back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Memoriali i Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare me origjinë nga Dukagjini, do të vendoset në Shalë – nga Frank Shkreli

Gazeta

Gazetari Frank Shkreli
Gazetari Frank Shkreli

Memoriali i Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare

me origjinë nga Dukagjini, do të vendoset në Shalë  

nga Frank Shkreli

“Vuajtja, o bir e ban ma fisnike fitoren” 
At Ciprijan Nikaj

Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, 
2023 kujtohet në ish-kampin e internimit të Tepelenës

Çdo vit, 23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, dy ideologjive barbare, shkatërrimtare të shekullit të 20-të, dy regjime kriminale që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të totalitarizmit. Është një ditë e cila shënohet – në kujtim të viktimave të komunizmit e nazizmit – në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. E njohur edhe si “Dita e Shiritit të Zi”, që nga viti 2008, Parlamenti Evropian e ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/ nazizmit, që prej atëherë shënohet, zyrtarisht, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Data e 23 Gushtit është caktuar zyrtarisht si ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/ nazizmit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq ruso-nazist Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.
Siç dihet – përveç tragjedive të tjera -nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të zezave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim pas fitores kundër nazizmit e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizëm/stalinizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet, përfshi Shqipërinë dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. Anë e mbanë Evropës, Shteteve të Bashkuar dhe Kanadasë është shënuar sot kjo ditë me dhimbje dhe respekt për miliona viktima të pafajshme të komunizmit e nazizmit.
Edhe në Shqipëri, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) njofton në portalin e këtij enti se në Tepelenë  më 23 gusht 2023, u zhvillua ceremonia e përkujtimit në ish kampin e internimit të Tepelenës, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare. Thuhet se morën pjesë përfaqësues të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të mbijetuar e familjarë të viktimave në kampin e internimit 1949-1953, si dhe familjarë të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës. Ata nderuan vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pafaj që u internuan në Tepelenë dhe kujtuan viktimat e komunizmit barbar enverist, sllavo-aziatik duke vendosur kurora dhe lule pranë ekspozitës informuese në ish-kampin e ngritur nga AIDSSH. Facebook. Përkujtimi i kësaj dite mbarë evropiane kushtuar viktimave të komunizmit e nazizmit, përfshi ceremoninë e mbajtur në Tepelenë, në kujtim të viktimave të pafajshme – gra, të moshuar e fëmijë – viktima të regjimit barbar komunist të Enver Hoxhës – me gjithë mungesën e autoriteteve të larta të Tiranës zyrtare në përkujtime të tilla – na bën të besojmë se e keqja – krimet dhe barbarizmat e regjimit komunist në Shqipëri kundër njerëzimit -nuk e kanë kurrë fjalën e fundit.
Në këtë ndërkohë dhe në kuadër të kësaj dite evropiane në përkujtim të viktimave të komunizmit, disa ditë më parë më ra në dorë një njoftim i publikuar nga këshilltarja e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra – Shkreli, me të cilin përhapte lajmin e mirë se, “Me 26 shtator 2023, në Breglum, Shalë, Shkodër, do të vendoset memoriali i Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, me origjinë nga Dukagjini”, duke shtuar se hollësitë e ceremonisë do të njoftohen më vonë.
“Shekulli i 20, paraqet në Shqipëri një panoramë brutale që do të mbahet mend në histori si periudha më e errët e martirizimit”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga një komision përgjegjës për organizimin e ceremonisë së inaugurimit të Memorialit kushtuar klerikëve të martirizuar katolikë nga zona e Dukagjinit. Memoriali në Shalë u kushtohet 8 burrave të vrarë nga komunizmi dhe të shpallurve “të lumnuar” nga Kisha Katolike Universale: At Ciprian Nikaj, O.F.M, At Bernardin Palaj, O.F.M., At Gjon Shllaku, O.F.M., At Gaspër Suma, O.F.M., Dom Dedë Plani, Dom Mark Xhani, Dom Lazër Shantoja dhe Gjelosh Lulashi, martir laik.
Në njoftimin e grupit organizues për ngritjen e Memorialit thuhet se jeta dhe historia e këtyre martirëve tregon se besimi nuk është diçka abstrakte, por një forcë e jashtëzakonshme e lidhjes me Zotin, me virtytet më të larta shoqërore dhe njerëzore, është frymëzim dhe kurajo deri në sakrificë sublime.”
Ngritja e këtij Memoriali, një nismë private – sipas këtij njoftimi – është një ide dhe dëshirë e kahershme që sot po bëhet realitet nga dy familje të nderuara: familja e Gjin Markaj dhe familja Dedë Prendaj, dy familje të nderuara nga Shala e Dukagjinit.  Ky memorial është një reflektim për ccdo dukagjinas dhe shqiptar për të kujtuar shembujt dhe mesazhet që martirët dhanë deri në minutat e fundit të jetës, thuhet në njoftim.
Këta 8 burra të Dukagjinit që rrjedhin nga toka fisnike dhe e martirizuar shqiptare gjatë një dimri të egër gjysëm-shekullor nën regjimin ateist të komunizmit sllavo-aziatik, i dhanë Kishës Universale, shoqërisë dhe Kombit Arbëror, dëshmi dhe shembëll duke vdekur për besimin në Zotin, për vlerat njerëzore, kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore – vlera këto që nuk shuhen kurrë.  Edhe ngritja e Memorialit kushtuar klerikëve dukagjinas muajin që vjen, do të konsiderohet si një ditë që na e dhuroi Zoti, siç është shprehur Papa Gjon Pali i II, kur ka përshkruar vizitën e tij në Shqipëri, në vitin 1993 – si një shenjë se e keqja dhe tragjedia gjysëm shekullore, e quajtur komunizëm, nuk do të zgjaste përgjithmonë, se liria do të triumfonte dhe herët a vonë, e vërteta do të manifestohej, përgjithmonë!
Vizita apostolike e Papa Gjon Palit të II në Shqipëri në vitin 1993, ishte një dëshmi e kësaj së vërtete, një manifestim i veçantë për Shqipërinë, megjithëse ishte shpallur si vendi parë atesit kundër Zotit dhe Kombin shqiptar. Me atë rast, Gjon Pali i II i tha të vërtetën, botës dhe shqiptarëve, për rolin historik të komunitetit katolik të martirizuar nga regjimi komunist, veçanërisht klerikët e Kishës Katolike, në mbrojtje të  vlerave shekullore kombëtare dhe identitetit historic të shqiptarëve.
“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! …Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”, është shprehur Papa Gjon Pali i II më 25 prill 1993, në Shqipëri,  E pastaj nxitja atërore e Shën Gjon Palit II për të sotmen e shqiptarëve: “Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin!” Por edhe thirrja për kujtesën e përhershme: “Të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”.  Memoriali që do ngrihet, muajin që vjen, në Shalë të Dukagjinit kushtuar klerikëve martirë të asaj zone, simbolikisht, do të bëjë pikërisht këtë: Do të ndihmojë që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme. Njëherazi, ky është edhe mesazhi i ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare komunisto-nazizte, 23 gusht, 2023. E vërteta, më në fund, triumfon, ndërsa e keqja nuk e ka kurrë fjalën e fundit.

“At Çiprian Nika, ish Provincial i Urdhërit të Shën Françeskut në Shkodër, është arrestuar në nëntor, 1946 me akuzën absurde të mshefjes së armëve në kuvendin Françeskan në Shkodër. Kjo komedi, u shpik nga Seksioni i Sigurimit të Shtetit, nën kryesinë e Major Zoi Themelit dhe u përhap me radio e shtyp nga (komunistët) shqiptarët dhe më vonë edhe nga jugosllavët. Marsin e vitit 1948, At Ciprian Nikaj u pushkatua, ndërsa të njëjtën tragjedi pësuan shumë françeskanë të tjerë shqiptarë.”  Porosia e At Ciprian Nikajt për Sami Repishtin, 20-vjeçar në atë kohë, bashkvuajtës në të njëjtën qeli me të: “Po ta la amanet, nxjerre të vërtetën në shesh”. “Të jap besën!”, i është përgjigjur Profesori i ardhëshëm, i cili është liruar 9 vjet më vonë nga burgjet e komunizmit enverist. “Për një minutë të pambarim e solemn mbetëm të heshtun në parzmet e njani-tjetrit, sikur të dojshim me u sigurue se vazhdueshmënia e së vërtetës, e ndërpreme prej vdekjes së fratit, do të mbijetonte në mue e do ta shfajësonte viktimën”, ka shkruar në librin:  Lotë – Lavdi e Lumnim. Prof. Dr. Sami Repishti, bashkvuajtës në të njëjtën qeli, me At Ciprian Nikën.

Nga ceremonia në Tepelenë, Gusht 23, 2023

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.