back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Midis ëndrrës dhe realitetit Ferdinand Laholli (Esse)

Gazeta

Ferdinand Laholli - Antologji e poezise shqipe gjermanisht
Ferdinand Laholli – Antologji e poezise shqipe gjermanisht

Midis ëndrrës dhe realitetit Ferdinand Laholli (Esse)

Që ëndërrimi është i qielltë, kjo tashmë dëgjohet thuajse përditshëm, por që prekja e qiellit nuk qenka ngjarje përditshmërie, kuptohet vetëm atëhere, kur me këmbët mbi tokë ngulmojmë arritjen e tij. Këtij kuadri pamundësie i përafert edhe dëshira frymonjëse për hartimin e një antologjie poetike me përmasa të atilla, ku të përfshiheshin të gjithë poezishkruesit e gjuhës shqipe, kudo ata qofshin, pa marrë parasysh gjininë, moshën, besimin fetar apo përkatësinë partiake, për të bërë kështu të mundur, në mos portretimi e modernes shqiptare, së paku ravijëzimin e saj. Një përmbledhje me këto përmasa e poezisë së sotme shqipe për lexuesin gjermanofolës do të ishte një mrekulli e papërsëdytshme, një ngjarje monumentale, për vetë faktin, se një botim i tillë me dimensione ëndrre mungon sot e kësaj dite edhe për vetë lexuesin shqiptar.
Nëse flitet për poezinë shqipe, kjo s’nënkupton aspak vetëm atë pjesë që shkruhej apo që vazhdon të kultivohet brenda kufijve të Shqipërisë politike. Ky përkufizim në ditët tona do të ishte gjithsesi mendjelehtësi dhe absurditet njëherësh, do të ishte edhe më tutje logjika kriminale e cungimit të kulturës mbarëshqiptare, e pikërisht ajo logjikë obskurantiste e sistemit njëpartiak, që mjerisht sundoi shkatërronjës për afro gjysmë shekulli në Shqipëri.
Për të gjalluar e për t’u ndjerë vërtet njeri, s’u dashka thjesht vetëm buka e përditshme, por edhe fjala, si shenjë e afërsisë së të tjerëve. Duhet gjithsesi afërsia e të tjerëve, për ta bërë frymonjës besimin mbi ekzistencën e vetvetes, për të rizbuluar jo vetëm kuptimin e të jetuarit, por edhe qëllimin e cakut synonjës me emrin arritshmëri. Si pjesë e pandashme e popullit, edhe poetët shqiptarë përjetuan për dekada të tëra një kohë të monstërt, në të cilën ishte e pranishme jo vetëm mungesa e bukës, por edhe më ndjeshëm akoma mungesa e fjalës. Si gjithë pasuritë mbitokësore e nëntokësore të vendit, që qenë pasuri partiake, edhe fjala apo më saktë akoma liria e mendimit sipas një ligji të pashkruar që funksiononte terrorshëm u kthye në monopol shtetëror. Përdoruesit e fjalës së shkruar publike u miratuan nga partia-shtet e të gjithë poetët që jetonin në Shqipëri u titulluan ndihmësa të saj. E këta të ashtuquajtur ndihmësa partie u këshilluan urdhshëm të poetizonin kryesisht për të, të himnizonin bamirësitë e papërsëdytshme të Partisë së Punës së Shqipërisë, e para së gjithash mençurinë e pakrahasueshme dhe zemërsinë e pashembullt të prijësit partiak, paçka se këto tipare as që ishin ekzistente. Ata që kishin mall për lirinë e vërtetë të fjalës e nuk iu bindën këshillave të saj, përfunduan nëpër burgje, nëpër internime, apo edhe u pushkatuan fare pa gjyq.
Në atë kohë të himnizuar prej vjershëtarëve oborrtarë, në të cilën pretendohej se bëhej epokë e që megalomanishëm u kurorëzua si “Koha e Partisë”, e asaj partie, që me hir a pahir mundohej të mbillte besimin se ishte shpëtimtarja e vërtetë e njeriut, madje e vetmja, ndërkohë që dita-ditës ushtronte më përdhunshëm e gjakatarshëm sundimin diktatorial, pra në atë kohë terroresh të papara, censura frikëmbjellëse ishte shoqëruesja e ngahershme e çdo autori shqiptar të mbijetuar. Censura mbytëse e asaj kohe qe mishërim i shpirtit të ferrtë të diktatorit dhe anasjelltas. Edhe pse në qindra libra poetikë i trumpetuar si një udhëheqës i dashur, Enver Hoxha e vendosi veten dhe gjeti kënaqësinë e vërtetë vetëm në rolin e gjykatësit, i cili, sikurse tashmë dihet botërisht, e përcaktonte vetë ligjin e dënimit të njërit apo tjetrit, e që kundër të cilit as që kishte instancë. Nëse si përkthyes merr sot në dorë librat poetikë të asaj kohe, kur krijuesi në shumicën e rasteve qe peng i fjalës së detyruar, shihet krejt qartë se tema e Partisë dhe e “njeriut të ri” qenë bërë rutinë. Botimet e asaj kohe, të cilat dëshmojnë hapur për jolarmi tematike, nuk janë në gjendje t’i ikin mesatarizmit. Ato botime janë për më tepër edhe dëshmi e pakundërshtueshme, se pothuajse të gjithë autorët e tyre, paçka pretendimit të sotëm, qenë promonistë. E për të mos rënë aspak në pozita nihiliste, pra për hir të së vërtetës së madhe duhet pohuar se nëpër to gjen edhe krijime poetike me vlerë antologjike, po që mjerisht janë shumë të pakta në numër, aq të pakta janë, saqë s’ta falin dot ngushëllimin për të mos e quajtur të humbur atë kohë monizmi, sa i përket zhvillimit të gjithëkulturës shqiptare, e veçanërisht zhvillimit të poezisë.
Vetëm pas vitit 1990, kur populli u zgjua dhe rrëzoi diktaturën enveriste, vetëm atëhere fjala gjeti vetveten, pra u lirua nga vargonjtë partiakë! Ky është edhe një nga shkaqet që pas atij viti lexuesi shqipfolës përjeton një vërshim të paparë vëllimesh me emra autorësh të njohur e të panjohur, ku fjala e lirë poetike aftësohet në mbartje mendimesh e ndjenjash të thella e të vërteta, aftësohet jo vetëm në mbartjen e fatit të mirë, por edhe fatkeqësisë e dhimbjes gjer më dje paradoksisht të ndaluara. Duke braktisur gjithnjë e më theksuar retorikën deklamonjëse ajo është bërë gjithsesi më e sinqertë e më vitale, ka fituar më tepër hapësirë dhe ngjyrë ekspresive, duke forcuar kështu tek vetja elementet e artit. Krijimtaria poetike e këtij dhjetëvjeçari të fundit – jo vetëm vargjet e rimuara të traditës, por edhe të parapëlqyeshmet vargje të ritmit të lirë, si dëshmi moderniteti – janë të mbarsura me befasi nga më të këndshmet e bukuri marramendëse. Duke parë jo thjesht vetëm krijimet interesante të shumë autorëve të rinj, por edhe ndryshimin cilësor të autorëve të vjetër, vjen tek bindja se poezia e vërtetë nisi të frymojë lirshëm në Shqipëri vetëm pas rrëzimit të komunizmit.
Në kuadrin kulturor, sikurse tashmë dihet botërisht, Shqipëria e sotme politike dhe shqiptarët nuk janë identifikim i ndërsjellë, e kjo nga shkaku se miliona shqipfolës janë të detyruar të jetojnë në shtete të huaja të ish-Jugosllavisë, ku shtypen si pakicë e keqtrajtohen si shqiptarë. Por siç e ka dëshmuar edhe historia, diktaturat mund të arrijnë vërtet ngritjen e mureve ndarës në trupin e një kombi, po kurrsesi të arrijnë copëtimin e shpirtit të tij. E poezia kombëtare shqiptare nuk mund të kuptohet e s’mund të jetë kurrë e plotë pa krijimtarinë poetike që zhvillohet në trojet shqiptare të atjeshme, pra Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. E megjithatë tabloja e poezisë shqiptare do të ishte e paplotë, nëse me dashje a jo nuk përfshihej në të edhe vepra poetike shqipfolëse që kultivohet në diasporë. Nuk duhet harruar fakti, se në diasporë, për shkaqe politike apo ekonomike jetojnë në kohën e sotme aq shumë krijues shqiptarë, saqë lënia mënjanë e tyre do të krijonte gjurmë boshllëku në punën e çdo antologjisti, nëse vërtet strumbullari i punës, pra qëllimi i vetëm mbetet paraqitja e poezisë shqipe të gjithandejshkruar. Duket se funksioni kryesor i poezisë së krijuesve emigrantë është (ri)krijimi i atdheut shpirtëror, në prehrin e të cilit butshëm e përmallshëm mbështetin kokën, për të mos u ndjerë – së paku në caqet e çastit engjëllor të krijimit – as braktisës e as të dëbuar. Poezia e tyre provokon vëmendje dhe inteligjencë. Tekstet poetike vijnë direkt nga domosdoshmëria e kohës dhe preludojnë atë çka ka mbetur nga njeriu i paatdhe. Ato vargje janë të gravuara nga vështirësia e ekzistencës. Pikëllimi mbytës dhe malli shkrumbonjës në to janë aq të thella e të vërteta, saqë në lexim e sipër ndjehesh i dëshiruar të pushtohesh nga magjia atdheshmërore, për të mos besuar kurrsesi në qenësinë e paatdhesisë, e ndërkohë je i gatshëm të besosh në frymimin brenda teje të atij dheu jetëdhënës, paçka se prej tij ndodhesh vërtet tepër larg. Për një që nuk e njeh ndjenjën e të dëbuarit, këto krijime mbesin gjallesa enigmatike, qenie që s’kuptohen lehtë.
Në rastin e një vendi si Shqipëria, ku ende nuk ekziston një botim i poezisë mbarëshqiptare, puna e antologjihartonjësit ishte tejet e vështirë. Vështirësia filloi që në orvatjen për hedhjen e urave të kontaktit me autorët shqipfolës, veprim ky, që edhe pse në aparencë mund të duket krejt i lehtë, nuk ishte aspak i tillë, nëse kihet parasysh shpërndarësia e tyre gjithandej botës, ku pamundësia akceptohet jo pak herë si e vetmja mundësi reale. Duke iu nënshtruar këtij fati të keq disa autorë mbetën padashur jashtë përfaqësimit të mundshëm, e disa të tjerë, për shkak të një kontaktimi të shumëvonuar, pra thjesht për pamjaftueshmëri kohe i prezantohen lexuesit vetëm me një numër të paktë krijimesh. Por nëse ky libër do të përjetojë një botim të dytë, e themi hapur se jemi të interesuar ta pasurojmë gjithsesi jo vetëm me krijime të tjera të krijuesve prezentë, por edhe me emra të tjerë poetësh, për të plotësuar kështu gjithnjë e më shumë fizionominë e poezisë moderne shqiptare.
Vështirësi paraqiti edhe leximi i qindra librave poetikë të botuar, gjë që nuk kërkoi vetëm kohë leximi, por edhe një lexim kujdesshumë e dashamirës, për të ndjerë e zbuluar se diku nëpër vargjet e shkruara frymonte poezia, e bukura antologjike. Përgjedhja është jo vetëm kriteri i nderimit të punës më të mirë krijuese të autorëve, por ndërkohë edhe parimi i nderimit të së bukurës. E nëse ia lejojmë vetes të themi se në këtë vepër autorët përfaqësohen me krijimet e tyre më të bukura, nuk harrojmë kurrsesi t’i shtojmë këtij pretendimi të vërtetën e madhe e të thjeshtë: e bukura është e mbetet kuptimësi relative.
Në këtë kompleks poetizimesh të ndjera të këtij vëllimi përgatitur për lexuesin shqip – e gjermanofolës njëherësh është orvatur të dalin në pah edhe veçanësitë autoriale. Edhe në dygjuhësinë e paraqitur ato ruajnë padyshim timbrin e të njëjtit realitet, megjithëse këtu, sa i përket përcjelljes në gjuhën e huaj duhet theksuar ajo, që tashmë dihet prej kohësh: kush realizon një përkthim, fut në të dashur padashur tonet dhe ngjyrat e tij.
Çka lexuesin e huaj mund ta ndihmonte për një kuptim më të mirë të poetikës shqiptare është fakti se shqiptarët e duan dhe e nderojnë vërtet botën e madhe, por jo me më pak zjarr e përkushtim ata duan dhe nderojnë rrënjët e atdheut të tyre të vogël, pavarësisht vendndodhjes që mund të kenë. E për një mirëkuptim më të plotë të aspektit të adhedashurisë së tyre është me vend që brenda këtij konteksti të citohet Pablo Neruda: “Dhe po t’më duhej të vdisja njëmijëherë, të vdisja veç atje!”
20 janar2003

Ky vëllim poetik (ISBN 9951-423-02-7), u botua falë angazhimit të Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Mëmëdheu” në St. Galen dhe me ndihmën e Departamentit për Çështje Jorezidente të Kosovës, Entit për Kulturë të Kantonit të St. Galenit, Qyteteit St.Galen, Qytetin e Bielit, Entit për Kulturë të Kntonit të Bernit si dhe Komunën e Wittenbachut në Zvicër.
Libri i posabotuar që ka 260 faqe, është i rëndësie të madhe dhe me vlerë shumdimensionale që begaton veprimtarinë botuese e sidomos atë dygjuhëshe shqip- e gjermanofolëse. Ndaj lexuesit shqip e gjermanofolës i mundësohet shijimi i vlerave krijuese poetike që trajtojnë tema e motive të ndryshme gjithësesi interesante nga penat e mrehta të katër autorëve të prezentuar.

Ferdinand Laholli
Ferdinand Laholli

Ferdinand Laholli
Ferdinand Laholli u lind më 16 qershor 1960 në Gradishtën moçalore, ku familja me prejardhje nga Vidohova e Korçës, si pasojë e emigrimit të atit të tij në Amerikë, qe dërguar të përjetonte ferrin e regjimit enverhoxhian. Më pas familja Laholli dërgohet në kampin e internimit Savër, ku për tridhjetë vite vuajti mohimin total të sistemit monist. Shkollimin tetëvjeçar e mbaroi në Savër më 1974, ndërsa vijimi i gjimnazit përbënte herezi. Pas tetë vitesh iu lejua të frekuentojë mbrëmjeve shkollën e mesme, të cilën e mbaroi më 1987. Më 1990 emigron në Gjermani. Ai shkruan poezi dhe prozë e gjer më sot ka botuar këto vëllime poetike: “Mjaft ky paradoks i hidhur” – Tiranë 1992, “Në ishullin e vetmisë/ Auf der Insel der Einsamkeit” – shqip/ gjermanisht, Tiranë 1993, përkthimi nga Robert Schwartz, “Libri i dëshirave” – Tiranë 1994, “Te kjo vajzë e përgjakur/ An diesem blutüberströmten Mädchen” – shqip/ gjermanisht, Tiranë 1994, përkthimi nga Robert Schwartz, “Suicidio delle foglie” – shqip/ italisht, Frosinone (Itali) 1995, përkthimi nga Noè, “Shtrigani i ëndrrës” – Tiranë 1996, “Urrejtja nuk është dashuria ime” – Prishtinë 1997, “Paolo” – Tiranë 1999, “Në Bykeburg bie shi/ Es regnet in Bückeburg” – shqip/ gjermanisht, Tiranë 2000.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.