back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mikele Greçi nga Vlora dhe Vittorio Sgarbi – nga Lutfi Alia

Gazeta

Michele Greco daValona: Madonna con Bambino e Santi Giovanni Battista
Mikele Greçi nga Vlora: Triptik i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë, e ulur ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit.

Mikele Greçi nga Vlora dhe Vittorio Sgarbi

nga Lutfi Alia

Pas vdekjes të kryetrimit Gjergj Kastrioti dhe pasi ranë Kruja e Shkodra, dy bastionet e fundit të rezistencës heroike të popullit tonë kundër hordhive turko-bogomile, në vitin 1479, Dozha i Venedikut dhe Sulltani, firmosën aktin e pushtimit nga Perandoria Osmane të gjitha trojeve albaneze. Kjo dramë e historike e popullit tonë, u pasua me një dhimbje tjetër, emigrimin e shumë albanezëve drejt brigjeve të Italisë. Disa eksode njeri pas tjetrit, me largimin në grupe të shumta të banorëve, për të shpëtuar jetën dhe fenë. Një kalvar pa fund, ikje pa kthim dhe vendosja e përherëshme ne dhè të huaj.
Albanezët emigruan në masë. Vetëm në vitet 1468-1550, nga trojet tona u larguan mbi 250.000 banorë.
Ishte emigrim i imponuar, për t’i shpëtuar reprazaljeve dhe hakmarrjes primitve të barbarëve otomanë.
Ikanakët braktisën trojet e tyre, por morën me vehte gjithçka albaneze. Edhe ne dhè të huaj, e shprehën shpirtin, artin, letërsinë dhe kulturën arbërore, si dëshmohet me veprat e disa nga figurat e shquara, ndër të cilët rendis humanistët Marinus Barletius (Shkodër 1450-1513, Roma), Marinus Becichemus Scodrensis (Shkoder 1468-1526 Padova), filozofi Nikolò Leonik Tomeo (1456-1531), poeti Mikele Marullo Tarkaniota (1458-1500), profesori i latinishtes dhe greqishtes Gjergj Merula, piktorët Vittorio Karpaci (1465-1520), Mark Bazaiti (1470-1530), Mikele Greçi nga Vlora, arkitekta dhe skulptore si Andrea Aleksi, Aleks Tarketa etj etj. (Mos më kritikoni që nuk i kam përmendur të gjithë arbërorët se janë shumë).
Një ndër figurat e shquara arbërore e gjysmës së dytë të shek. XV dhe fillimit të shek. XVI është piktori Mikele Greçi nga Vlora. Në fund të shek. XV, familja e Mikelit fillimisht u vendos në Abruco. Nuk ka të dhëna për fëmijërinë dhe moshën e adoleshenciale që kaloi në Vlorë, por sipas studiuesve Mimma Pasqulli, Lucia Arbace, Daniele Ferrara, Dora Cattalano etj, familja e tij erdhi në Abruco, rreth vitit 1481, kur Mikele ishte ende i ri. Njohuritë e para si piktor i ka marrë në vendlindje, ndërsa në Itali i thelloi dhe u formua si piktor dhe resturues i pikturave kishtare në rajonet e Abrucos, Molises dhe Leçes. Emri i qytetit të origjines Valona, u bë identifikues, duke e specifikuar në mënyrë dalluese ndërmjet piktorëve të tjerë italianë e kësisoj në ditët e sotme njihet: Maestro albanese Michele Greci da Valona, – mjeshtri albanez Mikele Greçi nga Vlora – piktor i shquar i “rilindjes adriatike të shek. XVI”.
.
Micchele Greco da Valona
Micchele Greco da Valona
Nga Abruzzo, duke ndjekur shtegëtimin sezonal të dhenëve të babait të tij, Mikele lëvizi ne drejtimet Akuila (Aquila), Foxhia (Foggia) dhe më pas u ngjit në Molise.
Në historinë e artit kishtar italian, figura e artistit albanez Mikele nga Vlora, prezantohet emblematike, që shpreh përzjerjen e kulturave bizantine, me Rilindjen italiane. Mikele është vazhdues i veprës të mjeshtrave të shquar italianë të shek. XIV-XV, sidomos të Iacobello Del Fiore përfaqësues i gotikut të vonshëm dhe piktorëve rilindas Karlo Krivelli, Pietro Alamanno dhe i Vittorio Karpaçi, përfaqësuesi më i shquar i “Shkollës së albanezëve” në Venecia. Këta piktorë, gjatë lëvizjeve nga veriu në jug të bregut të Adriatikut, me pikturat e tyre kishtare, bëhen zëdhënës të traditës së kulturës albanese – venedikase.
Në fundin e shek. XV dhe fillimin e shek. XVI, në trevat italiane buzë Adriatikut, gjalluan lirshëm dhe të ndërthura të dy kulturat e pikturës kishtare, ajo katolike dhe ortodokse bizantine, ku sipas shumë studiuesve të artit, Mikele nga Vlora u shqua si “piktor interesant albanez, i cili zbulon një liri të veçantë shprehjeje, që është frut i eksperincës si piktor i pjekur nga bregu tjetër dhe nga kjo anë e Adriatikut – “un interessante pittore albanese il quale rivela una particolare libertà espressiva, frutto delle esperienze maturate al di là e al di qua dell’Adriatico”.
Mikele Greçi nga Vlora i përket grupit të piktorëve, që përfaqësojnë “Rilindjen Adriatike”. Kritika e konsideron mjeshtër autentik i dy brigjeve, mjeshtër i pikturave të kultit ne kishat në Abruco dhe Molise, ku ruhen piktura shenjtorësh, disa me shumë vlera. Mikele nga Vlora është dhe autor skulpturash fetare.
Fernanda Pugliese, studiuese e historisë dhe kulturës arbëreshe, shkruan: “Ikonat e Mikele nga Vlora, kanë ngjyrat dhe bukurinë e dritës dhe përbëjnë një dëshmi unikale, të pranisë të kulturës arbëreshe në Molise në vitet 1500”. Ndër punimet me te mira të Mikele Geçi nga Vlora janë triptiku i Shën Marisë me Jezusin foshnje, ndërmjet Shën Pjetrit dhe Shën Palit (viti 1505), e konsideruar kryevepra e tij, e cila mban dhe firmën e autorit Michele Greci. Këtë triptik mjeshtri ynë e kishte pikturuar për Kishën e Shën Pietrit, ku arbëreshët celebronin me ritin bizantin, por kur kisha u shemb dhe arbëreshët u shpërngulën në Montecilfone, e morën me vehte dhe triptikun. Në vitin 1959, ky triptik u vendos ne Muzeun e Abrucos. Aktualisht, ky triptik i famshëm ndodhet në Kishën Santa Maria Maggiore në Gulionezi (Guglionesi) Komunë e Provincës Kampobasso – Molise, ku jeton një komunitet arbëreshësh. Ne dialektin arbëreshe, komuna Guglionesi quhet Ujunishe.
Një vepër tjetër e Mikele Greçi nga Vlora, është triptiku i vitit 1505, Shën Maria me Krishtin fëmijë, e ulur ndërmjet Shën Adamit dhe Shën Gjon Pagëzorit.
Këto vepra dhe shtatoren e Shën Pardo, Kuria e Peshkopatës të Termolit i ekspozoi publikut gjatë muajit nëntor të viti 2011. Massmedia i bëri jehonë këtij aktiviteti, duke e informuar publikun: “Veprat e Mikele nga Vlora u kthyen në shtëpi, por jo në Albania ku lindi piktori ynë i viteve 500, por në bregun përballë, në Abruco dhe në Molise”.
Në vitet 2011-2018, në Itali janë hapur disa ekspozita me punimet e piktorit tonë arbëror, janë zhvilluar ëorkshope e konferenca shkencore, ku kanë refruar studiuesit më kompetentë italianë e të huaj, mes tyre dhe shqiptari Ilir Shahollari, historian, studiues dhe restaurues i artit kishtar.
.
Sgarbi duke shpjeguar Michele Greco nga Vlora - EXPO 2015
Sgarbi duke shpjeguar Michele Greco nga Vlora – EXPO 2015
Në vazhdim të veprimtarive tradicionale kulturore në nderim të veprave të piktorit albanez Mikele Greçi nga Vlora, në gusht të këtij viti, në Ujunishe – Guglionesi, u organizua një takim me kritikun e artit Vittorio Sgarbi.
Një veprimtari e mirëpritur nga banorët dhe massmedia, si për praninë e kritikut karizmatik, të famshëm dhe të zjarrtë Vittorio Sgarbi, por dhe për tematikën e dedikuar veprave të piktorit bashkëqytetar Mikele Greçi nga Vlora. Pjesëmarrja ishte masive, madje disa banorë u prezantuan me veshjet tradicionale kombëtare shqiptare.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur të mblidhen kaq shumë njerëz në Kishën Shën Maria Maggiore në Giuglionesi, madje as në meshën e Krishtlindjes”, theksonin me krenari banorët, që ishin mbledhur për të dëgjuar “Lectio magistralis” (Leksionin mjeshtror) të Vittorio Sgarbit.
Kronikat u mbushën me njoftime rreth vizitës të Sgarbit dhe tubimit ku ai do të ligjëronte.
Në një nga lajmet e ditës theksohet se pasi vizitoi Vaston, ku admiroi një prej shumë pikturave të Mikele Greçi nga Vlora, në orën 18.00, kritiku Vittorio Sgarbi arriti në Ujunishe – Guglionese, por para se të vizitonte Kishën Shën Maria Maggiore, ku do të mbahej tubimi, vizitoi kishat e Shën Antonio dhe Shën Nikolla.
Kritiku Vittorio Sgarbi vendosi fillimisht të admironte pikturat e ekspozuara në këto kisha, duke e lënë në pritje të gjatë publikun, që e toleroi me durim këtë “kapriçio” të tij proverbiale. “Është i mençur e i zjarrtë si e shohim në televizion”, theksonin pjesëmarrësit në këtë takim kulturor.
Që në fillim të diskutimit, Vittorio Sgarbi u shpreh me humor të hollë e të pëlqyeshëm. Dhe pse fliste për artin, për vlerat e piktori Mikele Greçi nga Vlora, e gjeti shtegun e duhur për t’i drejtuar kritika Matteo Salvinit: “Duke parë veprat e tij bukura, Salvini nuk do të kishte mundur ta përzinte albanezin”.
Kritiku i artit Vittorio Sgarbi gjatë Lecctio magistralis (leksioni mjeshtëror) në Kishën Shën Maria Maggiore të Giuglionesi – Ujunishe.
Ndër të tjera Sgarbi theksoi se vepra e Mikele Greçi është me rëndësi për traditen historike dhe kulturore xhiulionezane. Për vlerat artistike, historike dhe kulturore, Vittorio Sgarbi insistoi dhe arriti ta realizoi, që triptiku i kishës Shën Maria Maggiore, vepër e Mikele Greçi nga Vlora, të prezantohet në Expo – Milano 2015. Rreth këtij vendimi Sgarbi tregoi: “Është një pikturë që ka lindur nga dialogu ndërmjet botëve të largëta, që sot ndodhen ne konfliktet salviniano, por që kishin filluar që atë kohë, kur ndodhi zbarkimi i parë i albanezëve në trojet italiane. Kështu arriti te ne ajo barka, pruri dhe një piktor nga Vlora, i quajturi Mikele Greçi, i cili na ka lënë vepra të rëndësishme, që janë pjesë e një kulture të lidhur me botën bizantine, por qe shpreh dhe një piktor të Rilindjes italiane. Për mua ky ishte një veprim i bukur, që mundësoi dokumentimin e Molises me një vepër të Mikele Greçi nga Vlora”.
Sgarbi theksoi dhe një zgjedhje ad hoc, rastin ku Mikele Greçi nga Vlora u përfshi dhe në publikimin VII: Ricordando Corrado Gizzi. Për këtë vendim, Sgarbi theksoi: “Kuptova që Gizzi është ai i shtëpisë të Dantes dhe ky ishte rasti më i mirë për të rikujtuar Gizzi dhe për të vlerësuar Mikele Greçi nga Vlora”.
Në vazhdim, Sgarbi i mençur dhe i zjarrtë theksoi: “Mikele Greçi është një artist i veçantë i kulturës veneciane dhe bizantine, që na i ka sjellë veprat e tij nga Albania. Ky është një rast emblematik, për të cilin ne italianët duhet t’i falenderojmë albanezët, për ato që kanë bërë për ne”.
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.