back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mehdi Frashëri – një ndër Burrat e Shqipërisë

Gazeta

Mehdi Bej Frasheri (1874-1963)
Mehdi Bej Frasheri (1874-1963)

Mehdi Frashëri –

-një ndër Burrat e Shqipërisë

Mehdi Frashëri u lind me 28 shkurt 1874, në Frashër të Përmetit. Më 1894, mbaron shkollën e mesme në Manastir dhe me 1898, doktorohet në degën e shkencave politike dhe ekonomike të Universitetit të Stambollit. Po këtë vit hyn në karrierë nën perandorinë Osmane i emruar si nënprefekt në Shqipëri e në vende përreth si Maqedoni, etj. Me 1911, emnohet Beg i Jeruzalemit e Guvernator i Përgjithshëm i Palestinës. Në janar te vitit 1912 dekretohet në shkallën më superiore si nën-komisar i Naltë turk në Egjipt. Menjiherë pas shpalljes së Pavarsisë po me 1912, Mehdiu la administratën turke dhe kthehet në Shqipëri për t’i dhanë përvojën e vet shtetit të ri shqiptar duke u emru si përfaqësues i Shqipërisë pranë Komisionit Ndërkombtar të Kontrollit për Shqipërinë. Me 1919, emrohet ministër i brendëshem, delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe ministër i punëve të Jashtëme. Më 1921, zgjidhet deputet dhe nga 1923, asht Komisar i Naltë për caktimin e kufijve. Më 1935, Mehdi bej Frashëri zgjidhet kryeministër duke i lanë vendin më vonë 1944, si Kryetar i Këshillit të Regjencës. Po atë vit nëpërmes kufirit verior me Malin e Zi ikën në mërgim në Romë. (Marrë nga “Shejzat”, 1973 E. Koliqi, nr 5 – 8 fq 1667, “Mehdi Frashëri si shkrimtar”)

Lef Nosi - Mehdi Frashëri - Pater Anton Harapi
Lef Nosi – Mehdi Frashëri – Pater Anton Harapi

Ky personalitet njifet pak në Shqipëri si shkrimtar, publicist, përkthyes, për arsye të shpalljes së tij si tradhëtar e si kuisling nga regjimi i Hoxhës. Mehdi Frashëri ishte një studiues i madh në disa gjuhë si dhe sipas të dhënava që jep i nipi tij, kishte një bibliotekë të stërmadhe në Tiranë (shtëpia e tij u bë ambasada sovjetike, më vonë) që u konfiskuan dhe një pjesë u zhdukën dhe një pjesë kalojnë në bibliotekën e shtetit.
Le të kujtojmë disa nga punët krijuese të tij. Janë dy vepra në gjuhë turke dhe më vonë vazhdojnë në gjuhën shqipe studimet “Polemikë mbi kulturën greke në Shqipëri”, “Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë”, “Lidhja e Prizrenit” – ku i bëhet një analizë e hollësishme situatave konkrete dhe rrethanave internacionale ku u zhvillua kjo lidhje. Përkthen në shqip veprën e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë e shqiptarët” shoqëruar me një koment të gjatë. “Tradhëtia” (tragjedi), “Probleme shqiptare”, shkruan Vëllimin e parë të Historisë së Shqipërisë si dhe një roman me përmasa të mëdha e shumë interesant te qujtur “Novruzi”. Në gjuhe frënge “L’Epire du Nord”. Bashkëpunon dendëshem me gazetat e kohës si “Dajti”, “Vullneti i Popullit”, “Besa”, “Iliria”, “Minevra” etj. Mbetet edhe sot si një stad i lartë i patriotizmit tij thirrja ne radio që i drejton popullit në ditën e 7 prillit ’39, për rrëmbimin e armëve kundër pushtuesve fashistë.

Gazeta Minerva
Gazeta Minerva

Për punën e botimet e bëra në Itali hyn në enciklopedine (“Treccani – La cultura italiane) “Per le numerose pubblicazioni in diverse discipline; storia, sociologia, politica, diritto, economia, finanza e letteratura”.
Në rolin e komisarit të lartë për caktimin e kufijve, Mehdi Frashëri ka një pikë minuese për moskëmbënguljen e tij në dorëzimin e Shën Naumit serbëve, që deri tani është quajtur vepër e Zogut, por në bazë të deklaratës që ban më vonë Mehdiu, pohon se kjo ishte një manover vetëm e tij në ndërrim teritori, ose të humbeshin të dy. Nga ana tjetër, ka meritën në mbrojtjen e Vermoshit, mbasi serbët këmbëngulnin për kalimin në juridiksionin jugosllav, përderisa lumi i Vermoshit derdhej në Danub. Për aq shumë që dha për shtetin e ri shqiptar në organizimin dhe kalimin e mijëra problemeve që nxirrte koha, të cilat Mehdi Frashëri i dha një shtysë të madhe ka meritat e padiskutueshme. Mehdi bej Frashëri ishte një ndër ata burra që edhe i ndodhur si Kryetar i Këshillit Regjencës, u ka bërë një mbrojtje të madhe komunistëve dhe partizanëve duke krijuar oportunitet me trupat gjermane me ndjenjën e lartë humane për mosdëmtimin e burrave dhe grave të Shqipërisë. Eshtë tepër gabim, mendoj, që gjërat të shihen vetëm zi dhe të njëanshme. Ai nuk i bëri asnjë dam Shqipërisë as shqiptarëve, përkundra dha aq shumë për përparimin e atdheut të vet, ndaj mund të quhet një ndër burrat me emër të Shqipërisë. Mehdi bej Frashëri vdes me 25 maj 1963, në Romë, ku ruhet edhe sot varri tij.
Marrë nga muri i Fb i Ndoc Selimit, 8 tetor 2016

Mehdi Frashëri - Kujtime (1913-1933)
Mehdi Frashëri – Kujtime (1913-1933)

Vepra të Mehdi Frashërit*

Nevruzi (roman), Tiranë, 1923;
Tirana kryeqytet, Tiranë, 1924;
Një polemikë mbi kulturën greke në Shqipnie, Tiranë, 1925;
Trathëtia, (dramë), Tiranë, 1926;
Liga e Prizrenit, Tiranë, 1927;
Histori e Shqipërisë dhe e shqiptarëvet, Vlorë, 1928;
Aveniri i Shqipërisë në pikëpamje bujqësore, Tiranë, 1931;
Lidhja e Prizrenit (botimi 2), Tiranë, 1938;
Nevruzi (roman, botimi 2), Tiranë, 1938;
Nacionalizma shqiptare, Tiranë, 1943;
Probleme shqipëtare, Tiranë, 1944;
Përkthim: E vërteta e mbi Shqipninë dhe shqiptarët, Tiranë, 1935.

Pas vitit ’90:
Një rrugë ende pa krye, Tiranë 2000;
Kujtime, Tirane, 2005;
Probleme shqiptare, Tiranë, 2006.

*informacion i sjelle nga Gazmend Bakiu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.