Metamorfozat e Erosit
nga Artan Kafexhiu
Siç ka ndodhur me të gjithë karakteret e Panteonit grek, uljet e ngritjet, rritja dhe dobësimi i influencës së tyre, i ngjan më shumë një teatri kukullash, perëndi manekinësh. Në thelb, janë njerëzit dhe civilizimet e epokave të ndryshme, që kanë “lëvizur fijet” e këtyre perëndive, zotave kukulla, duke kënaqur pushtetin e dëshirave e pasioneve të vetë vdekatarëve.
Vdekatarët në të shumtën, ishin veshur me petkun e dramaturgut, filozofit, piktorit, skulptorit, poetit e së fundmi aktorit. Aristofani duke parodizuar fillimin e botës, pas Kaosit, Natës, Erebusit të Zi, dhe Tartarosit të Frikshëm, rrëfen se prej vezës që shtroi Nata, lindi Erosi, protogonos-i i parë. A e kishte seriozisht Aristofani edhe kur bënte parodi? A mund të themi jo, kur dihet se Olimpin dhe Panteonin e krijuan vetë njerëzit? Erosi duke mos qenë në rradhët e të pavdekshmëve, krijoi racën e tyre. A e shihni lojën?
Parmenidi, po vetë ai, i dhuroi Erosit rolin e demiurgut, – themeluesit të Universit. Zeusi nuk mund të krijonte një të tillë vetë, por pasi e gllabëroi Erosin të tërin, i vodhi identitetin, e vetëm atëhere, mundi të krijonte zotat e Olimpit, e të rikrijonte edhe një herë universin. Na dilka që Erosi ishte si ajo perëndia primordiale, na qenka babai dhe Zoti i Universit!
E të jesh prej derës së perëndive, të qënurit tërheqës, i bukur, i mençur, është kushti i parë dhe i domosdoshëm. Aristofani e quan atë: “Eros thellësisht i dëshiruar, Eros i zgjuar, flatëruar në t’florinjtë”, ndërkohë Hesiodoti e përshkruan si kallistos, “më të bukurin e të pavdekshëm… Ai i bën njerëzit të dobët/ ai vë në zotërim mendjet e mprehta, e i zbut/ shpirtin në gjirin e njerëzve dhe perëndive…”
Megjithëse këto dy atribute, ku bukuria është kombinuar me pushtetin e Erosit, habia e madhe është se këto janë gjendje eterike, evokime të bukurisë e forcës të një qenie jo me tipare antropomorfe, por një gjendje abstraksioni, diçka jo e prekëshme, jo reale.
Erosi është një forcë kozmike, si ai shkëmbi i shkëputur malit, i paprekur, i pagdhendur, siç hyjnizohej në Thespia të Boeotias. Erosi një copë natyrë, shkëmb në gjendje natyrale, i pagdhendur, si vend pelegrinazhi e lutjeje. Erosi është forca kozmike primitive, i lidhur me zjarrin, ku në garë athinasit me pishtarët e ndezur mbanin gjallë zjarrin në altarët e Prometeut dhe Hefaistos, ku Ibikus-i ishte i jati i Erosit. Ai ishte i lidhur po ashtu, me “pështjelljet e erave të Zefirit”, dhe me bimësinë, ringjalljen e saj në stinën e dashurisë në pranverë.
Hesiodoti është burimi i parë i natyrës paradoksale të ekzistencës së Erosit; fillimisht si një Zot primordial e krijues, e pastaj shfaqi natyrën tjetër, si përfaqësues i dëshirës së dashurisë. Ky paradoks buron nga roli i tij në lindjen e Afërditës, e ky shoqërim do të bëhet obsesioni i poetëve si Safo, Simonidi apo Ciceroni, që do t’i ndryshonin rolin Erosit në skakierën e Olimpit, duke e kthyer më vonë në djalin e Afërditës, por me baba që ndryshonte në varësi të poetit, herë me baba Uranin, herë Ares-in e herë Hermesin. Është kurioze se si Afërdita, tashmë e transfiguruar si e ëma e Erosit, i kishte ndarë divinitetet: Erosit i kishte lënë dëshirën abstrakte, kurse Afërdita vetë ishte realizimi i dëshirës, shoqëruar me kënaqësinë thellësisht fizike. Siç duket, grekët dinin fort mirë t’i ndanin siç duhet rolet.
Poezia erotike greke e përpunoi edhe me tej figurën e Erosit: si burim dëshire, afeksioni dashuror, por që mund të kthehej në një burim dhimbjeje, vuajtjeje, deri në kufijtë ekstremë e të pamëshirshëm të torturës dhe mizorisë. Karakteri i Erosit sillej në dy atributet bazë të tij, cilësitë e tij fizike, kurse shfaqja tjetër e tij ishte abstrakte, me ato problemet mendore e shpirtërore që ndikojnë njeriun.
Portretet e tij poetike, janë idilike të një djaloshi tepër tërheqës, deri edhe të një fëmije të vogël trazovaç me flatra, që nuk ka dalë akoma nga faza e lodrave.
Euripidi ishte i pari, që i dha një hark e një shigjetë të vogël me të cilat të plagoste zemrat e të dashuruarve, kurse të tjerë poetë, i dhanë në vend të harkut dhe shigjetës, një pishtar në flakë që të ndezte zemrat e dashnorëve…
Në poezinë aleksandrine, Erosi u deufikua, u ngrit në imazhin e një perëndije, madhështija e tij i humbi cilësitë tokësore, duke e kthyer thjesht në një imazh poetik, si mjet letrar duke evokuar diçka thjesht hyjnore, një lloj elementi dekorativ, njëlloj siç edhe zbukuronte vërtetë vazot me dekoracione në përdorim të përditshëm.
vazhdon…
© Artan Kafexhiu
Foto: Eros Farnese MAN Napoli