back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mendime mbi trajtimin e nji gjuhe letrare shqipe M.Merlika

Gazeta

Mustafa Merlika-Kruja
Mustafa Merlika-Kruja

Mendime mbi trajtimin e nji gjuhe letrare shqipe

Mustafa Merlika – Kruja

(1940) Fjala Review

Përpiluesat e programës së çfaqjeve qi po bâhen me rasën e mbledhjes në kryeqytetin t’onë të Kuvêndit të parë albanologjik italo-shqiptar, më kishin pamë edhe mue të denjë me mbajtun nji konferencë me nji themë të përshtatun.
Thema e përshtatun për këtë rasë nuk mund t’ishte veçse nji themë shkencore, letrare, artistike a historike. Për me përgatitun kso konferencash me ndonji farë karakteri sado pak origjinal duhet kohë e gjatë, duhen rrëmue burime të ndryshme, duhen këndue vëllime. 10 dit kohë qi kishem e s’kishem përpara për gjithë këte punë nuk ishin mjaft, për mue nemose, edhe sikur të mos kishem kurrfarë punë tjetër.
Me gjithë këtê ishte aq’i madh, aq’i fortë nderimi i im për miqt qi më kishin mbërthye për këtë punë me albanologun e shquem Prof. Tagliavinin në krye, sa qi m’u desh m’u dhânë pa tjetër.
U mundova, veç, qi të zgjedh nji themë pak si tërhekse edhe për ndëgjuesin profan, së paku aqë sa mos me shkaktue gogsina mërzitije.
Shikoni se, gati gati, me fjalën gogsinë, u futa disi në themë pa dashun. E vê me kusht se midis jush ka shumë qi s’e dijnë se gogsinë, shqip don me thânë nj’atë të çelme goje të pavullneçme qi bâjmë zakonisht kur na vjen i bardhi gjumë ase kur na hyp nji mërziti.
Thema jonë pra âsht: “Mêndime mbi trajtimin e nji gjuhe shqipe” Qyshë se ju them mêndime… ju e kuptoni se nuk due me thanë se po vé rregulla e ligje; por as nuk do të shtrihem në nji studim kritik a qoftë edhe në nji shfaqje mêndimesh të ndryshme studimtarësh të kësaj probleme. Ju diftova se më ka mungue koha për t’iu përgatitun nji pune të thellë kso dore. Due pra me shtrue para jush vetëm mêndimet e mija vetiake.
Nuk âsht rasa me shkoqitun këtu theori shkêncore e filosofike, zhvillimi i të cilave ka mbushun vëllime qysh prej filosofave të mëdhaj të Greqisë së moçme e deri në dit t’ona, mbi gjuhën vetë si mjet të shprehuni e të kuptuemi në mes të njerëzve. Po hŷj pra fill e në themën t’eme.
Pikë së pari le të merremi vesht mbi ça kuptoj un kur them nji shqipe letrare. Kur them nji gjuhë shqipe letrare kuptoj nji gjuhë letrare si të tâna tjerat në botë, si të tâna gjuhët e popujve të qytetnuem qi kanë nji letërsí kombtare, nji gjuhë të shkrueme të përdorun e të kuptueme po në nji mënyrë prej gjithë atyne qi e flasin.
Përdora fjalët letërsí kombtare. Përcaktimi i letërsís me mbiemnin kombtare s’ka këtu për qëllim me përjashtue letërsít e hueja, qi në themën t’onë janë vetvetiu të përjashtueme, por ato të djalekteve, të krahinave të banueme prej grumbujsh të ndryshëm po të nji populli të vetëm. Ka letërsí kombtare e letërsí krahinore, sepse ka gjuhë kombtare e gjuhë krahinore. Për t’u marrë vesht mâ lehtë e mâ shkurt âsht bâmë zakon me i thânë gjuhë vetëm gjuhës kombtare e ato të krahinave me i quejtun djalekte. Mirë po në të vërtetën shkêncore edhe djalekti s’âsht kurrgjâ mâ pak se nji gjuhë, mbasi atê flasin e me tê merren vesht nji grumbull i madh njerzish. E sikurse flasin e merren vesht n’atë djalektin e vet për mbehít e jetës së ç’do çasi, gjithashtu po m’atë mjet i rreshtojnë të vdekunit të dashun ligjet e tyne dhe idhullit, të zêmrës a kreshnikut qi përjetohet ndër valle e ndër fije të lahutës kângët e tyne. Në djalekt ka këndue Naimi, në djalekt Fishta e në djalekt gjithë poetët t’anë të vjetër e të rij.

Mustafa Kruja - Merlika: Botim
Mustafa Kruja – Merlika: Botim

Por a s’âsht mëkat qi X i Jugës t’i thotë vetes shqiptar, të thotë se flet shqip edhe mb’anë tjetër të mjerohet sepse nuk e shijon dot poezin fishtjane e, mâ zí, në shumë vênde të saja të mos e kuptojë aspak? E anasjelltas a s’âsht gjithë aq mëkat qi Y, i Veriut të shprehet gjithashtu për poezin e Naimit? E pse ndodh këta? Këta ndodh sepse na s’kemi ende nji gjuhë kombtare e pra as nji letërsí kombtare: nji gjuhë qi t’a kuptojnë, t’a flasin e t’a shkruejnë të gjithë shqiptarët si njâni tjetri përveç djalektit të vet e përmbi tê.
E si mund t’a kishte shqiptari i mjerë nji gjuhë të këtillë deri sot? Gjuha kombtare nuk âsht nji fenomen i natyrshëm si gjuha vetë, domethânë si vërtyti i së folmes së nji grumbulli njerzish me nji mjet të përbashkët, të pagdhêndun ashtu siç e kanë trashigue prej shekujsh. Gjuha kombtare âsht piksëpari nji gjuhë letrare. Nji gjuhë e shkrueme e lavrueme dhe e shtrime dalngadalë në të gjithë popullin me anën e shkollës e të veprave letrare. Gjâ kjo qi ngjat diku me dheta e diku me qinda vjeç, simbas fuqís së mjeteve qi i shërbejnë, simbas ndryshimeve mâ të vogla a mâ të mëdhá të djalekteve në krahinat e ndryshme, simbas gjânsís së vêndit e shumicës së popullit e sa e sa rrethanash tjera. Me nji fjalë mund të thomi se gjuha kombtare, gjuha letrare e nji kombi âsht nji prodhim historik. E historija e kombit tonë, për shkaqe qi din gjithkush, s’ka mundun deri sot, s’ka pasun sesi me prodhue nji gjâ të këtilë. Të parët t’anë mâ të hershëm, Ilirët, s’na kanë lânë nji gjuhë të shkrueme. Principatat shqiptare të mesjetës kanë përdorë si gjuhë shkrimi zyrtare ku greqishten e ku latinishten e shkolla s’ka qênë modë aso kohe në vêndin t’onë. Nën sundimin tyrk, kur filluen me na u çel sŷt neve, shkrimi e këndimi shqip përbânte nji delikt kundra shtetit. Ato vepra të pakta fetare të shkrueme prej disa kishtarve janë sot nji thesar për gjuhën t’onë, por qëllimit qi po rrahim këtu s’i kanë bâmë asnji shërbim në kohë të vet. Botimet italo-shqiptare nuk patën mundun të përhapen aspak në Shqipni. Veprat tjera djalektore me subjekte të ndryshme filluen të shkruhen në gjuhë t’onë përjashta Atdheut vetëm vonë në gjymsën e dytë të shekullit të kaluem, dhe filluen të shpërndahen fshehtas edhe mbrênda. Ndëkimi i këtyne veprave në formimin e nji gjuhe letrare kombtare ka qenë fare i vogël. Veprat tosknishte kanë qarkullue nëpër duert e nji pakice gegësh dhe i kanë mësue këta njifije me do fjalë e trajta të Jugës. Mâ pak zell kanë diftue jugorët për veprat gegënishte, atje mbrênda edhe Lahuta e Malcis.
Nji hapë themelore pat hjedhun Kuvêndi i Manastirit në 1909, tue njisue abecét e ndryshme qi përdoreshin deri atëherë. Nji tjetër hap me nji rândsi shumë mâ të madhe në këtë drejtim u bâ në Kuvêndin e Elbasanit pak mâ vonë ku u pranue djalekti i atij qyteti si themel i gjuhës kombtare.
Por këtij qëllimi, trajtimit të nji gjuhe letrare shqipe, i ka shërbye shumë mâ tepër se cilado vepër tjetër deri atë kohë, Komisija letrare qi qe formue në Shkodër me të vajtuemit Luigj Gurakuq e Dom Ndre Mjedë në krye nën pushtimin ushtarak t’Austro-Hungarís.
Qyshë mbas luftës botore e këndej, mbrênda këtyne njizet vjetve, sikur të kishin qênë në krye të punës njerëz qi e çmojnë gjuhën kombtare ashtu siç meriton m’u çmue, si themelin mâ të fortë të kombsís, si fillin mâ të fuqishëm të njisís kombtare, me shkollat dhe shtypin qi kemi pasun, sigurisht do të kishim pamë sot në trajtimin e gjuhës s’onë letrare nji përparim qi do të na kënaqte shpirtin. Por e vërteta âsht se ma shumë ka bâmë në tri vjet Komisija Letrare e Shkodrës se Qeverít shqiptare në njizet vjet. Madje nuk dij a âsht mâ i madh shërbimi qi i ka bâmë shqipes në këtë kohë shkolla apo dâmi qi i kanë bâmë nji pjesë e shtypit dhe burokratija me gjuhën e tyne qi âsht marre t’a quejmë shqipe.
Por qe se sot ndodhemi përpara nji nisjative qi ka me qênë guri i themelit të kulturës shqiptare përgjithsisht dhe i formimit të nji gjuhe shqipe letrare e mbandej kombtare posaçisht. Nisjativa âsht ajo qi dijmë të gjithë e qi i ka dhânë shkas e rasë ksaj mbledhjeje e ksaj konference. Janë ftue në Kryeqytetin t’onë mâ të shquemit lavruesa italjanë të studimeve shqiptare, qi bashkë me intelektualët t’anë të rrahun n’atë degë, të sqyrtojnë udhët e mënyrët mâ të mirat sesi me sigurue zhvillimin mâ të shpejtë e mâ të përsosun të problemave kulturore të Kombit shqiptar me gjuhën shqipe në ballë. (……)omisis
Mbasi tashma po jemi të sigurtë se ka m’u punue për gjuhën shqipe, cili kishte me qênë drejtimi mâ i përshtatshëm për nji punim të frytshëm në trajtimin e nji gjuhe shqipe letrare e kombtare? Piksëpari a mund të bâjmë gjâ na për t’i shërbye formimit të ksaj gjuhe në nji farë drejtimi qi na pëlqen? A po do të thomi se gjuha kombtare formohet vetvetiu prej rrethanash të ndryshme qi i ndihmojnë tërthuer e qi i apin nji rrymë e nji krye, nji mbarim, jo vetëm jashta vullnetit t’onë, por ndoshta edhe në kundërshtim me tê a të pakën nji mbarim qi nuk do t’i ketë shkue as për mêndsh brezit t’onë?
Asht e vërtetë se gjuha kombtare, si e kam thânë edhe mâ parë, âsht nji prodhim historik. E mbasi historija, do të thotë ndokush, ka ligjët e veta të pakundrështueshme e prodhimet e saja lejnë e rregullohen në bazë të këtyne ligjve, ç’na përket neve me bâ për trajtimin e gjuhës s’onë kombtare veçse me u mjerue qi nuk do t’ja mrrijmë asaj dite të bardhë për me ndëgjue nji tingull të vetëm, nji jonë të vetme kur të flasin korçari me shkodranin e gjakovsi me filatasin e Çamërís? Un jo, nuk jam në këtë mêndim. Vërtet historija ka ligjet e veta të pashlyeshme si rrymat e lumnavet. Por se këto rryma mêndja e njeriut i rregullon me pênda, rema e kanale dhe nxjerr prej sosh dobín mâ të madhen qi të jetë e zonja me nxierë. Me fjalë të shkurtna un them dhe besoj se na mund dhe duhet t’i ndihmojmë formimit të gjuhës s’onë kombtare në dý drejtime. Mund t’i ndihim pikë së pari qi ajo, në zhvillimin e saj, të marrë nj’atë rrymë, nj’atë drejtim qi lyp karakteri i saj i veçantë për me mbetun gjithë motin e jetës gjuhë shqipe. Së dyti mund t’a shpejtojmë këtë zhvillim drejt mbarimit e përsosunís.
Si po e shihni, nuk jam tue thânë qi na të marrim e të gatuejmë nji bukë simbas ândës s’onë prej brumit të shqipes qi kemi sot në dorë dhe t’i a vêjmë përpara popullit shqiptar si manë të rame prej qiellësh. Por jam tue thânë se pa ia ndërrue, madje tue pasun të tânë kujdesin me ia ruejtun rrymën e natyrshme të zhvillimit qi gjuha e jonë ka me bâmë për me mbërrî në thronin e nji gjuhe syprane kombtare, na mund t’a përkrahim e t’a shpejtojmë këtë zhvillim.
E si?
Shqipja ka dý djalekte kryesore qi i dán mrekullisht lumi i Shkumbinit: tosknishten në jugë dhe gegnishten në veri. Këto mandej dahen midis tyne në disa nëndjalekte tjera. Ai i jugës përfshin prap kryesisht tosknishten e vërtetë, labrishten dhe çamrishten. Dhe atê të veriut mund t’a dajmë në disa nëndjalekte kryesore qi s’kanë emna të posaçëm si ato të jugës, por qi mund t’i kufizojmë në vija të përgjithshme kështu: djalekti mesatar, të cilin mund t’a quejmë kështu si për pozitën gjeografike të visevet qi e flasin ashtu dhe për veçorít e djalektit vetë; ky përfshin zonën ndërmjet Shkumbînit e Krús përveç malsivet. Mbandej kemi nëndjalektin e Malsive të mesme, qi fillon prej Kruje dhe merr krejt malsit e Gegnís deri në brigjet e mângjëta të Drinit. Dhe mâ në fund âsht nëndjalekti i Veriut e verilindjes në krejt anën e djathtë të Drinit. E theksoj se kjo dasí nëndjalektesh në Shqipní âsht nji dasí e bâme ashtu grosso modo e jo me kritere të ngushta shkêncore dhe me kufij të caktuem katund për katund, siç ka me qênë barra e nji atlanti djalektuer t’ ardhshëm.
Për themën t’onë s’na hŷn në punë analizimi i veçorive të djalekteve e të nëndjalekteve të ndryshme të shqipes. Neve na hŷn në punë të dijmë pikë së pari se vallë cilit nga dy djalektet kryesore, tosknishtes apo gegnishtes, ka me ia dhânë historija privilegjën e gjuhës kombtare. Për mue s’ka asnji dyshim: gegnishtes. Dhe qe arsyet:
I-Se gegnishtja âsht e folun prej dý të tretash dhe tosknishtja vetëm prej nji të trete të popullit shqiptar. Thom të popullit shqiptar e jo të Shqipnís.
II-Se gegnishtja si gjuhë kombtare ka n’aktivin e vet nji historí, sado të shkurtën dhe të drejta të fitueme. Gati qysh se ka fillue me u përhapun shqipja si gjuhë e shkrueme, njerzit mâ t’auktorizuem kombtarisht e letrarisht ia kanë vûmë sŷt mû gegnishtes së mesme si bazë të nji gjuhe letrare kombtare. Ksi mêndimi ka shfaqun Gustav Mayer-i qysh pesdhetë e kusur vjet mâ parë, kështu ka folë e shkrue Weygand-i , kështu Camarda e kështu Nachtingal-i. Me gjithë qi Kuvênd i Manastirit mbajti në përdorim dy alfabeta, atê të shkrolave thjesht latinishte të përdorun në Gegni e sidomos në Shkodër, dhe atê të përziemin me gërma greko-slave të përdorun rëndom prej jugorvet, mbrênda pak vjetve, ky i dyti u zhduk krejt nga përdorimi dhe ia lëshoi vêndin të parit. Asht e vërtetë se nji çâshtje alfabeti s’ka të bâjë drejt për drejt me çâshtjen e përgjithëshme të gjuhës letrare kombtare. Por këtu mund të merret së paku si nji symptom i nji prestigji mâ të madh të gegnishtes ndaj tosknishten.
III-Se ndëkimi i kryeqytetit si qêndër qi përmbledh shumicën e intelektualvet mâ të shquem, nuk mund të mohohet. E kryeqyteti i Shqipnís âsht në Gegni.
IV-Se gegnishtja e mesme kuptohet shumë mâ lehtë në Jugë se sa tosknishtja në Veri. Përdorimi i nji djalekti të kuptueshëm në nji zonë mâ të gjânë se tjerët ka nji rándsí të madhe për formimin sa mâ të shpejtë të gjuhës letrare, po të merret ai për bazë. Kjo mund të thomi se âsht mâ e forta arsye qi i ka shtŷ gati të gjithë ata qi janë marrë me kët problem me zgjedhun djalektin e Elbasanit. Po për këte arsye pat zgjedhun Vuk Karagjiqi djalektin “jekav” si bazë të gjuhës letrare sërbo-hërvate, qi mbrênda nji gjymsë shekulli mërrîni m’u formue ashtu si e shohim sot, domethânë në nji shkallë përsosunije qi s’kishim me e deshirue as na mâ të naltë.
Themeli pra i gjuhës s’onë kombtare ka me qênë, mbas mêndimit t’em gegnishtja dhe mû gegnishtja e mesme. Ndikimi i shkodranishtes në kët gegnishte të mesme ka për të qênë i madh, sikur të shihet qartë qysh sot. Asht ndikimi i shkrimtarvet shkodranë e jo ai i vêndit. Por edhe tosknishtja ka për të veprue me nji fuqí shumë të madhe në formimin e gjuhës kombtare. Ka për të veprue me shumicën e pêndavet të saja sidomos gazetare e burokrate dhe me prestigjin e saj për shumë trajta qi ka ruejtun mâ mirë se gegnishtja nga gjuha e vjetër. As djalektet tjera s’kanë për të mbetun pa lânë gjurmët e veta me thesarin e fjalvet e të fraseologjís së tyne.
Këtê drejtim pra, kishem me thânë un, duhet të ndjekim na për me i ndihmue nji trajtimi sa mâ të shpejtë e të përsosun të gjuhës s’onë letrare. Mbi mënyrën e punimit po i përmbledh këtu shkurt disa mêndime të mija:

Ernest Koliqi - Instituti i Studimeve Shqiptare
Ernest Koliqi – Instituti i Studimeve Shqiptare

Gjuha letrare nuk trajtohet me ligj e me dekret, por me nji punim racjonal, të vazhdueshëm, të bashkrenduem e të harmonizuem të njerëzvet kompetenta. Instituti i Studimeve Shqiptare qi ka për të dalë prej këtij Kuvêndi, ka për t’a marrë mbi vete e për t’a krye me fitim, shpresojmë, këtë barrë po qe se nuk do t’i mungojë ndihma e zellshme e kompetentavet shqiptarë dhe miq të kombit shqiptar.
Fjalët e frazeologjia shqipe, në cilindo djalekt që të gjinden, janë pasuní e gjuhës kombtare, përbâjnë thesarin e saj. Trajtat morfologjike vetëm do të quhen djalektore e këto nuk duhen trazue kurrsesi, për në daçim mos me gatue, në vênd të nji gjuhe të bukur letrare, nji çorbë pa fé shijeje.
Shkrimtari qi mund t’i zotnojë mirë djalektet e ndryshme të shqipes bân mirë të shkruej n’atë djalekt qi do të përbâjë themelin e gjuhës kombtare, a të pakën, tue shkrue në djalektin e vet të zgjedhë, sa të jetë e mundun, ato fjalë, fraza e trajta qi i afrohen mâ fort atij.
T’u iket neologjizmavet qi s’janë të domosdoshme e kur të jenë të domosdoshme të përpiqemi me u dhânë atë trajtë qi lyp natyra e gjuhës s’onë.
Asht i domosdoshëm e i nguçëm nji fjaluer letrar shqip, me spjegime shqipe e me nji thesar sa mâ të plotë qi të jetë e mundun, me të gjitha trajtat djalektore tue dallue ndër to atê qi i përshtatet mâ së miri gjuhës letrare. Nji punë të këtillë jam rrekun un vetë me e krye në vjetët e mërgimit t’em e do t’ia paraqes Institutit t’onë porsa t’organizohet për t’a sqyrtue n’âsht apo jo e denjë m’u marrë si bazë e nji fjalori mâ të përsosun.
Siç kam vû ré në përpilimin e këtij fjalori, gjuha shqipe ka nji thesar fjalësh e shprehjesh sigurisht për gjymsë të panjohuna deri prej lavruesavet mâ në shêj të saj. Shkrimtarët t’anë – po përdor fjalën shkrimtar për kê do qi merr pêndën në dorë – s’kanë me pasun as ngé as vullnet me e studjue e mësue makare nji pjesë të këtij thesari të mbledhun në nji fjaluer shqip. Po zâmë kush s’e din fjalën mahí s’ka si t’a gjêjë në fjalorin shqip pa e studjue këtê fund e majë dhe atëhere ka për të shkrue shaká. Atij pra i duhet nji fjaluer italisht-shqip e mundsisht nji tjetër frêngjisht-shqip qi të mundet t’a diktojë fjalën shqipe të panjohun prej nji gjuhe të huej qi din dhe nëpër të cilën ka formue kulturën e tij. Nji paradhoks ky qi duhet të na bâjë m’u kuqun e të na mbushë me nji vullnet të pathyeshëm për me i shpëtue sa mâ shpejt qi të jetë e mundun.
Bashkë me këta fjalorë, âsht nji nevojë krye-krejet me hartue edhe nji gramatikë të krahasueme të gjithë djalekteve t’ona ku të dallohen rregullat e trajtat morfologjike qi duhen përdorun në gjuhën letrare.

Mustafa Merlika Kruja - ne Kosove
Mustafa Merlika Kruja – ne Kosove

Un e quej të domosdoshëm për punimet t’ona gjuhsore nji transkriptim të gjithë shkrimeve të vjetra e nji botim të tyne në nji sasí të mjaftueshme kopjesh; si edhe përkthimin e botimin e gjithë vepravet gjuhsore të shkrueme prej albanologësh të huej mbi gjuhën shqipe.
Faktori shkollë âsht shumë i fuqishhëm për trajtimin e gjuhës letrare. Reforma Gentile për shkollën italjane vên për bazë mësimi të gjuhës parimin “prej djalektit te gjuha”. Kështu jam i mêndimit me bâmë edhe na. Librat e tekstit ndër shkolla fillore duhen shkrue në djalekt, por me nji djalekt të pastër e të studjuem mirë e tue pasun kujdes me iu afrue sa mâ tepër djalektit bazë pa i trazue njânin me tjetrin. Por në shkollat e mesme kujtoj se mund të mësohet fare mirë me gjuhën letrare.
Shtypi politik e informativ qi qarkullon mâ tepër ndër duert e kënduesavet kishem me e detyrue, po të mundshem, me pasun nji redaktor kompetent për gjuhë qi të ketë për barrë me censurue nga pikpamja gjuhsore të gjitha shkrimet qi do të botojë.
Gjithashtu kishem me kërkue prej Ministrís s’Arsimit qi të hapë nji kurs gjuhe për të gjithë konceptistat e kopistat e Shtetit edhe Qeverís s’onë kishem me iu lutun qi t’i detyrojë ata me shkue n’atë kurs deri qi të nxânë me shkrue nji shqipe të mirë.
Këto, Zotnij, janë për tash e për shkurt mêndimet e mija për trajtimin e gjuhës s’onë letrare. Mund të ketë ndër to mêndime të drejta e të gabueme. Asht detyra e kompetentave me zgjedhë ça hŷn në punë e me lânë ça s’duhet gjâ.
*Kumtesë e autorit në Kuvendin e parë të studimeve albanologjike që u mbajt në pranverën e vitit 1940, në Tiranë. Kuvendi vendosi krijimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, kryetar i të cilit u zgjodh Mustafa Merlika Kruja. (Fjala Review)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.