back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Mesazhi i përjetshëm i një poezie (Nese… Rudyard Kipling) nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine - Lushnje 2008
Dine Dine – Lushnje 2008

Mesazhi i përjetshëm i një poezie

nga Dine Dine

I lindur në Bombei të Indisë më 1865, fituesi i çmimit Nobel, Rydyard Kipling e pa botën për herë të parë përmes jetës plot zhurmë dhe rrëmujë të rrugëve të Indisë.
Në moshën 6 vjeç, së bashku me motrën Triks, ai do të nisej drejt Anglisë që të vazhdonte shkollën. Me gjithë peripecitë e shumta dhe trajtimin e vështirë që iu bë, djaloshi Kipling do të përpiqej të luante rolin e një njeriu të gëzuar.
Vite më vonë, ai do të shkruante se përvoja ia kish konsumuar çdo lloj aftësie që të urrente realisht në të ardhmen. Përvoja gjithashtu e kish bërë atë që t’u jepte fëmijve të tij gjithë dashurinë, lumturinë dhe sigurinë që atij i kishin munguar.
Si mbaron studimet, Kiplingu kthehet në Indi për t’u bërë reporter gazetash, ndërsa kohën e lirë do ta shfrytëzonte për të hedhur në letër idetë që i gëlonin në kokë vazhdimisht.
Subjektet e tij trajtonin guximin, sakrificat dhe disiplinën që ai vetë përjetoi në departamentin britanik të shërbimit ushtarak, si dhe misteret dhe rreziqet e jetës në Indi. Tregimet e tij popullore i përmblodhi në libra të vegjël me shpresë që të gjente treg në Londër, por botuesit u tallën me veprat e tij, bile njëri prej tyre shkroi: “Marr guximin të parashikoj se shkrimtari është tepër i ri dhe do të vdesë para se të mbushë të tridhjetat”. Por Kiplingu e injoroi kritikën, dhe vazhdoi të shkruante pa u stepur prej gjykimit të tyre cinik.
Me kohë librat e tij fituan popullaritet te lexuesit, dhe ai u bë mjaft i preferuar dhe i vlerësuar edhe nga shkrimtarët e famshëm, akademikët dhe politikanët. Po çuditërisht, i riu Kipling, ashtu si ndaj kritikave, edhe ndaj vlerësimeve as deshi t’ia dinte…
Qysh herët, në vitet 900, Kiplingu do të parashikonte luftën me Gjermaninë dhe do të bënte thirrje për shërbim të detyruar ushtarak. Për këtë, ai përsëri do të tallej nga kritika si “imperialist” dhe “shovinist” dhe u vu në shënjestër nga mendimtarët e kohës. Edhe këtë herë, ashtu si më parë, ai s’u dha barrë kritikave po qëndroi i patundur në pikëpamjet e tij.
Xhoni (i biri) po rritej shtatlartë e i hijshëm.
Eh, çfarë entuziazmi ndjente Kiplingu, duke ndjekur të birin që “shtyhej” fushave të “rygby-së”! Sa krenar ndjehej ai, jo se Xhoni qe një atlet i madh, por sepse ai manifestonte një gëzim të brendshëm dhe e përcillte humor të këndshëm faktin që i ati e admironte aq shumë…
Xhoni përshëndeste skuadrat dhe kundërshtarët për rezultatet e tyre, po asnjëherë ai s’mburrej për fitoret dhe as do të përlotej për humbjet. Nëse thyente rregullat, e pranonte ndëshkimin pa u ankuar dhe ishte i përgjegjshëm për veprimet e tij. Me një fjalë, djaloshi Kipling – po bëhej “Njeri”.
Ta përballosh fatkeqësinë me burrëri, – për Kiplingun kishte një kuptim të madh dhe – këtë lloj sjelljeje ai donte ta inkurajonte te djali i tij. Nëse Xhoni do të mund të ndiqte veprimet e njerëzve të ditur, që Kiplingu kish njohur, nëse ai do të jetonte duke pasur parasysh atë përcaktim vlerash, në qoftë se…?!
Dhe ja, një ditë dimri 1910, Kiplingu do të merrte penën dhe do të hidhte në letër ato mendime me një poezi për djalin dymbëdhjetë vjeçar. Poezinë e titulloi “Nëse”… dhe e botoi në një libër tregimesh për fëmijë nga fundi i atij viti. Ndonëse kritikat s’e shpallën atë si një nga veprat më të mira të tij, brenda pak vitesh poezia katër strofëshe u bë klasike në gjithë botën duke u përkthyer në 27 gjuhë. Fëmijët e shkollës e mësonin përmendësh, të rinjtë e deklamonin duke marshuar drejt fronteve të luftës. Në 1915, lufta që Kiplingu pat parashikuar po shpërthente në Evropë.

Joseph Rudyard Kipling (1965-1936)
Joseph Rudyard Kipling (1865-1936)

NËSE…

nga Rudyard Kipling

Nëse mund ta ruash gjykimin kur gjith të tjerët e kanë humbur
Dhe fajin për këtë ua hedhin juve;
Nëse mund të besosh kur gjith dyshojnë në ju,
Bile t’u japësh edhe shkas dyshimi gjithashtu,
Nëse mund të presësh pa u lodhur nga pritja,
Apo të gënjehesh pa gënjyer ti asnjë fjalë,
Ose të ndjehesh i urryer pa urryer vetë kurrë.
E megjithatë të mos dukesh as shumë i mirë,  as shumë i zgjuar,
Nëse mund të ëndërrosh pa e lënë ëndrrën të bëhet zoti yt;
Nëse mund të mendosh, pa i bërë mendimet e tua qëllim
Nëse mund ta takosh triumfin pas disfatës
Dhe t’i presësh këto dy gënjeshtarë me të njëjtën fytyrë;
Nëse do ta dëgjosh të vërtetën e thënë prej teje
Të shtrembëruar ligsht, sa bëhet lak për të marrët,
Ose të shohësh gjëra për të cilat jep jetën, të prishen para syve tuaj,
E me durim e mund t’i riparosh ato;
Nëse do të humbasësh me një goditje
Fitoren e njëqind ndeshjeve,
dhe pa bërë zë për humbjen, t’ia nisësh nga fillimi
Pa bërë asnjë gjest dhe asnjë psherëtimë;
Nëse mund ta detyrosh zemrën dhe nervat,
Të të shërbejnë edhe kur ato kanë mbaruar,
Dhe të qëndrosh kur asgjë s’ka mbetur tek ju
Veç vullneti që të thotë “Mbahu”;
Nëse do të rrish me të thjeshtët dhe të mbetesh i virtytshëm,
Apo të këshillosh mbretërit dhe të mbetesh popull,
Nëse as armiqtë, as miqtë e dashur s’ia dalin ta prishin zemrën tuaj,
Nëse do t’i duash të gjithë si vëllezër pa qenë asnjëri, gjithçka për ty;
Nëse do të shfrytëzosh minutën e rreptë
Me përkushtim të denjë – të artë,
Atëherë mbretërit, fati dhe fitorja do të jenë skllevërit e tu
Dhe ajo që vlen më tepër se mbretërit dhe lavdia, ti do të jesh
NJERI – biri im.
shqipëroi Dine Dine

IF... Rudyard Kipling
IF… Rudyard Kipling

Një tjetër histori, tepër interesante e prekëse, do të qe ajo që përshkruante se si Xhoni, duke dashur t’i shkojë deri në fund atij “përcaktimi të vlerave të jetës”, do të jepte, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç, provën e fundit dhe më sublime duke u inkuadruar në radhët e para të frontit dhe duke rënë heroikisht në betejën e Loos në Francë. Sa i përket Kiplingut, ai nuk ngurroi për asnjë çast të japë pëlqimin e tij për djalin e vetëm që s’kish mbushur moshën. Dhe nuk iu shmang besimit për gjithçka që i kish mësuar të birit, pa marrë parasysh pasojat.
Kjo poemë e shkurtër, është nja nga perlat e poezisë angleze dhe asaj botërore. Kodi i saj i të sjellurit, i thjeshtë dhe frymëzues, u bë për miliona njerëz në botë përcaktim i vlerave të jetës.
Ajo të habit me thellësinë e mendimit, thjeshtësinë dhe transparenca përmes së cilës autori komunikon drejtpërdrejt. Çdo varg i tij është një mësim, çdo mendim është një mesazh. Në vetëm katër strofa autori ka mundur të na japë, të përqëndruar, thelbin e një filozofie të tërë. Morali i saj i kristaltë si ujët e burimeve, vjen i freskët e buçitës, e herë si fllad e jehonë e bjeshkëve shqiptare. Poezia merr gjithnjë vlera aktuale, pikërisht në këto çaste kur shqiptarëve u është dashur të ruajnë gjykimin dhe gjakftohtësinë, kur të tjerët ndoshta do ta kishin humbur atë, apo të qëndrojnë kur asgjë s’ka mbetur tek ne veç vullnetit që na thotë “Mbahu”.
Duke qenë të pakët në numër nga njëra anë, dhe të rrethuar në të katër anët me armiq e dhashakeqë, që të etur kanë kërkuar e kërkojnë të na gëlltisin dhe eliminojnë në çdo çast, shqiptarët u detyruan të vuajnë nëpër shekuj, por jo të nënshtrohen…
Kështu me të drejtë, ne mund të mburremi para botës për me gjuhën, kulturën dhe tradita tona.
Sot jemi para gurit të provës! Sot shqiptarëve kudo që janë më tepër se kurrë u nevojitet urtësi, tolerancë, mirëkuptim. Intelektualët duhet të gjejnë çelsat dhe të hapin dialogjet instruktive që çojnë drejt bashkimit e përparimit dhe të flakin tutje idetë  e sëmura që që nuk sjellin veçse përçarje dhe destabilizim për mbarë kombin. Bashkimi, dashuria, vëllazërimi – kjo duhet të jetë moto e ditës për ne, përndryshe historia nuk do t’ia falë askujt veprime që pengojnë arritjen e qëllimit final. Kosova martire, në këto ditë të vështira, na thërret të gjithëve kudo që jemi të shpërndarë në katër anët e rruzullit. Ajo kërkon sot, jo fjalë por sakrifica sublime. Kur çasti final të vijë, të gjithë si një trup i vetëm duhet të dimë të dhurojmë minutën e padhurueshme – atëherë jona do të jetë toka e gjithçka gjendet në të… dhe ajo që vlen më tepër, ne do të jemi më pranë  qenies “Njeri”, së cilës Kiplingu, fituesi i Nobelit i kushtoi atë “Testament”, që për brezat e gjithë kohëve do të mbetet një dëshmi e gdhendur e kulturës, artit dhe moralit të pastër njerëzor.
“Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap edhe dashurinë” janë fjalët e një poeti të madh. Këtë mesazh i dërgon edhe Kiplingu në fund të poemës të birit që dha jetën në betejën e Loos në Francë. Le të jetë kjo poezi e tij, e sjellë në shqip prej shumë përkthyesve, po edhe prej meje, një mesazh për të gjithë ne, që quhemi shqiptarë dhe duam të mbrojmë kët tokë të shenjtë që e thërrasim Shqipëri dhe që të parët tanë e kanë larë gjithmonë me gjak…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.