back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Milan Kundera (1 prill 1929-11 korrik 2023) – material i përgaditur nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Milan Kundera (1 prill 1929-11 korrik 2023)
Milan Kundera (1 prill 1929-11 korrik 2023)

Milan Kundera (1 prill 1929-11 korrik 2023)

material i përgaditur nga Artan Kafexhiu

Injoranca*
nga Milan Kundera

Iu desh të detyronte veten të niste sërishmi fillin e bisedës të sapo ndërprerë; nëse N-ja kishte pësuar sulme të menjëherëshme për shkak të së kaluarës politike të tij. N-ja u gjegj me një jo; të gjithë sipas tij, e dinin që ai gjithmonë kishte ndihmuar ata që ishin persekutuar nga regjimi. “Nuk dyshoj” – tha Jozefi (e vërtetë nuk dyshonte), por ngulmoi: ai vetë, N-ja, si e gjykonte jetën, të kaluarën e tij? Si një gabim? Si një dështim, humbje? N-ja tundi kokën: s’flitej as për njërën, as për tjetrën. Në fund, Jozefi e pyeti se çfarë mendonte rreth rikthimit kaq të shpejtë dhe brutal të kapitalizmit. Duke ngritur supet, N-ja u përgjegj se në ato rrethana, s’kishte zgjidhje tjetër.
Biseda zvarritej. Fillimisht, Jozefi mendoi se N-ja i gjykonte pyetjet e tij të pavend. Pastaj u kujtua: më shumë se të papërshtatëshme, atyre i kishte kaluar koha. Nëse ëndrra për hakmarrje e kunatës së tij do të ishte bërë realitet, e nëse N-ja do të ishtë nxjerrë për gjykim, ndoshta atëhere do t’i ishte dashur t’i rikthehej të kaluarës së tij komuniste për ta zbardhur dhe mbrojtur. Por pa këtë gjykim, për të e kaluara ishte e largët. Nuk e jetonte më brenda vetes.
Jozefit iu kujtua një ide e tij e vjetër, që gjithmonë e kishte konsideruar si blasfemi: të bashkuarit me komunizmin, s’ka asgjë që lidhet me Marksin dhe teoritë e tij. Periudha historike, thjeshtë i ofroi njerëzve mundësinë të kënaqnin nevojat e ndryshme psikologjike: nevojën për tu shfaqur si jokonformiste; ose nevojën për të qënë te bindur; ose nevojën për të ndëshkuar të këqinjtë; ose nevojën për të qënë të dobishëm; ose t’i bashkohen të rinjve drejt të ardhmes; ose nevojën për t’u ndjerë pjesë e familjes së madhe.
Qeni i kënaqur po lehte kur Jozefi tha: sot njerëzit e kanë abandonuar komunizmin, jo sepse bindjet e tyre kanë ndryshuar, ose kanë pësuar një goditje të rëndë, por se komunizmi nuk i krijon me mundësi, as për t’u shfaqur si jokonformistë, as për të qënë të nënshtruar, as për të ndëshkuar të këqinjtë, as për të qënë të nevojshëm, as për t’iu bashkuar të rinjve, as për të rrethuar veten me familjen e madhe. Kredoja komuniste, nuk i përgjigjet më asnjë nevoje. Sot, nuk i hyn në punë askujt, ndaj të gjithë, lehtësisht e abandonojnë, pa u kujtuar më për të.
Megjithatë, kishte përshtypjen se qëllimi fillestar i vizitës së tij nuk ishte arritur; t’i bënte me dije N-së se, përballë një trupi gjykues imagjinar, ai, Jozefi, do ta kishte mbrojtur. Për t’ia arritur, ai donte t’i tregonte se, nuk ishte fort entuziast rreth botës që po shfaqej atje pas komunizmit; duke vënë në punë atë reklamën e madhe publicitare, që kishte parë në sheshin qëndror të qytetit të tij të lindjes. Një imazh, sigla me gërma të pakuptueshme, ku dy duar të shtrënguara, njëra e bardhe, tjetra e zezë, i ofronin të verbërve shërbime nën diçiturën: “Me thuaj, sipas teje, a është akoma i joni vendi?”
Priste një përgjigje plot sarkazëm në lidhje me kapitalizmin botëror, që e ka kthyer në një, të gjithë planetin, por N-ja nuk hapi gojë. Jozefi vazhdoi: “Perandoria sovietike u shemb, sepse s’mundi të mbante nën kontroll kombet që dëshironin të rifitonin sovranitetin e tyre. Por sot, këta kombe janë më pak sovrane, sa asnjëherë më parë. Nuk janë të lira të vendosin as për ekonominë e tyre, as për politikën e jashtme, e madje, as për slloganet publicitare.”
“Sovraniteti kombëtar ka kohë që është një iluzion” – u gjegj N-ja.
“Por nëse një vend nuk është i pavarur, e madje, nuk aspiron të jetë, a do të jetë akoma dikush i gatshëm të vdesë për të?”
“Unë nuk dua që fëmijët e mi të jenë të gatshëm për të vdekur.”
“Po ta them me fjalë të tjera: a ka akoma ndonjë, që e do këtë vend?”
N-ja ngadalësoi hapin: “Jozef, – me një ton ngashërues, – si është e mundur që ike? Ti je një patriot!” Pastaj tepër serioz: “Të vdesësh për atdheun tënd, s’ka kuptim më. Ndoshta për ty, ndërkohë kur ishe larg, koha ndaloi. Por ata nuk e mendojnë më kështu.”
“Kush?”
N-ja bëri shenjë në drejtim të katit sipër për të treguar fëmijët e tij.
“Ata janë diku tjetër.”

*Titulli origjinal i librit të Milan Kunderës është “L’ignorance”, 1999. Kam ruajtur titullin edhe në shqip, sepse edhe ne e përdorim. Pjesa sipër është zgjedhur nga ky libër. Unë kam bërë një përkthim të lirë, brenda kërkesave që kam unë për një përkthim. Kam mësuar se libri është përkthyer edhe në shqip me titullin, “Mosdija”.
Pa iu futur një diskutimi të gjatë, se përse unë nuk përdora këtë titull “Mosdija”, po shtjelloj me pak fjalë se “injoranca”, jo gjithmonë duhet të përkthehet në shqip si ‘mosdije’ apo ‘padije’.
Injoranca mund të jetë një akt i ndërgjegjshëm, ose i pandërgjegjshm, për t’iu shmangur përgjegjësive, ose përfshirjes në biseda, apo diskutime të padëshirueshme. Përdoret edhe si një lloj kujtese selektive, ose duke u hequr si i paditur, në padije, për të shmangur të vërtetën apo faktet.
© AK

Milan Kundera "L'ignoranza"
Milan Kundera “L’ignoranza”

***
Qibaristët – Artan sajojnë fjalë që nuk ekzistojnë të gjalla në shqipet – sajova dhe un nji metaforë. Injoranca titull i papërkthyeshëm ndrysh me sa kam dijeni. Puristët nuk duhen sidomos në tituj të letërsisë së madhe. As në përkthime filozofike. Po kjo temë tjetër.
Straight ahead with your Kundera – have e great meaning of His ideas.
Vrethee Lnika – Leka Ndoja

Milan Kundera
Milan Kundera

Një sprovë përkthimi, ndoshta 15-20 vite më parë,
e sjellë si një fragment nga Milan Kundera (romani Injoranca)
për të përcjellë sadopak, artin e tij analitik të antropologjisë të ekzistencës njerëzore.
Pyetje për miqtë e FB: A e ka lexuar dikush të përkthyer këtë libër në shqip?

Injoranca*  – nga Milan Kundera

Jeta e njeriut, mesatarisht zgjat tetëdhjetë vite. Dhe mendo, që në këtë kohëzgjatje çdo njëri imagjinon dhe organizon jetën e vet. Gjithshka është e stërnjohur, por shumë rrallë kujtohemi, që numri i viteve që na është paracaktuar, nuk është vetëm një e dhënë numerike, një karakteristikë e jashtme, (si gjatësia e hundës, ose ngjyra e syve); por bën pjesë në atë, ç’ka e përkufizon/ përcakton vet njeriun. Ai që do të mund të jetonte, me energji të plota, dyfishin e kohës, domethënë, rreth njëqindegjashtëdhjetë vite, nuk do t’i përkiste species tonë. Në jetën e tij, gjithçka do të ishte ndryshe, dashuria, ambicjet, ndjenjat, nostalgjia, gjithçka. Nëse një mërgimtar, pas njëzet vitesh të kaluara jashtë, kthehet në vendlindje duke patur përpara edhe njëqind vite jetë, nuk do të provonte aspak emocionet e një Kthimi të Madh, mundësisht mund të mos flitej as edhe për një kthim, por si një nga zhvillimet/ ndryshimet e shumta në udhëtimin e gjatë të ekzistencës së vet.
I njëjti nocion i atdheut, në kuptimin e fisshëm e sentimental të fjalës, në thelb është i lidhur me atë, se sa shpejt relativisht ikën jeta jonë, duke na lënë kaq pak kohë në dispozicion, të mundemi të biem në dashuri me një vend tjetër, ose vende të tjera, e gjuhë të tjera.
Marrëdhëniet erotike mund të mbushin të gjithë jetën e të rriturve. Por nëse kjo jetë do të ishte më e gjatë, rutina/ mërzitia, a nuk do të mbyste aftësinë për t’u entuziazmuar/ eksituar para se të na linin fuqitë? Sepse ka një ndryshim të madh midis aktit të parë, të dhjetë, të njëqindë, të njëmijtë apo të dhjetëmijtë. Ku është ajo ndarja, përtej të cilës përsëritja stereotipizohet, bëhet komike, apo e pamundur? E kur e kalojnë këtë kufi, çfarë mbetet nga marrëdhënia dashurore midis një gruaje dhe një burri? Do të shpërbëhet? Ose, në të kundërtën, të dashuruarit, a do të konsiderojnë fazës seksuale të jetës së tyre, si pjesa parahistorike e një dashurie të vërtetë? T’i përgjigjesh pyetjeve të tilla është tepër e vështirë, njëlloj sikur të imagjinoje psikologjinë e banorëve të një planeti të panjohur.
Edhe nocioni i dashurisë (të dashurisë të madhe, të dashurisë të veçantë/ unike), e ka ndoshta origjinën prej kohës së shkurtër që i lejohet. Nëse koha do të ishte pakufi, a do të ishte vërtetë Jozefi, aq shumë i dashuruar me gruan që i kishte vdekur? Ne, që do të vdesim kaq herët, s’mundemi ta dimë.
As kujtesa, nuk mund të kuptohet pa një përqasje matematike. E dhëna themelore është marrëdhënia numerike, midis kohës së jetuar, dhe kohës se jetës të magazinuar në kujtesë. Askush, s’ka kërkuar të llogarisë këtë marrëdhënie, nga ana tjetër na mungojnë instrumentët teknikë për ta bërë; megjithatë mund të supozoj, pa i krijuar vetes mundësira të mëdha gabimi, që kujtesa kufizohet/mjaftohet të ruajë vetëm një të miliontën, një të miliardën, së fundi, një pjesë pafundësisht të vogël të kohës së jetuar. Edhe kjo bën pjesë në ekzistencën e njeriut. Nëse dikush do të mundte të ruante në kujtesën e vet, gjithçka që ka parë/jetuar, nëse do të mund të ringjallte, kur t’i shfaqej dëshira, – një fragment të së kaluarës, – nuk do të kishte asgjë për të ndarë me njerëzit e tjerë: dashuritë e veta, miqësitë e veta, zemërimet e veta, aftësitë e veta për të falur ose për t’u hakmarrë, s’do t’i ngjanin aspak të tonave.
Nuk do të mund të kritikojmë kurrë mjaftueshëm, kë deformon të kaluarën, e rishkruan, e falsifikon, kë ekzagjeron rëndësinë e një momenti, duke kaluar në heshtje një moment tjetër; kritikat janë të drejta (s’ka si mos të jenë) por parëndësi, nëse nuk e pararend një kritikë elementare: kritika e kujtesës njerëzore si e tillë. E dobët kujtesa e vet! Nga e kaluara nuk është në gjendje të kujtojë, përveç se një pjesëz të parëndësishme, pa qenë në gjendje askush, se përse këtë pjesëz e jo një tjetër, përderisa në secilin prej nesh, një zgjedhje e tillë vepron në mënyrë misterioze, e pavarur prej vullnetit dhe interesave tona. S’do të kuptojmë asgjë nga jeta njeriut, nëse i shmangemi të parës nga të gjitha të vërtetat: një realitet kështu siç ishte, nuk ekziston më: për ta rikthyer është e pamundur.
Imagjino emocionet e dy qenieve, që rishihen pas vitesh. Dikur takoheshin, e kështu mendojnë se janë të lidhur nga e njëjta eksperiencë, nga të njëjtat kujtime. Të njëjtat kujtime? Është këtu, ku fillon keqkuptimi: s’kanë të njëjtat kujtime. Prej të kaluarës, i kanë mbetur në kujtesë dy-tre situata të veçanta, por jo të njëjtat. Kujtimet e tyre nuk ngjajnë, nuk përputhen, dhe nga sasia s’janë të njejta; njëri kujton rreth tjetrit më shumë, se tjetri për të, përderisa aftësia për të kujtuar ndryshon nga një individ në tjetrin (shpjegim ky, që në thelb është i pranueshëm për të dy), por edhe sepse (kjo është më e vështirë për t’u pranuar), s’kanë për njeri-tjetrin të njëjtën rëndësi. Kur Irena pa Jozefin në aeroport, kujtonte çdo detaj të aventurës së tyre të largët; Jozefi s’kujtonte asgjë. Që në momentin e parë, takimi i tyre kishte në themel një mosbarazi të padrejtë e revoltuese.

©Artan Kafexhiu

Milan Kundera (1929 - 2023)
Milan Kundera (1929 – 2023)

Liber jo Artan, pjesë në shtyp mbi treatmentin e kujtesës kam lexu. Spektakular koncepti i seleksionimit të kujteses – koncept i ngjashëm me atë Teorisë së harrimit – kur dy bashkëbisedues eliminojnë pjesë të narrativave gjatë bisedës – teoritë e Jan Assman. Përkthimi i rrokshëm – pasi do kulturë filozofike – ma mirë s’kemi ku gjejmë për tash.
Përkthimet e Kunderës përveç “Shakasë” nuk kanë ngjitë.
Leka Ndoja – Vrethee Lnika

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.