back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Miladini, “beu” i luftës foto me shënim nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Beu i Luftes çlirimtare - Miladin Popoviçi
Beu i Luftes çlirimtare – Miladin Popoviçi

Miladini, “beu” i luftës

foto me shënim nga Kastriot Dervishi

Personi mbi kalë është Miladin Popoviçi. Në pyjet e bukura të Shqipërisë, kalin e tërheq një shoqe lufte. Kapardisja e tij dhe fotografimi në këtë formë, nuk janë veprime të rastësishme. Tregojnë shumë. Popoviçi qëndroi pranë komunistëve të Shqipërisë nga tetori 1941 e deri në shtator 1944. Ishte drejtuesi politik i PKSH-së, ndërsa Dushan Mugosha (i cili qëndroi në Shqipëri në shtator 1941 deri në maj 1944) ishte drejtuesi ushtarak. Te komunistët vihet re një dukuri e çuditshme. Ndërsa flasin në propagandën e tyre për “luftë heroike” në atë kohë, nuk përmendin asnjëherë meritat e dy drejtuesve jugosllavë të partisë së tyre. Thënë ndryshe, është njësoj si të lavdërosh ushtarët e të mos zësh në gojë gjeneralët.
Çfarë bënin pra Miladini e Dushani pasi formuan partinë? Pse qëndronin ende në Shqipëri?
Shiheni foton e vitit 1943. Një vajzë e re udhëheq kalin e jugosllavit Popoviç. Simbolika është e qartë në çfarëdo lloj drejtimi. Miladini ishte në fakt “beu” i komunistëve të Shqipërisë.
 .
Dokumenti regjistrues i fotove
Dokumenti regjistrues i fotove

Trishtimi i leximit të nji fotoje!

Foto e lexuar nga Jozef Radi

Si i apasionuem mbas fotosh dhe fotografisë shpesh mundohem me kapë detaje që syni i zakontë shkel dhe i kapërcen si me kenë gjethe, dhe përpiqem me lexue at çka të tjerët kanë dashtë me thanë me dëshirë apo edhe at çka spontanisht fokusi e ka mbërthye, dhe që vetëm laboratorët e komunizmit me atë fallsitetin e mashtrimit, kanë prodhue shtatë variante të së njajtes foto, simbas rrethanave që ju e diktonte koha dhe armiqsitë e herë mbas hershme që i krijonte partia me slloganin: mos na lëntë zoti pa armiq se s’kemi kë vrasim mandej: veç vedin!
Fotoja që paraqet studiuesi skrupoloz dhe gjurmues i paepun Kastriot Dervishi asht e nji vlere të jashtëzakontë! Aty janë krejt gjurmat e nji epoke që po afron tye 80 vitet dhe çelësi me i lexue dhe me i kuptue shumë prej gjanave, për të gjithë ata që duen me lexue e me e kuptue të vërtetën! Për ata tjertë me tru të shpëlamë e të roitun edhe me ua hypë Millosheviçin maje kresë u duket se “janë kaluar” kështu që ma mirë po ndalem te fotoja!
Së pari kjo foto ngjan aq shumë më me nji tabllo të Vilson Kilicës “Shokë lufte – shokë jete”. Në foton në fjalë, në qendër asht nji kalë i bardhë e i fuqishëm dhe nji kalorës me nji buzëqeshje ma shumë se fitimtari, ngadhnjimtari! Te koka e kalit asht nji vajzë e vogël që i mban kapistallin kalit dhe kalorësit dhe ajo droja që për at veprim me siguri i asht dhanë urdhën! Vajza duket disi e trembun Nuk besoj se asht as partizane as piknikase; as qytetare dhe as katundare; as fort e hijshme e as disi krenare për shërbimin që po ban, e për detyrën që po kryen! Ajo asht thjesht nji e përdorun, dhe në kët vend historia shkruhet me njerëz të njipërdorimsha, të cilët nji ditë hidhen në pleh mbasi edhe ata vetë ndihen të tillë, dhe misioni tashma asht i kryem!
Në sfond, diku në hije e diku në dritë janë dy burra (që mos qofshin) njeni që qeshet n’hije e tjetri që e ka të mbulueme buzqeshjen me mustaqe!!
.
Enver Hoxha & Miladin Popoviç
Enver Hoxha & Miladin Popoviç

Ama, duket qartë që pozita e tre burrave në raport me atë grue jo fort në moshë, asht tejet poshtnuese! Mirë i hipuni mbi kalë, që asht serbi ma i vyem i komunistave shqiptarë, (edhe pse ata s’guxojnë me e pranue mjerimin e tyne), mundet që at mjerane ta kenë futë në foto enkas, që nji ditë kur t’i jepet pushtet t’ia kallzojnë herë mbas here edhe kët foto të kapistallit, si me i thanë se kjo ka qenë detyra jote! Po ata dy burra mbas, a s’mund t’ia afronin kët shërbim shefit të tyne gjigand, qoftë edhe në formë përvujtnie, për atë motër të idealeve!?

Kjo foto, pos poshtënim i femnës shqiptare, asht poshtënim i luftëtares nëse ajo asht e tillë, asht poshtënim njiherit i të dy atyne burrave, po edhe tjerëve, si fjala vjen autori i fotos e të tjerë spektatorë, që mali asokohe ka pasë plot!
Shpesh flamurtaret ma të mëdha për të drejtat e grave dhe emancipim kanë qenë gratë komuniste! Sigurisht edhe grueja në foto që shfaqesh me emën dhe mbiemën në dokumentet shoqnuese (Fatime Ruli) do të ketë qenë ndër ma të zjarrtat flamurtare të emancipimit të grues, sepse aq sa “ka vuejtë” prej kapistallit të kalit e të kalorësit, nuk mund të ishte ndryshe!
Mandej krejt ajo çka ka ndodhë ma vonë, kur grueja nën komunizëm kur humbi feminilitetin dhe u ba kominoshe e tornitore, vjen si rezultat i kësaj foto që u ka parapri kohnave!
Për tjerat, studiuesi Dervishi nuk mendoj se ka me e lanë me kaq!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.