back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mikrobet e gjuhës shqype Gjergj Fishta (1918)

Gazeta

Poeti Kombtar At Gjergj Fishta
Poeti Kombtar At Gjergj Fishta

Mikrobet e gjuhës shqype

nga At Gjergj Fishta (1918)

Përnjimend se asht nji punë për t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës, e rrethue për gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u përshkue nëpër ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të përfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma tepër, përditë tue u zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, për me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kërthneztë ndërmjet zhumhurit të gjuhëve të sllavëve, të grekve e nën imperjalizëm të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhën origjinale të vetën, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e përditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, sllavët etj., janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nën shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak as natyrën e gjuhës, as shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, nëpër tê, edhe ndonji libër shqyp, botue prej ndoj geget a tosket si nëpër kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë për t’u mundue me e folë, kanë për t’i mbjellë aty-ktu nëpër shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët, kah nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kërkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue nëpër Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë përba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane.

Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë për t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyrës, për në kjoftë nëpunës e, për në kjoftë nxanës ka për t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë përjashta: e atëherë na mblon aj breshën fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, për me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: “Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shpërndanë kadalë.” Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, për në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë e ndër fjalë, e për në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet për voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtpërdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj. etj., të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë kllapì. Për ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma tepër. Kahë pritojnë me u vu e me zanë me libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë për të mbajtë për fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes për gardh. E kështu, kah rrijnë kta garguj tue britë përmbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht përzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Për në ngjatët puna ksodoret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobet që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje. Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që përparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, për pa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
(“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kur lexon fjalimet e të madhit FISHTA, mendon… mos vallë ai jeton akoma mes nesh!? Si ka mundësi që këto probleme që parashtron në këtë shkrim janë kaq të mëdha edhe sot e kësaj dite?!
    Normalisht një poet dhe filozof me shije aq të holle estetike ka edhe largpamësi në kohë… Të vjen keq sot, në kohën më të mirë kur teknologjia është në majat e saj, gjen sot nxënës që mund të kenë arritur dhe në klasën e 7-të apo të 8-të dhe nuk dinë të shkruajnë mirë SHQIP, aq më keq akoma kur ngatërrojnë shkronjat me njëra tjatrën. E si mund të ndodhë ndryshe kur për të zënë një vend pune, mësuesit kandidatë janë të detyruar që të paguajnë rryshfet të majmë tek eprorët e zyrave përkatëse. FATKEQESISHT edhe në disa gazeta dhe TV të ndryshme fjalët e huaja po futen gjithnjë e më tepër në mënyrën e të shprehurit gazetaresk çka i jep goditje tepër të rëndë gjuhës sonë.
    Të gjithë e dimë se gjuha jonë i ka të gjitha mundësitë e shprehjes emocionale dhe estetike në shkallën maksimale, mjafton që ta njohim atë dhe t’a shohim pa Racizëm Krahinor!!!!!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.