back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mësuesi ynë i letërsisë, Jonuz Blakçori – nga Agim Xh. Dëshnica –

Gazeta

Jonuz Blakçori (15 maj 1895- 6 prill 1975)
Jonuz Blakçori (15 maj 1895- 6 prill 1975)

Mësuesi ynë i letërsisë, Jonuz Blakçori

Jonuz Blakçori (15 maj 1895- 6 prill 1975)

nga Agim Xh. Dëshnica –

Kur shtrohej çështja e njësimit të gjuhës letrare dhe ortografisë shqipe, më ka qëlluar të lexoja diskutimet në Sesionin Shkencor të Gjuhës e Letërsisë Shqipe, të Institutit të Shkencave të botura në Buletinin e Shkencave Shoqërore n. 4 – 1952. Referuesi kryesor, Dh. S. Shuteriqi, me anën e të dhënave statistikore, nxirrte përfundime kundërshkencore rreth dy dialekteve kryesore, ku dialekti tosk dilte mbizotërues. Kam dëgjuar shpesh edhe një mendim tepër të gabuar, se jugorët tanë janë shquar më shumë për penë dhe veriorët për armë. Por, emra të tillë, që përmend edhe kritika e huaj, si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, At Vinçenc Prennushi, At Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, At Bernardin Palaj, At Donat Kurti, At Justin Rrota, Ernest Koliqi, Migjeni, Arshi Pipa, Martin Camaj dhe shumë të tjerë në Kosovë, kanë një peshë të rëndë kundër atij mendimi. Megjithëse u kundërshtua nga Aleksandër Xhuvani, ky parashtrim shifrash ndikoi më vonë në gjykimin e intelektualëve shqiptarë, me rrjedhoja të dëmshme, kur u desh të pranonin në Kongresin e Drejtshkrimit – 1972, si themel të gjuhës së njësuar shqipe toskërishten, me paksim të dukshëm të fjalëve, zanoreve, paskajores dhe ndërtimeve të mirëfillta shqipe nga veriu. Argumentat qenë të shumta, gjoja patriotike, por siç merrej vesh, vendimi ishte marrë qysh më përpara nga diktatori Hoxha.
Duke dëgjuar në vitin 1946, Prof. Jonuz Blakçori nga Peja, mësuesin tim të gjuhës e të letërsisë në klasën e parë të Gjimnazit të Tiranës, mjeshtër në përdorimin e dialekteve, shpjegues i shkëlqyer dhe kërkues, apo mësuesin e gjeografisë Ahmet Gashin, mahnitesha nga pasuria e gjuhës dhe bukuria e ndërtimit të shprehjeve, si dhe dijeve të tyre, që shtriheshin dhe në zona historie. Në bisedë për tema të ndryshme me Prof. Blakçorin për gjuhën, letërsinë e historinë në studion e tij me një bibliotekë të pasur në shtëpinë e vet në rrugën Fortuzi në Tiranë, m’u përforcua bindja, se armën dhe penën e zotëronin njësoj të gjithë, vetëm me një dallim, te ndjenjat atdhetare më të ndezura në veri, që vazhdon dhe sot në Kosovë. Tek shikon fotografinë me fytyrën fisnike, sytë rrezatuese të Prof. Jonuz Blakçorit, shoqërues i Bajram Currit në Europë, dallon paraqitja e shkollarit të mençur në Kolegjin e Shën Mitër Koronës dhe laureatit të Universitetit të Romës. Po ashtu fotografitë me Fan Nolin, apo në krah të djathtë të Avni Rustemit në kryesinë e Shoqërisë Bashkimi në Tiranë dhe në ditët e dhimbjes pas vrasjes me atentat të Avniut, në ballë të rreshtit të vullnetarëve të kësaj shoqërie, shquhej shtati i tij, tip Kosove. Si për shumë vetë, këto fotografi historike, kur botoheshin në kohën e dikaturës komuniste, ose retushoheshin, ose fshiheshin emrat.
Jonuz Blakçori lindi në fshatin Brojë të Drenicës së poshtëme më 15 maj 1895. Mësimet e para i mori në Pejë. Vijoi gjimnazin në Shkup e më pas shkollën Normale në Elbasan. Pas kësaj, kaloi në shkollën arbëreshe të Shën Mitër Koronës, së bashku me Avni Rustemin.
Në moshë të re, kur Blakçori jetonte në Kosovë, mori pjesë në lëvizjen kombëtare duke shpërndarë trakte e gazeta në përkrahje të kryengritjeve shqiptare në Kosovës. Disa herë atij iu desh të ndërpriste mësimet për të marrë pjesë në veprime për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë së cunguar padrejtësisht më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në përkrahje të Kongresit të Lushnjës dhe Qeverisë së saj, ai merr pjesë në Luftën e Koplikut të vitit 1920, kundër agresionit jugosllav. Në Koplik, Blakçori dhe patriotët e tjerë mblodhën dhe dërguan vullnetarë edhe në Luftën e Vlorës.
Në vitin 1923, Jonuz Blakçori mbaron studimet për pedagogji, gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Romës. I pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i italishtes, frëngjishtes, turqishtes e serbokroatishtes, kthehet në Shqipëri. Në atë vit emërohet inspektor arsimi në Berat. Mandej dërgohet mësues në fshatrat e Kurveleshit dhe të Tepelenës i ngarkuar me detyra për hapje shkollash të reja, i mirëpritur nga prindët, duke lënë kujtime të këndëshme te nxënësit e atyre viseve. Krahas përgatitjes së teksteve dhe mësimdhënies, ai u mor edhe me studimin e dialektit vendas dhe mbledhjen e folklorit të pasur lab si, këngë, fjalë të urta, përralla, gjëegjëza, etj. Në vitet 1923-1924, disa nga këto studime i botoi në të përkohëshmen “Revista Pedagogjike” në Tiranë.
I miqësuar me Avni Rustemin qysh në shkollën arbëreshe, Blakçori pati pranuar idetë e demokratëve për edukimin e popullit me kulturë europiane, për përmirësimin e jetës në fshat, etj. Siç dihet, këto ide të intelektualëve patën marrë udhë me krijimin më 25 prill të vitit 1921, të Federatës Atdheu, dhe më pas, më 13 tetor 1922, të shoqërisë Bashkimi. I zgjedhur në kryesinë saj në vitin 1924, ndodhet në Tiranë. Punon si redaktor i gazetës “Bashkimi”, me ide të larta, si atdheu, liria, uniteti, mbrojta e drejtësisë njerëzore, zhvillimi i ekonomik i vendit dhe i kulturës së popullit, sipas frymës europiane. Për këto ide Jonuz Blakçori qëndroi i patundur dhe besnik gjatë gjithë jetës. Gazeta e ndihmoi të shprehte përveç idealeve të shoqërisë Bashkimi dhe protestat kundër sjelljeve të egra të shteteve fqinj, në Kosovë e Çamëri, me kërkesa për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Punon edhe në Ministrinë e Arsimit të Qeverisë së Fan Nolit, me detyrë sekretar i parë. Pas rënies së asaj qeverie demokratike, u internua në Gramsh. Me shpalljen e amnistisë nga mbreti Zog, u kthye në Tiranë. Falë aftësive dhe kulturës së tij, nderuar nga njerëz të shquar të arsmit e kulturës, ndërmjet tyre nga Hil Mosi dhe Mirash Ivanaj, më 1928 punon redaktor i revistës “Mësuesi” dhe i gazetës “Telegraf”. Pastaj emërohet drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe mësues në Gjimnazin e Tiranës. Gjatë këtyre viteve do të botonte një studim të hollësishëm për Makiavelin dhe shkrime të ndryshme albanologjike.
Pushtimin fashist të 7 prillit 1939, i pajisur me ndjenja të zjarrta atdhetare, veti e njohur e shqiptarëve, e priti me përbuzje. Duke përfituar, si shumë të tjerë, nga njëfarë lëshimi i pushtuesve me krijimin e një qeverie shqiptare, të përfolur nga historianët komunistë, vijoi punën e profesorit të gjuhës e të letërsisë shqipe në Shkollën e punës. Më 23 qershor 1941, sipas një dokumenti zyrtar, ministri i arsimit Ernest Koliqi, ngarkoi një mision për studimin e gjendjes në Kosovë të arsimit fillor e të mesëm si dhe rregullimin e kurseve verore të gjuhës shqipe për të mëdhej e të vegjël. Misioni përbehej nga Ali Hashorva, Jonuz Blakçori, Abdurrahim Buza nga Tirana, Flora Pali e Zef Pali nga Shkodra, Shaban Arra, Xhavid Nimani e Fadil Haxhihoxha nga Kosova. Asokohe, ai dha ndihmën e vet për shkollat shqipe në Kosovë dhe shkroi artikuj optimistë, sidomos për rininë e Kosovës kundër dëshpërimit. Mbajti qëndrim të ftohtë ndaj njerëzve, që ishin përfshirë në një politikë të paqartë dhe pa rrugëdalje. Qe i bindur se luftën do ta fitonin aleatët me SHBA në krye.
.
Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Paslufta – më dëshpëruese se lufta

Paslufta, si për mijëra të tjerë, qe më dëshpëruese se lufta. Regjimi komunist i vendosur me armë dhe me ndihmën e dushanëve, zhgënjeu shumë njerëz, që shpresonin për një të ardhme më të mirë. Pas votimeve farsë të vitit 1945, u shpall një republikë, e cila ia mbylli popullit portat rreth e qark, sidomos ato perëndimore. Kjo mbyllje u shoqërua me arrestime e pushkatime figurash të shquara të kombit.
Në bisedë në studio me profesorin, mund të mësoje hollësisht tiparet e shkrimtarëve tanë, duke filluar nga Naimi, Çajupi, Mjeda, Noli, Fishta, Koliqi, Poradeci etj. Fliste me komptencë dhe për poezinë italiane, për Danten, Petrarkën, Foskolon e Manzonin. Pëlqente veçanërisht poezitë e përflakura për atdhe të Xhakomo Leopardit. Pëlqente prozatorët francezë, ndër ta Molierin, Hygon, Gi De Mopsanin, etj. Vlerësonte lart letërsinë turke, sidomos poetët e shekujve 19-20, romantikun Abdulla Hamit Torbin dhe kundërshtarin e sulltanit, Tefik Fikret.
Kur niste bisedën për Isa Boletinin, Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën, rrëfimi i tij rridhte. Fytyra i gjallëronte nga një shkëlqim i kuqëremtë. Shpesh u tregonte nxënësve episode nga jeta, si dhe portretet e tyre të hijshme.
Në biseda me miqtë e vet, nëse binte fjala për Avni Rustemin dhe fundin e tij, sytë ia përshkonte një hije trishtimi, që nuk ishte në natyrën e tij. Kur bisedohej për fatin e Kosovës, ai ngrysej dhe merrte pamjen e një luftëtari të armatosur. “Për Kosovën, – më thoshte në intimitet, – asht derdhun gjak, vite me radhë. Ajo asht Shqipni dhe nuk mund të mbetet nën Jugosllavi. Autonomia nuk asht zgjidhje. Kosovës i duhet pavarësia. Unë kam besim, se ajo ditë e bekueme ka me ardhë, sepse Europa dhe Amerika po rishikojnë qendrimet e tyne. Mukja dhe paslufta dëshmuen se nga kjo qeveri dhe nga Rusia nuk duhet me shpresue. Kosova, me hir a me pahir, ka me u çlirue…”
Herë pas here profesori kujtonte disi me lodhje dramën e jetës së vet aty nga fundi i luftës, kur brigatat partizane ishin afruar në pjesën veriore të Tiranës dhe hynin shpesh edhe në rrugën e Fortuzit. Një mbrëmje sapo kishte rënë muzgu, pesë partizanë të armatosur u dukën në oborr. Kërkuan profesorin dhe e shoqëruan për te një vend grumbullimi njerëzish, diku në Tiranë. Ai kishte marrë me vehte, për çdo rast, ushqim dhe një triko. Kur hyri në sallë, pa mjaft vetë të ulur ndër stola. Shumë vetë i njihte, ishin mësues, shkrimtarë, avoketë, tregtarë, etj. Zuri vend aty nga fundi. Midis njerëzve të shqetësuar, vuri re publicistin e njohur Nebil Çika. Herë pas here shfaqej një ushtarak dhe thërriste një emër. I thirruri dilte dhe nuk kthehej më. Salla herë, mbushej me njerëz të hutuar, e herë dukej sikur zbrazej. Disa çanta, me plaçka e ushqime mbeteshin atje si të harruara. Befas Blakçorit iu afrua një partizan, e pa me vëmendje dhe e pyeti:
Edhe ju, profesor, këtu!? A po më njihni?
-Jo! – iu përgjegj ai.
Jam nxënës i juaj, “Çakmaku”! – shtoi tjetri dhe hoqi kapelen.
-Ashtu!? Tash po më kujtoheni. Gëzohem!
-Do prisni pak! – i tha ish nxënësi dhe u largua.
Profesori pati parandjenjën se fati po e ndihmonte. Gjithë natën e kaloi zgjuar, i lodhur nga mendimet, se për çfarë shkaqesh ndodhej në atë sallë të ftohtë. Në kohën, tek po zbardhte dita e re, atë e kaploi dremitja me ëndrra pa kuptim. U zgjua i shqetësuar dhe priti gjithë ditën. Aty afër mbrëmjes dëgjoi t’i thirrej emri.
-Je i lirë, mund të kthehesh në shtëpi! – e njoftoi një partizan tjetër.
Ky rrëfim përkon edhe me ato që shkruhen në librin “Antologjia e Krimit Komunist”, botim i vitit 2006: “Diktatori Enver Hoxha, nga Berati udhëzonte: Asgjësoni të gjithë ata që nuk janë me ne, që janë pengesë për të vënë në jetë vendimet e partisë sonë heroike! Veproni pa mëshirë!” Më tej: “Sapo binte nata dhe derisa zbardhte dita, skuadrat e vdekjes me lista në duar, vërtiteshin tutje-tëhu, në rrugicat e kyeqytetit, hynin me dhunë në shtëpitë e të shënuarëve, lidheshin me hekura e litarë dhe çoheshin para shtabit partizan, tek i plotfuqishmi Kristo Themelko (Shulja)”
Në vitin 1945, Jonuz Blakçori u thirr të jepte mësim në gjimnazin e Tiranës, për gjuhën e letërsinë shqipe dhe italishten. Zakonisht mësimin e jepte në toskërisht. E mbaj mend, kur profesori shpjegonte mësimin. Të gjithë e dëgjonim me vëmendje të thellë, sa nuk merrej vesh se si kalonte aq shpejt ora, apo kur na jepte tema të këndëshme për hartim. Më vonë, në pleqëri, do të tregonte, sesi aty nga mbarimi i vitit shkollor 1945-1946, u shfaq në gjimnaz një kuadër i luftës, një burrë i shkurtër e vetullzi. U pëshpërit nga dikush se qe inspektor i Ministrisë së Arsimit. Një tjetër tha, se ishte drejtori i ri. Mësuesit u lajmëruan të mblidheshin në sallën e tyre. Profesorin e pushtoi një parandjenjë e keqe. Zëvendësdrejtori, pasi e shoqëroi të sapoardhurin nëpër klasa, e çoi në sallën e mësuesve, dhe ua tregoi me dorë. “Ky është shoku K. Baboçi, drejtori ynë i ri!” – tha. Ai foli shkurt, pa u ulur. Në fund lexoi emrat e profesorëve që mbeteshin andej e tutje në gjimnaz. “Të tjerët, – shtoi me seriozitet, – nuk do të punojnë më këtu. Sqarimet do të bëhen më vonë. “Profesor Blakçori nuk e dëgjoi emrin e tij. Kështu, patriotin, luftëtarin e lirisë, demokratin, mësuesin, gazetarin, studiuesin, profesorin me zë, e lanë pa punë, pa i dhënë asnjë shpjegim. Në ato kohëra të turbullta, Ministria e Arsimit, sipas mësimeve jugosllave, bëri shthurrjen e madhe, prishi gjimnazet me tetë vjet, me programe klasike e reale. Pas shkollës fillore me pesë klasë, vijonin uniket trevjeçare dhe më tej shkollat e mesme katërvjeçare e teknikumet trevjeçare.
Mësuesi i papunë professor Blakçori, me ndihmën e miqve, përpiqej të gjente punë. Herë i jepnin orë si zëvendësues ndër unike, herë në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”, apo në ato të grumbullimit, si nëpunës i thjeshtë, herë kujdestar konvikti i përkohëshëm në shkollën bujqësore në Kamëz, duke iu hequr çdo mundësi të jepte mësime as në shkollat fillore. Pra, në atë gjendje e katandisën profesorin e aftë, që mund të shkëlqente me leksione për gjuhën e letërsinë shqipe e italiane në çdo universitet, qoftë dhe jashtë vendit tonë. Në kulmin e pjekurisë ai u largua me një pension të ulët. Bija e vetme, Elizama, së bashku me të shoqin, mjekun e mirënjohur Thoma Nano, vinin shpesh e kujdeseshin për të. Ndërkaq dhe miqtë nuk e harronin.
 .

Studioja që bënte dritë në rrugën “Fortuzi”

Aty nga vitet gjashtëdhjetë, pas një tërheqje të lehtë të diktaturës në arsim e kulturë, Blakçori hapi në studio një kurs me pak studentë dhe qytetarë të rinj, të cilët dëshironin të mësonin gjuhët italisht e frëngjisht, që ishin fshirë tashmë nga programet shkollore. Dhe kështu, merr veten pak prej vështirësive ekonomike. Në ato vite përfundon dy libra, njëra për jetën e Isa Buletinit e tjetra për Bajram Currin. Redakton përkthime të shkrimtarëve të rinj, etj. Shton përkthimet e veta nga poetët e mëdhenj, si Petrarka, Leopardi dhe D’Anuncio dhe ua lexon miqve. Shkon për vizitë a pret në studio shokët e vjetër, si Ahmet Gashin, mësues e patriot i dëgjuar nga Kosova, Xhevdet Dëshnicën, mësues dhe ish kryetar i shoqërisë Bashkimi për qarkun e Beratit, shokë shkolle dhe përpjekjesh për arsimin dhe demokracinë. Bisedojnë shtruar për problemet e kohës, për letërsinë dhe autorët e saj; kujtojnë së bashku përpjekjet e tyre për atdheun, jetën e shoqërinë, etj. Ndërkohë, vendos lidhje me Institutin e Kulturës Popullore. Dorëzon dosje me studime, krijimet e dikurshme të miqve të vet nga arkivat e tyre dhe fjalë të urta nga gurra popullore, të mbledhura kur punonte në arsim. Duhej të vinte viti 1983, kur profesori nuk jetonte më, që disa nga ato fjalë të urta filozofike të përfshiheshin në një nga botimet e Akademisë së Shkencave, përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore. Japim disa prej tyre:
Kali i arapit dhe inati i shqiptarit. – Jug
-Me gjumë e me zhele ngopesh kurdoherë. – Jug
-Ia hoqa gojës dhe ia dhashë nevojës. – Jug
Kush ka pak, të prishi ma pak. – Veri
Hiqja gojës e venia ftyrës. – Shkodër
Miku i mirë të neron shpinë. – Veri
Kur të thërret armiku për darkë, duket se i ka hyrë lepuri në bark.-
-Në do të prishesh me mikun, epi punën që s’mund ta bajë. – Elbasan
Kush për këshillë e kush për mill. – Veri
Kur s’dëgjohet i pari, nuk shkon puna për së mbari. – Tiranë
Nuk du mish e kabuni, po du ner e sajdi. – Kavajë
-Ku qe? – Në Domën – Ç’ka prune? – Kromën. – Shkodër
Kush knaqet, e i urti fiton. – Shkodër.
Kush nxitet, mbitet – Himarë- Vlorë.
-Ma mirë tre mësime, se tri qese. – Kosovë
Jetë – kuletë! Fukarallëk- maskarallëk! – Çamëri
-Nevojtarit, deri mini i breu pallën. – Veri
-S’e don kush atë qi s’ka ç’i ha mica pas darke. – Veri
 .
Ata që kalonin në orët e vona, nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, vinin re, se drita e studios, në katin e poshtëm, rrinte ndezur deri vonë. Profesori punonte. Një ditë tek mendohej rreth evolimit të gjuhëve në botë, pa dashur bën një gabim, i shkruan një letër Shtëpisë Botuese të dëgjuar Zanichelli në Itali, me kërkesa për fjalorë e metoda moderne të italishtes e frëngjishtes.
.

Me Shtëpinë Botuese Italiane

Ishte viti 1971. Profesor Jonuz Blakçori ashtu i gjatë, me beretë në krye dhe me hapin e sigurt, po shkonte, sipas një njoftimi zyrtar, për në hotel Dajti, drejt një takimi fatal, me një nga editorët e Shtëpisë Botuese Italiane, që kishte ardhur me shërbim, sigurisht, për ndonjë kontratë me institucionet shtetërore. Para se të shkonte atje, kërkoi mendimin e Degës së Brendshme.
Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Shko takoje! – i thanë.
Nëpunësi italian, pas një bisede të thjeshtë e të përzemërt, i dorëzoi librat e kërkuara, me të cilat pas takimit, profesori shkoi përsëri në Degën e Brendëshme.
-Në rregull. Pa merak, i gëzofsh! – i tha shefi, pasi u hodhi librave një sy të ftohtë.
Ardhja e tyre, nga njëra anë, e ngriti më lart cilësinë e mësimdhënies, dhe, nga ana tjetër, sigurimi i shtetit e shtoi vigjilencën, me gjurmim e përgjim. Dërgoi natyrisht njeriun e vet për të mësuar italisht e të dëgjonte se çfarë thoshte plaku prej Peje për Kosovën, çfarë thoshte për kulturën europiane, çfarë librash fshiheshin të radhitura në rafte pas perdeve vishnje. Pra gracka u ngreh brenda në studio.
Në korrik të vitit 1972 Jonuz Blakçori do të zbriste me lot ndër sy shkallët e banesës së mikut të vet besnik, Xhevdet Dëshnicës, pasi e pa për herë të fundit, tek po shuhej, pas një jete të mundimshme patriotike.
Së fundi, mbërriti viti 1975, viti i zi i “vigjilencës revolucionare”, kundër “agjenturave“, “agjentëve“, “poliagjentëve“, “puçistëve“, koha kur për shkak të paudhësive pa mbarim, E. Hoxha do të pësonte goditje në zemër. Në natën e ftohtë të 8 janarit, trokitën te shtëpia e profesorit, i cili pas katër muajsh do të mbushte moshën 80 vjeçare. I thanë të vishej e të merrte me vete sende vetiake. Ia lidhën duart dhe e nisën. Pas një udhëtimi të tmerrshëm, mori vesh se ndodhej në kampin e Çermës, në Lushnje. Nga të folmet e djemëve, që iu ndodhën pranë, kuptoi se kishte të bënte me djem shqiptarë nga Kosova, të internuar aty vite më parë. Pra, bijve shqiptarë të Kosovës tragjedia nuk po u ndahej, me ndjekje këmba – këmbës, jo vetëm në vendlindje, por as në tokën amë. Përveç vuajtjes fizike, kjo që po ndodhte, qe një poshtërim i rëndë, që godiste si varé në krye e në shpirtin e sfilitur të kombit shqiptar.
I fyer dhe i tronditur, në muajin prill të vitit 1975, ndërroi jetë në spitalin e Lushnjës, Jonuz Blakçori, luftëtari i lirisë, bashkimtari, profesori dhe publicisti nga Peja, me gjithë kujdesin e djemve bashkatdhetarë, të cilët i qëndruan mbi krye, si bijtë e vet, të zhgënjyer në barakat e kampit të çfarosjes, turpit, që do ta ndiqte pas regjimin komunist, me shembje idhujsh e muresh argjili. Lajmi kaloi kufirin dhe dëshpëroi Pejën dhe qytetet e Kosovës.
Kalimtarët, tek ecnin nëpër trotuarin e rrugës Fortuzi, në Tiranë, vërenin se pas bredhave, dritarja e studios nuk lëshonte më dritë. Një hije e trishtë mbulonte shtëpinë dhe ata vetë.
Ky, përkujtim nderon gjithë shqiptarët e Kosovës martire, me fshatrat e djegura, me të vrarë dhe me dëshmorët që falën jetën për lirinë e Kosovës e të Shqipërisë. Njëkohësisht, këto shënime janë edhe rrëfime për rininë Të mësojë ajo se nga ka ardhur e vjen e keqja, sidomos tani që shtrohet çështja për njohjen përfundimtare të Kosovës.
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.