back to top
6.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Meliza dhe Muza e saj – dy zonjat M.M. – nga Kosovare Krasniqi

Gazeta

Vepra e Musinese nga Melisa Krasniqi
Vepra e Musinese nga Melisa Krasniqi

Meliza dhe Muza e saj – dy zonjat M.M.

nga Kosovare Krasniqi

Bota, shumë më parë se shqiptarët, ka njohur rëndësinë e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, andaj, gruaja bëhet figurë e fuqishme në subjektet e shkrimeve të tyre. Një zë i fuqishëm gruaje që shpaloset para lexuesve të këtij studimi është figura e gruas shqiptare, Musine Kokalari. Musine Kokalari është një nga shkrimtaret e para shqiptare. Ajo ishte rritur mes librash dhe fati i saj ishte paragjykuar të bëhej pioniere grua e letërsisë shqipe. E rrethuar me një ambient egërsisht të bukur siç është Gjirokastra, në mesin e legjendave ku ajo kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë së saj, nga jeta e popullit ajo nxori përshtypjet të cilat më vonë u bënë frymëzim dhe shpirt i veprës së saj letrare. Gjithashtu, problematikat e larmishme që has gruaja shqiptare në jetën e përditshme, vihen në letrën e bardhë të Musine Kokalarit. Fakti që shumë nga poezitë e saj i kushtohen gruas shqiptare dëshmon se autorja ka qenë në kontakte me elementë të ndryshëm të kulturës shqiptare. Do të ishte e tepërt të shtoj përshkrime edhe më të detajuara për jetën dhe veprën e Musinesë. Pena e saj e tërhoqi lexuesin, gjithashtu periudha e shkurtër e krijimtarisë së saj ka zgjuar vëmendjen e kritikëve letrarë.
Kur flasim për personazhin e gruas, dihet se ky personazh në të gjitha epokat është vënë në plan të parë dhe pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, mirëpo duke ndjekur zhvillimin e mendimit kritik të studimit në Kosovë, duhet pyetur: “Sa ka ndikuar që gruaja të jetë krijim frymëzues në fushën e studimit”?
Dhe, fokusimi kryesor shtohet, kur pyesim, cila studiuese ka depërtuar brenda ndjenjave të vërteta të gruas? Ajo është Meliza Krasniqi. “Vepra e Musinesë” është titulli i librit të saj të posabotuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ide shumë e guximshme nga ana e saj.
.
Musine Kokalari (Muza)
Musine Kokalari (Muza)

Portreti dhe vepra e Musinesë

Meliza Krasniqi në librin e saj studimor, titulluar “Vepra e Musinesë”, ka arritur ta kornizojë portretizimin e një shkrimtareje shqiptare, Musine Kokalarit, botën e saj emocionale dhe dekadat e errëta nëpër të cilat kaloi ajo. Musineja në studimin e Melizës nuk është gruaja e letërsisë botërore që u dha pas pasionit për të thyer kode të moralit dhe për të krijuar botëkuptime të reja në shoqëri, ajo është thjesht një personash grua shqiptare e cila përpiqet të shohë përtej asaj çfarë ia kishte ofruar mendësia shqiptare. Ajo është heroina e saj, grua inteligjente, me botë të pasur dhe mbi të gjitha grua që ia njeh vlerën vetes dhe që nuk pranon të jetë viktimë e sistemit në fuqi. Me një fjalë të thjeshtë, unë do të thosha se Musineja e Melizës është një shpirt i fuqishëm dhe poete origjinale.
Vlera e një studiuesi qëndron në zbulimin e një diçkaje që e veçon shkrimtarin. Falë talentit të saj prej studiuese, modelin që Meliza Krasniqi zgjedh për personazh të saj kryesor është simbol i gjenialitetit intelektual mes grave shqiptare. Në këtë vepër studimore ajo ka paraqitur në mënyrë të thellë e shkencore botën e kësaj poeteje, e cila zgjodhi letërsinë si “një vendstrehim” ku u mbështet edhe në rastet më të rënda. Gjuha e jetës dhe e letërsisë në krijimtarinë e Musinesë kombinohen, prandaj studiuesja Krasniqi shprehet: “Gruaja ne poetikën e Kokalarit është çfarëdo gruaje e kohës, e cila ilustrohet e trazuar shpirtërisht dhe e cila jetën e koncepton si dëshpërim, vuajtje dhe mjerim.” (Krasniqi 2019: 59).
Poeten Kokalari dhe studiuesen Krasniqi i lidh një subjekt i përbashkët, subjekti në dy rastet është i ushqyer nga figura grua. Kokalari, me një mjeshtri të përsosur të lirikës, ndan dhembjen me fatin e gruas së thjeshtë shqiptare. Lirikat e përfshira në vëllimin me poezi të saj “Kolla e vdekjes” shprehin bukur gjendjen shpirtërore të poetes. Poezitë e saj janë zëri i një shpirti të zymtë dhe vajtues. Meliza analizon në detaje rolin e femrës në poezinë e Musinesë. Gruaja e poezive paraqitet në gjendje shpirtërore të ndryshme dhe përgjat periudhave të jetës, si vajzë e re, nënë me fëmijë, grua e thjeshtë etj. Prapa subjektit të poezive të saj kërkohet një grua e cila nuk do të rrinte e mbyllur vetëm brenda mureve të shtëpisë, por me fuqinë dhe zërin e saj, mund t’i jepte botës një imazh me më shumë ngjyra.
Në monografinë gjithëpërfshirëse të krijimtarisë së Musinesë, “Vepra e Musinesë” analizohet e gjithë krijimtaria e Musinesë “letrare dhe jo letrare” siç e cek studiuesja Krasniqi.Në dhjetë kapitujt e përfshirë në këtë vepër punimi, ku ndiqet modeli kronologjik i krijimtarisë së Musinesë, ne gjejmë të manifestuar një shkallë të lartë të qartësisë dhe kthjelltësisë së shkrimit. Për librin e saj dhe zotërimin e saj mjeshtëror të përshkrimit studimor e biografik të Musinesë, flet edhe recensuesi i librit, Gëzim Aliu: Meliza Krasniqi i është qasur veprës së Musinesë përmes gërshetimit të metodave shkencore, nga analiza tekstuale e deri te metoda sociologjike” (Aliu, 2019). Dhe, ne pajtohemi të definojmë faktin se mbi të gjitha veprën në fjalë e shquan trajtimi shkencor.
Studiuesja Meliza Krasniqi - gjatë studimit të Musinesë
Studiuesja Meliza Krasniqi – gjatë studimit të Musinesë

.

Shikuar në strukturën e veprës, studiuesja Krasniqi, profilin e poetes Kokalari e ndanë në pesë pamje. Çdo pamje tregon biografinë jetës së saj dhe nëse mund i shtjellojmë në pika të shkurtra, Pamja e parë – familja, tregon familjen, prejardhjen e familjes së saj, në pamjen e dytë – shkollimi, paraqitet shkollimi i saj, nga ku u pajis me një kulturë të shumanshme, bën studime edhe jashtë vendit, pamja e tretë – shoqëria, zbulon shoqërinë e saj, nga ku mësojmë se Musineja është shoqëruar me një varg emrash të njohur të politikës dhe kulturës, te pamja e katërt – letërsia paraqitet esencialja se si është formuar personaliteti artistik dhe letrar i saj, dhe pamja e pestë, politika, shpalos sakrificën e saj në politikë, dhembjen e saj pas vrasjes së shumë anëtarëve të familjes dhe paraqitet e prirë të merrte vendimet më të rënda. Studiuesja Krasniqi në veprën e saj përfshinë çdo gjë që është esenciale në lidhje me biografinë dhe portretin e saj, përderisa karakteri i poetes del një grua me vullnet të paepur dhe në secilën pamje tregon guxim, nder, shpresë, krenari, dhembje dhe mëshirë.
Struktura dhe rrjedha e librit vazhdon me pikëpamjet e studiues Krasniqi, duke u përqendruar në prozën e Musinesë, me ç’rast shprehet se Musine Kokalari shfaqet si fenomen letrar në gjininë e prozës, duke sjellë risi tematike, teknike e stilistike në letërsinë shqipe, pra sjell krijime origjinale (Krasniqi 2019: 67). Studiuesja Meliza Krasniqi më së shumti fokusohet në tri veprat në prozë: “Siç me thotë nënua plakë”, “Rreth vatrës” dhe “…sa u tunt jeta”. Në rastin e parë, “Siç më thotë nënua plakë”, studiuesja i qaset nga aspekte teorike, duke thënë se tregimi me po të njëjtin titull është tekst që i prin veprës për nga ndërtimi teorik, shfaqja formale e diskursi (Krasniqi 2019: 69). Ndërkaq, “Rreth vatrës” është përmbledhje tregimesh të lidhura të cilat do t’i lexojmë si strukturë e thurur nga tekstet integrale të përrallave dhe formave të tjera orale (Krasniqi 2019:118), kurse, “…sa u tunt jeta” është roman me karakteristika të veçanta si për kah teknika e krijimit, ashtu edhe për kah ideja, themi se është projekt eksperimentimi me rëndësi të veçantë. Autorja në këtë vepër zgjedh të shkruaj për ceremonialin e dasmës ku mbulohen dhe përfshihen doket, zakonet, ritet, jetesa etj.” (Krasniqi 2019: 159-160).
 
Studiuesja Krasniqi merret edhe me librin e fundit të Musine Kokalarit “Si lindi partia Social Demokrate”, udhëheqëse e së cilës parti ishte vetë Musineja. Libri dëshmon dhe rrëfen karakteristikat e vitit 1937 deri në lirimin e saj nga burgu në vitin 1961. Kokalari shkruan hollësisht për takimet, diskutimet, vendimet e partisë dhe të vetat personalisht: të gjitha këto ndërtohen përmes kujtesës së saj, tridhjetë e pesë vjet më vonë.
Të një rëndësie të veçantë janë edhe pjesët tjera më të shkurtra të këtij libri studimor si: “Kujtimet”, struktura e të cilave nuk është e përcaktuar me ndonjë rregull, janë shkruar në forma të shkëputura dhe të shkurtra. “Letrat”, për të cilat studiuesja e Kokalarit vlerëson se nuk janë aq intime, por megjithatë ato bartin mjaft shenja autobiografike, ato janë të shkruara ne veten e parë me një diskurs krejt personal. Gjithashtu, në fund të këtij libri, studiuesja Krasniqi shton edhe një skicë të shkurtër mbi kritikën e jetës dhe veprës së poetes së parë shqiptare, ku studiues të ndryshëm të letërsisë shqipe, me studimet e tyre kanë hedhur dritë mbi jetën dhe krijimtarinë e saj.
.
Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari para gjyqit…

Përfundim

Musine Kokalari vdiq nga kanceri i gjirit. Ajo vdiq e vetme dhe e internuar në Rrëshen. Jeta e saj e rëndë është rezultat i asaj që ajo ishte gjykuar si antikomuniste dhe iu desh të paguante shtrenjtë qëndrimin ndaj realitetit. Për një sistem të pandjeshëm ndaj së vërtetës, fjalët dëshmohen si gjëja më e fuqishme në botë. Ishte e qartë se një grua e sinqertë dhe vizionare siç ishte Musineja, ishe e shënjuar nga një sistem i tillë. Ajo nuk u përkul, ajo nuk kishte frikë nga diktatura komuniste. Ishte e vetëdijshme për detyrën dhe për misionin e saj. Gra të tilla mbesin përherë në kujtesën e kombit.
Shikuar nga këndshikimi i studiueses Krasniqi, sa i përket konceptit krijimtarisë së poetes, ajo thotë: “Duke vërejtur se lexuesi dhe kritika kanë qëndrime të anshme ndaj figurës së Musinesë, pasivë ndaj veprës dhe aktivë ndaj jetës, jemi munduar që, për lexuesin e ardhshëm të saj, të argumentojmë se Musineja, përveç intelektuale e diplomuar në Romë, me origjinë nga një familje aristokrate, e dashur dhe e respektuar nga intelektualët dhe personalitetet e kohës, e dënuar dhe e persekutuar për shkak të politikës, ishte e para shkrimtare grua shqiptare dhe e vetmja deri në vitet 1960 që botoi libër.” (Krasniqi 2019: 239).
Studimi i studiueses Meliza Krasniqi mbi krijimtarinë e shkrimtares Musine Kokalari është një ndër të arriturat më të dalluara dhe më me vlerë studimore të kohëve të fundit në botën intelektuale shqiptare.
.
(Meliza Krasniqi “Vepra e Musinesë”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019) 25.01.2020
.
Marrë nga https://observerkult.com meliza-dhe-muza-e-saj-dy-zonjat-m-m

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.