back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mêndore mbi Shqipnín e Sipërme – nga Mustafa Kruja

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958)

Mêndore mbi Shqipnín e Sipërme

nga Mustafa Kruja

Me notën-shtesë mbi kërkesat shqiptare të dhânë më 7 të Marsit të kaluem, kemi pasun edhe nji herë nderën të vërejmë se, në ndëgjimin e shkurtën qi na pat bâmun më 27 të Shkurtit komisia e ngarkueme me punët greke, na nuk patëm mundun me i zhvilluem mbas ândës s’onë të gjitha kërkesat t’ona të drejta, tue qênë qi mund të thomi se liria e fjalës na qe kufizuem vetëm në kundërshqyrtimin e rrëzimin e parandêmevet greke në Shqipní.
Po, në qoftë se na nuk kemi pasun rasën për me shkoqitun mbas ândës s’onë të gjithë argumentat qi provojnë të drejtën qi kemi mbi krahinën e Çamërís, e cila âsht nji krahinë thjesht shqiptare në qênësín e saj, nuk kemi mundun, në tjetër anë, kurrsesi të parashtrojmë kërkesat t’ona mi dhënat e Shqipnís së Sipërme të sakrifikueme më 1878, prej Kongresit të Berlinit e më 1913, prej Konferencës së Londrës për fitim të Malazezvet e të Serbvet.
Mbassi çâshtja e caktimit të kufinit serbo-shqiptar u la qi të shqyrtohej drejt për së drejti prej Këshillit të Naltë të Konferencës, na duket me detyrë qi t’i nënshtrojmë kujtimet e arsyet qi vijojnë, të cilat do të vlejnë për me formuem e me shndritun mâ mirë ligjsín e kërkesavet t’ona të përmbledhuna në Memorandum-in t’onë të 12 të Shkurtit si edhe në Parashtruemen t’onë më 24 t’atij mueji.
Për me u dalun zot parandêmevet të veta të padrejta mbi Shqipnín e Sipërme, Serbët e Malazezët këthejnë mbrapshtë argumentat qi përdorin Grekët për me mbështetun lakmít e veta mbi Shqipnín e Poshtme. Grekët, me gjithë qi njohin se populli i Epirit të Veriut âsht shqiptar me kombsí, mundohen me u kacarruem me të vetthânën vullëndesë t’atij populli qi me u bashkuem me Greqín; në vênd qi Serbët e Malazezët, tue mos mundun t’u mohojnë banorvet të Shqipnís së Sipërme kombsín shqiptare as dëshirin e flaktë qi ata kanë për me këthyem në gjî të mâmës-atdhe, përpiqen me mprojtun tezën e tyne tue thânë se ata Shqiptarë rrjedhin prej gjinie serbe a malazeze; në këtê mënyrë parandêjnë nji të drejtë historike mbi dhenat e Shqipnís së Veriut e kërkojnë të mbështesin kërkesat e veta edhe mbi fqinín shekullore me Shqiptarët.
Na duket punë krejt e kotë qi të mundohemi me rrëzuem poshtë argumentat e bazuem mbi fqinjín e qi Serbët e Malazezët përdorin për të mbështetun dëshirat e mbrapshta qi kanë përmbi Shqipnín, mbas si fqinía nuk mund të trajtojë të drejtë për askênd.
Po na mund të thomi pa frigë përgënjeshtrimi se edhe të drejtat historike të parandeme prej Serbvet e Malazezvet mbi Shqipnín e Sipërme janë aq të dyshimshme e aq keq të themelueme sa qi nuk mund t’u apin as hijen e së drejtës kërkesavet të tyne të shtrêmbta, sidomos në këtê kohë kurë të gjithë Beslidhunit kanë njohun teorín e vetvêndimit, domethânë, të drejtën qi kanë popujt me vênduem ata vetë mbi fatin e vet.
E me të vërtetë âsht provuem kjarisht se Shqiptarët, qysh prej kohvet mâ të largta, janë banorët autoktonë të krahinavet të Shqipnís së Sipërme të pushtueme e të lakmueme prej Serbvet e prej Malazezvet. Në këto krahina Serbët janë dukun për të parën herë në të 7-in shekull, po nuk kanë mundun kurrë të forcojnë atje zotnimin e vet nga shkaku i dëshirit të kombit shqiptar për mëvetësí, qi nuk ka lânë kurrë me i shpëtuem as njê rasë pa ngritun krye kundër tyne për me rishfituem lirín e vet.
Luftat ndërmjet Serbvet pushtues e Shqiptarvet autoktonë e të pashtrueshëm kanë vijuem pa pushim në Shqipní të Sipërme deri në kohët të Stefan Dushanit (1331-1355) qi arrîni me pushtuem gadi të gjithë Shqipnín. Po zotnimi si edhe mbretnia e tij qenë tepër fort të shkurtën e të paqêndrueshëm; mbas vdekës së tij elementi shqiptar e dinastít kombtare u këcyen sipër elementit e dynastivet slave. Por edhe Stefan Dushani vetë e njihte rândësín e kombit shqiptar në mbretní të vet, mbas si e kishte për nderë me u thirrë: Romaniae, Slavoniae et Albaniae Imperator (mbret i Rumanís, i Slavonís e i Shqipnís).
Për mos me u zgjatun fort tue sjellun dokumenta në forcim të tezës s’onë, po kufizohemi të përshkruejmë sa thotë Encyclopedia Britannica për të drejtat historike të Shqiptarvet mbi dhanat e Shqipnís së Sipërme:
“Numri i madh i êmnavet slavonikë qi gjinden në viset e Shqipnís, edhe n’ato krahina ku nuk ka as nji gjurmë popujsh slavë, âsht njê provë e rrymës së madhe t’emigratës serbe e bullgare në nisje të Kohës së Mesme, po banorët e parë të vêndit (Shqiptarët) i kanë shpushtuem pak nga pak të mbrêndardhunit. Ashtu, mbas vdekës së Stefan Dushanit e mbas të shmisuemit të mbretnís serbe, Shqiptarët e atyne viseve u qeverisën prej krênësh të lindun në vênd”.
Argumenti qi u pëlqen mâ tepër Slavvet e qi përdorin mâ shpesh për me mprojtun të vetthânat të drejta historike mi Shqipnín e Sipërme e për me vûmun në dyshim shumicën e madhe shqiptare qi e banon, âsht ky qi vêndasit e asaj krahine kanë qênë përpara Serbë e se mâ vonë janë Shqiptarosun tue u bâmun muhamedanë.

Luftëtarët e Kosovës...
Luftëtarët e Kosovës…

Gabimi i Madh

Turqit, në vênd qi t’i ndihmonin të përhapunit të kombsís shqiptare, kanë përdorun në ç’do kohë të gjithë fuqín e tyne për me e ndrydhun. Shqiptarvet u âsht dashun të luftojnë pa pushim për me ruejtun karakterin kombtar kundër mundimevet të bâmuna prej qeverís turke për me i shkombsuem; e kjo punë provohet kjarisht prej 54 kryengritjeve të mëdhaja shqiptare, qi regjistron historia turke, nga të cilat ajo e vjetit 1668 qe nji nga mâ të rândësishmet tue qênë se muerën pjesë në tê të gjithë Shqiptarët e Kosovës).
Mjetet mâ të dobishmet t’ashëmllesës janë fuqia e qytetnimi; mirpo, shi këto dy mjete i kanë munguem popullit shqiptar. Si Serbët ashtu edhe Shqiptarët qenë shtruem nên sundimin e Turqvet, po me këtê ndryshim qi Shqiptarvet qeverria turke u ndalonte arësimin në gjuhët të vet në vênd qi Serbët ishin të lirë me mbajtun shkollat kombtare të tyne, punë kjo qi u jipte lêje me bâmun njê propagandë të gjallë ndërmjet Shqiptarvet ortodoksë të Shqipnís së Sipërme. Mbi këtê çâshtje i vlerti shkrimtar shqiptar, Emzot Bogdani, arqipeshkop katolik i Shkupit, në parathânën e veprës së vet të titullueme “Cuneus Prophetarum” e të botueme shqip e italisht në 1680 në Padovë, ku kishte hikun e zânë vênd, thotë me hidhënim të thellë se gjuha shqipe ishte në rrezik me u zhdukun fare në krahinët të Kosovës nga shkaku i salvimevet të Turqís.
Në vênd pra qi të flasim për të vetthânin shqiptarim të popullit serb të Shqipnís së Sipërme prej elementit shqiptar të muhamedanizuem, duhej të thoshim se ka qênë nevojë për të gjithë fuqín e karakterit të popullit shqiptar, qi âsht aq i lidhun me kujtimet e zakonevet kombtare të veta, për me i qêndruem veprës shkombsore të qeverís turke, mundimet e të cilës për këtê qëllim kishin ndihmën e Serbvet në veri ashtu si atê të Grekvet në jugë të Shqipnís.
Po nuk na duket me nevojë të ndalemi tepër mbi këto çâshtje, qi i përkasin kohës së shkueme, kur gjindemi përpara nji populli homogjen e të përmbledhun, qi ka ruejtun ndërmjet sa ngatërresash karakterin e tij kombtar e qi ka luftuem e po lufton gjithnji për lirín e mëvetësín e vet. Si mund të vêhet në dyshim ndiesia kombtare e popullit shqiptar e si mund të lêhet në njênën anë dëshiri i flaktë i tij për me u bashkuem me mâmën-atdhe, Shqipnín, kur shohim se gjithë historia e tij, si e vjetër ashtu e re, âsht plot me luftime heroike e me psime të parrëfyeshme për të ruejtunit e vetësís kombtare e për dashunín e vêndit ku ka lindun, të cilit i ka truem e po i truen për ditë therore të panumrueshme?
Dhënat e Veriut e të Veri-Lindjes së Shqipnís, qi formojnë objektin e kërkesavet t’ona e qi shtrihen prej Tivari e deri në Mitrovicë për me zbritun n’Ohrí janë të banueme prej një shumice të madhe Shqiptarësh, qi përbân gadi 80% të popullsís së tânë.
Shumica shqiptare në dhenat e sipërpërmênduna, shumicë të cilën Serbët e Malazezët mundohen me e vûmun në dyshim me disa argumenta dredhakë, dobsín e të cilvet e kemi shfaqun mirfillit, ka qênë njohun edhe prej Komisís së Rumelís Lindore, e cila pat qênë marrë edhe me zbatimin e reformavet në Shqipní.
Qe këtu se ç’shkruente mbi këtê çâshtje në raportat e tij për Foreing Office të botueme në Librin Bruz te vjetit 1880, Lordi Fitzmaurice, delegat britanik në komisín e sipërêmnueme.
“…Vilajeti i Kosovës, përveç nji rrypine serbe qi shtrihet nga lindja tue zânë fill prej Mitrovicës mund të numrohet shqiptar… Gjakova, Peja e Prishtina janë qêndra ku vlon gjallsia shqiptare qi lëshon rrezet e saj prej kufînit të Malit të Zi deri në kufît të Serbís… Vilajeti i vjetër i Prizrêndit, qi përmblidhte së gjithash Dibrën, Gjakovën, Pejën, Kosovën, Prizrêndin e Prishtinën, ishte dalluem prej visevet slave të Lindjes e të Jugës… Njê numër i madh Shqiptarësh gjindet edhe në Sanxhak të Novi-Pazarit e në Sanxhaqet e krijueme rishtas të Tashllixhes e të Senicës”.
Këtê shumicë e kanë vërtetuem edhe shumë e shumë shkrimtarë të huej, qi kanë veshtruem vêndin e për të cilët nuk mund të thuhet se mbajnë anën e kujt. Qe këtu disa copa të nxjerruna prej vepravet të tyne, të cilat kanë nji auktorí të pakundërshtueshme.
“…Shqiptarët gegë rrojnë në shumicë të dêndun në viset e përmbledhuna ndërmjet Shkumbînit në jugë; të Malit-të-Zi, të Sanxhakut të Novi-Pazarit e të Serbís në veri; të malevet të Karadagut e të Sharit në lindje… Nga ana e Malit-të-Zi, Shqiptarët janë në shumicë në krahinat e Gucís, të Plavës e të Beranës”. (Bianconi: Cartes commerciales, 1888).
“…Serbia e sodshme, tue parandêmun kërkesat e veta mi Serbín e vjetër, ka qênë tërhekun mâ fort prej njê analogjie êmnash se prej njê vetësie fisi”. (Paul Marin: Bulgares et Russes vis-à-vis la triple Alliance, 1891).
“…Në krahinën e Dibrës së Sipërme gjinden 9.800 Bullgarë e mezi 8.000 Serbë kundër 35.000 Shqiptarësh, e në Rekë 700 Bullgarë kundër 17.000 Shqiptarësh”.
(Gaetani D’aragona, Konsull i Italís ndë Monastir më 1902).
“Shqiptarët janë të zotnit e vêndit të pakundërshtueshëm në Gjakovë, në Prizrênd e në Pejë… Gjakova âsht kreit shqiptare… Peja, i papërlyemi qytet shqiptar me nam… âsht e ka qênë mâ fort nën sundimin e vjetër qyteti shqiptar i madh i Veriut”.
“Në viset e përshkueme prej hekurudhës nga Ferizoviku në Mitrovicë numri i Shqiptarvet âsht fort i madh e tepër i vogël ai i Serbvet… Në fushët të Kosovës, Shqiptari ka njê mizotnim absolut”.
“Mitrovica e Prishtina janë të banueme prej Shqiptarësh… Prej disa vjetsh Gostivari âsht bâmun njê qêndër me rândësië gadi fjesht shqiptare. Nândë të dhetat e banorvet janë Shqiptarë muhamedanë; teprica janë Bullgarë të përziem me disa Serbë e me disa Turq… Në Tetovë (Kallkandelen) ndër 5.000 shtëpia, përpara luftavet gadi 3.000 ishin shqiptare, 1.200 serbe e 800 bullgare. Mbas lajmevet të mbledhuna këtu, mi 100 fshatra, 68 janë Shqiptarë teprica Bullgarë e Serbë. Në krahinë të Gostivarit, mi 60 katunde, 40 janë Shqiptarë, të tjerët Bullgarë e disa Serbë”.
(Jaray: L’Albanie inconnue, 1913).
“…Udhtari qi vjen prej qêndrës së Shqipnís, prej Elbasani, e qi shkon për n’Ohrí i gjên vêndasit bullgarë t’ishulluem në mest të njê fushe shqiptare… Qyteti (Struga) dahet në mest të dy popullsivet (shqiptare e bullgare), të vorfna si njêna tjetra, po fusha për qark âsht fjesht shqiptare deri n’Ohrí”.
(Jaray: Au Jeune Royaume d’Albanie).
Shumica e madhe shqiptare në krahinat e Shqipnís, qi kemi kërkuem, vërtetohet edhe prej statistikavet qi po paraqesim këtu të lidhuna. Mâ e plota e këtyne statistikave âsht ajo qi ka pasë hartuem qeveria turke (1908-1909) e cila në krahinat ku elementi shqiptar ndodhet në shumicë absolute, regjistron 635.667 Shqiptarë, qi përbâjnë kështu 76,6% të popullsís së tânë të këtyne krahinave, qi përmbledh gjithsejt 829.933 banorë. Kjo përpjesí do të shtohej në fitim të Shqiptarvet e do të ngjitej në 80% po të zbriteshin pakicat e dênduna serbe e të përzieme të disa krahinave, nga të cilat nuk kemi kërkuem, për këtê arsye, veçse njê pjesë.
Statistika e bâmun prej auktorivet ushtarake austro-hungare kohën e pushtimit të tyne âsht mâ e reja e, ndonse me mungesa, mund të numrohet si mjaft e saktë. Po ta krahasojmë me statistikën turke, del mâ pak e fitimshme për elementin shqiptar, të cilit nuk i njeh veçse njê shumicë 69,2% mbi shumën e përgjithëshme të popullsís; po kjo punë mund të mirret vesht fort lehtas kur të kujtojmë salvimet sistematike të Malazezvet e të Serbvet kundër Shqiptarvet, qi u panë të shtrënguem me hikun e me lânë atdheun e vet për me shpëtuem prej ndrydhjevet e prej masakravet. Emigrata mâ e madhja u bâ në krahinat e Vuçiternit e të Gjilanit, qi kanë humbun mâ tepër se gjymsën e popullsís shqiptare, në vênd qi numri i Serbvet ka mbetun gadi aqë sa ka qênë përpara luftavet balkanike.
Statistika bullgare e hartueme prej institutës kartografike të Sofies, me gjithë ansín e saj tepër të dukshme, i ep edhe ajo të drejtë shumicës shqiptare. E me të vërtetë del nji me nji me statistikat turke e austro-hungare në të gjitha ato krahina, mbi të cilat nuk ndêheshin lakmít e Bullgarvet, në vênd qi e paraqit elementin shqiptar fare në pakicë në krahinat e tjera.
Në të gjitha këto statistika, mungojnë ato të krahinavet t’Ulqinit e të Tivarit e të fisevet të Hotit, të Grudës, të Triepshit, etj. qi nuk kemi dashun t’i paraqesim prej vetes s’onë mbasi kishim frigë se mund të numroheshin si të shtrêmbta tue mos qênë të themelueme mbi lajme zyrtare. Po kombsia e atyne krahinave nuk mund të vêhet në dyshim, mbasi dihet prej gjithkuj se shumica gadi e plotë e banorvet të tyne përbâhet prej elementit shqiptar katolik e muhamedan. Qe se shka thotë mbi këtê pikë auktori i përmêndun Paul Marin në veprën e vet “Bullgarë e Rusë kundrejt Trilidhjes”: “Traktati (i Berlinit) i lëshon Malit-të-Zi dhena të banueme gadi së gjithash prej Shqiptarësh muhamedanë e katolikë, e parimi i kombsivet qe sakrifikuem edhe njê herë mâ tepër”.
Po parandemet slave mbi dhënat e Shqipnís së Sipërme, qi na kemi kërkuem, dalin edhe mâ të padrejta kur të vêhet re kundërshtimi i madh në të cilin gjinden me ndîesín kombtare shqiptare e me dëshirin për mëvetesí të banorvet t’atyne dhenave, të cilët nuk kanë dijtun kurrë t’i shtrohen e t’i ulin kryet zotnimit të huej, e qi nuk lânë kurrë t’u shpëtojë as nji rasë për pa treguem vullndesën e flaktë qi kanë për bashkimin me mâmën-atdhe të tyne qi âsht Shqipnia.
Kemi përmêndun sa herë, në dokumentat qi kemi paraqitun deri tash, si edhe në këtê mêndore, luftat kreshnike qi kanë bâmun Shqiptarët e Veriut gjithmonë kundra të mbrêndardhunvet të vêndit të tyne; nuk âsht pra nevoja qi t’i përsërisim prap këtu. Po nxitojmë me shtuem vetëm qi luftat e tyne të padame e qêndresa energjike kundra çdo hapi të ndrydhësvet për me i shkombsuem, janë prova të gjalla qi dëftejnë dashunín e fortë të Shqiptarvet për tokën ku kanë lemun, shpirtin liridashës të tyne dhe se me sa besnikí janë të dhânë mbas ndîesís e gojdhânavet kombtare.
Por nuk po duem me u ndalun shumë mbi këto të ndodhuna historike e do të na mjaftojë me përmêndun të ndodhunat mâ të reja, nga të cilat Lidhja e Prizrêndit âsht mâ në sy se të tâna, mbasi i ka dhânë lëvizjes shqiptare nji karakter thjesht kombtar, Qysh at’here e këndej, veprimi i atdhetarvet shqiptarë ka pasun njê qëllim krejt të caktuem, mëvetesín e atdheut të tyne.
Besojmë se âsht njê e vërtetë e thjeshtë kur thomi se Shqiptarët, me kryengritjen e fundit të tyne kundra Turqvet të Rij, kanë bâmun gadi fitoren e Shtetënvet balkanikë të lidhun më 1913.
Qe këtu, ç’thotë, për këtê rasë, z. Jaray në përtëhymen e veprës së tij “Shqipnia e panjohme”.
“Prej 1908 deri më 1913 Shqipnia ka pasun pjesën mâ të parën në çâshtjen e Orientit: më 1908 ajo e bâni qeverín e vjetër me ramun; qysh prej 1909, ajo ka qênë kazma e themelit të qeverís së Turqvet të Rij; në gushtin e motit 1912, triumfi i lumnueshëm i Shqiptarvet qi hynë në Shkup ka shënuem mbarimin e zotnimit të Portës së Naltë në Maqedhoní; kur, më 1912, Besatarët balkanikë kanë hymun në Tyrqí, kanë hymun në nji Turqí anarkike, due të them në nji Maqedhoní ku auktoritetet, prej disa muejve, faktas, kanë qênë bâmun të paqênë e diku edhe të dëbuem fare nga ana e Shqiptarvet; shkurt, çâshtja e Shqipnís âsht problema mâ e rânda qi mbetet për t’u zgidhun pas si u shtynë Tyrqit në Stamboll e n’Anadoll”.
Por mjerisht Shqiptarët nuk mundën të fitojnë as njê sênd prej mundimevet e sakrificavet të tyne. Konferenca e Londrës në vênd qi t’u njohë të drejtën e bukur e t’u japë atê qi dëshirojshin, u dan krahinat mâ të bukurat në mest të fqijvet të tyne.
Të vuejtunat e të ndrydhunat mizore qi kanë hekun Shqiptarët e Veriut prej Serbvet e Malazezvet s’munden me u dëftyem. Për mos me u dukun pajambajtës, po i a lëshojmë fjalën Komisís së ngërkesës në Balkan prej Vakfit të Karnegiës (1913-14), e cila arrin në këtê përfundim të tmerrueshëm: “Të djegun shtëpiash e katundesh, vrasa të gjithmbarshme popullsísh të mituna pa armë, shnderime të pandîeme kurrë, grabitje e shnjerzime ç’do farësh: qe mjetet qi ushtrít serbe e malazeze kanë përdorun e po përdorin edhe, me qëllim qi t’i a ndërrojnë krejt fytyrën etnike të krahinavet të banueme thjesht prej Shqiptarësh”.
E shkretimet dhe masakrat po përsëriten edhe sod n’ato krahina fatzeza të Shqipnís së Veriut, punë qi na bân me pasun frigë se, pa as nji dyshim, gadi nji milion shpirtë prej vëllazënve t’anë, do të zhduken nga faqja e dheut, në qoftë se Fuqít e Mëdhaja Beslidhuna nuk marrin masa energjike për me i dhânë fund mënís mizore të Slavvet kundra farës s’onë.
Po e mbarojmë këtê mêndore tue përtrimun fjalët fatthâna të foluna në Dhomën italiane më 24 Nândor 1880 nga ana e deputetit Medoro Savini me rasën e Demostratës Navale t’Ulqinit, të cilat janë si me pasë qênë thânë mrekullisht për rasat e sodshme: “..E pse pra Frêngjit nuk e barin humbjen e Alsacë-Lorenës? E pse ju (Ministrat e Italiës) nuk do të guxojshit me hekun dorë prej visevet italiane qi gjinden edhe nên Austrín? Pse po i a pranojmë Polonís të drejtën me qênë mëvete? Përse i keni dalun zot Greqís kundra Turqís në Kuvêndin e Berlinit e në Konferencë? Për parimin e kombsivet! E atê pra qi po thomi në Paris, në Romë, n’Athinë e në Varsaví, më duket se, për me qênë koherentë, duhet t’a pranojmë edhe në çâshtjen shqiptare… Groti, në mos paça harruem, sikurse kam ndîemun tue thânë profesorët e mij, Groti ka qênë i mêndes qi munden me u lëshuem popujt: kjo âsht njê farë komunie zyrtare. Përkundras Gjion-Jaak Rousseau bërtet: Por pak së paku lypset t’i pyetni këta berra njerzorë!”
Besojmë se pas Francës, Italís, Polonís e Greqís qi po i shohin të gjitha dëshiret e tyne, të numrueme prej deputatit Medoro Savini, krejt të çueme në vênd, edhe Shqipnia do të mund gëzohet për së shpejti tue pamun mâ në fund njêsín e vet kombtare të përnjohun e të proklamueme.
Paris, më 15 prill 1919
(Nënsh. Turhan – Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”.)

Marrë nga muri i Fb i Agim Morinës, 21 qershor 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.