back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Misteri” Henrik S. G. nga Simbad Detari

Gazeta

Shkrimtari Henrik S. G.
Shkrimtari Henrik S. G.

Misteri” Henrik S. G.

nga Simbad Detari

Po thekesha në diell, te ‘Plazhi i Enverit’, matanë Tunelit në Ujë të Ftohtë, kur dëgjova zërin e gazetashitëses që reklamonte me zë të lartë, mallin e saj. U ngrita të blija një gazetë, thjeshtë sa për të vrarë kohën, kur, shitësja më tha: ‘Bli dhe këtë libër, e ka shkruar një ‘patrioti’ yt nga Franca. Është një mrekulli, ke për të parë…’.
-Nga Franca? – dhe shpejt i hodha një sy titullit: “Simfonia e fundit në ishullin Simon”, Botimet Dajti – 2000. Më lart qe emri i autorit. Henrik S.G.
Po kush ishte ky Henrik, pa mbiemër por me dy iniciale në vend të tij? Ishte më tepër kërshëria që më shtyu ta blej atë. Në mesditë, pasi bëra një “sieste” të shkurtër, nxora nga trasta e plazhit librin dhe siç isha shtrirë në divan, nisa të lexoj. Thjesht fillimin, faqen e parë të tij, nga që kisha mendimin se do të kisha të bëja me ndonjë ‘surrogato’, nga ato që tashmë kanë uzurpuar me shumicë, gjithë libraritë e Shqipërisë, por jo…

Henrik S. G. - "Gjuetia e Pellumbave" - Roman
Henrik S. G. – “Gjuetia e Pellumbave” – Roman

Po lexoja vërtet diçka të rrallë, origjinale, të ‘veçantë’. Diçka që s’e kisha lexuar më parë. Dhe si hoqa sytë prej tij. Atë pasdite e atë natë, nuk dola fare jashtë, gjersa e përpiva të gjithë, nga kreu në fund. Përmbajtja e librit, pak a shumë ishte kjo: Një djalosh largohet nga Shqipëria në korrikun e ’90-s, duke kapërcyer murin e ambasadës franceze. Ai bukurosh që nuk mund të kalonte pa tërhequr vëmendjen e njerëzve, vajzave e grave, rrëfen historinë e jetës së tij. Historinë e një shqiptari brenda së cilës përfshihet, historia 50-vjeçare e vendit të tij në diktaturë e, po aq edhe mendësia e një vendi të pazhvilluar e të mbyllur, duke hequr ndërkaq paralele mes tij dhe Perëndimit. Por, ajo që ishte esenciale dhe tepër tronditëse qe fakti se autori në fjalë, pra ‘misteriozi’ Henrik S.G. hidhte vështrimin në brendësinë e honeve të errëta të species njerëzore, të djallëzisë perverse genetike të tij, ku zbulonte fatalitetin individual e atë të vetë shoqërisë me konkluzionin se megjithatë, fatkeqësia e tij, nuk ishte thjesht shqiptare si fillesë, por i përkiste mbarë qenies njerëzore në përgjithësi.
Të nesërmen, në plazh, gazetashitësja kaloi përsëri pranë e unë, përfitova nga rasti për ta pyetur rreth autorit dhe librit që më ajo më kish rekomanduar një ditë më parë e që e kisha përpirë, me një kënaqësi makabre të veçantë. “Oh, tha ajo, po ti mund të takohesh me të. Për më tepër që jetoni të dy, në të njëjtin vend. Po deshe, të jap edhe numrin e telefonit!”.
Pranova me kënaqësi. Më pëlqente, kisha dëshirë që kur të kthehesha në Francë, t’i beja një telefonatë, ‘misteriozit’ Henrik SG. Thjesht për ta uruar për “Ishullin Simon…”. Por, ajo copë letër e grisur nga cepi i një gazete ku kisha shënuar me ngut një numër telefoni, për fat të keq më humbi e kështu do të më duhej të prisja edhe një vit tjetër që unë, këmbëngulës e gjithmonë kureshtar, të ia kërkoja atë përsëri gazetashitëses ne fjalë. Po në të njëjtin plazh, por një verë më vonë. Për fat, ajo e kish me vete atë numër dhe unë bëra kujdes të mos ta humbja përsëri…
Këtë vjeshtë, pas nja dy javësh që kisha mbërritur në Bordo, telefonova në numrin e shkrimtarit të panjohur. Matanë receptorit m’u përgjigj një zë i qetë, i shtruar, disi indiferent, por gjithsesi korrekt. I shpreha ‘misteriozit’ Henrik S.G, pakëz me zjarr, konsideratat e mia rreth romanit dhe ndërkohë, mësova se ai kish botuar ndërkohë edhe dy të tjerë. Një roman me titullin ‘Gjuetia e pëllumbave’ e një tjetër që ai e kish quajtur ‘Metamorfoza e një brezi të humbur’, (ky i fundit, vjet, kish fituar çmim të parë në prozë, në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Por, për këta dy romane, do të shkruaj më vonë). Pra, bisedova me të në telefon dhe i thashë gjithashtu, në se do të ishte e mundur që të takoheshim. Asnjë problem! Ra menjëherë dakord. Vendi takimit: në La Rochelle. Na binte pak a shumë, të bënim nga një orë e ca rrugë, duke udhëtuar drejt njeri-tjetrit që kështu të takoheshim, në një vend ‘asnjanës’. Pikërisht, në një qytet të këndshëm buzë Atlantikut, mjaft tërheqës e shumë i vizituar. Me një gji që hyn thellë në tokë si pykë, me portin e jahteve, fortesat dhe kullat e lashta mbrojtëse. Vendi i takimit, për më lehtësi: Stacioni i Trenit.
Ishte një e diel plot diell e dritë verbuese, pikërisht para dy javësh, që mbërrita në La Rochelle. Ndala veturën para stacionit të trenit dhe dhjetë metra larg, para meje qëndronte, ‘misteriozi’ Henerik S. G. Ishte ai, kokë e këmbë që kisha para syve! E njoha menjëherë, pa e parë kurrë! Ca vjet më i ri se unë, ishte i hollë lastar, profil nordik. Me vështrim herë zhbirues e herë krejt indiferent. E, teksa u përshëndetem e pastaj u ulëm në një restorant të këndshëm, nisëm të bisedonim për gjithçka: për burgjet, vitet e vuajtjeve, holokaustin shqiptar, artet, letërsinë, librat e tij, Francën dhe francezët, specien dhe perversitetin njerëzor. Flisnim duke u hedhur ‘degë më degë’, thjesht nga që koha, sidoqoftë, ishte e kufizuar. Dhe, ndërkohë, vëreja se dhe pse kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet që ai jetonte në Francë, shenjat e vuajtjeve nëper kampe përqendrimi e kishin ‘markuar’ keqas, ndofta përjetë! E, nga ana tjetër, nuk e kisha menduar më parë se, njohja me të do të ishte për mua një ‘choc’ i vërtetë e për më tepër, tek ai do të zbuloja një njeri dhe shkrimtar tepër të veçantë: me jetë, ide, vizione, stil, fantazi e gjuhë të cilat do të më trullosnin rëndë, aq keqas sikur të kisha pirë një jetë të tërë, vetëm absinth e mariuhanë…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.