back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Merimanga kombëtare nga Ndue Ukaj

Gazeta

Pader Gjon Shllaku (1907-1946)
Pader Gjon Shllaku (1907-1946)

Merimanga kombëtare

nga Ndue Ukaj

Át Gjon Shllaku, një erudit i pushkatuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, në librin e tij të vlefshëm “Shqiptari-Frati-Shqipnia”, ka një shkrim me titull: “Nuk dijm shka duem, pse nuk duem shka dijm”, ku sjell para lexuesit një ngjarje që lidhet me kohën e pushtimit austro-hungarez në Shqipëri. Ai tregon për një tregtar shkodran, të cilin një ditë e kishte vizituar një oficer austriak. Dhe ky ankohet para oficerit sesa poshtë kishte mbetë Shqipëria në gjitha pikëpamjet, në krahasim me të gjitha shtetet e Ballkanit.
“Do t’a dijsh zotni, – i a pritëka tregtari – se asht Turku qi për katërgjint vjetë e ma shumë nuk na ka lanë me çue krye e përparue” – dhe vazhdoi t’ia shpjegonte gjendjen e gjatë të vuajtjeve të kombit shqiptar, kurse oficeri austriak i drejtohet:
“Asht e vërtetë gjithshka thoni Ju, por njatë pluhurë marimange që po e shoh njatje në skaj të murit a thue ndoshta Turku i Azis nuk të ka lanë me e hjekë prej andej?”
Me siguri, pas kësaj bisede të pakandshme tregtari ka mbetë i habitur dhe pa fjalë. Ka patur mundësi ta pastronte merimangën ose të vazhdonte me të njëjtën logjikë, të akuzonte tjerët për prapambetjen e vendit të tij. Kurse, Át Shllaku shkrimin vazhdon, duke thënë se, “vendi ynë është mbushë me këso merimangash që me pluhurë të veta e kanë mbulue kryekëput shpirtin e shqiptarit e vijon gjithnjë me endë lirisht në trollin e Shqipnis.”
.
Ndue Ulaj
Ndue Ulaj
Secili shqiptar e di se trojet e tyre – edhe sot – janë të mbushura me këso merimanga, të shpërndara kudo, më së shumti në ato institucionet përgjegjëse udhëheqëse që janë të ngarkuara me detyrën për t’iu rregulluar jetën shqiptarëve, ekonominë dhe kulturën e përgjithshme: te daljes nga letargjia dhe prapambeturia.
Shqiptarët e trullosur vazhdojnë të jetojnë në mjerim, me shërbemë publike minimale, të sakatosur dhe të ligështuar, pa parë ndonjë dritëshpresë në tunelin e errët ku janë katandisë. Dhe arsyet e kësaj gjendje, nuk janë diku tjetër, larg nesh. Ato janë brenda nesh. Janë si ajo merimanga e tregtarit, që ndodhet prapa kokës sonë ose në kokën tonë, por të cilën nuk duam ta shohim.
Padyshim, ka edhe faktorë tjerë, kryesisht historikë, që kanë penguar emancipimin dhe zhvillimin tonë, siç janë pasojat e rënda nga sundimi barbar osman, ai komunist dhe serb, që kanë lënë vragë të thella në ndërgjegjen kombëtare.
Por, ka dekada prej kur shqiptarët jetojnë të lirë dhe s’i pengon askush të heqin merimangën, por ata nuk kanë ndonjë faktor që mund t’iu jap forcë, dije, qëndrese, shpresë, dashuri për vendin, për të kërkuar rrugën e humbur drejt emancipimit dhe lartësimit kombëtar.
Kjo mbase mund të jetë arsyeja pse shqiptarët kudo i dëgjon, duke humbur kohë me debate për arsyet e mjerimit tonë, por që s’duan të dëgjojnë ose ta shohin merimangën prapa kokës së tyre.
Sot, klasa drejtuese shqiptare është me dije të cektë, me kapacitete të kufizuara intelektuale dhe i mungon dashuria për atdheun. Them me dashuri të munguar, sepse, udhëheqësia shqiptare, veç parullave patriotike të qullta, nuk ka treguar vizion dhe s’u ka dhënë shqiptarëve dinjitet dhe liri të brendshme. Sepse, patriotizëm është të lartësosh dinjitetin e qytetarëve të vendit tënd dhe jo të rrahësh gjoksin për tema të mëdha. Duke u marrë me tema të mëdha, kjo udhëheqësi e ka varfëruar popullin shqiptar dhe ka “harruar” se nuk është krijuar njeriu për shtetin, por shteti për njeriun. Sepse, shteti, parasë gjithash janë njerëzit. Kjo shprehje proverbiale ka rrjedhë biblike dhe është postulat i shteteve moderne dhe humane.
A ka ndonjë faktor që vërtet kërkon të hiqet kjo merimangën nga jeta kombëtare?
Nëse e marrim për bazë si flasin dhe si shkruajnë shqiptarët, si sillen mediat dhe institucione e dijes në raport me drejtuesit politik, mundemi me thanë se, ata nuk bëjnë asgjë më shumë sesa ia zgjasin jetën kësaj klase të padenjë për të udhëheqë një komb, dhe kjo të shpie te përgjigja negative lidhur me pyetjen e mësipërme.
Duke u marrë kaq shumë me tema të mëdha, kjo klasë politike e ka goditë fort dinjitetin e njeriut, duke e tkurrë deri në hiçgjë, duke ia grabitë shpresat, lirinë e brendshme dhe kjo është arsyeja pse sot shqiptarët kudo i sheh të plogësht e të pashpresë, duke mos dëgjuar kënd të thotë: lum unë për vendin tim!
Përkundrazi, ata përditë i dëgjon tek thonë: mjerë ne për vendin tonë ose ne nuk vlejmë asgjë… Po, sepse kjo klasë udhëheqëse, shqiptarët i ka lënë pa shpresa, të varfër, të papunë, të pa dinjitet, prandaj, rruga e emancipimit për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar, tani për tani duket e humbur. Prandaj duhet të vetëdijesohemi dhe t’i heqim merimangat që gjenden kudo, para dhe prapa nesh.
2 shkurt 2019
.
Marrë nga muri i FB i Ndue Ulajt

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.