back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Memorandumi i Gerçës (10 – 23 Qershor 1911) – nga Fritz Radovani

Gazeta

Malsia e Mbishkodrës mbas Faljes së Sulltanit 1911
Malsia e Mbishkodrës mbas Faljes së Sulltanit 1911
Memorandumi i Gerçës (1023 Qershor 1911)
nga Fritz Radovani

Ishte viti 1911…:
Asht mirë me marrë hartën e Shqipnisë dhe shikoni ku bjen Gerça!
Janë mundue disa deri tashti me fshijë Bratilen, Kelmendin, “Beslidhjen e Veriut”, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Kanunin e Skënderbeut”!
E tashti, si për faktet tjera, po punohen me e fshi nga faqet e Historisë së Lavdishme të Maleve të Veriut edhe “Memorandumin e Gerçës! së vjetit 1911.
Ky Memorandum 113 vjet përpara asht thirrë “Libri i Kuq” vetëm nga kopertinat. Ishte data 10 Qershor 1911, pra dy muej mbas 6 Prillit 1911, në Bratilen e Dedë Gjò Lulit, kur At Mati Prennushi, hapi në dy kapakë dyertë e qelës së Tij në Gerçë, për miqtë e vet të shtrenjtë e besnikë me të cilët e lidhte përjetsisht Formula “Atdhe e Fe”, për të cilën ishin gati me ba vdekjen si me le! Nana Drande e At Matisë ishte në kambë me ua gatue bukën dhe me ua shtrue sofrat Burrave të Malësisë, që ishin tek Frati si në shtëpinë vet! Armët Ata i kishin të varuna tek Dera e qelës, ashtu ishte rregulli i Kuvendit të Burrave.
Klerikët dhe miqtë ishin në krye të vendit, mandej rreshtoheshin Burrat e Malësisë së Veriut ashtu si kishin rregullat e veta simbas Kanunit. Memorandumi i Gerçës (ose Libri i Kuq) asht nënshkrue me datën 23 Qershor 1911, dhe në Hymje ka këte tekst në dy gjuhë, Shqip e Frëngjisht: “Memorandum mbi vendimet e dhanuna prej Kuvendit të pergjithëshem të Krenëvet Shqyptarë në Gerçë me 10/23 të Qershorit 1911, si përgjegje të reklamacjonit të Shekjet Turgut Pashës.”
Kët Memorandum e firmojnë Burrat e Nderuem të Maleve tona:
Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjo Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukël), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj)dhe Bek Delia (Dukagjin).
Ky dokument Ju asht paraqitë Kuvendit të Krenëve të Kryengritjes i shkruem me një gjuhë të përbashket Gegënisht dhe Toskënisht nga Luigj Gurakuqi, i cili ishte ndër të paktit letrarë Shqiptarë që dinte me i shkrue dhe me i folë pa vështirësi të dy dialektet e Gjuhës Shqipe.
Qëllimi ishte që këte Memorandum shumë shpejtë ta përkrahte edhe Shqipnia e Jugut, ashtu sikur edhe ngjau. Materiali pasqyrohet edhe në të gjitha dokumentat historike të asaj kohë.
Të pranishëm aty ishin edhe Klerikët Katolikë Shqiptarë të atyne krahinave që përfaqsoheshin aty, tue fillue nga i zoti i shtëpisë, At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me Ipeshkvijtë e njohun Imzot Luigj Bumçi e Imzot Lazër Mjedja, që kanë ndihmue edhe në përgatitjen e tekstit.
Aprovimi asht marrë edhe nga Imzot Jak Serreqi, Argjipeshkëvi i Shkodrës. Ishin aty të pranishem edhe Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë për Pavarësi.
Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue përfshi aty edhe Arbëreshët e Italisë.
Memorandumi ju dorzue përfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911, nga këta Përfaqësues të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod Preçi (Kastrat), Prekë Gjetja (Kelmend) dhe Luigj Gurakuqi (Shkodër).
Nga Kujtimet e Imz. Luigj Bumçit kemi një dokument me randësi që tregon se kur “Përfaqsuesi” turk në Cetinë, Sadedin Beu e pyet Dedë Gjò Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat e “Librit të Kuq”? – I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë, Dedë Gjò Luli i ishte përgjegjë: “Ato pika që janë në Librin e kuq i dona ma parë për vedi, e mandej, për Shqipninë mbarë…!”

Pjesmarrës në Memorandumin e Gerçës
Pjesmarrës në Memorandumin e Gerçës

E fjala mori dheun.
Gazeta e parë që botoi Memorandumin ishte ajo Austriake “Neue Freie Presse” e Vjenës, që ka shkrue 12 kërkesat që me 25 qershor 1911, vetëm dy ditë mbas përfundimit të Kuvendit në Gerçë.
Gazeta e dytë që i bani jehonë të madhe Memorandumit me 12 kërkesat e Shqiptarëve të Veriut, ishte ajo franceze “Le Moniteur Oriental” me datën 26 qershor 1911.
6 korrik 1911, Gazeta e Shkupit “Vardar” e boton të plotë Memorandumin e Gerçës.
Gazeta “Corriere d’Italia” njofton per Memorandumin e Gërçës me 12 korrik 1911, se: “Memorandumi asht një program politik që kërkon me shkëputë Shqipninë nga Turqia.”
Kuvendi i Gerçës nuk kishte mbetë jashtë vëmendjes së komuniteteve Shqiptare në Bullgari, që botojnë “Librin e Kuq” në gazetën e tyne “Liri e Shqipërisë” në Sofje, me datat 7 e 20 korrik 1911.
Gjithashtu Arbëreshët e Italisë e botojnë italisht në Gazeten e tyne “La Nazione Albanese” Memorandumin e plotë, që plotsohej edhe me komente shumë shpejtë ndër shumë gazeta italiane.
Nuk vonojnë Vlona, Gjinokastra e shumë qytete të tjera të Trojeve Shqiptare, me botue dhe me publikue “Memorandumet” e veta per Pavarsinë e plotë të Shtetit Shqiptar.
Krasniqe e Tepelena me Malësitë e Gjakovës edhe Durrësi, rrokin armët e Lirisë. Çohet në kambë Mirdita e Don Nikoll Kaçorrit, e mbas Tij Shqipnia e Mesme. Nuk rri pa u përgatitë as Gjin P. Pervizi e as Isa Boletini, as Hasan Prishtina dhe as Bajram Curri.
Memorandumi i Gerçës i paraprin Pavarsisë së gjithë Shqipnisë, në Vlonën Heroike të ditës së 28 Nandorit 1912!
Shqipnia u shpall Shtet i Pamvarun nga Turqia!

***
Këta Emna Shqiptarësh të Nderuem, shumica nuk janë fare në Historinë e Shqipnisë! Dhe, as nuk dihet as sot deri kur!?

Pjesmarrës në Memorandumin e Gerçës
Pjesmarrës në Memorandumin e Gerçës

Memorandum
Mbi vêndimet e dhânuna prejKuvêndit të përgjithshëm të Krenevet
Shqyptarë në Gerçë më 10/23 të Qershorit 1911

Si përgjigjeje të proklamacjonit të Shefqet Turgut Pashës

1.Garantie kundra përsëritjes pas sodit [6] tëe veprimeve e të mënyrave antikonstitucjonare nga ana e Qeveries qëndrore e t’Auktoritetevet vendore në të gjithë Shqypnien. Nderim për të gjithë feet e për zakonet e vjëtra të garantuara nga konstitucjoni e të konsakruara nga kanunet e zakonët.
2.Të njohunit e plotë të kenejes së kombit shqypëtar me atò të drejta që kanë kombet e tjera të Mbretëries.
3.Lirie të plotë për Shqypëtarët të zgjedhin pa ndonji pengim a ngushtim deputetët e vet, numri i të cilëve do t’i përgjigjet popullsies.
4.Lirie të plotë për Shqyptarët të mësohen e të përparojnë në gjuhë të vet, e të themelojnë shkolla shqype të veçanta e të botëshme të cilat të kenë të gjitha ato të drejta që kanë shkollat e Qeveries. Nderim për të drejtat që u janë njohun Krenëve fetare të kërshtenë për sa i përket mësimit ndë shkollat që janë nën sundimin e tyne.
5.Organizim i administrimit të Vilajeteve, ku ndodhen Shqypëtarë, i cili të ketë për themel një system decentralismi administrator, që t’u përgjegjet nevojeve të vendit e zakoneve të vendasve, e që t’afrojnë rregullat e përgjithëshme t’administrimit të njohuna prej konstitucjonit me praktikat e konsakruara prej kohës në disa vise.
6.Të zgjedhunit e Valinjve e të tjerëve nëpunës të lartë të shtet ndë mest mâ të mirëve e mâ të vjefshemve zyrtarë të shtetit [7] tue pëlqye mâ tepër ata që dijnë gjuhën e zakonet e vendit. Emnim i të tjerëve nëpunës civilë e financjerë e të gjyqëtareve ndë mest t’atyne që janë shqypëtarë e që të kenë cilësiet e njohësiet e lypuna. Xhendarët e agjentët e policies ashtu dhe nëpunësit tjerë të zgjidhen ndë mëst mâ të zotëve nga njerëzit e vendit.
7.Emnim i një përfaqsonjësi të Sulltanit si inspektor i përgjithëshëm për një periudhë vjetësh me barrën që të shekonjë të vuemit besnikisht n’udhë të nomit organik të mbaruarit e detyrës së Valinjve e të tjereve nëpunës, e të mbajtunit e qetësies e të harmonies ndë mest t’elementeve të ndryshme ethnike që ndodhen ndë Vilajete bashkarisht.
8.Përdorim i gjuhës shqype ndë marrëveshje në mest të t’administruarve e t’administratoreve të vendit, e ndë kuvende e gjykime përpara gjyqeve për krah me turqishten që âsht e mbetet gjuha zyrtare e qeveries qëndrore.
9.Shërbim ushtariak i detyrueshëm për të gjithë Shqypëtarët me systeme skanjesh (systeme de cantonnement), në kohë paqe; e një organizim të veçantë për vendasit e viseve që ndodhen në kufî të Shteteve Balkanike, tue u dhanë lehtesien që të munt të bajnë shërbimin në vent e të ruajnë segurien e kufinjve. Ushtarët do ta kenë të lirë shërbimin e besëve të tyne e të mbajtunit e zakoneve të veta.
10.Të lidhunit për nevojet e vèndit të të gjitha t’ardhunavet, përveç se atyne të Gjymrykut – [8], të Postës e të Telegrafës, të Duhanit, të Shpirtravet, e të Pullavet, të cilat janë dhânë për disa shërbime të veçanta.
Të lânunit për ndërtim udhash, e hekurudhash me ndërâshtje vêndore e për mbajtjen e shkollave të botëshme të një pjesè të tepricës t’ardhunave të përmenduna sypri ashtù edhe të të gjitha pagesave për udha, të pagesës shtimore për mësim e të 3 % të së drejtës së hyrjes.
T’u njihet komuneve e drejta e të prerit drejtë për së drejti ose me anën e tjerëve, të pyjeve të vendit me detyrë për komunat me marrë për barrë ruajtjen e tyne, me rregullue të prerit, pas urdhnave teknike, e me i paguar fiskut një pagesë që do të shênjohet pas llojit te drunjve e pas largimit të pyllit nga limani osè nga vêndi i shitjes.
11.Të drejta për Këshillat e përgjithëshme të munt të japin vendimë mbi buxhetin e Vilajeteve e të bajnë kontroll të prishuna.
12.Kërkim i fundeve të nevojëshme që të shegurohet mbledhja e të hollave që lypsen për goditjen rishtazi të shtëpiave e të ndërtesave të djeguna; e themelim i nje komisjoni të përziem (comission mixte) e të mosvarme që të vështronjë këthimin në vent të njerësve të damtuar e goditjen e shtëpiave të djeguna.
Të kthehen armët e marruna me detyrë për ata që i mbajnë që t’i shtarohen kanunit të posaçëm.
Fq. 913 të Revistës ”Leka”, Nr. 1 kallnduer 1937 nga Bep M. Pjetri

***
Shënim nga F.R. Ajo “Histori” e shkrueme pa ngjarjet e Maleve tona të vitit 1911, nuk pranohet sot në fletët e sakta të Historisë së Shqipnisë. Mbas vitit 1944, disa “dr. prof e akademikë” e kanë fallsifikue Historinë, dhe e kanë shtremnue si ua kanë kërkue “disa…”, e fatkeqsisht ashtu asht edhe sot!
Detyra e secilit Atdhetar Shqiptar asht që “Memorandumi i Gerç
ës 1911”, duhet njoftë saktë nga të gjithë Ata që njohin edhe vedin për Shqiptarë!
Foto Marubi 1911.
Melbourne, 17 Qershor 2024

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.