më 28 Nëntor 1943 shpjegoi arsyet përse e pranoi këtë detyrë. Në mesazhin e vitit të ri 1944, ai paralajmëroi popullin shqiptar për rrezikun komunist, ndërsa në nëntor 1944 u largua nga Shqipëria.
Vdiq në Romë më 20 maj 1963, në moshën 91-vjeçare.

Pas vitit ’90 iu botuan veprat:
Një rrugë ende pa krye, Tiranë, 2000;
Kujtime, Tiranë, 2005;
Probleme shqiptare, Tiranë, 2006.

Varri i Mehdi Frashërit dhe familjarëve të tij në Romë
Varri i Mehdi Frashërit dhe familjarëve të tij në Romë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.