back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Metamorfoza… nga At Gjergj Fishta

Gazeta

At Gjergj Fishta

Metamorfoza… nga At Gjergj Fishta

…dhe përcjellja historike e nji poezie… Jozef Radi

“T’a dijë Shqypnija/ Prá, e sheklli mbarë,/
Se mâ mbas sodit/ un s’jam Shqyptár,

Poezia e njoftun e Fishtës “Metamorfoza” asht prej poezive ma antalogjike  të tij, mbasi aty Ai asht ballafaque dhe shkri me figurat e krejt atyne personazheve, që shesin me të madhe patriotizëm dhe heroizëm, por që meskiniteti i interesave të tyne dëshmon se për ata s’ka as atdhe, as flamur, as dashni dhe as sakrificë në emën të tij… dhe Fishta, tashma i futun në lëkurën e tyne ban nji prej atyne demaskimeve ma klasike të hipokrizisë e megallomanisë, po njiherit u ka dëshmue gjithë brezave dhe gjitha kohnave se personazhe të tillë groteske kanë me iu nëpërkambë vazhdimisht këtij vendi, e ku ajo dëshira e tyne veç me marrë e mos me dhanë asgja mbetet nën tehun e mprehtë të kësaj poezie, e cila ende sot e kësaj dite mbetet aktuale, po njiherit edhe ma e paragjykuemja… Sigurisht poezia “Metamorfoza” asht ma e keqpërdoruna përgjat krejt periudhës së regjimit komunist… Ashtu si krejt vepra e Fishtës, edhe kjo poezi, duke mos u lejue që lexuesi të vihej në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të merrej me tekstin e poezisë, me ironinë dhe sarkazmën therëse të autorit, me at talljen e tij të pamëshirtë, që e përshkon fund e krye kët poezi, regjimi, përdori vetëm katër vargje të saj në mënyrë spekullative…
Fishta, në kët poezi bahet pjesë e atij realiteti për me i shkue sa ma në themel demaskimit, ndërkohë regjimi për me pasë nji kartë bindëse kundra tij, për shlyemjen e programueme nga kultura shqipe me nji diabolizëm pak të trashë, ka shkëput veç katër vargje prej saj, duke e shpallë me të madhe antishqiptarizmin e këtij Shqiptari të Pashoq, dhe duke mos i mjaftue veç kjo, lejoi në mënyrën ma flagrante edhe deformimin e këtyne katër vargjeve, deformim i cili u fut gjithkund ndër shkolla, ndër biseda, ndër mbledhje, ndër akuza… pa iu referue askund tekstit, po duke qarkullue ashtu gojë më gojë, prej kasnecëve të shumtë të së keqes… Dhe sa herë ndodhte të flitesh apo të përmendesh ky Shqiptar i Madh, i bashkangjitej menjiherë urrejtja patologjike e regjimit, dhe gjetja e armikut, (Dhe le ta dijë/ gjithë bota mbarë,// se at Gjergj Fishta/ s’asht ma shqiptar…)  Pra regjimi, nuk synonte veç me i zhdukë veprën dhe përkushtimin e tij shembullor, as zhdukjen e  eshtrave duke ia hjedhë në lumë, po edhe demaskimin e tij si patriot dhe si shqiptar i flaktë, në mënyrë që asnji gjurmë e tij të mos mbetesh mbi dhe…
Po e vërteta… shpon malin dhe del…
Edhe e vërteta e At Fishtës, qoftë edhe përmes kësaj poezie antologjike, ka me vazhdue me na ndjekë… dhe s’mundet askush ta vrasë atë në jetë të jetëve…
Lexuesi i sotshëm asht i lirë ta lexojë, ta mendojë dhe ta gjykojë në qetësi vlerën e kësaj poezie… dhe jam i sigurt se ai do ta dëshmojë se ajo çka e ka tallë Fishta me krejt fuqinë e artit këtu e tetë dekada të shkueme, meriton edhe sot me u tallë e me u përbuzë… tash me fuqinë e leximit dhe të qëndrimit kritik…
shkurt 2014

Gjergj Fishta i ri
Gjergj Fishta i ri

Metamorfoza nga At Gjergj Fishta

Qe besa, or burra,/
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret/
Sod derri dajë…

Me anmiq t’Shqypnís/ un pa u frigue
Mjaft jam, i mjeri,/
Kacagjelue.

Pse kam pasë thânun/
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet/
Për atme t’vet;

Edhe kam pritun,/
Mbas ktij mendimi,
Trimnisht për atme/
Çfarëdo ndëshkimi.

Por tash, t’a dini/
T’tânë rreth e qark,
se mue m’ka hi/
Sod lepri n’bark.

M’âsht bâ shtupë zêmra,/
E m’la trimnija,
Si jam tue njoftun/
Se ç’m’qet Shqypnija…

Po, po; kujdesi/
Për Gegë e Toskë
Mue sod m’ka hjedhun/
Si hút n’kët prroskë,

Kû, ndêjë harû/
Si dac n’goviç,
M’janë bâ, qe besa,/
Kërçikët si viç,

E shtati tjetër/
Porsi degë pishe,
Thue se kam hangër/
Haram gjâ kishe.

Si me pasë lé/
M’ndo’i knetë n’Zejmên,
A me pasë ndêjun/
Tue tredhun qen.

Ehu! t’kishe shkue/
Pak mâ kadalë,
S’kisht’ kênë nevoja/
Me tjerrë ktû fjalë;

Përsè ishe màjun,/
Si mâjet njala,
E punue m’kishte/
Kuleta e fjala;

Porsi njatyne,/
që ndêjë n’Shqypní,
Kujtojn se gjinden/
Shi n’Australi;

E për dhé t’Parvet/
S’u bjen ndërmend
Me sa për kpurdha/
që bijn n’dervend.

Ata, eh t’paça!/
Kanë spatën n’mjaltë,
E si balona,/
Përditë mâ t’naltë:

Përditë t’u mâjun,/
Si mâjet njala,
U punon m’shekull/
Kuleta e fjala.

As për punë t’ême/
S’kanë t’lodhët, hae i keq,
Me sá druen halen/
Se i therë n’përpeq.

E pse, pra, t’rrekem/
Pa i bâ gjâ kujë?
Përsè t’a mbajë/
Un shatin n’ujë?

A thue dishroni/
Prej ktyne s’ligash
Gjithmonë me m’pamun/
Si t’pimun shtrigash?

Ehu jo, bre burra,/
S’kam lé për s’teprit!…
Mâ mirë u rrnueka/
Me zêmër t’leprit…

Kam dá, t’a dini,/
Me vjetë t’sivjetit
Me u shporrë Shqypnijet,/
Me kênë i vetit.

E dij se kini/
Ju t’gjith me m’shá,
E se me m’thirrun/
Mâ s’kini vllá;

Por n’dashtë; le t’thohet/ Se dredhoi Leka,
Veç kurr mos t’thohet/
Se ka mbetë Leka.

T’a dijë Shqypnija/
Prá, e sheklli mbarë,
Se mâ mbas sodit/
U s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni,/
që rrini m’shkam?
Un mâ me sodjet/
Shqyptár nuk jam.

M’thirrni si t’doni/ U tham: Urdhno!
Zulù m’a njitni…/
Shqyptár, por, jo.

Për mue Shqypnija/
Kufij mâ s’ká,
Nuk kam kund atme/
As fis, as vllá,

Fis kam mâ t’fortin/
E vllá bujarin,
Për atme barkun,/
Për erz kam arin.

Prandej, mbas sodit,/
Kur t’m’leverdisin
Un kam me shndrrue/
Sá herë t’due fisin.

Kshtû, kam me rá/
Un n’mbramet Grek,
Kam me ndjehë n’nesret/
Shkjá ja Zejbek.

Dér sod kjeç dhanun/
Për gjuhë shqyptare:
Por shka, me sodjet,/
Për mue daltë fare.

Për mue janë baras/
Si bukë si pane,
Por due qi gjindja/
Pa tê t’mos m’lâne.

Përsè veç shqypja/
Do folë n’Shqypní,
(Si duen me thânun/
Nji palë zotní),

Kur me ‘i gut’n Morgen!/
A i kalimera!
Me’i dobra vecer!/
A buona sera!

Mue punët të tana/
M’hecin për fille,
E dér morrizi/
M’qet drandofille?…

Luftët e Kastriotit/
E t’Dukagjinit
Un kam me i mbajtun/
Për dokrra hînit.

Sot për mue Leka/
E Skanderbegu
Janë Palok Cuca/
E Jaho Begu.

Mâ s’kam me i qitun/
Zavall un krés
Për krena t’vendit/
As për t’parë t’fés;

Kushdo për mue/
Le t’jétë i pár:
T’jetë dreq me bryna,/
Por jo Shqyptár.

Pse krejt sod jetën/
Un ndrrue e kam,
Kam lé për s’dytit:/
Shqyptár mâ s’jam.

E prej së s’dytit/
Kam lé sivjèt:
Kurdo t’pagzohem/
A t’m’bâjn synèt,

Un due t’m’a njesin/
Pantaleone
Pse mbarë bjen fjala/
Me napolione.

Pantaleone,/
O ‘i tjetër êmën
që t’dáj se mashkull/
Nuk jam, as fêmen:

Taman si duhet/
Shqyptari t’jétë,
që don me pasun/
Kuleten xét.

Tash bjer kavallit,/
O barku i êm,
Porsi bylbyli/
që kndon mbi gêm!

Përsè me sodjet/
Nji jetë e ré
Do t’xâje filli/
N’Shqypní për né.

Për né xén filli,/
Po, koha arit,
Sod që i rám mohit/
Rodit t’Shqyptarit.

O i lum ti i lumi,/
Si padishà
Tash ké m’u lkundun/
Mbi ndo’i sofá.

Për né mbas sodit/
Për çdo punë t’liga
Nuk do t’na marrë/
Mbi shekull friga.

Kemi për t’kênun/
Si hy mbi tokë,
Kem’ për t’zotnue/
Pa dhimbë mbi shokë,

Kemi me shkelun/
Mbi rrashtë t’Shqyptarvet,
Tue lànë mbas krahit/
Burrnín e t’Parvet.

Tjerët kanë m’u ushqye/
Me lakna t’veja.
Me shllinë (n’i paçin,/
Medjè, dhênt plleja),

Ti ké me rrue/
Bibâj e pata,
E makerona/
Edhe sallata.

Tjerët kanë me shkimun/
Edjen me hirrë;
Ti, veç a mundesh/
Shampanjë e birrë.

Pa lodhë na menden/
Për dhé e gjuhë t’t’Parit,
Kem për t’kênë çmue/
Prej zogjsh s’Shqyptarit.

S’ka për t’ngranë palla/
Pse t’digjet ara
Ase mos t’gjindet/
Kund rrushit fara.

Kúr për tý greza/
Bâjn malit bungat
E mjaltë për tý…/
Kullojnë dér cungat.

Ehu! dy gërmaza/
Sod kjeçë tue dashtë
E ‘i plandc lastiket/
Krejt mbrendë e jashtë:

Kjé atherë tu’u zgjâ/
Ti sá koteci,
E tu’u kuqë hunda/
Mue m’kje si speci.

Oh! Kúr t’xâsh filli/
Me vû ti strehë,
Sa t’u ngjatjetat/
Ké për t’i njehë!

E ka me u gjetun/
Ndo’i farë Orfeut
që lavdet t’ua/
T’i a kndojë dheut.

E ti, tue qeshun/
Kangë e kangtár,
Tash mban përkthesën:/
Nuk jam Shqyptár

Mandej, kúr plakun/
E lodhë prej vjamit,
Mé m’u dá shekllit,/
(Për sherr t’Adamit),

Njata që zhabën/
N’kët jetë t’a rrasën
Kshtû kanë me t’shkrue/
Mbi vorr ty rrasën:

“Ktû njaj fatbardhi/
Âsht tue pushue
Për Fé e për Atme/
që pat jetue!”

A thue se âsht vorri/
Bash i Spartanvet
që n’Thermopila/
u bânë báll Persjanvet…

Prá, bjer kavallit,/
O barku i êm,
Porsi bylbyli/
që kndon mbi gêm!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.