back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mesazhe që duhet të lexohen, ndijohen… – nga Engjëllushe Sanxhaku Varfi

Gazeta

Adem Zaplluzha
Adem Zaplluzha

Mesazhe që duhet të lexohen, ndijohen…

nga Engjëllushe Sanxhaku Varfi

Vështrim mbi vëllimin poetik “Të jetosh pa ëndrra” të Adem Zaplluzhës
.
Të gjitha ëndrrat ëndërrojnë jetë, jetë të vërtetë njeriu, ku kapen dora-dore: shpresat, dëshirat, dashuritë, ndjesitë, kujtimet, malli, dhimbjet, dëshpërimet; ku magjishëm flitet Fjala në Zanafillën e vet e shkon tejskajit të mendjes, pikërisht aty ku Fjalën e merr dhe e ngre në art, dhe e përcjell vet shpirti. Shpirti i një njeriu me ndjesi më të fuqishme se trupi që mban. Dhe ky është poeti. Dhe ky është Adem Zaplluzha. Dhe kjo është poezia e tij.
Jo rastësisht vëllimi i tij poetik mban këtë titull: “Të jetosh pa ëndrra”. Dëshirë e thjeshtë apo brengë ky titull? Brengë në ëndërr? Në ëndërrim të mohuar? Në ëndërrim filozofik? Të gjitha së bashku këto pyetje përbëjnë konstruksionin mendor derdhur vargut artistik krijimit në këtë vëllim poetik.
Është jeta e njeriut, e autorit, që shfaqet në varg, herë drejtpërdrejt si një e vërtetë brenda fjalës, e herë-herë metaforë që mban skajësisht dhimbje e gëzim; bindje e kundërshti; jetë dhe ëndërr dhe zhgjëndërr sërish; ngjyrë bardhë e zi e ylbere në shartim; zhgënjim e shpresë.
I ndarë në tre cikle nën titujt: “Një stuhi prej bryme”; “Mbolli një lule të egër prej guri”; “Më shumë se një mijë vjet” vëllimi përcjell poezi të një tematike të gjerë, por që në themel mbajnë ndjenjë dashurie njeriu për jetën, atdheun, stinët, vendet, historinë e popullit, të burrave heronj, të gjakut të tyre që shkruan lavdi.
Le të ndalemi në ciklin e parë. Është një udhëtim kujtese poetike për “atdheun e vjedhur, por kurrë të gjunjëzuar”, për atdheun që poeti e quan “Zot”, “Mal gjigand”; sikurse ndeshim dhe një mall të fortë poetik për të: “Ky atdhe i etërve/ Ky mall/ E kjo plagë në shtatin e Gjergjit/ Kurrë s’patën shërim”; “Herë të patëm nënë/ E herë tatë/ Por mallin për ty atdhe/ Me asgjë s’mundëm me e mat”.
Në zemrën e poetit nuk fle dhe një frikë e vjetër për fatet e atdheut të tij të lashtë sa jeta, që ka parë shumë krime mbi kurriz : “Që ta përvetësojnë/ historinë e lashë të një lashtësie”.
Nën tituj e figuracione të fuqishme vijnë dhe poezi që mbajnë brenga të poetit, dëshira kurrë të realizuara, për “ta arnuar fëmijërinë”, për jetë të pajetuara të “fëmijëve pa fëmijëri”, “e grisur në shtatëqind arna” që poeti me një ironi të thekët, por fine e gjen shkakun: “S’gjenim dot gjilpërën”.
E në lojën e kohës, që nuk ruan shumë çaste të bukura në jetën e njeriut, poetin e kap një thirrje shprese: “Sonte dua të jem shpresa/ Dhe kënga e atdheut/ Të jem një zog i lumturisë/ Mbi shpatullat e dërmuar të kohës”.
.
Në ciklin e dytë ndeshemi me poezinë ku poeti mbjell pyetjet dhe përgjigjet e veta mbi jetën; filozofinë e të bërit, të jetuarit , të arriturit; filozofinë e qenësisë në jetë njeriu, që ecën dualitetesh fizike e ndjesore, por që gjithnjë mban peshë dhe realizohet në pozitivitete, në fitore të fuqisë të së mirës.
Në poezinë e Zaplluzhës, njeriu arrin të pamundurën, sepse hapat e tij i hedh për të arritur tek “zemra”, tek zemra e njeriut që bën që: “E pamundura/gjithmonë ishte më se e mundur”, “Sa të vogla ishin kafshatat/sa e madhe dashuria”.
Vetë titulli i cikli “ Mbodhi një lule të egër prej guri” e shpreh kaq bukur e thellë idenë që njeriu e arrin të pamundurën. Poezia me këtë titull ka një fuqi shprehëse mendore e artistike magjepsëse në kumt të vet: “Ne mund të banojmë/ kudo në hapësirë/ Edhe në bririn e thyer të kaprollit”.
Në rrugën e tij njeriu ecën në ekuilibra njerëzore e mbërrin në fund të udhës, madje në ecje “vertikale”, siç e përcakton poeti e nuk njeh “gjunjëzim”.
Në poezitë e këtij cikli, por dhe në dy ciklet e tjera preken konceptime filozofike mbi “kohën njerëzore” në jetën e njeriut. Duket sikur koha nuk ka kohë. Ajo është një e tashme që mban të shkuar dhe të ardhme njëherësh brenda vetes.
Poeti vlerëson dhe “dritën” në urtësinë e njeriut, që e drejton drejt së mirës. Në krye qëndron gjithnjë “Fjala” si vlerë, si përdorim, si histori e marrëdhënie në jetën e njeriut. Është Fjala që mbush “shtrëngata”, “shpirtra”; herë e ballëpërballtë e herë anonime. Por Fjala është gjithnjë e para.
“Më shumë se një mijë vjet”, cikli i tretë, mban titullin e një poezie ku autori shpalos filozofinë e ekzistencës njeri në botën e madhe. “Pjesë e një stërkale” ndihet njeriu në gjithësi, e theksuar kjo kur “urtësia” piqet në moshën e njeriu. Jeta është po aty me ciklet e moshave të veta, të përsëritura, e bukur, por dhe me ah-e. Njeriu mbahet edhe në kujtime.
Në shpirt të poetit qetohen peizazhe natyrore të përjetuara si realitete, si ndjesi e si kujtime, që herë-herë mbajnë brenga njerëzore. Poeti ndihet i keqardhur për ditët që i kanë shkuar pa i vënë re, për fëmijërinë e kaluar pa fëmijëri, për fëmijërinë e vjedhur, për vet të shkuarën që nuk kthehet më.
I tërë vëllimi poetik është mendim i pjekur bukur i derdhur në ndjenja fine të poetit. Sikur të ndaleshim vetëm titujve të poezive, do befasoheshim figuracioneve artistike që mban deri në skaj fjala-mendimi. Fjala gjendet e ngërthyer epiteteve, krahasimeve, metaforave, simboleve dhe jep mendim të pastër dhe të arrirë, mendim që vjen nga pjekuritë e shekujve nëpër të cilat ka ecur përvoja e jetës njerëzore, të cilën mençurisht e spikat në art Adem Zaplluzha.
Poezia e Adem Zaplluzhës mban mesazhe që duhet të lexohen, ndijohen e përvetësohen, për ta bërë qenien njeri më të arrirë në vëzhgim e në të jetuar jetës së vet.
E mbarë i qoftë udha e fjalës këtij vëllimi poetik!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.