Metamorfoza që nyjëton aksin estetik
dhe aksin kuptimor në tekstin poetik të Griselda Dokës
nga Yzedin Hima
Libri poetik i Griselda Dokës
“Vetëm disa pyetje të mërguara”
Libri poetik i Griselda Dokës “Vetëm disa pyetje të mërguara”, i botuar në dy gjuhë, shqip dhe italisht, është një e papritur e këndshme për lexuesin e qytetit të Beratit, qytet e rreth ku nisi formimi kulturor i autores së këtij libri. Njëkohësisht, libri që i flet lexuesit në dy gjuhë, është një mesazh për lexuesin këtej dhe andej detit se njeriu, pavarësisht fatit të tij personal dhe fatit shoqëror a kombëtar, pavarësisht prej varfërisë apo mirëqenies, është njëlloj i rrezikuar nga tjetërsimi, zvetënimi, vetmia, braktisja, zhveshja shpirtërore, shndërrimi në rob të sendit a sendëve, mesazhe që i tejçon në përgjithësi poezia. Poezia në nisje të librit ka dy vargje që tregojnë për metamorfozën e unit poetik nga i gjallë në të vdekur dhe anasjelltas, metamorfozë që ndodh në mënyrë krejt të natyrshme siç mund të jetë kalimi i pragut të ditës në muzg apo kalimi i pragut të natës në ag: Mund edhe të vdisja/ siç kam bërë herë të tjera…/ Si motivohet në tekst kjo metamorfozë? Në tekst nuk ka shpjegim, ose shpjegimi përcillet tek lexuesi, i cili pas leximit të këtij teksti mediton se diçka e fortë duhet të ketë ndodhur në jetën e subjektit poetik që sjell këtë shndërrim. (Kujtoni folklorin tonë, ku vajza kthehet në qyqe pas vdekjes së vëllait). Duke medituar lexuesi vjen në përfundimin se edhe ai ka vdekur disa herë, një herë kur desh të ishte ajo vajza që shkonte në atë shkollën e bukur, por nuk mundi dhe ajo vajza që vdiq bashkë me ëndrrën e saj, herën tjetër… kur ishte ai djali që desh të bëhej mjek, por nuk mundi për shkak… e kështu me radhë vdiq e u kthye sërish në jetë deri sa sot frymon me të tjerët. Poeti Fahredin Gunga ka një varg të tillë: Sytë e tu – vorrezë dëshirash. Ne dimë se sytë janë pasqyra e brendësisë së njeriut, gjë që na çon në përfundimin se vetë njeriu është një lloj vorreze e dëshirave të tij (Unë djepi dhe vorri juaj- shkruan Migjeni). Kur një tekst poetik “na fton” të zbulojmë kuptime e forma estetike që gjenden edhe tek teksti edhe tek ne si lexues, mendoj se ky tekst është i arrirë.
Teksti poetik i Griselda Dokës është ndërtuar në formën e një mozaiku poetik, ku në vend të titujve kemi numra romakë. Krahas detajeve të tjera poetike që nyjëtojnë këtë tekst, unë jam ndalur te metamorfoza që nis që në vargjet e parë dhe është e pranishme gjatë gjithë rrugëtimit poetik brenda këtij teksti. Miti i metamorfozës është i vjetër sa krijimi. Uni poetik në tekstin II është shndërruar në re pranverore brenda barkut amë. Më tej njëmijë pyetje që shkëndijojnë në sytë e saj nusërorë shndërrohen në duar të kruspullosura plaksh. Në një varg tjetër pyetjet kanë mbirë në kopshte në vend të bimëve. Një imazh i tillë poetik vjen nga absurdi i jetës dhe të kujton pikturat e Salvador Dalisë. Arsyeja? Mendoj se është dhuna. Duhet kërkuar te dhuna e tmerrshme që ka përjetuar dhe përjeton në këtë vend krijesa më fisnike dhe më brishtë e këtij trualli: gruaja.
Në tekstin III sërish ndeshim një metamorfozë: fluturimi i shqiponjës ka ngrirë në atë cep bote. Nëse në tekstet e lartpërmendur shpjegimi i mbetet lexuesit, në këtë tekst e gjejmë shkakun: shumë i lartë qielli/ shumë e ulët toka… Në një vend ku toka të përpin, qielli është shpëtimi si heaven (parajsë) apo si qiell që të çon në hapësira të tjera më të lira më të buta, më të begata. Në tekstin XIX lexojmë: kapesha pas reve për të kaptuar luginën. Rrugët janë mungesa e madhe në këtë tekst. Po ku gjendet ky cep bote ku fluturimi i shqiponjës ka ngrirë dhe qielli është shumë i lartë për t’u arritur dhe toka shumë e ulët për të qendruar? Tek gjithsecili. Pikërisht mungesa, mjedisi i ashpër që bie në kontrast me botën e bukur femërore të subjektit poetik shkakton disa pyetje retorike ekzistencialiste në këtë tekst: Ç’faj kam që lind dhe vdes brenda një sekonde? Pse orët dhe ditët shndërrohen në numra në kalendar? Ende do të jem bukuria e natës? Këto janë disa nga metamorfozat e dhimbshme të unit poetik. Metamorfoza e orëve dhe ditëve nga orë dhe ditë të mbushura me jetë, në numra të thjeshtë në kalendar është rrjedhojë e një jete të pajetuar, e një jetë të shkuar dëm. Vetëm një situatë e tillë traumatike mund të shkaktojë një metamorfozë kaq të fortë. Vargu poetik ende do të jem bukuria e natës është vërtëtë drithërues. Për të depërtuar në semantikën e këtij vargu mund të na vijë në ndihmë një thënie e njohur e filozofit dhe artistit Frensis Bekon: Në errësisë të gjitha ngjyrat janë një.
Uni poetik në tekstet e Griselda Dokës, krahas metamorfozës që pëson nga faktorë të jashtëm si mjedisi i zhveshur, i varfër, i mbyllur, mungesor, pëson edhe metamorfoza të vetdijshme që shkaktohen nga një botë e brendshme tejet e pasur në kontrast të plotë me mjedisin ku jeton: Isha flladi/ me kokën pas/ buzëqeshja e pafajshme/ loja e shkujdesur/ isha malli/. Ky është një shndërrim i butë që vjen si rrjedhojë e një ngjarjeje të madhe për subjektin poetik, prania e dashurisë: nën hapat e tu/ jam toka/ toka jote e brishtë. Vini re altruizmin a pazakontë të unit poetik në emër të dashurisë nga njeri në tokë të brishtë.
Drejt kësaj metamorfoze uni poetik shkon me dëshirë e pasion. Altruizmin, si metamorfozë të vetëdijshme në emër të dashurisë dhe rrjedhës së jetës e ndeshim në tekstin XVI: Edhe ti ishe degë/ ku era e shenjtë e Tomorit/ kishte testuar inatin e saj/ dhe dalëngadalë more formë/ duke hequr dorë nga gjethet/ dhe nga kënga e bilbilit veç për të ruajtur frutin.. Vetsakrifikimi i unit poetik takohet në disa tekste: do të jem terri yt/ dhe shiu/ në heshtje/… dhe ish atëherë që u bëra pikë uji/ dhe ish atëherë që u bëra ashkël… Tani jam lutja jote e dëshpëruar…
Metamorfoza e unit poetik nga vajzë në një lutje të dëshpëruar është tronditëse, parë në rrafshin estetik dhe në atë kuptimor.
Uni poetik e gjen shpëtimin tek dashuria, tek kjo arësye e madhe e ekzistencës njerëzore. Pas metamorfozave të pësuara për shkak të mjedisit të jashtëm dhe metamorfozave të pësuara si vetsakrifikim për shkak të dashurisë, uni poetik kërkon gjen shpëtim dhe amëshim tek dashuria: të kam thirrur/ për të ma rindërtuar trupin…(poezia XXIX).
Libri poetik i Griselda Dokës me energjinë estetike dhe kuptimore që përcjell te lexuesi shkakton një festë për miqtë e librit, posaçërisht për lexuesit e poezisë në Berat dhe më gjerë.
Yzedin Hima, nëntor 2015