back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mid’hat Frasheri – Gjeniu i panjohur, jo “Gjeniu Fatalist” nga Ilir Hysa

Gazeta

Mid'hat Frasheri (1880-1949) (a. morina)
Mid’hat Frasheri (1880-1949) (a. morina)

Mid’hat Frasheri –

Gjeniu i panjohur, jo “Gjeniu Fatalist”

nga Ilir Hysa

Në 136 vjetorin e lindjes së Mid’hat Frashërit, njeriut që ia kushtoi jetën Shqipërisë, pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare heshti. Dhe heshtja do të kishte qenë e mirë nëse nuk do të ishte heshtje harrese por respekt, përulje dhe nderim, por ja që nuk ndodhi kështu. Bota shqiptare ende nuk e ka kuptuar se ka shumë detyrime ndaj asaj cope të historisë të cilën nuk e njohim. Këtu nuk bën përjashtim, madje përbën shembullin tipik, ai i Mid’hat Frashërit. Kjo sepse, pavarësisht propagandës sllavo-bolshevike, Mid’hat Frashëri është njëri ndër themeluesit e shtetit shqiptar dhe me aktivitetin pas shpalljes së pavarësisë, derisa mbylli sytë, provoi se ai meriton të quhet Baba i Kombit.
Për të kuptuar kontekstin e këtij argumenti, le t’i referohemi kombit amerikan, të cilin e konsiderojmë komb mik dhe modelin demokratik të qeverisjes të të cilit duam ta bëjmë tonin. Në jetën e përditshme të këtij kombi të madh ka bindje nga më të ndryshmet dhe mosdakortësi për mënyrën më të mirë për të ecur përpara, por historia është një për të gjithë sepse ajo është e bazuar mbi fakte historike, mbi të vërtetën. Për këtë arsye, çdo 4 Korrik, por edhe në festa të tjera, amerikanët shprehin respektin dhe mirënjohjen për themeluesit e SH.B.A-ve, Baballarët e Kombit të tyre (America’s Founding Fathers).
Në kontrast, në Shqipërinë tonë faktet historike fallsifikohen për të përmbushur qëllime të ulëta. I tillë është rasti i fallsifikimit të Deklaratës së Pavarësisë, e cila në versionin komunist nuk përmbante nënshkrimet e disa firmëtarëve, edhe pse ata kishin qenë pjesëmarrës aktivë të luftës diplomatike dhe me armë në dorë, e cila çoi drejt pavarësimit të Shqipërisë. Mes firmëtarëve të mohuar ishte edhe Mid’hat Frashëri, një gjigand i mendimit e dijes, një shërbestar shembullor i Shqipërisë. Ai nuk kishte si të pranohej dhe nderohej nga Enver Hoxha sepse diktatori ogurzi ishte shumë i vogël para djalit enciklopedik të Abdyl Frashërit dhe njeriut-shërbestar të përulur ndaj kombit të Tij.

Mid'hat Frasheri... Meditim
Mid’hat Frasheri… Meditim

Mid’hat Frashëri jo vetëm që shkriu gjithë jetën duke i shërbyer popullit të Tij, por edhe ia la me testament gjithçka Shqipërisë. Shtrohet pyetja: Po ne çfarë kemi bërë për të? Asgjë, madje më keq ende. Ne e kemi lënë ashtu, pothuajse siç e anatemoi diktatura, me baltosjen e pamerituar. Sikur të mos mjaftonte kjo, ne edhe eshtrat ia kemi lënë në dhe të huaj. Turp për ne! Eshtrat e Tij duhet të prehen në Shqipëri, tokën për të cilën u tret dhe ku e la amanet të prehet. Lënia e papërmbushur e këtij amaneti për gati shtatë dekada është turp kombëtar. Nderimi ndaj Mid’hat Frashërit na nderon më shumë ne sesa kollosin e madh.
Moçali mediatik i Tiranës, ende e konsideron Mid’hat Frashërin figurë “interesante” dhe jo një mendimtar e diplomat të niveleve ndërkombëtare e patriot zemërzjarrtë. Këtë e konfirmoi drejtuesi i emisionit “Opinion” në televizionin Klan, Blendi Fevziu, i cili para ca kohësh organizoi një emision për Mid’hat Frashërin. Siç ndodh në ambjentet banale ku vlerat e vërteta nuk kanë peshë dhe cuba imoralë i kapin gratë njëri-tjetrit, edhe ky rast nuk bëri përjashtim, vetëm se në një formë tjetër. Fevziu tregoi se dashuritë e Mid’hat Frashërit e kanë befasuar gazetarin më shumë sesa krijimtaria e gjerë e kollosit dhe lufta për ti dalë zot Shqipërisë. Në një përpjekje të turpshme për të zvogëluar figurën e Mid’hat Frashërit në përmasat e një Don Zhuani, ai u mor me jetën e tij personale dhe letrat e dashurisë, por nuk lexoi asgjë nga “Diturija” e Lumo Skëndos, “Kalendari Kombiar” i Kristo Luarasit, “Albania” e Faik Konicës, shkrimet e dërguara Konferencës së Paqes, Lidhjes së Kombeve, apo letrat-protestë dërguar qeverisë greke për dhunën dhe spastrimin e Çamërisë. Ndoshta këto do të ndihmonin që shqiptarët të kuptojnë realisht çfarë ka bërë Mid’hat Frashëri për ta. Nuk dihet nëse është e qëllimshme apo jo, por Fevziu edhe keqinformon publikun kur thotë se varri i Mid’hat Frashërit është në Llong Ajlënd, Nju Jork (Long Island, New York), ndërkohë që gjeniu i madh ka gati shtatë dekada që nuk gjen dot prehje në Fërnkllif Semeteri, Hartsdejl, Uestçester Kaunti, Nju Jork (Ferncliff Cemetery, Hartsdale, Westchester County, New York).

Kreret e Ballit Kombtar Ekrem Peshkopi, Vasil Andoni, Mid'hat Frasheri, Ali Klelcyra e Koco Muka (Photo Amery).
Kreret e Ballit Kombtar Ekrem Peshkopi, Vasil Andoni, Mid’hat Frasheri, Ali Klelcyra e Koco Muka (Photo Amery).

Vlen të përmendet, megjithatë, se ende ka shqiptarë mirënjohës që e kuptojnë rëndësinë e nderimit ndaj një figure si Mid’hat Frashëri. Ishte prekëse pamja rreth varrit të gjeniut të kombit këtë pranverë kur shqiptarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nderuan shërbestarin e tyre në ditëlindjen e tij. Një aktivitet përkujtimor u organizua edhe nga partia Balli Kombëtar Demokrat, njofton Zyra e Shtypit e kësaj partie dhe mund të ketë patur edhe të tjera aktivitete për të cilat shkruesi i këtij shkrimi nuk ka dijeni. Por mjerisht edhe mes dashamirëve të historisë së vërtetë të Shqipërisë, gjen nga ata që jo rrallë bien në një batak të ulët i cili lë për të dëshiruar. Për shembull, drejtuesi i emisionit “Rrno për me tregue” në Shijak TV, z. Nebil Çika kishte bërë mirë që kishte organizuar një bisedë në studion e emisionit të tij në 136 vjetorin e lindjes së Mid’hat Frashërit, por mesazhet që përcolli ishin të përziera. Duhet thënë se Çika është nga ata shqiptarë që kanë bërë shumë për ndriçimin e të kaluarës sonë të errët. Ai kishte të ftuar në bisedë studiuesin e Mid’hat Frashërit, z. Aleko Gjergo dhe kryetarin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat z. Artur Roshi për të diskutuar figurën e rilindasit të madh. Nuk ka dyshim që z. Çika, sikurse ka bërë edhe herë të tjera, është nisur nga dëshira e mirë për të hedhur dritë mbi një figurë të anatemuar e baltosur sistematikisht për gjysëm shekulli dhe pastaj të lënë pothuajse në harresë, edhe për një çerek shekulli tjetër. Ajo që nuk shkon me bisedën e Nebil Çikës, dhe që madje është shumë shqetësuese nga këndvështrimi historik, është se, siç thotë populli, në vend që të vinte vetulla, Çika nxorri sytë. Ai nuk i bëri nder Mid’hat Frashërit duke hedhur tezën se ky paskërka qenë njeri fatalist. Çika shkruan kështu në faqen e tij në Facebook pas emisionit: “Rrno për me tregue! Mit’had Frashëri – gjeniu fatalist! Artur Roshi nuk është dakord me “fatalizmin” e tij e sheh vetëm si gjeni. Aleko Gjergo bie disi dakord…” Ky është thelbi i emisionit? Ky është Mid’hat Frashëri? Sigurisht që jo. Konkluzioni i duhur do të ishte: Mid’hat Frashëri – Gjeniu i panjohur.
Larot janë gati të kapen pas çdo fije kashte për ta denigruar mendjen e ndritur dhe Çika nuk duhej t’i hidhte benzinë zjarrit. Sikur një gjë të tillë ta bënte dikush i lindur e i rritur në një familje shërbëtore të verbër të sistemit diktatorial, sikurse jemi mësuar të dëgjojmë nga pseudo-historiani vegël e regjimit komunist dhe baltosës profesionist i historisë Pëllumb Xhufi apo Auron Tare, i cili beson kujtimet e largëta të një ish-gjenerali anglez më shumë sesa shembullin e jetës së një bashkëkombasi të tij, nuk do të kishte vend për shumë habi. Kjo sepse Xhufi e kompani ende besojnë dogmën bolshevike se Mid’hat Frashëri dhe Balli Kombëtar bashkëpunuan me pushtuesin gjerman, gjë që nuk është e vërtetë, por kjo është temë për t’u shtjelluar herë tjetër. Por kur teza të tilla hidhen nga njerëz me prejardhje si ajo e Çikës, problemi ndryshon.
Kuptohet që z. Çika duhet të mbushi orët e programit të tij, por duhet kuptuar se ky është debat shterpë që i bën skeptikët ende më skeptikë dhe nuk duhet hapur për tre arsye: Së pari, sepse me hapjen e një teme të tillë Çika tregon një deficit në të kuptuarit e një figure kaq të madhe. Kur radhit gjithçka ka bërë Mid’hat Frashëri për Shqipërinë, fatalizmi presupozon dekurajim e tërheqje dhe ndonëse Mid’hati u tërhoq në momente të caktuara nga aktiviteti i tij në një fushë, ai kontribuoi në fusha të tjera. Është pikërisht këmbëngulja për të mos i lënë në baltë njerëzit dhe vendin e tij tipari për të cilin Mid’hat Frashëri shquhej më së shumti. Por e theksoj, Çika duket se ka një boshllëk informativ, i cili krijon përturbime perceptimesh të paqena.

Mit'hat Frashëri dhe rinia e emigracionit shqiptar
Mit’hat Frashëri dhe rinia e emigracionit shqiptar

Së dyti, cili është standarti që përdoret për një etiketim të tillë? Enver Hoxha? Sigurisht që Mid’hat Frashëri nuk ishte politikani mediokër që bën gjithçka, edhe gjëra të ulëta, për të përmbushur axhendën e tij politike. Sigurisht që ai nuk mund të ishte gjakatar si Hoxha sepse lartësia e tij gjenetike nuk ia lejonte një gjë të tillë. Le të mos harrojmë që Mid’hat Frashëri ishte një njeri që besonte tek vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe jo dhunës e diktatit. Në fakt, ai është politikani që praktikoi i pari në historinë e shtetit shqiptar dorëheqjen si mjet demokratik.
Së treti, ky është debat shterpë edhe për arsyen e thjeshtë sepse krijimi i hijeve të panevojshme të dyshimit për një kollos si Mid’hat Frashëri në sytë e një shoqërie skeptike dhe të keqinformuar për dekada me radhë, është një shërbim i keq që i bëhet historisë dhe Mid’hat Frashërit. Ajo mezi po mëson të përqafojë heronjtë e saj të etiketuar padrejtësisht si tradhëtarë, ndërkohë që po kupton se tradhtarët janë pikërisht ata që janë mbajtur për heronj.
Për ta mbyllur, le të mundohemi të mos bëjmë të njëjtat herezi që bëri regjimi i kaluar duke etiketur sërisht njerëz që ende nuk i njohim siç duhet! Mid’hat Frashëri është më shumë për t’u studiuar sesa për t’u etiketuar. Kur të kemi bërë të parën, atëherë le të merremi edhe me të dytën.

Ilir Hysa, PhD
SHBA, 2 Prill 2016

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.